Frank SHKRELI/ Europa e tërë, e lirë dhe në paqe, bie ose ngrihet me Ukrainën

524
Sigal

Të martën me 27 Janar,  Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland mbajti një fjalim në Qendrën e Marrëdhënieve Amerikano-Europiane pranë Institutit Brookings në Washington, gjatë të cilit ajo shqyrtoi ngjarjet e vitit të kaluar në marrëdhëniet me Europën, të cilat sipas saj, farkëtuan një frymë të re në marrëdhëniet transatlantike në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike.  Ajo u tha të pranishmëve, shumica e të cilëve ishin ekspertë të marrëdhënieve amerikano-europiane dhe amerikano-ruse, se asnjëri prej nesh nuk mund të parashikonte që agresioni rus në Ukrainë do të vente në sprovë lidhjet transatlantike si dhe punën që është bërë gjatë 25 vjetëve të fundit drejt objektivit për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqe”.   Ajo shtoi se agresioni rus në Ukrainë dhe sulmet terroriste të grupit ISIL e degëve të kësaj lëvizjeje, kanë sfiduar dhe “kanë rrezikuar çdo gjë që ne konsiderojmë si të shenjtë, përfshirë demokracinë, lirinë e individit, sigurinë kolektive, tolerancën dhe begatinë, duke filluar nga Vankuveri deri në Valdivostok”, pohoi Viktoria Nuland.

 Në fjalimin e saj, diplomatja amerikane e cila është përgjegjëse pranë Departamentit Amerikan të Shtetit për marrëdhëniet e Amerikës me 50 shtetet europiane dhe euroaziatike, me NATO-n, me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në, theksoi vendosmërinë e përbashkët që nxit përpjekjet e përbashkëta për realizimin e misionit transatlantik, për një “Europë, të tërë, të lirë dhe në paqe”.  Diplomatja e lartë amerikane i përqendroi komentet e saj në Institutin Brookings, kryesisht mbi konfliktin në Ukrainë – ku sipas OKB-së deri tani kanë humbur jetën rreth 5000 veta –  duke thënë se konflikti në Ukrahinën Lindore është kthyer tani në një betejë për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe, duke theksuar se , “të gjithë ne e dimë se Europa e tërë, e lirë dhe në paqe bie ose ngrihet me Ukrainën”, tha ajo.

 Sanksionet e forta ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Europa kundër Rusisë, si kundërveprim ndaj mbështetjes ushtarake që ajo u jep separatistëve rusë të cilët luftojnë në Ukrahinën Lindore, nuk kanë ndaluar as nuk e kanë penguar Moskën që të vazhdojë t’u dërgojë  atyre ndihma, mbështetje morale dhe materiale.   Përveç sanksioneve ekonomike, znj. Nuland vuri në dukje  se Aleanca Perëndimore NATO, si përfundim i keqësimit të konfliktit në Ukrahinë, ka vendosur forcat e saj tokësore, detare dhe ajrore në disa vende anëtare të aleancës, të cilat gjeografikisht ndodhen afër Rusisë, siç janë Polonia, Bullgaria, Rumania dhe vendet baltike. “Aleanca e NATO-s”, tha ajo, “është një aleancë me karakter mbrojtës, qëllimi i së cilës është të shkurajojë agresionin.  Por në qoftë se dështon një gjë e tillë, atëherë “Ne duhet të jemi gati”, theksoi diplomatja amerikane, Viktoria Nuland.

Duke thënë se sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë së përbashkët me të cilat u përballëm vitin e kaluar, jo vetëm që nuk tronditën unitetin transatlantik, por ato në fakt, shtoi Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, “na bënë më të fortë, më të vendosur dhe si rrjedhim jemi në një gjendje më të mirë për të mbrojtur dhe për të zgjeruar komunitetin e vendeve të cilat besojnë në vlerat e përgjithshme universale njerëzore që na përcaktojnë se kush jemi ne.”

Ndërsa ajo foli për arritjet dhe bashkëpunimin transatlantik në fushën e mbrojtjes, të sigurisë së përbashkët dhe në marrëdhëniet ekonomike, diplomatja amerikane theksoi gjithashtu edhe punën e përbashkët që është bërë dhe po bëhet në luftën kundër korrupsionit, fenomen ky, të cilin ajo e cilësoi si një, “murtajë e shoqërive dhe e ekonomive tona”.  Në vazhdim ajo, nënvizoi: “Angazhimin tonë ndaj tolerancës, lirisë së fjalës dhe lirisë personale si e drejtë e çdo individi dhe të çdo kombi, për të zgjedhur vetë rrugën që dëshiron të ndjekë”.  Diplomatja e lartë amerikane tha se duhet të shpejtohen investimet për një begati të përbashkët, ndërsa ajo foli për korrupsionin  duke thënë se, “korrupsioni nuk është vetëm një vrasës i demokracisë”, por “korrupsioni”, shtoi ajo, është një fenomen që “i jep hapësirë influencave të këqija nga jashtë, në fushën politike dhe ekonomike.  Si rezultat, Viktoria Nuland premtoi, në fjalimin e saj, ndihmën amerikane, duke thënë se  këtë vit, “anë e mbanë Europës Lindore e Qendrore, si edhe në mbarë Ballkanin, do të shikoni një dyfishim të përpjekjeve me aleatët dhe partnerët tanë për të forcuar sistemin gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe shtim të përpjekjeve për të promovuar  një qeverisje transparente në sistemin e tenderëve publike”.   Ajo bëri thirrje edhe për investime në lëmin e energjisë, si një mjet që do të çlironte disa vende nga varësia energjetike, duke thënë se duhen krijuar alternativa tjera për vendet e Europës Qendrore dhe vendeve të Ballkanit në këtë fushë.

Duke nënvizuar planet për vitin 2015, Viktoria Nuland tha se gjatë këtij viti duhet të jemi besnikë ndaj partnerëve tanë lindorë, dëshira e vetme e të cilëve është që të jetojnë në paqe, tha ajo.  Diplomatja amerikane, Nuland tha në fjalimin e saj

se viti 2015 duhet të jetë gjithashtu një vit progresi në përpjekjet tona prej 20-vjetësh tanimë, “për të siguruar paqen, pajtimin, reformat e nevojshme politike dhe ekonomike si dhe qeverisjen e mirë, në vendet e Ballkanit.”

Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Nuland  e përfundoi fjalimin e saj duke bërë thirrje për një renesancë në marrëdhëniet transatlantike, duke nënvizuar se  rilindjen e këtyre marrëdhënieve, “duhet ta bëjmë për veten tonë, për fëmijët tanë, por edhe për botën në përgjithësi e cila pret prej nesh që të jetojmë sipas këtyre vlerave dhe t’i mbrojmë ato, duke përcaktuar një standard që bazohet në mbështetje të ligjit ndërkombëtar, të paqes dhe sigurisë, të tregtisë së lirë dhe të të drejtave universale të njeriut”, përfundoi diplomatja e lartë amerikane fjalimin e saj të martën, në Institutin Brookings në Washington.