Frank SHKRELI/ Cili duhet të jetë imazhi i Shqipërisë?

498
Sigal

 Javën që kaloi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nën/kryeministri në largim i Kosovës dhe njëherazi Kryetar i Partisë AKR-së, Behxhet Pacolli, vizituan Kazakistanin për të biseduar, siç thanë ata, mbi perspektiva të reja investimesh në Shqipëri.  Në njoftimet u tha se, udhëheqësit shqiptarë u pritën mirë në Kazakistan, siç duket falë faktit se Behxhet Pacolli, i cili e shoqëroi Kryeministrin Rama në atë vizitë, ka lidhje dhe interesa biznesi me atë vend. Është normale që Shqipëria dhe Kosova përpiqen, që të tërheqin sa më shumë investime të huaja, por ky shkrim i shkurtër e modest nuk ka të bëjë me mundësitë ose jo të investimeve kazake ose të ndonjë vendi tjetër, në Shqipëri dhe në Kosovë, por me diçka tjetër që më ra në sy nga kjo vizitë. Në faqet e Facebook-ut, të Behxhet Pacolit dhe Edi Ramës, sipas njoftimeve edhe në media, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev, i cili siç duket nuk ishte i kënaqur me imazhin e Shqipërisë në botë, e këshilloi Kryeministrin Rama që të përmirësojë imazhin e vendit duke përdorur figurën e Gjergj Kastritot Skënderbeut, për një imazh më të mirë të kombit shqiptar në botë.  Sipas Behxhet Pacollit, i cili mori pjesë në takimet e delegacionit shqiptar me udhëheqësit kazakë, Presidenti Nazarbajev i tha Edi Ramës tekstualisht se: “Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”. Interesant është fakti se, asnjë prej pjesëmarrëseve në atë takim me udhëheqësin kazak, nuk njofton në rrjetet e tyre sociale, se cili ishte reagimi i delegacionit shqiptar përfshirë edhe Kryeministrin Rama. A e falënderuan Nazarbajevin për këtë koment, për njohjen e meritave të heroit kombëtar të shqiptarëve?  A u ndjenë përfaqësuesit shqiptarë krenarë me vlerësimin e Skënderbeut nga një udhëheqës i Azisë Qendrore? Fatkeqësisht, ky moment nga vizita në Kazakistan zotërinjve Rama dhe Pacolli, pasqyron edhe njëherë faktin se, Shqipëria ka një problem serioz me imazhin e saj dhe kjo  jo vetëm në botën perëndimore. Ja tani edhe një despot i Azisë Qendrore ka konstatuar se diçka nuk është në rregull me imazhin e Shqipërisë në botë dhe për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, Nazarbajev u sugjeroi shqiptarëve, që të përdorin “figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut” për të promovuar një imazh pozitiv në botë për kombin shqiptar. Gati sikur Nazarbajev u tha: -Eh ta kishim ne këtë figurë të jashtëzakonshme, sa krenarë do të ishim ne me të.  A ra në vesh të shurdhët ky vlerësim dhe ky sugjerim, ndërsa kohët e fundit po zhvillohet një debat i ashpër politik me fjalë dhe po pasqyrohet me vepra mbi imazhin e Shqipërisë në botë, i shoqëruar edhe nga dukuri të portretit të diktatorit Enver Hoxha, përveç problemeve shoqërore, përfshirë korrupsionin dhe grindjet politike, të cilat definitivisht nuk ndihmojnë në promovimin e një imazhi pozitiv për vendin. Atëherë, në qoftë se ky imazh duhet të ndryshojë, siç sugjeroi kohët e fundit edhe Presidenti kazak Nazarbajev, cila duhet të jetë rruga që duhet ndjekur, ajo e mburrje me portretin e Enver Hoxhës apo rruga e Gjergj Kastriotit Skënderbe.  A duhet ndjekur Flamuri i Gjergj Kastriotit, ai Flamur i lirisë, i nderit, i burrërisë dhe i besës, i besëlidhjes së Lezhës dhe i Lidhjes së Prizrenit?  Dhe a do zgjidhë klasa e sotme politike, rrugën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, që Papa Pali i VI e pati quajtur, “Të Gjithmonshim e fisit tuaj, i cili gjithmonë, mbi çdo interes, ka vënë vlerat e trashëguara të besës, nderit e të burrërisë… Këto virtyte, Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shenjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI në mesazhin e tij drejtuar kombit shqiptar, me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit, në Romë me 25 prill 1968. A është kjo trashëgimi, apo klasa e sotme politike, për interesa të ngushta vetjake, partiake e financiare- siç është vënë në dukje kohët e fundit – do të vazhdojë t’i mbetet besnike një trashëgime të një diktatori komunist dhe të një ideologjie të huaj që ai i imponoi vendit të vet, dhe, e cila i ka kushtuar rëndë dhe vazhdon gjithnjë të rëndojë mbi imazhin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar? Ndaj, a do të ndërtohet Shqipëria e re post- komuniste në bazë të karakterit, moralit dhe të cilësive burrërore të Gjergj Kastriotit Skendërbe, apo duke u bazuar në rrugën dhe në trashëgiminë e Enver Hoxhës?  Megjithëse, është turp të bëhet krahasimi, por zhvillimet e fundit në Shqipëri, detyrojnë të bëhet pyetja se cilën rrugë dëshiron Shqipëria, madje, edhe pothuaj një çerek shekulli pas rënies së komunizmit — sepse duket se e ka humbur rrugën ose të pakën nuk e ka gjetur drejtimin e përcaktuar nga Gjergj Kastrioti, krenarisë së kombit, i cili bashkoi princat e Arbërit si asnjëherë më parë dhe më pas në një unitet moral kombëtar e shpirtëror, duke i bërë të gjithë krenarë dhe të ndjeheshin anëtarë të një sofre të përbashkët.  Kjo është trashëgimia që duhet të mbrohet dhe të jetohet nga të gjithë dhe jo trashëgimia e përçarjeve. Unë jam dakord me Nazarbajevin e Kazakistanit –megjithëse, si despot që është nuk kam aspak respekt për ‘të pasi si një udhëheqës diktator ndonëse jo në nivelin enverist, ai është më afër Enver Hoxhës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Gjergj Kastriotin Skënderbe- që Shqipëria dhe kombi shqiptar, në qoftë se  me të vërtetë dëshirojnë të përmirësojnë imazhin e vet në botë, atëherë, siç tha ai:“Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”.

