Frank SHKRELI/Edhe një përpjekje tjetër për paqe në Lindjen e Mesme

573
Sigal

Ndërsa përveç turistëve nga e mbarë bota, Uashingtoni pothuaj është boshatisur për arsye të pushimeve verore të mijëra nëpunësve dhe zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë federale dhe të tjerëve, administrata e presidentit Obama, nëpërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, njoftoi të hënën rifillimin, pas një ndërprerjeje prej tre vjetësh, të bisedimeve për paqe në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe Palestinezëve. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, të dy palët kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet për nëntë muajt e ardhshëm.

Ashtu si pothuaj çdo president amerikan para tij, edhe presidenti Obama e ndjen jo vetëm të nevojshme, por edhe si detyrim, që të përpiqet  të bëjë ç’është e mundur për të ulur të dy palët në tryezën e bisedimeve me qëllim që më në fund të vendoset paqja midis Izraelit dhe Palestinës, si kyçi për paqe në të gjithë Lindjen e Mesme. Duke njoftuar fillimin e bisedimeve midis dy palëve, si dhe emërimin e përfaqësuesit të posaçëm amerikan për bisedimet izraelo-palestineze, ambasadorin Martin Indyk, Xhon Kerri tha se, ishte vizita historike e Presidentit Obama në Ramallah, marsin që kaloi, ajo që solli këtë moment të fillimit të bisedimeve. Kryediplomati amerikan njëkohësisht falënderoi edhe presidentin palestinez Abas dhe kryeministrin izraelit Netanjahu për udhëheqjen e tyre të guximshme, si dhe për gatishmërinë e tyre për të marrë vendime të vështira, “për një çështje aq të vështirë, të komplikuar, aq emocionale dhe simbolike”, tha ai. Z. Kerri shtoi se procesi i negociatave do të jetë i tepër i vështirë, sepse po të mos ishte i tillë, paqja do ishte vendosur me kohë midis dy popujve. Por me vendosmërinë dhe me shpresën dhe optimizmin amerikan për suksesin e bisedimeve dhe për një zgjidhje eventuale midis palëve ai tha se, pasojat për të mos bërë asgjë në këtë drejtim janë shumë më të këqija.

Sekretari i Shtetit Kerri, duke paraqitur diplomatin e njohur Martin Indyk si përfaqësues të posaçëm amerikan në këto bisedime tha se, ambasadori Indyk “Është realist. Ai e di se paqja midis palestinezëve dhe izraelitëve nuk do të vijë kollaj dhe se nuk do të ndodhë shpejt. Por, njëkohësisht, ai është i vetëdijshëm se tani ekziston një rrugë e hapur përpara, dhe se kjo rrugë duhet ndjekur me urgjencë”, shtoi Xhon Kerri. Ndërsa Ambasadori Indyk, duke falënderuar Sekretarin Kerri për emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme, por me plotë sfida, citoi nga fjalimi i Presidentit Obama në Jerusalem, marsin që kaloi, se në Lindjen e Mesme, “Paqja është e nevojshme, paqja është e drejtë dhe paqja është e mundshme”,  tha se pret të punojë ngushtë me Sekretarin Kerri, me Presidentin Palestinez Abas, me Kryeministrin izraelit Netanjahu dhe me delegacionet e të dy palëve, për të bërë çdo gjë të mundur që të realizohet vizioni i Presidentit Obama për dy shtete, në paqe dhe siguri me njëri-tjetrin”, që në të vërtetë ka qenë vizioni edhe i administratave të mëparshme amerikane. Xhon Kerri tha se, “Në qoftë se udhëheqësit e të dy palëve vazhdojnë të tregojnë udhëheqje të fortë, vullnet të mirë dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira dhe të bëjnë kompromise, atëherë paqja është e mundur”.

A është ky një ”mision i pamundur” që ka ndërmarrë Sekretari Kerri, pasi në fund të fundit, për dekada tani, përpjekjet amerikane për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme kanë dështuar.   Megjithëse pala amerikane duket më entuziaste dhe më me shpresë për mundësinë e suksesit të këtyre bisedimeve dhe ndërsa Liga Arabe duke se i ka dhënë aprovimin e saj nismës diplomatike të administratës Obama për rifillimin e bisedimeve, përfaqësuesit e të dy palëve, siç duket, janë më të rezervuar mbi ato që presin nga këto negociata, ndërsa shprehën qëndrimet e njohura të tyre. Ministri i jashtëm i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Maliki u tha gazetarëve të hënën se, “Objektivi i delegacionit palestinez në këto bisedime është që të theksojë faktin se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të veprojnë për t’i dhënë fund okupimit izraelit dhe të punojnë për krijimin e një shteti palestinez”. Ndërsa ambasada izraelite në Uashington, nëpërmjet një deklarate pak si evazive tha se: “Izraeli i konsideron Shtetet e Bashkuara si një partner jetik në përpjekjet tona për paqe me palestinezët. Ne mirëpresim një rol aktiv dhe krijues amerikan dhe njëkohësisht përkrahim përpjekjet e Sekretarit Kerri për të sjellë përsëri palestinezët në tryezën e bisedimeve”.

Por megjithëkëtë, Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri duket se e ka marrë këtë nismë me seriozitetin më të madh. Ai ka bërë gjashtë udhëtime në Lindjen e Mesme që prej kohës që është emëruar si kryediplomat i Shteteve të Bashkuara. Gjatë atyre vizitave në rajon, ai ndërmori atë që ishte bërë e njohur nga paraardhësi i tij dekada më parë, Henri Kissinger si diplomacia vajtje-ardhje nga një kryeqytet i Lindjes së Mesme në tjetrin. Megjithë entuziazmin e Sekretarit Kerri, ka mundësi që përpjekjet e reja të diplomacisë amerikane të mos sjellin asnjë hap ose rezultat të mirë drejtë paqes në Lindjen e Mesme, mendime këto që në të vërtetë po shfaqen edhe nga disa ekspertë si dhe në editorialet e gazetave më të mëdha amerikane. Por Sekretarit amerikan të shtetit, megjithë perspektivat e pakta për sukses, duhet t’i njihet kredia që të paktën ndërmori nismën për rifillimin e bisedimeve palestinezo-izraelite, duke shpresuar për një marrëveshje që do të çonte në realizimin e vizionit për dy shtete që do të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin. Përballë sfidash të mëdha, është më mirë të provosh të bësh diçka për të përmirësuar gjendjen edhe në qoftë se më në fund dështon, se sa mos të përpiqesh të bësh asgjë.