Sigal

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Radios, le të kujtojmë dhe të njohim rolin e këtij mjeti të fuqishëm mediatik për të promovuar dialogun, tolerancën dhe paqen”. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në mesazhin e tij për të shënuar 13 Shkurtin, Ditën Ndërkombëtare të Radios. Radio-ja, sidomos në të kaluarën, para shpërthimit të teknologjisë informative dhe transmetimeve satelitore, por edhe sot njihet gjithnjë si një medium që mund të ketë numrin më të madh të njerëzve që e ndjekin anë e mbanë botës. Natyrisht, se në botën e zhvillimeve moderne të teknologjisë informative, edhe shërbimet që ofron radioja po ndryshojnë gjithashtu në hap me ndryshimet e tjera në fushën e shpërndarjes së lajmeve dhe të informacionit, ndërsa ente të ndryshëm mediatike kanë adaptuar ndryshimet teknologjike që ofron në këtë fushë shekulli i ri dhe media shoqërore moderne.

Si gjithmonë, ashtu edhe sot, radioja është unike në rolin e vet për të bashkuar komunitetet dhe për të promovuar një dialog pozitiv për bërjen e ndryshimeve, qoftë në nivel vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar. Duke u përballur me nevojat dhe me sfidat e dëgjuesve të saj, radioja si një mjet mediatik shumë i përhapur botërisht, mundëson transmetimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe u jep hapësirë zërave që për ndryshe nuk do të dëgjoheshin për zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave me të cilat përballet cilado qoftë shoqëri ose komunitet në botë. Radioja, sidomos transmetimet ndërkombëtare radiofonike – nëpërmjet valëve të shkurtra dhe të mesme gjatë Luftës së Ftohtë dhe deri më në ditët tona – kanë shërbyer si një platformë për dialog dhe për debate demokratike mbi çështjet me rëndësi vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Njihet tanimë roli historik që kanë luajtur gjatë Luftës së Ftohtë – radiot ndërkombëtare perëndimore, siç janë “Zëri i Amerikës”, Radio “Evropa e Lirë” dhe BBC-ja – në shembjen e komunizmit ndërkombëtar dhe në arritjen e objektivave të strategjisë së perëndimit kundër komunizmit, duke shërbyer vazhdimisht, sipas Kartës së “Zërit të Amerikës”, si një “Burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse.”

  

Transmetimet ndërkombëtare perëndimore dhe sidomos “Zëri i Amerikës”, të cilin e njoh mirë, pasi kam punuar për këtë ent për 30-vjet në detyra të ndryshme përgjegjësie – që prej themelimit të tij gjatë Luftës së dytë Botërore dhe më vonë gjatë Luftës së Ftoftë e deri në ditët e sotme, është angazhuar, jo vetëm si detyrim gazetaresk –por madje edhe si detyrim ligjor, si asnjë ent tjetër mediatik –që të thotë të vërtetën. “Është i famshëm transmetimi i parë i “Zërit të Amerikës”, kur folësi ka deklaruar se: “Lajmet mund të jenë të mira ose të këqija. Ne do t’ju themi të vërtetën”. “Zëri i Amerikë”s për më shumë se 75-vjet – përfshirë “Zërin e Amerikës” në gjuhën shqipe – ka qëndruar vazhdimisht dhe gjithmonë, pa asnjë dyshim, në mbështetje të përpjekjeve për liri e demokraci jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe kudo në botë që prej fillimit, VOA, sidomos ka shërbyer si shembull i zbatimit dhe ruajtjes së parimeve të lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë.

Kryeqendra e “Zërit të Amerikës” në Washington

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios – sipas fjalëve të Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Zonjës Audrey Azoulay në mesazhin me këtë rast – “Le të bashkohemi përballë shqetësimeve të përbashkëta për të promovuar dialogun dhe pjesëmarrjen”, për të zgjidhur problemet me të cilat përballen shoqëritë vendase dhe bota në përgjithësi. Le të festojmë në këtë ditë, sipas saj, “Rolin e madh të radios duke përdorur këtë mjet mediatik për të zgjeruar horizontet tona, me qëllim që të ndërtojmë shoqëri më të harmonishme.” Duke filluar nga radiot e mëdha ndërkombëtare e deri tek radiot vendore, në mesazhin e saj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, zyrtarja e lartë e UNESCO-s, shtoi duke thënë: “Le të kujtojmë rolin e rëndësishëm që luan radioja në nxitjen e debatit publik rreth çështjeve të ndryshme, në angazhimin e shoqërisë civile në këtë debat dhe kontributin e saj në frymëzimin e mirëkuptimit të përbashkët, bazuar në temën e këtij viti kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Radios: “Dialog, Tolerancë dhe Paqe”.

Sepse sfidat me të cilat përballemi, përfundon mesazhin e saj Drejtoresha e UNESCO-s, “Varen gjithnjë e më shumë nga aftësia jonë për të komunikuar dhe për të folur me njëri tjetrin, me qëllimin për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, për problemet me të cilat përballet shoqëria e të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente.

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare e Radios!