 Në faqen e Facebook të Kryeministrit Rama vihet re promovimi i një ideje të re “origjinale”,  “Ndiq rrugën tënde”, ku ndër të tjera ftohen qytetarët që të ndikojnë me idetë e tyre për një “qeverisje moderne dhe europiane në Shqipëri”, kështuqë, sipas njoftimit, të jenë pikërisht ata, të cilët “do të përvijojnë Shqipërinë e së ardhmes”.  Sugjerimi im është që si fillim, mos u largoni, por rrini afër bazës morale dhe interesave madhore të kombit shqiptar të përcaktuara nga heroi i vërtetë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe dhe mos e bazoni të ardhmen e vendit në trashëgiminë e heronjve të rrejshëm. Kjo do t’u bëjë ju një brez krenar, burim shpresash për liri e bashkim kombëtar — bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të heroit të vërtetë kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit, për të cilin ka lakmi bota. Ndaj kontributi im ndaj idesë së fushatës së hedhur në Facebook-un e Kryeministrit Rama, “Ndiq rrugën tënde” dhe në përputhje me sugjerimin që vjen nga Azia Qendrore — është që në qoftë se me të vërtetë dëshironi përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në botë, atëherë merrni parasysh seriozisht sugjerimin e presidentit kazak, Nazarbajev dhe “përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”,  të këtij çlirimtari të kombit dhe mbrojtësit të Europës dhe jo portretet dhe imazhet e diktatorit Enver Hoxha.  Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë shqiptarët kudo dhe në këtë rrugë, me qëllim dhe vullnet të mirë si dhe me dashuri dhe bashkim me njëri -tjetrin, sipas vet Skënderbeut, “Perëndia, si gjithnjë edhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë”.