Frank SHKRELI/ Dhjetë këshillat e Papës për të qenë i lumtur

85

Pak para disa ditësh lexova në median amerikane njoftime në lidhje me një intervistë që Papa Françesku kishte dhënë muajin e kaluar për gazetën “Viva” të Argjentinës, gjatë së cilës ai kishte rekomanduar  dhjetë këshillat e tij, bazuar në përvojën e tij, që ai thotë se po t’i zbatojmë, do jemi më të lumtur në jetë.  Ndonëse është fundjavë dhe jemi- si të thuash në vigjiljen e vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator  -thashë me vete t’i ndaj me lexuesit, të cilët ndoshta nuk i kanë lexuar deri tani këto dhjetë këshilla të Papës, për të qenë i lumtur në jetë, pasi në fund të fundit, kush prej nesh nuk dëshiron të jetë i lumtur në këtë botë.

Me këshillat e tij, Papa, në përgjithësi, përpiqet të inkurajojë njerëzit të kenë një qëndrim më pozitiv në jetë dhe të jenë më bujarë dhe zemërgjerë ndaj të tjerëve. Këshillon, gjithashtu, familjet që të mos shikohet aq shumë televizioni, pasi nuk u jep anëtarëve të familjes mundësinë për të komunikuar me njëri -tjetrin dhe propozon që njerëzit të kërkojnë mënyra më të mira për të kaluar kohën e lirë.  Ai tha se, është zhdukur kënaqësia për të lexuar libra, njerëzit nuk lexojnë më, fatkeqësisht. Papa, madje, rekomandon që të ndalohen përpjekjet për të bindur njerëzit që të përqafojnë fenë tënde.  Rekomandon që për arsye të jetës moderne shumë të ngjeshur, që të pushojmë më shumë dhe të kalojmë më shumë kohë me familjen dhe të punojmë për paqe -sipas mediave të ndryshme amerikane që kanë botuar intervistën me  këshillat e Papës për njerëzit që duan të jenë më të lumtur në jetë.  Disa prej këshillave të tjera përfshijnë mundësinë për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë dhe thotë se lumturia nevojit  përpjekjet e shoqërisë dhe të politikës për punësimin e të rinjve duke u gjetur atyre punë të dinjitetshme. Dhe mbi të gjitha, një ndër këshillat e Papës për të qenë i lumtur në jetë, është e nevojshme dhe rëndësishme që të respektohet besimi i të tjerëve.

Ja edhe 10 këshillat e Papës dhënë gazetës argjentinase “Viva”, të përkthyera shqip për ata, që sipas tij, dëshirojnë të jenë më të lumtur në këtë jetë:

  1. Jeto jetën tënde ashtu si dëshiron vet, por lejo që edhe të tjerët të jetojnë si pas dëshirës së tyre. Të gjithë, -tha Papa, -duhet të udhëzohen dhe të jetojnë në bazë të këtij parimi.
  1. Të jesh bujar e zemërgjerë me të tjerët. Është e nevojshme, -tha Papa, -që njerëzit të jenë të sinqertë dhe bujarë ndaj të tjerëve. Në të kundërtën, shtoi ai, njerëzit rrezikojnë të bëhen egocentrik, duke u përqendruar vetëm në nevojat e veta dhe askujt tjetër.
  1. Përpiqu të jesh i qetësuar në jetë. Reflekto mbi të kaluarën për të parë se si e ke kaluar jetën.
  1. Që njeriu të ketë një kuptim më të shëndosh për pushim, për më shumë kohë të lirë. Papa tha se konsumarizmi i tepruar ka sjellë shqetësime në shoqëri dhe u rekomandon prindërve që të caktojnë kohë të posaçme për të luajtur me fëmijët e tyre dhe që të mbyllin televizorin kur ulen rreth tavolinës për të ngrënë.
  1. E Diela duhet të jetë ditë pushimi.  Punëtorët duhet të pushojnë të dielën, pasi sipas tij, e “Diela është për familje”.
  1. Të gjenden mënyra të reja inovuese për të krijuar vende pune me dinjitet për të rinjtë e të rejat. Duhet të jemi më të interesuar dhe më krijues për t’u përballur me nevojat e rinisë, tha Papa për gazetën argjentinase, “Viva”.
  1. Respekt dhe përkujdesje për natyrën. Degradimi i mjedisit, shtoi Papa Françesku, është një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetvetes,- tha ai, -është nëse, “njerëzimi po bën vetëvrasje me përdorimin tiranik të natyrës dhe të burimeve të planetit, pa marrë parasysh pasojat.”
  1. Të mos jesh negativ ndaj të tjerëve. Nevoja për të folur keq për të tjerët është në të vërtetë shenjë e mosrespektit për vetveten, -tha Papa. “Heqja dorë nga ndjenjat dhe qëndrimet negative ndaj të tjerëve sa më shpejt që të jetë e mundur, është shumë e shëndetshme për individin dhe njëkohësisht  e bën njeriun më të lumtur,- tha ai.
  1. Mos u përpiq të kthesh dikë në fenë tënde ose që të tjerët të pranojnë me doemos pikëpamjet tua. Respekto besimin e të tjerëve!  Gjëja më e keqe, -tha Papa,- janë përpjekjet e tepruara për të kthyer dikë në fenë tënde. (“Don’t Proselytise: respect others’ beliefs”, ishin fjalët e Papës të përkthyera anglisht). Të tjerët -tha ai, -mund të frymëzohen nga shembulli ynë, po të duan.  Çdo person, -tha ai, -dialogon duke filluar nga identiteti i vetvetes dhe se katolikët duhet të dialogojnë edhe me ata që nuk ndjekin besimin e tyre.
  1. Puno për paqe. Jetojmë në një periudhë luftërash e konfliktesh dhe si përfundim duhet të ngremë zërin lartë në mbështetje të paqes. Paqja nganjëherë le të nënkuptohet se është e qetë, por ajo në të vërtetë nuk është kurrë e qetë, -tha Papa. Paqja është gjithmonë proaktive dhe dinamike, përfundoi Papa, duke u bërë thirrje njerëzve që të luajnë një rol më aktiv dhe më dinamik në zgjidhjen e konflikteve, anë e mbanë botës.

Këto ishin 10-këshillat e Papa Françeskut, dhënë  gazetës “Viva” të Argjentinës, për një jetë më të lumtur në këtë botë plot probleme. Por si individë kalimtarë në këtë botë edhe në qoftë se zbatojmë, madje, edhe vetëm një prej këtyre këshillave – përfshirë edhe ata që ndoshta nuk duan t’i marrin parasysh seriozisht këto rekomandime pasi vijnë nga Papa – besoj se do të bëhemi njerëz më të mirë, jo vetëm për veten tonë, për familjen dhe shoqërinë ku jetojmë, por edhe për mbarë familjen e racës njerëzore dhe në proces, si përfundim, do të kontribuojmë drejtë një jete më të lumtur, më të pasur dhe më të domethënëse për të gjithë.

Som

Mos u përpiq të kthesh dikë në fenë tënde ose që të tjerët të pranojnë me doemos pikëpamjet tua. Respekto besimin e të tjerëve!  Gjëja më e keqe, -tha Papa,- janë përpjekjet e tepruara për të kthyer dikë në fenë tënde.