Frank Shkreli: Drejtësia shqiptare

663
Media të ndryshme kanë botuar lajmin për dekorimin e 1000 ish-funksionarëve të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë –ku përfshihen ish-prokurorë, gjykatës të regjimit enverist, si dhe ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit – me “Medaljen e Mirënjohjes”. Thuhet se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ua kishte akorduar këtyre këtë mirënjohje vitin që kaloi, ndonëse nuk jepet ndonjë shpjegim se pse lista u njoftua vetëm ditët e fundit. 

Duke lexuar një lajm të tillë, njeriu është i detyruar të pyes veten mos shoh ëndërra me sy hapur. Një rast i tillë nuk mund të gjendet në asnjë vend të botës, sidomos kur të merret parasyshë fakti se shteti shqiptar ka dekoruar edhe disa prej viktimave të këtyre ish-zyrtarëve komunistë të dekoruar nga qeveria shqiptare në vitin 2015. Me ketë masë, qeveria shqiptare barazon viktimat me kriminelët të cilët janë nga ata që urdhëruan dhe kryen vrasje, torturuan, burgosen dhe në përgjithësi ndërmorën disa prej krimeve më të shëmtuara të shekullit të kaluar – jo kundër armiqve të kombit shqiptar – por kundër vëllezërve dhe motrave të tyre shqiptare, vetëm e vetëm se ata nuk ishin dakort me një ideologji të huaj sllavo-aziatike, që iu imponua kombit shqiptar pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Nga të dekoruarit janë disa të cilët gjatë 45 viteve të regjimit komunist ishin pjesëmarrës në fushata spastrimesh, torturimesh dhe zhdukjesh fizike të kundërshtarve të pafajshëm të regjimit. “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkfajtorë”, barazim i viktimës me vrasësit. Vërtetë se regjimi komunist, ashtu si në mbarë Europën Lindore, ishte një tragjedi edhe në historinë moderne shqiptare. 

Por, këta nuk po na lënë ta harrojmë atë histori edhe po të duam. Njoftimi nga qeveria shqiptare për dekorimin e disa prej këtyre që dihet se ishin pjesëmarrës në krimet, të cilat mund të konsiderohen si ndër më të shëmtuarat në historinë e njerëzimit, është edhe më tragjik për faktin se tani në këtë periudhë të historisë për kombin shqiptar, kur Shqipëria dhe Kosova po përpiqen t’i bashkohen Europës duke premtuar që të adaptojnë ligjet dhe normat shoqërore, vlerave të botës perëndimore duke u larguar sa më shumë nga e kaluara e tyre komuniste është një shenjë ogurzezë për një të ardhme më të mirë në radhët e vendeve të përparuara. Dekorimi i sigurimsave, i gjykatësve dhe i prokurorëve të regjimit komunist, të cilët kanë dënuar me vdekje, me burg dhe internim të brendshëm mijëra shqiptarë të pafajshëm, nuk ka të bëjë aspak me vlerat europiane as me vlerat dhe moralin dhe as me vlerat e shqiptarit në përgjithësi. Fatkeqësisht tregon se shumë pak ka ndryshuar mentatiteti i kësaj klase politike të rritur e të edukuar nën regjimin komunist, regjim që konsideronte se jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë përballë pushtetit dhe sidomos jeta e kundërshtarit, hiç e hiç. 

Për më tepër, dekorimi i këtyre ish-zyrtarëve komunistë është një shuplakë dhe ironi mizore dhe torturuese ndaj të përndjekurve shqiptarë të atij sistemi, të cilët ende janë gjallë dhe njëkohsisht ky vendim nga ana e qeverisë përbën një vrasje të dytë edhe të atyre që vdiqën dhe u torturuan nga regjimi komunist, në duart e disa zyrtarëve dhe sigurimsave tani të dekoruar – në shënjë falënderimi – për “punën e mirë” që kanë bërë, në burgjet dhe kampet komuniste të përqendrimit, anë e mbanë Shqipërisë. Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, me shpërndarjen e këtyre dekoratave ish-zyrtarëve dhe ish agjentëve të Sigurimit famkeq të regjimit të Enver Hoxhës, nuk ka bërë asgjë më pak se sa një shkelje brutale të drejtësisë ndaj atyre të shkretëve, që këta zyrtarë me vendimet e tyre, i kanë pushkatuar, i kanë abuzuar dhe i kanë dhunuar të drejtat e tyre bazë të njeriut. 

