Frank Shkreli/ Çifti Regan dhe Nënë Tereza

549
Të premten varroset në një ceremoni private Nancy Regan, e veja e ish-Presidentit amerikan Ronald Regan dhe njëra prej femrave më të njohura dhe më me influencë në shekullin 20, e cila ndërroi jetë të dielën që kaloi në moshën 94-vjeçare. Ajo do të varroset pranë bashkëshortit të saj në mjedisin, ku gjendet Biblioteka Presidenciale e ish-presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Luginën e bukur Simi të shtetit Kalifornia. Presidenti Obama urdhëroi që flamuri amerikan të valëvitet gjysmë shtizë anë e mbanë vendit, për të kujtuar dhe për të nderuar ish-zonjën e parë të Amerikës, e cila deklaroi ai, do të mbahet mend si një zonjë e parë e këtij vendi plot mirësi dhe mëshirë. Presidenti Obama shtoi, duke thënë se, “Dashuria e saj për Presidentin Regan është e dokumentuar mirë, siç është edhe fakti, se ajo i është gjendur pranë bashkëshortit të vet në periudhat vërtetë më të vështira të jetës dhe karrierës së tij politike”.

 Ndonëse fillimisht ka pasur edhe karrierën e saj, si aktore në Hollywood, Nancy Regan kishte deklaruar në një intervistë kohë më parë se, “Në të vërtetë jeta ime ka filluar kur jam martuar me bashkëshortin tim”, duke vërtetuar atë, që tani gjithkush e di, se për 52 vjet martesë, Nancy dhe “Ronnie”, siç e quante ajo ishin plotësisht të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit. Ish-Presidenti George W Bush i dërgoi ngushëllimet e tij familjes, duke theksuar se Nancy Regan, me jetën dhe veprat e saj,“ishte krejtësisht e dedikuar ndaj bashkëshortit të saj dhe ndaj Atdheut”. Ndërsa kryetari i Komitetit Kombëtar të Partisë Republikane, Reince Priebus u shpreh se ish-Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, “ka frymëzuar mbarë Amerikën me sjelljet e saj dinjitoze dhe të ngrohta”. Për ata që e kanë njohur atë së afërmi, Nancy ishte një grua e jashtëzakonshme dhe sipas disa ish-ndihmësve të Presidentit Regan, ajo ishte njëkohësisht edhe këshilltarja e tij më e ngushtë dhe më e besueshmja. Madje, njëri prej këshilltarëve të tij kryesor, Ed Rollins tha me rastin e vdekjes së Nancy Regan, se “Ajo kishte instinkte politike të mirëfillta, ndoshta më të spikatura se vet Presidenti Regan”, shkruan Rollins dhe shton se Z. Regan i kishte thënë atij me një rast se, “Ai nuk do të ishte bërë kurrë president pa inkurajimin dhe këshillat e saj”. Ish-këshilltari Rollins e cilësoi Nancy Regan, kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, si një “Zonjë shtëpie e mrekullueshme dhe pritëse, e cila kishte rivendosur dinjitetin në Shtëpinë e Bardhë”, pasi siç shprehet ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, “Ajo e konsideronte Shtëpinë e Bardhë, si ‘shtëpinë e popullit’ dhe si e tillë, theksonte ajo shpesh, “meriton që ajo të trajtohet dhe të ruhet me respektin më të madh”.

 Ndër qindra prononcime nga zyrtarë të lartë amerikanë të dy partive kryesore amerikane, si dhe nga udhëheqës botërorë, të cilët shprehën ngushëllimet e tyre me rastin e ndarjes nga kjo jetë e Nancy Regan, ishte edhe Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili u shpreh se, “Dedikimi dhe dashuria e saj për familjen ishin një frymëzim për të gjithë ne”. Krye-diplomati amerikan e cilësoi me këtë rast Presidentin Regan si, “Njërin prej optimistëve më të mëdhenj të këtij kombi, i cili me guximin dhe me mençurinë e tij ndihmoi në fitoren e Luftës së Ftoftë, ndërkohë që Nancy ishte ortakja dhe këshilltarja më e besueshme e tij, që e këshilloi atë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe më tej”. Duke shprehur ngushëllimet e tij, John Kerry përfundoi duke pohuar se, “Nancy Regan ka lënë përshtypje pozitive të pashlyeshme anë e mbanë Amerikës”.

