Frank SHKRELI/Dhuna kundër femrave një epidemi botërore

591
Sigal

Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH) botoi ditët e fundit një raport  në të cilin  dhuna kundër femrave  cilësohet si “një problem botëror i shëndetsisë që ka marrë proporcione epidemike”.  Në një njoftim për median nga Gjeneva, OBSH thotë se dhuna fizike ose seksuale është një problem publik shëndetsor që prekë më shumë se një të tretën e të gjtiha femrave anë e mbanë botës.  Studimi i ri i Organizatës Botërore të Shëndetsisë nënvijon faktin se dhuna kundër femrave është shumë e përhapur dhe gjithpërfshirse,  në të gjitha rajonet e botës dhe në të gjtiha shtresat e shoqërisë.   Studimi, që është i pari i këtij lloji në nivel botëror  dhe që përfshinë të dhënat statistikore nga e gjithë bota mbi dhunën kundër femrave,  thekson se  rreth 35% e femrave janë subjekt  i dhunës nga partneri i tyre ose nga dikush tjetër.  Sipas këtij studimi,  dhuna kundër femrave nga partneri i tyre  është dhuna më e zakonshme dhe më e përhapur kundër femrave anë e mbanë botës.    Në studimin e OBSH-ës nënvijohet nevoja për angazhimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë për të zhdukur fenomenin e dhunës kundër femrave dhe njëkohësisht në raport  bëhet thirrje për të mbështetur gratë dhe vajzat e dhunuara.  Në njoftimin e OBSH-ës për median, theksohen në hollësi efektet  që ushtrimi i dhunës ka në shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor tek gratë dhe vajzat.

 “Këto të dhëna statistikore paraqesin një mesazh dhe paralajmërim të fuqishëm se dhuna kundër femrave është një problem botëror shëndetsor, me proporcione epidemike”, tha Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSH-ës, Dr. Margaret Chan.  Ajo tha gjithashtu me rastin e botimit të këtij studimi se , “sistemet botërore të shëndetsisë mund të bëjnë dhe duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar femrat e dhunuara.

 Në studimin e OBSH-ës vihet në dukje madhësia e këtij problem, ku thuhet se  38% e femrave që vriten anë e mbanë botës, vriten nga partneri i tyre, bashkshorti, i dashuri ose ndonjë anëtar i familjes.  Dhe 42% e femrave që dhunohen fizikisht ose seksualisht nga partnerët e tyre kanë pësuar plagosje fizike gjatë dhunës, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetsisë.  Në raport thuhet gjtihashtu se  dhuna nga partnerët  kundër femrave kontribon shumë që ato të zhvillojnë edhe probleme mendore dhe psikike, ndërkohë që femrat e dhunuara, sipas raportit, ka të ngjarë që të zhvillojnë gjithashtu probleme duke anuzuar me përdorimin e alkoolit.

 ”Këto statistika të reja nënvijojnë faktin se dhuna kundër femrave është jashtzakonisht e rëndomtë dhe kemi nevojë urgjente për të investuar në identifikimin e arsyeve të këtij problemi shëndetsor në botë”, citohet të keët thënë Prof. Charoltte Wats, njëra prej pjesmarrseve në përpilimin e  të këtij studimi.

 OBSH-ëja, në raportin e saj bën thirrje  për përpjekje më të mëdha në nivel global, për të parandaluar të gjitha llojet e dhunave kundër femrave, duke u marrë drejtë për drejtë me faktorët shoqërorë dhe kulturorë që kontribojnë në përkeqsimin e këtij fenomeni.

 Në në këtë studim thuhet se rajonet më të prekura nga dhuna kundër femrave janë Azia Jug-lindore, rajoni i Mesdheut lindor dhe Afrika, ku dhuna kundër femrave nga partnerët e tyre arrinë rreth 37%.   Në raport thuhet gjithashtu se ky problem nuk është vetëm një fenomen i vendeve në zhvillim e sipër.   Sipas raportit, edhe në vendet më të zhvilluara, dhuna fizike dhe seksuale kundër femrave është diku rreth 32%.

 Raporti i bën thirrje sektorit shëndetsor në çdo vend, për marrjen e masave urgjente për një përkujdesje më të mirë shëndetsore për femrat e dhunuara, duke rekomanduar një seri propozimesh për Ministritë e Shëndetsisë anë e mbanë botës.  Në njoftimin e OBSH-ës thuhet gjithashtu se  Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSHës, Dr. Chan, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s bënë thirrje për zero tolerancë ndaj dhunës kundër femrave.  Gjithashtu gjatë Asamblesë së 66-të mbi Shëndetësinë në botë që u mbajtë Majin që kaloi, shtatë qeveri –Belgjika, India, Meksika, Holanda, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara dhe Zambia — deklaruan se dhuna kundër grave dhe vajzave, “është një problem i madh shëndetsor në nivel botëror dhe një sfidë e madhe për barazi dhe të drejta të njeriut, që prekë çdo vend dhe çdo sektor të shoqërisë.”

Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetsisë thuhet se në shumë vende debati ose diskutimi mbi dhunën kundër femrave, në shumë vende, është një tabu dhe si rrjedhim abuzimet vazhdojnë.  Në raportin thuhet se të qenët në dijeni të ekzistencës së problemit dhe diskutimi i hapët dhe serioz rreth këtij problemi është një faktor kyç ky për parandalimin e dhunës kundër femrave.  Por, për më tepër,  zyrtarja e OBSH-ës, Garcia Moreno tha se shpesh janë normat shoqërore ato që tolerojnë dhunën kundër femrave, duke shtuar se, “Në shumë vende këjo lloj dhune shikohet si diçka e pranueshme nga shoqëria”, dhe si e tillë e pandëshkueshme, ndërkohë që dhuna kundër femrave vazhdon anë e mbanë botës.  OBSH-ëja thotë në raportin e saj se është i nevojshëm miratimi dhe zbatimi i ligjeve më të mira nga ana e shtetve të ndryshme me qëllim për të ndaluar  dhe për të eliminuar dhunën kundër femrave.

 Në fjalimin e saj të famëshëm në Pekin  në shtator të vitit 1995, mbi të drejtat e femrave, Hillari Klinton ka thënë se “të drejtat e femrave janë të drejtat e njeriut”, dhe se nuk është më e pranueshme që të drejtat e femrave të diskutohen si diçka tjetër nga të drejtat e njeriut.  Për një kohë të gjatë, ka thënë Znja Klinton, historia e femërave ka qenë një histori e heshtjes. Është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ka thënë ajo në Pekin në vitin 1995, kur shkaku kryesor i vdekjes së femërave anë e mbanë botës — midis moshës 14 deri 44 — është dhuna në shtëpinë e vet ku jetojnë.  Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI), duke bërë thirrje për dhënjen fund të ciklit të dhunës kundër femërave në botë, thotë se miliona femra anë e mbanë botës vuajnë nga dhuna e shtetit, nga dhuna në shtëpitë e tyre, si dhe në komunitetin ku jetojnë.  Dhuna ndaj femërave, thotë AI, është një dështim i papranueshëm i qeverive dhe i shoqërisë, në përgjithësi, për të respektuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut edhe për femërat.  Shtetet dhe qeveritë, thotë organizata e të drejtave të njeriut, e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të ndëshkojnë ata të cilët përdorin dhunën kundër femrave, duke marrë masa për të mbrojtur femrat nga shkelja dhe abuzimet e të drejtave të njeriut ndaj tyre, me qëllim që t’i jepet fund këtij cikli të dhunës kundër femrave.