Frank SHKRELI/ Dom Gjon Buzuku dhe libri i parë i Shqiptarëve

635
Sigal

(Me rastin e 460-vjetorit të Mesharit)

 Siç dihet, ky vit shënon 460-vjetorin e fillimit të shkruarit në shqip të veprës së Gjon Buzukut, “Meshari” në vitin 1554, të cilën thuhet se, ai e përfundoi një vit më vonë. Kjo vepër deri më sot konsiderohet si vepra e parë në gjuhën dhe në letërsinë shqiptare. Gjon Buzuku është vlerësuar nga dijetarë dhe akademikë shqiptarë, përfshirë edhe Eqerem Çabejn, si njëri prej personaliteteve më të dalluara të kombit shqiptar për kontributin e tij në hedhjen e themeleve të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar. Njëkohësisht, edhe Kisha Katolike e konsideron Dom Gjon Buzukun si një klerik të dalluar -ndër më të mëdhenjtë e saj- për kontributin e tij në liturgji dhe në letrat shqip.

 Në kuadër të100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, si pjesë e festimeve të këtij jubileu, mundësoi që për herë të parë, “Meshari” i Buzukut të mbërrinte në atdhe pas pesë shekujsh dhe të ekspozohej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, për ta parë dhe për ta shijuar të gjithë shqiptarët.  Ekspozimi i Mesharit në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u konsiderua si një për ngjarjeve më kulmore të këtij përvjetori historik.  Ja si e pati përshkruar mbërritjen e “Mesharit” nga Vatikani në kryeqytetin e kombit shqiptar me atë rast, ish-ministri i Kulturës, i përndjekuri dhe i përvuajturi i burgjeve komuniste të Enver Hoxhës,  i nderuari Visar Zhiti: “Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzier me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare.  Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… “Meshari” i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet, për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. “Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë”, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli “Meshari”, se libër qiellor është.   Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule. Vendoseni në një shtrat topi, si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku e pret në bronz Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij…”  Ndjenjat e të gjithë shqiptarëve, që vetëm një si Visar Zhiti mund t‘i përshkruante siç duhet. Studiues të ndryshëm të jetës dhe veprës së Gjon Buzukut janë dakord për kontributin e madh që ai i ka dhënë letërsisë, gjuhës dhe identitetit të kombit shqiptar, por midis tyre ka të paktën dy variante mbi vendin e lindjes dhe të veprimtarisë së tij kishtare dhe kulturore. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që Buzuku të ketë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tij në zonën e Prizrenit, por shumica e studiuesve, përfshirë Eqerem Çabejn kanë shkruar se, duke u bazuar në dialektin që përdor Buzuku, ai duhet të ketë lindur dhe vepruar në krahinën e Krajës, një zonë kjo midis Ulqinit dhe Shkodrës. Për më tepër, ata përcaktojnë edhe fshatin e Shestanit, si vendin, ku mund të ketë lindur Gjon Buzuku. Ndonëse në mendimin tim ka pak rëndësi nëse Buzuku e ka prejardhjen prej Krajës ose prej Prizreni, rëndësi ka kontributi i tij i pakontestueshëm për kulturën dhe identitetin e kombit shqiptar, për të cilin të gjithë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, janë të një mendimi.  Por megjithë pretendimet e studiuesve, të më falë lexuesi, por për arsye krenarie krahinore, më pëlqen më shumë dhe dua t’i besoj tezës së Eqerem Çabejt se Gjon Buzuku duhet të ketë lindur në një nga fshatrat e krahinës së Krajës, jo larg nga ku kam lindur edhe unë, ndaj them për arsye krahinore. Bashkëvendësit e mi në rrethin e Ulqinit e besojnë këtë tezë dhe sidomos këto 20 vitet e fundit janë përpjekur të përforcojnë këtë pretendim, duke mbajtur konferenca jubilare me ekspertë dhe akademikë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga dijetarë të huaj, në mbështetje të kësaj teze, se Gjon Buzuku, autori i librit të parë shqip, u përkiste këtyre trevave, ku edhe duhet të ketë shërbyer si prift i dioqezës së Tivarit. Megjithëse, me burime të kufizuara financiare të organizuesve, nga këto konferenca kanë dalë botime dhe studime të posaçme, ndërkohë që, ajka intelektuale e këtyre trevave është përpjekur të mbajë gjallë kujtimin e bashkëvendësit të tyre, Gjon Buzukut, me aktivitete dhe botime të ndryshme.

