Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare

718
Sigal

Dyzet e nëntë vjet më parë, më 13 mars, 1965 ndërroi jetë, në shtetin Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptaro-amerikani i madh, Peshkop Fan Noli, ndërsa 15 marsi shënon përvjetorin e normalizimit të marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në vitin 1991. Fan Noli ishte promovuesi dhe  vazhdon të jetë simboli kryesor i këtyre marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve, mbi të cilat ndërtuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten trashëgimia e tij. Noli ishte udhëheqës kishtar, diplomat, burrështeti, politikan, autor e poet, orator dhe komentator, madje, ndër të tjera, edhe muzikolog. Këta dy përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe kontributi, që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë, jo vetëm midis dy kombeve tona, por edhe në fushën ndërkombëtare, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Në kuadër të aktiviteteve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u fol për rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson që të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Ai ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit në fushën e diplomacisë. Megjithëse, arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare janë të shumta dhe të mëdha, roli i tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe roli i tij dhe sidomos elokuenca që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet, besoj se eventualisht do i njohë historia si kulme të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily Mail’  kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë të Ballkanit.

Ndërsa, gazeta amerikane “Nju Jork Times” e datës 16 Mars 1965 në njoftimin për vdekjen e Fan Nolit në Florida, duke shkruar për jetën dhe arritjet e tij gjatë jetës, mbi të gjithë veprimtarinë e tij, në mënyrë të veçantë thekson rolin që Noli luajti në krye të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Gazeta e njohur amerikane shkruante në lajmin nekrologjik për vdekjen e Nolit se ai kishte habitur delegatët në atë konferencë me një fjalim të ashpër dhe kritik ndaj vet Lidhjes së Kombeve duke e cilësuar veprimtarinë e saj si “flluska që i merr era”. “Nju Jork Times” shënonte se, pasi foli për veprimtarinë pesë vjeçare të Lidhjes, Noli kritikoi Lidhjen duke u thënë delegatëve se: “Sekretariati i Lidhjes së Kombeve ishte si një varr ku vdesin të gjitha idetë konstruktive”.

Në pjesën tjetër të fjalimit para delegatëve të Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesi shqiptar, Fan Noli foli nga një pozitë morale, që kur të merret parasysh situata e sotme në botë, e bën atë fjalim aq aktual sot, sa ç’ishte edhe 90 vjet më parë.  Fan Noli iu drejtua delegatëve të botës së atëhershme me porosinë se paqja në botë fillon në familje. Ai iu drejtua delegatëve duke theksuar se: “Ne duhet t’i mësojmë fëmijët tanë se vrasjet në masë janë njësoj si vrasja e një individi. Ata duhet të mësohen se “zotërat” e fiseve tona janë burimi i të gjitha të këqijave që kanë munduar e torturuar njerëzimin gjatë shekujve. Ata duhet të mësohen se ekziston një Zot i vetëm e i vërtetë, Zoti i gjithë njerëzimit, i të gjitha fiseve. Ata duhet të mësohen që të bëhen qytetarë të ndershëm të Supershtetit që bashkon të gjitha fiset…. Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta themelore… atëherë ne do të kemi bashkëpunim të vërtetë midis të gjitha racave, për një botë në paqe,  të përparuar dhe me begati ndërkombëtare”. (Cituar nga portali Frosina)

Ndërsa me rastin e vdekjes së Nolit, 49 vjet më parë, profesor Ernest Koliqi  kishte shkruar një nekrologji të gjatë në 3-4 faqe të revistës së tij ‘Shëjzat’ e vitit 1965, mbi veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit dhe veçanërisht mbi, atë që Koliqi e cilëson si “fytyrën vigane të Emzot Nolit nëpër kumbim të ligjëratës së Tij historike n’Asamblenë e Lidhjes së Kombeve”.  Ernest Koliqi shkruante se përfaqësuesi i Serbisë në atë konferencë, i përkrahur nga përfaqësuesi i Greqisë, duke përdorur  “një frëngjishte të dobët e çaluese, paraqitëse një grumbull arsyenash për t’i bindë përfaqsuesit e shteteve pjesëmarrëse për të mos pranue Shqipninë”. Përfaqësuesi serb dhe ai grek, sipas Koliqit, paraqitnin ”nji ndër arsyenat ma të rrezikshme”, se Shqipërisë duhej t’i mohohej antarësia, “mbasi Shqiptarët në shumicë ndiqshin besimin muhamedan, do t’u krijonte me shtet shqiptar, nji Turki e re midis Ballkanit, në të cilin të krishtënët do të psojshin salvime.”  Për të hedhur poshtë pretendimet e Serbisë dhe të Greqisë, shkruan Ernest Koliqi, para Konferencës së Lidhjes së Kombeve, “Ngrihet Emzot Noli, me kamilaf në krye e me veladon të zi episkopal, ku vezullonte nji kryq i madh ari….. që vetvetiu rrëzonte pohimet e të dërguemvet serb e grek”.