Dekorimet janë edhe një nepërkëmbje fyese e të drejtave të njeriut të të përndjekurve të atij regjimi, të cilët për fat janë gjallë e të cilët kanë mbijetuar ferrin e burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit. Shumë prej tyre kanë vdekur gjatë këtyre 25-viteve ose kanë marrë rrugën e kurbetit ose sillen duar kryq e të papunë, në varfëri të skajshme anë e mbanë Shqipërisë – të padekoruar dhe të panjohur. Një gjë e tillë nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës ish- komuniste dhe me sa di unë as në ndonjë vend tjetër që pretendon se është në rrugën e demokracisë dhe që dëshiron të përqafojë vlerat dhe normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të përcaktuara qartë në Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut, në të cilën thuhet se “njohja e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtave të barabarta për të gjithë antarët e familjes njerëzore, është baza e lirisë, drejtësisë dhe e paqës në botë”. Ndërsa theksohet se “shkelja dhe urrejtja ndaj të drejtave të njeriut kanë përfunduar në akte barbare të cilat kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzimit”. 

Të tilla ishin edhe aktet e regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet, sidomos kundërshtarëve të tij të pafajshëm – barbare dhe jo njerëzore. Vendimi nga qeveria shqiptare për dekorimin e disa personave, të cilët gjatë karrierës së tyre kanë kryer këto barbarizma, me të vërtetë duhet të tronditin edhe ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve. Çfarë qeverie është kjo e cila dekoron kriminelët e ish-regjimit komunist dhe e cila, drejtë për drejtë ose tërthorazi, me këtë vendim dënon edhe njëherë viktimat e gjalla dhe të vdekura të atij regjimi, duke falënderuar ata që ndërmorrën ato krime të shqiptarit kundër shqiptarit? Si mund të merret me mend se kjo qeveri është serioze mbi ato që i premton popullit shqiptar dhe për të cilat u deklaron miqve ndërkombëtarë në lidhje me reformat që thotë se do të ndërmarrë ose është duke ndërmarrë në drejtësi dhe në gjykata, kur shpërndan mirënjohje dhe falenderime për kriminelët? Mungesa e drejtësisë në Shqipëri, tha kohët e fundit ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova është arsyeja që vendi po humbet shumë investime dhe shkaku se shumica e të rinjve shqiptarë dëshirojnë të jetojnë diku tjetër se sa në vendin e tyre. Ambasadorja çeke në Tiranë është cituar të ketë thënë se nëse nuk miratohet sa më shpejt reforma në drejtësi, që të largojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, nuk është bërë asgjë në Shqipëri. 