 Një prej këtyre mbresave të pashlyeshme, për të cilat flet Kerry, sidomos për ne shqiptaro-amerikanët, por edhe për të tjerë ishin takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe veçanërisht ftesa që çifti Regan i kishte bërë Nënë Terezës për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, më 20 qershor1985, me qëllim për ta dekoruar atë me medaljen më të lartë civile të Shteteve të Bashkuara, “Medalja Presidenciale e Lirisë”, për humanizmin dhe për veprimtarinë e saj në mbështetje ndaj më të varfërve të botës, sidomos më të varfërve të Indisë. Me atë rast, Presidenti Regan e përshëndeti Nënë Terezen, duke thënë se, “Në këtë shtëpi të madhërishme kanë ardhur shumë vizitorë, por asnjë nga ata që kanë vizituar nuk është më i veçantë, në krahasim me mysafiren tonë të dashur që ka ardhur sot këtu, Nënë Terezën”. “Disa persona, shumë pak në të vërtetë”, ka theksuar Presidenti Regan, “Janë në kuptimin e vërtetë të fjalës, qytetarë të botës. Nënë Tereza është një prej tyre. Ne e duam atë aq shumë, saqë i kërkuam asaj të pranonte dekoratën tonë, gjë që ajo e pranoi menjëherë me përvujtëninë që e dallon atë”, u shpreh Regan. Me bashkëshorten Nancy pranë tij, Presidenti Regan ka thënë se, “Dekoratave të shumta që ka marrë Nënë Tereza gjatë viteve, përfshirë edhe çmimin “Nobel” për paqe, me dashuri të thellë dhe respekt të madh ia shtojmë edhe një tjetër, duke i dorëzuar asaj edhe “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, që është çmimi më i lartë, që Presidenti amerikan u dorëzon personave me merita dhe kontribute të jashtëzakonshme ndaj sigurimit dhe interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndaj paqes në botë dhe për arritje të veçanta në fushën e veprimtarisë publike ose private. Në fjalimin e rastit në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës së Medaljes Presidenciale të Lirisë Nënë Terezës, Presidenti Regan e ka karakterizuar murgeshën me origjinë shqiptare si, “Heroinën e kohëve tona”. Ai tha me atë rast, se ndonëse kjo medalje tradicionalisht u jepet shtetasve amerikanë, Z. Regan shpjegoi se në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, po i akordohet kjo dekoratë Nënë Terezës, pasi “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, u shpreh ish-presidenti amerikan Regan, duke folur për Nënë Terezën.
Me atë rast, Nënë Tereza falënderoi Presidentin Regan dhe bashkëshorten Nancy, për nderimin që i bënë, duke u shprehur se “Unë nuk jam aspak e denjë për këtë dhuratë bujare që më akordohet nga Presidenti ynë, nga bashkëshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara. Por e pranoj për lumturinë e madhe ndaj të Madhit Zot, si dhe në emër të miliona njerëzve të varfër… ndonëse duke ma dhënë mua këtë dekoratë, ju në të vërtetë po ua jepni atyre, me dashuri dhe interesim të madh”, ndaj më të varfërve. 
Në një takim, me një rast tjetër në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Regan bisedon kokë më kokë me Nënë Terezën. Në duart e Nënë Terezës vihet re Rruzarja. Nuk është e qartë, nëse ky ishte një moment lutjeje apo porosi për lutje
“Por dashuria”, i ka thënë Nënë Tereza çiftit Regan “fillon në shtëpi, në familjen tuaj dhe fillon duke u lutur së bashku. Lutjet pastrojnë zemrat dhe zemrat e pastra shohin Perëndinë. Dhe në qoftë se ju shikoni imazhin e Perëndisë në njëri-tjetrin, ju do të kini edhe dashuri për njëri-tjetrin dhe paqe me njëri – tjetrin. Veprat e dashurisë janë vepra paqeje dhe dashuria fillon në familje”, është shprehur Nënë Tereza para çiftit Regan, qershorin e vitit 1985.
Janë absolutisht të pazakonta marrëdhëniet që Presidenti Regan dhe bashkëshortja e tij Nancy, të cilët konsideroheshin si njëri ndër çiftet më aristokrate në Amerikë dhe ndoshta në botë – kishin vendosur me Nënë Terezën, përfaqësuesen e më të varfërve në botë. Anë e mbanë botës, Nënë Tereza kishte takuar me shumë udhëheqës politikë e fetarë. Por dalloheshin marrëdhëniet e saja me Presidentin Ronald Regan dhe me Papa Gjon Palin e dytë, sidomos gjatë dekadës së Luftës së Ftoftë të 1980-ve. Ishin këta të dy, protagonistët kryesorë të luftës kundër komunizmit, Presidenti Regan dhe Papa Gjon Pali i dytë, me të cilët duket sikur Nënë Tereza kishte lidhje të ngushta. 
Për Papën Gjon Palin e dytë, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachov është shprehur se shembja e komunizmit do të kishte qenë e pamundur pa kontributin e Papa Gjon Palit të dytë. Ndërsa për Presidentin Regan, Nënë Tereza ka thënë: “Kur presidenti amerikan ishte plagosur në një atentat kundër tij, ajo ishte e bindur se shpëtimi i jetës së Presidentit Regan nga plagët që kishte marrë nga atentati”, në të vërtetë ishte “Një akt hyjnor”. Lind pyetja se çka dinte kjo bijë shqiptare për këta dy burra të mëdhenj të shekullit 20-të dhe çfarë frymëzimi prisnin këta të dy prej kësaj murgeshe të thjeshtë, me origjinë shqiptare – kujdestarja e më të varfërve në botë – gjatë një periudhe historike dhe aq vendimtare për fatin, e jo vetëm Europës, por të mbarë njerëzimit?
Sigal