Një vend të rëndësishëm të kësaj veprimtarie të vazhdueshme në kujtim të birit të këtyre trevave shqiptare e zënë edhe revista, “Buzuku”, e cila para disa ditësh festoi botimin e numrit 40-t të saj.  Kjo revistë e shqiptarëve në Mal të Zi përpiqet të mbaj gjallë trashëgiminë e veprës së Gjon Buzukut dhe rolin e tij të rëndësishëm në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Sipas revistës tjetër me rëndësi për shqiptarët në Mal të Zi, “Koha Javore”, kohët e fundit në Ulqin u përurua numri i 40-të i revistës “Buzuku”,  në një konferencë, ku ishin të ftuar folës ekspertë, për të vlerësuar rolin e saj në ruajtjen edhe konsolidimin e gjuhës, të traditave dhe kulturës arbërore në këto troje shqiptare.  Mbi të gjitha, sipas “Kohës Javore”, folësit u përqendruan tek roli i mbështetjes së identitetit kombëtar shqiptar që luan revista “Buzuku” dhe vlerësuan njëkohësisht edhe punën e kryeredaktorit të saj, Dr. Simë Dobrecit.  Vetë, Dr. Dobreci tha në atë tubim se, “në revistën “Buzuku”, në vazhdimësi të traditës së jetës dhe veprës së Gjon Buzukut, jemi munduar të paraqesim kulturën tonë, adetet e traditën, rrënjën tonë”.  Aty mori pjesë edhe akademiku Emil Lafe nga Tirana, i cili përgëzoi kryeredaktorin dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë mësuesit e mi Bahri Brisku dhe Riza Rexha për misionin, që sipas tij, ata i kanë vënë revistës, “Buzuku”, duke u shprehur se ai: “Është roli i ndriçimit të identitetit kombëtar, roli i nxjerrjes në pah të atyre pasurive të mëdha të folklorit, të kulturës popullore, të mitologjisë dhe të gjitha pasurive të tjera të botës shpirtërore shqiptare”, ka thënë akademiku Emil Lafe, duke shtuar se, revista ka si mision jo vetëm zbardhjen e së shkuarës, por edhe të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi. Ai përfundoi duke thënë se, roli i revistës “Buzuku” tani dhe në të ardhmen është që të, “përballohet për të mbrojtur identitetin kombëtar, gjuhën dhe letërsinë, për të ecur bashkë me pjesën tjetër të popullit shqiptar kudo që është”.  Sipas “Koha Javore”, në tubim foli edhe Dr. Nail Draga, Drejtor i Qendrës Kulturore të Ulqinit,  i cili vlerësoi punën e Kryeredaktorit Simë Dobreci, duke thënë se, në saj të punës së tij të palodhur, “tani e kemi një arkiv prej 40 numrash, i cili do të shërbejë për të tashmen dhe të ardhmen”, por shtoi ai, “sikur mos të ishte revista “Buzuku”, shumëçka do ta kishim humbur”.  Edhe Kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Dr. Gani Karamanaga e vlerësoi revistën “Buzuku”, duke thënë se: “Më e rëndësishmja është që ajo ka luajtur rolin e padiskutueshëm që shumë prej neve të kthehemi nga vetvetja, të mësojmë çka është gjuha shqipe, çka janë simbolet e shqiptarisë”, -tha Dr. Gani Karamanaga.

Ashtu si edhe Gjon Buzuku në kohën e tij, edhe revista “Buzuku” sot, dëshiron të bëjë diçka për popullin e vet, përpiqet të ruajë dhe të vazhdojë trashëgiminë e Dom Gjon Buzukut që të bëjë aq sa ka mundësi, për të mbrojtur identitetin kombëtar në trojet shqiptare nën Mal të Zi dhe më gjerë.  Zgjidhja e problemeve në lidhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve, si 460 vjet më parë, ashtu edhe sot ka nevojë, sipas Gjon Buzukut, “për ndriçimin e mendjeve të njerëzve”, jo vetëm në trojet shqiptare nën Mal të Zi, por në trojet shqiptare në mbarë Ballkanin.

Urime revistës “Buzuku” në punën e saj fisnike në trojet tona nën Mal të Zi dhe, sipas lutjes së dom Gjon Buzukut, në këtë 460 -vjetor të “Mesharit”, “Ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë, O Zot”.  Nga tokat Arbërore, largoje të keqën, o Zot.