Në vend të që largojnë nga detyra, këta i dekorojnë! Shqipëria nuk mund të zhvillojë një demokraci të mirëfilltë, sepse demokracia e vërtetë nevojitet, jo dekorimin e ish-zyrtarëve dhe ish-sigurimsave, por kërkon si kusht paraprak, që personat të cilët kanë mbajtur gjallë regjimin komunist për pothuaj gjysëm shekulli, të largohen më në fund nga detyrat e larta të qeverisë dhe të shtetit, ashtu që me largimin e tyre të perëndojë njëherë e mirë edhe politika e atij regjimi, trashëgimia e së cilës ndihet dhe shihet edhe sot kudo në shoqërinë shqiptare, e sidomos në qarqet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, përfshirë edhe parlamentin. Por shpresa nuk humbet kurrë për ndryshime të mirëfillta në Shqipëri. Andaj në këtë periudhë demokracie të brishtë, kush janë ata burra e gra të guximshëm(e) që të përballen trimërisht dhe drejtë për drejtë me të kaluarën komuniste të Shqipërisë dhe njëkohësisht të marrin përgjegjësinë për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre dhe për mbarë kombin shqiptar? Kjo gjeneratë politikanësh anë e mbanë trojeve shqiptare ka një përgjegjësi të madhe mbi krahët e vet, ndoshta më të madhe se ndonjë herë tjetër në historinë e kombit shqiptar, për arsye të mundësive që u paraqiten shqiptarëve në këtë moment të historisë. “E ardhmja”, ka thënë ish Senatori amerikan Robert Kennedy, “nuk u përket atyre të cilët janë të kënaqur me gjendjen e sotme, ose që janë indiferentë ndaj problemeve të përbashkëta dhe të cilët kanë frikë përballë ideve dhe idealeve të reja dhe projekteve të guximshme”. E ardhmja, ka thënë Kennedy, “u përket atyre të cilët mishërojnë vizionin, arsyen dhe guximin për një angazhim personal ndaj idealeve të mëdha të shoqërisë. E ardhmja jonë mund të duket si tepër e largët dhe e parealizueshme në krahasim me vizionin që kemi, por e ardhmja jonë nuk është krejtësisht jashtë kontrollit tonë….

Është puna e duarve tona, e harmonizuar me arsyen dhe parimet, ajo që do vendosë fatin tonë”. Ish senatori amerikan sugjeron se drejtë realizimit të këtij objektivi nuk duhet harruar se “ata që jetojnë me ne dhe pranë nesh, janë vëllëzërit tanë, të cilët ndajnë me ne të njëjtin fat të një jete të shkurtë në këtë planet. Se edhe ata kërkojnë siç kërkojmë ne – dmth asgjë tjetër, përveç mundësisë dhe të drejtës për të kaluar një jetë të kënaqshme dhe të qëllimit”. Për të realizuar këtë objektiv shoqëror, ka nënvijuar Robert Kennedy, “ne duhet të njohim dhe të pranojmë barazinë e plotë njerëzore të popullit tonë, pikëspari para Perëndisë, edhe para ligjit, por edhe në këshillat dhe në administratën shtetërore”. Në të njëjtin fjalim, Robert Kennedy është shprehur se ai ishte një “kundërshtar i vendosur i komunizmit, sepse ai sistem ngre lartë shtetin mbi të drejtat e individit dhe të familjes, por edhe sepse në atë sistem nuk ekziston liria e fjalës, e protestës, e fesë dhe as liria e shtypit, karakteristika këto të një shteti totalitar. 

Komunizmi nuk kundërshtohet duke imituar diktaturën e tij, por duke ruajtur gjithmonë dhe duke shtuar liritë e individit në vendin tonë dhe kudo në botë… por edhe duke mbështetur drejtësi të barabart për të gjithë”. Demokracia e vërtetë, liritë bazë të njeriut dhe të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët para ligjit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis tyre, qofshin ato politike, ideogjike, fetare ose krahinore, nuk realizohen dhe as nuk sigurohen me punën e ish-zyrtarëve të komunizmit enverist të cilët në jetë dhe me punën e tyre zyrtare gjithnjë imitojnë diktaturën. Në mendimin tim modest, sido që ta marrësh, dekorimi i 1000 ish-zyrtarëve komunistë, është një akt i pa-pranueshëm dhe ogurzi për një shoqëri që me fjalë pretendon se dëshiron integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, por nga ana tjetër dekoron ish zyrtarë të komunizmit dhe injoron thirrjet e miqve ndërkombëtarë dhe të popullit të vet për reforma rrënjësore në drejtësi.
Ish-drejtori i VOA-s për Euro-Azinë
Sigal