Ernest Koliqi vazhdon duke shkruar për rolin diplomatik të Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, se ai ishte “Një prelat shqiptar, i krishtënë, që kërkonte nji Shqipni të lirë dhe të hynte dorëzanë, se ndjeksat e tri besimeve (në Shqipëri) do të rrnjoshin vëllaznisht në harmoni të plotë vullnetesh e qellimesh. Prania e Tij ishte nji përgnjeshtrim i akuzave t’anmiqvet”, të kombit shqiptar, shkruante Ernest Koliqi.  Koliqi vazhdon duke thënë se të pranishmit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve nuk e pritshin një ligjëratë të peshkopit shqiptar, i cili përdorte një anglishte klasike me plot argumente e fakte historike dhe me një përgatitje të jashtëzakonshme kulturore.  “Si mos me pranue nji shtet që nxierte njerz me gjith ato veti të rralla”, si Fan Noli, pyet Profesor Ernest Koliqi dhe shton se: “Atë ditë Shqipnija, për hir të zotsisë së Emzot Nolit, siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë.  Kurrgja tjetër mos me pas ba Noli për atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjoftjen e përjetshme të Shqiptarvet”, përfundon Ernest Koliqi.

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara ai shërbeu si një zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të drejtave të Shqiptarëve kudo. Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare, në vazhdimësi nderon kombin shqiptar dhe sipas një komenti të gazetës britanike, ‘Manchester Guardian’ të vitit 1924, kujtojmë “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënëse në Gjenevë.  Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike.

Ndërsa Profesor Sami Repishti në vlerësimin e jetës dhe veprimtarisë së Nolit, në një shkrim botuar në gazetën ‘Dielli’ me rastin e 100-vjetorit të lindjes ka shkruar se, Noli ishte një person shumë dimensional, i cili i kalonte kufijtë e botës shqiptare, duke u përpjekur të ngrejë subjektin e vet në horizonte më të larta, në nivelin e mbarë njerëzimit, duke kërkuar, thotë Profesor Repishti, që  vlerat universale të jenë gjithashtu pikësynime edhe për kombin shqiptar. Sami Repishti shkruante se Noli u përpoq të hapte portën nëpër të cilën shqiptarët, ende të vetmuar e të izoluar, të hyjshin në familjen e madhe njerëzore, trashëgimtare e qytetërimeve të kaluara dhe ndërtuese e botës së re, përfundon Profesor Sami Repishti.

Kjo “portë”, për hapjen e së cilës punoi aq shumë Fan Noli, pothuaj gjatë gjithë jetës së tij, fatkeqësisht mbetet ende e mbyllur për Shqiptarët dhe për aspiratat e tyre të integrimit, kjo më pak nga kundërshtimet e të huajve, por më shumë për arsye të një politike përçarëse në radhët e vet klasës politike shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluar. Përveç kësaj, në vend të përpjekjeve për të hapur “portën” drejtë integrimit europian, sot diplomacia shqiptare fletë shumë për “partneritete strategjike” me një numër vendesh të ndryshme, një politikë kjo, të cilës, fatkeqësisht, i vjen era interesa ekonomike dhe financiare, në kurriz të partneriteteve vërtetë strategjike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, të provuara gjatë historisë. Kur një vend shprehet për marrëdhënie të partneritetit strategjik me aq shumë vende, atëherë ai vend s’ka partneritet strategjik me asnjë.  Fan Noli kishte një politikë konsekuente diplomatike të interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën ngushtë me shumë armiq, të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin, por pa shumë miq, në krahasim me situatën e sotme. Por,  fatbardhësisht Shqipëria atëherë mbijetoi falë atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa, të  burrave si Fan Noli, të cilët mbronin interesat e vërteta të kombit dhe lidhjet e ngushta me partnerët, historikisht të sprovuar strategjikë. Sepse, Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar. Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica, kishin vendosur Bostonin, kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme patriotike dhe diplomatike shqiptare, në të njëjtin nivel me qendrat e lëvizjeve patriotike shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin. Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet.