Frank Shkreli*: Donald Trump zgjidhet president

574

 

Sigal

Fushata
e tejzgjatur dhe e lodhshme për president të Shteteve të Bashkuara, më në fund u
mbyll të martën me zgjedhjen e kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump. Megjithëse
shumë veta në Amerikë dhe jashtë saj ndillnin zi se në rast të fitores së
Donald Trump, bota do merrte fund, kjo nuk ndodhi. Toka gjithnjë rrotullohet
rreth diellit dhe bota vazhdon jetën normale. Këtë e dinte më së miri edhe
Presidenti i tanishëm Barak Obama, i cili bëri një fushatë të fortë kundër
Donald Trump, në mbështetje të kandidates demokrate Hillary Clinton. Mbrëmë
para se të njoftoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Presidenti
amerikan siguroi bashkatdhetarët e vet dhe tërthorazi edhe botën, të gjithë ata
që mund të ishin të shqetësuar me fitoren re kandidatit republikan Donald Trump
se, “Çfarëdo të ndodhë sonte, dielli do të lindë përsëri nesër dhe se Amerika
do të vazhdojë të jetë gjithnjë vendi më i mirë në botë”, u shpreh Presidenti
Obama. Në traditën më të mirë të kulturës politike amerikane, Presidenti Obama
i telefonoi Donald Trump për t’i uruar fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë
për të biseduar mbi tranzicionin e qeverisjes. Duke treguar dinjitetin e humbëses
edhe kundërshtarja e tij gjatë fushatës shpesh tepër të ashpër për president,
demokratja Hillary Clinton telefonoi Zotin Trump për t’i uruar fitoren. Donald
Trump, nga ana e tij uroi Zonjën Clinton dhe familjen e saj për fushatën që
zhvilluan dhe e falënderoi atë për shërbimin e saj ndaj Atdheut tonë, tha ai. Presidenti
i ardhshëm amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij drejtuar kombit me rastin
e fitores, theksoi se ka ardhur koha që të shërojmë plagët e ndarjes dhe të
përçarjes, ndërsa u bëri thirrje, “republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve
anë e mbanë këtij vendi, që të bashkohemi si popull dhe si komb.” Ai u angazhua
se do të shërbejë si president i të gjithë amerikanëve, pa dallim. Duke iu
referuar atyre që nuk e kanë mbështetur në të kaluarën, Donald Trump kërkoi
prej tyre “Këshillat dhe ndihmesën, me qëllim që të punojmë së bashku për të
unifikuar vendin tonë të madhërishëm”, theksoi presidenti i ardhshëm amerikan. Edhe
pas fitores së Donald Trump pra, kjo është gjithnjë Amerika që e kemi njohur
deri tani — betejë e fushatave dhe e debateve politike të ashpra elektorale, por
më në fund, me gjithë të metat e këtyre fushatave – kjo është ende edhe Amerika
e pajtimit, e shtrirjes së dorës midis kundërshtarëve politikë e angazhimit dhe
e përpjekjeve të tyre për të punuar së bashku për të mirën e vendit. Duke iu
drejtuar komunitetit ndërkombëtar, në fjalimin e tij Donald Trump e siguroi
botën, se ndërsa administrata e tij do të kujdeset pikësëpari për interesat
kombëtare të Amerikës, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës, Shtetet e
Bashkuara nën udhëheqjen e tij, “Do të kenë marrëdhënie të mira me të gjitha
vendet që duan të kenë marrëdhënie të mira dypalëshe me ne. Presim të kemi
marrëdhënie shumë të mira me të gjithë.” Ai shtoi se, me të gjithë popujt dhe
me të gjitha kombet do të kërkojmë gjërat që na bashkojnë, “Jo armiqësi, jo
konflikt, por partneritet”, theksoi Trump në fjalën e tij drejtuar komunitetit
ndërkombëtar. Fitorja e Donald Trump nuk është vetëm një fitore për të. Është
shumë më e madhe dhe unike në historinë politike të Partisë Republikane dhe më gjerë.
Jo vetëm që ai fitoi si kandidat i Partisë Republikane për President si një
njeri që nuk merrej me politikë më parë — por republikanët siguruan shumicën edhe
në të dy dhomat e Kongresit amerikan – Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve —
mbeten nën kontrollin e Partisë Republikane, gjë që ia bën më të lehtë atij
zbatimin e programeve dhe politikave që u ka premtuar votuesve amerikanë gjatë
fushatës. Në mendimin e shumë vrojtuesve, fitorja e Trumpit është, siç e ka
quajtur ai, një lëvizje, një revolucion i votuesve kundër elitës politike
amerikane, një situatë politike e pa parë ç’prej kohës kur u zgjodh president
Ronald Reagan, 36 vjet më parë. Por çdo fitore ka edhe humbësin ose humbësit e
vet. Natyrisht se humbësja kryesore është Hillary Clinton dhe Partia Demokrate,
e cila dështoi, jo vetëm në sigurimin e presidencës, por edhe dy dhomat e
Kongresit, që mbeten gjithnjë nën kontrollin e Partisë Republikane. Por ka edhe
humbës të tjerë në këtë mes, të cilët ishin krejtësisht të gabuar me parashikimet
e tyre mbi kandidaturën dhe fitoren e Donald Trump–përfshirë këtu median, sondazhet,
analistët dhe opinionistët, elitën politike, aleatët dhe përfaqësues të
biznesit. Askush nuk parashikoi fitoren e Donald Trump, përkundrazi të gjitha
këto grupe dhe individë e paraqisnin si të pamundur një gjë të tillë megjithëse
sondazhet
kanë treguar se 7 nga 10 amerikanë nuk ishin të kënaqur me mënyrën se po
shkonin punët në Amerikë. Për më tepër ata mendojnë se Amerika është në rrugë
të gabuar dhe kërkonin ndryshimin e status-quosë. Natyrisht se megjithë fjalimin
që mbajti mbrëmë Donald Trump dhe megjithë premtimet për bashkëpunim me të
gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij, mbetet për t’u parë që pas një
fushate të ashpër politike, nëse ai do të mund të bashkojë vendin dhe të mbajë
premtimet. Donald Trump është në kuptimin e vërtetë të fjalës, njeriu që nuk
është marrë me politikë – njeriu që gjithë jetën e tij është marrë me biznes
dhe që ka vepruar jashtë politikës — i pari pra në historinë amerikane pa
përvojë politike dhe ushtarake të mëparshme, që zgjidhet president i Shteteve
të Bashkuara. Prandaj dyshimet rreth mënyrës se si do të veprojë ai në Shtëpinë
e Bardhë, do të vazhdojnë nga skeptikët, brenda dhe jashtë vendit. Por tani
është koha për tu qetësuar. Fitorja e Donald Trump nuk do të sjellë fundin e
botës, siç tha edhe Presidenti Obama. Amerika do të vazhdojë të jetë Amerikë. Kushtetuta
amerikane garanton se asnjë person dhe asnjë institucion ose degë qeveritare ka
monopol mbi pushtetin. Dhe falë sistemit politik amerikan prej tri degësh
qeveritare — të përpiluar nga baballarët e këtij kombi shekuj më parë — asnjë
individ përfshirë edhe presidentin amerikan, nuk mund të bëhen diktatorë. Presidenti
kontrollohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve dhe megjithëse janë nën
kontrollin e republikanëve, siç ishim dëshmitarë edhe gjatë fushatës, as
republikanët nuk janë të gatshëm të ndjekin sy mbyllur politikën e Donald
Trump-it. Kështu vepron sistemi politik amerikan. Nuk është as një person,
madje qoftë ai edhe presidenti, as një degë e vetme e qeverisë që i bën gjërat
në kokë të vet. Por mënyra se si vepron gjithashtu sistemi amerikan,
historikisht, është një dëshmi se ata që sot janë të kënaqur me fituesin, do të
zemërohen eventualisht kur të shohin se disa prej premtimeve të bëra gjatë
fushatës nuk do të zbatohen dhe kështu fillojnë të balancohen edhe politikat. Në
këtë situatë të re politike amerikane, për sa u përket marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane dhe botës shqiptare në përgjithësi, përfshirë diasporën do
të kisha një këshillë: ne si shqiptaro-amerikan jemi anëtar të njërës ose
tjetrës parti, demokratë ose republikanë apo të pavarur politikisht. Si të
tillë kemi të drejtën e votës dhe bazuar në ndërgjegjen tonë jam i bindur, se
kemi hedhur votën tonë për kandidatët ose kandidatet e partisë sonë të
preferuar në nivel kombëtar, shtetëror ose vendor. Ky është një privilegj dhe
nder i veçantë për të gjithë ne si individë që jetojmë në Shtetet e Bashkuara
dhe si të tillë duhet ta trajtojmë. Jo vetëm si komunitet shqiptaro-amerikan në
tërësi, por edhe si udhëheqës të shqiptarëve kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe në
trojet tona në Ballkanin Perëndimor, nuk është një gjë e mençur për interesat
kombëtare shqiptare dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi si
komb shqiptar të tregohemi haptas për një kandidat, ose për një parti. Është me
rëndësi, për të gjithë ata që u japin rëndësi marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane, që kombi shqiptar të ruaj bilancin e ndërtuar për shumë
kohësh tani në marrëdhëniet e tij me dy partitë kryesore politike amerikane si
dhe me përfaqësuesit e tyre qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe sidomos në Kongres.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pa marrë parasysh fituesit dhe humbësit në
zgjedhjet amerikane – duhet të jenë dhe të kultivohen si marrëdhënie afatgjata të
interesit të përbashkët, por më shumë në interesin e shqiptarëve, midis dy kombeve
dhe jo si lidhje të përkohshme midis individëve dhe partive. Mos të luhet me
këto marrëdhënie për interesa personale. Kombi shqiptar
ka nevojë për Shtetet e Bashkuara!