Frank SHKRELI/ Da svidanja marrëdhënieve Ruso-Amerikane?

556
Sigal

Luftën e filloi i pari Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me botimin e një artikulli në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms” për të argumentuar qëndrimin e tij kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe duke kritikuar Presidentin  e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, i cili ka përkrahur një ndërhyrje të tillë pas përdorimit të armëve kimike kundër popullsisë civile të pafajshme, ku kanë mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë.

Në mendtë e tij kjo ishte një përpjekje e diplomacisë publike për të bindur lexuesin për pikëpamjet e tija se pse bota nuk duhej të ndërhynte në Siri, por në të vërtetë  shkrimi i Putinit është një hipokrizi  dhe i turpshëm në ekstrem.  Diktatori sirian Assad e di mirë se aleati i tij i ngushtë,  Putini do ta përkrahë atë me çdo kusht nga ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare dhe për më tepër, se Rusia e Putinit, megjithë vrasjet që kanë arritur mbi 100.000 veta, do ta furnizojë atë me armë të rënda dhe të lehta, të cilat ai nuk heziton t’i përdori kundër popullsisë së vet civile.

Përveç kritikave që bëri kundër politikës amerikane në Siri dhe në përgjithësi kundër politikës së jashtme dhe ushtarake të Uashingtonit, në artikullin e tij udhëheqësi rus kritikoi deklaratën e Presidentit Obama se Amerika është e “veçantë” dhe si e tillë, sipas tij, duhet  t’u vijë në ndihmë dhe të mbrojë viktimat e pafajshme në Siri.  Kjo kritikë u bë ndërkohë që, Rusia ka bllokuar tri herë, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutat që kishin për qëllim të detyronin  presidentin sirian Assad t’i jepte fund dhunës dhe të dorëzonte armët kimike.

S’do mend se artikulli i Vladimir Putinit në “Nju Jork Tajms” shkaktoi reagime të ashpra në Amerikë, sidomos në Kongresin Amerikan.  Reagimi më i ashpër erdhi nga njëri prej ligjvënësve më kritikë të Kremlinit, Senatori republikan dhe ish-kandidati për president i kësaj partie, Xhon Mekejn.  Në një artikull  që u botua në Rusi, në përgjigje të shkrimit të Putinit, Senatori Mekejn e quan udhëheqësin rus, “një tiran në vendin e tij dhe mik i tiranëve jashtë vendit…si dhe armik i të shtypurve dhe i pabesueshëm nga vendet të cilat përpiqen të ndërtojnë një botë më të sigurt, më në paqe dhe me begati”.

Në artikullin  e tij të ashpër, Senatori  veteran amerikan u drejtohet rusëve duke u thënë se, sundimtari i tyre është, “i korruptuar, shtypës dhe përdhunues”.  Senatori Mekejn, i cili historikisht ka qenë shumë kritik ndaj politikës së brendshme dhe të jashtme të Rusisë, e ngarkoi Putinin me akuza të rënda, ndër të tjera, për shkelje të të drejtave të njeriut, për vjedhjen e votave  në zgjedhjet  dhe për përkrahjen e miqve të tij politikë dhe njëkohësisht dënoi ashpër politikën e jashtme të Rusisë së Vladimir Putinit.   Në shkrimin e tij, Senatori Mekejn kritikoi bllokimin rus të rezolutave mbi Sirinë në Këshillin e Sigurimit  të OKB-së  duke  e cilësuar Putinin si një udhëheqës që, “përkrah  një regjim që është duke vrarë me dhjetëra mijëra veta nga radhët e popullit të vet, vetëm e vetëm, për objektivin për të qëndruar në pushtet”.  Ai kritikoi ashpër  Rusinë se jo vetëm që nuk po merr asnjë masë për të mbrojtur  të pafajshmit, por edhe për faktin se Moska refuzon madje, edhe të dënojë me fjalë masakrat  që po ndodhin në Siri.   Senatori amerikan, vazhdoi artikullin e tij në përgjigje  të  shkrimit  të udhëheqësit rus, duke u thënë rusëve se, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij, “Dënojnë dhe hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë duke i burgosur ata.  Ata vjedhin votuan tuaj. Ata kontrollojnë mediat tuaja. Ata kërcënojnë dhe mbyllin organizatat të cilat përpiqen të mbrojnë të drejtat tuaja për vetëqeverisje.”

Senatori Mekejn u drejtohet rusëve duke thënë, gjithashtu, se, udhëheqësit  e tyre me në krye Putinin: “Po përjetësojnë pushtetin e vet duke mbështetur përhapjen e korrupsionit të pafrenuar në sistemin tuaj gjyqësor dhe në ekonominë tuaj, ndërkohë që ata terrorizojnë,  e madje edhe vrasin gazetarët, të cilët përpiqen të demaskojnë korrupsionin e regjimit”.    Udhëheqësit  e Kremlinit, u tha rusëve Senatori Xhon Mekejn, “nuk respektojnë dinjitetin tuaj as nuk pranojnë autoritetin tuaj si sovrani mbi ta”.  Duke iu përgjigjur akuzave se ai është anti-rus, Senatori Mekejn tha se ai nuk është anti-rus, përkundrazi shtoi ai: “Unë jam më pro-rus se regjimi që u keq qeverisë ju”.

Përveç Senatorit Mekejn dhe ligjvënësve të tjerë amerikanë nga të dy partitë kryesore,  artikulli i udhëheqësit rus, Vladimir Putin u kritikua, ndër të tjerë edhe nga organizata e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”, për hipokrizinë që përmban, si dhe për ato që nuk i thotë Putini në artikullin e tij.  Anna Neistat, bashkëpunëtore e kësaj organizate thekson se, udhëheqësi rus në artikullin e tij  nuk përmendë krimet dhe masakrat e tmerrshme që kanë ndodhur në Siri, të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si edhe nga një mori gazetarësh nga mbarë bota.  Ajo thotë se, Putini nuk flet as për dërgimin e vazhdueshëm të armëve ruse regjimit të Asadit gjatë dy tre vjetëve të fundit.  Ana Neistat shkruan se thirrja e Putinit për të përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së si mjet për zgjidhjen e krizës, në sipërfaqe mund të duket si një kërkesë e arsyeshme, por jo për ata që e dinë se Rusia tanimë  ka përdorur tre herë veton në këtë organ ndërkombëtar, duke bllokuar rezolutat që mund t’i sillnin sadopak ndihmë  popullsisë civile të Sirisë ose të mbanin përgjegjës të gjithë  aktorët e krimeve kundër civilëve të pafajshëm. Ndërsa, – thotë ajo, -Putini fajëson opozitën pa paraqitur asnjë provë, për sulmin kimik të 21 gushtit,  Rusia kundërshton ashpër që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare, gjë që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar me qëllim  për të hetuar krimet e të gjitha palëve në konfliktin në atë vend.

Marrëdhëniet ruso-amerikane  kanë rënë në pikën më të ulët të zhvillimit të tyre që prej luftës së ftohtë.  S’do mend se kjo gjendje nuk është e favorshme as për marrëdhëniet amerikano-ruse, dhe as për marrëdhëniet ndërkombëtare.  Pa marrë parasysh se çfarë shkruan udhëheqësi rus në “Nju Jork Tajms” , në përpjekje për të bindur amerikanët dhe botën se politika e tij është paqësore, është e qartë se Vladimir Putin  vazhdon të jetë pengesa kryesore në përpjekjet ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, për të sjellë sadopak ndihmë për viktimat e pafajshme civile në Siri.