Frank Shkreli: Bashkimi kombëtar nuk është ide abstrakte

83

 

 

Gazeta Telegraf/

Tre tetori shënon
Ditën e Bashkimit Gjerman.  Çdo vit në
këtë datë, Gjermania feston ditën kur në vitin 1990 Gjermania lindore dhe
Gjermania perëndimor u bënë një. Bashkimi paqësor i Gjermanisë pas ndarjes prej
disa dekadash nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e vendosur të “miqve
tanë amerikanë”, thuhet në portalin e misioneve diplomatike të Gjermanisë, në
Shtetet e Bashkuara.

 Në mesazhin e tij
me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Presidenti gjerman Joachim Gauck
theksoi se në këtë ditë, ne kujtojmë të gjitha ato që kemi arritur gjatë disa
viteve të kaluara të historisë tonë.  “Ne
festojmë”, shtoi ai, “dëshirën për liri, të kërkuar nga qytetarët në Leipzig,
në Plauen, në Berlin dhe në shumë qytete dhe lokalitete të tjera të Gjermanisë
lindore.  Ishte Revolucioni i tyre
Paqësor që e bëri të mundur bashkimin e dy shteteve gjermane”, nënvizoi
presidenti Gauck.  Presidenti gjerman
theksoi gjithashtu se, “sot festojmë arritjen e një shteti, në të cilin miliona
qytetarë, me një ndjenjë vetbesimi, iu përveshën punës dhe realizuan objektivin
kombëtar, që ishte bashkimi.”

 

Udhëheqësi gjerman,
në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, përmendi edhe gjendjen aktuale në Gjermani
që e cilësoi si “të turbullt dhe të vështirë”, ndërsa përballemi rishtas me
detyrën për të siguruar bashkimin e brendshëm të vendit tonë, nënvizoi ai.  Duke folur për krizën aktuale të refugjatëve
si një sfidë e veçantë për mbarë vendin, Presidenti Gauck u shpreh se ai ishte
i vetëdijshëm ndaj shqetësimeve të shumë qytetarëve në lidhje me gjendjen e
krijuar nga refugjatët dhe theksoi se, “është me rëndësi që konfliktet të
zgjidhen haptazi dhe me mënyra paqësore duke u bazuar në ligjet bazë të
vendit”.  “Gjermania, – tha me këtë rast
presidenti Gauck, ‘ megjithë sfidat me të cilat përballet, është e fortë dhe
stabilizuar.”  Në lidhje me situatën në
radhët e Bashkimit Evropian, udhëheqësi gjerman tha se, qëllimi kryesor ishte
që të rivendoset bashkimi i brendshëm dhe diversiteti.  “Në duhet ta bëjmë Evropën më të fortë, me
qëllim që të ruajmë paqen, lirinë, sigurinë dhe begatinë, në mbarë kontinentin”,
-tha ai.

 

Ndërkaq, Sekretari
Amerikan i Shtetit, John Kerry, në emër të Presidentit Obama dhe të popullit
amerikan i uroi popullit gjerman, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.  Në mesazhin e tij, kryediplomati amerikan
kujtoi jetën e tij në Berlin në vitet 1950, duke thënë se ishte vetë dëshmitar
i efekteve të dëmshme që kishte sjellë ndarja e dy Gjermanive gjatë luftës së
ftohtë.  Në atë kohë, shtoi ai, shumë
besonin se Gjermania nuk do të bashkohej kurrë më dhe se qytetarët e dy Gjermanive
nuk do të lejoheshin kurrë më të jetonin së bashku nën flamurin e
demokracisë.  Në mesazhin drejtuar kombit
gjerman me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kryediplomati amerikan
shprehu mirënjohjen e tij për miqësinë e thellë që ekziston midis dy vendeve,
duke venë në dukje lidhjet që ekzistojnë midis dy shteteve, në fushën e
sigurisë si dhe për vlerat dhe interesat që ndajnë këto dy vende në fushë të
ndryshme, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare. 
Çdo ditë, theksoi John Kerry, në organizatat dhe institucionet
ndërkombëtare, “Ne konsultohemi mbi mënyrat për të shënuar përparim drejt
objektivit tonë të përbashkët për një botë më stabile, më në paqe dhe më të
begatë.”  Në këtë Ditë të Bashkimit të
Gjermanisë, le të ritheksojmë angazhimin tonë të fortë ndaj aleancës midis
Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.”- përfundoi Sekretari amerikan i shtetit,
Xhon Kerry.

 

Është e pamundur që
me një rast si ky, siç është Dita e Bashkimit të Gjermanisë, të mos na
pështillet në mend edhe ëndrra e shqiptarëve për bashkim kombëtar.  Gjermanët i dhanë fund ndarjes artificiale më
3 shtator, 1990 dhe bënë që kombi i tyre, megjithë historinë e vështirë për
veten dhe për të tjerët, e bënë shtetin gjerman që përsëri të respektohej në
botë.
   Edhe kombi
shqiptar është artificialisht i ndarë, prej më shumë se një shekulli. Arsyet e
ndarjes se Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishin të ndryshme dhe ndoshta
të justifikueshme, në krahasim me ndarjen e tokave shqiptare, ku fqinjët e
pangopur kërkonin dhe morën me dhunë tokat e Arbërit me miratimin e fuqive te
mëdha evropiane te kohës. Të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë e dinë se, nuk
ka Shqipëri të madhe e as Shqipëri të vogël — ka vetëm një Shqipëri — atje ku
flitet shqip, brenda territorit më homogjen në Evropë.  Ndjenjat dhe shpresat e Shqiptarëve për një
shtet për të gjithë Shqiptarët në Ballkan e kanë zanafillën tek Gjergj
Kastrioti, ndjenja këto që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të parët e shqiptarëve
— në prag të rrezikut të copëtimit të mëtejshëm të kombit — i thanë Evropës
dhe botës, “Ndal se këtu ka Shqiptarë që i dalin zot këtij trualli”.
 

 

Ka njerëz që thonë se për shqiptarët nuk ka
ardhur koha ende për bashkim.  Madje
udhëheqësit më të lartë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kur
pyeten në lidhje me këtë temë, thonë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në
kuadër të anëtarësimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Evropian.
Mrekulli, por ama këtu qëndron problemi për shqiptarët, pasi anëtarësimi në
Bashkimin Evropian nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të afërt, për
arsye të mos plotësimit të një numri kriteresh të kërkuara nga Bashkimi Evropian
për të gjitha vendet që kërkojnë anëtarësim, përfshirë zhvillimin e mirëfilltë
të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe në Kosovë.  Fatkeqësisht, pa konsolidimin e shtetit të së
drejtës dhe pa zbatimin e ligjeve që duhet të jenë të barabarta për të gjithë
dhe ku të drejtat e njeriut të mos konsiderohen si të shenjta për të gjithë,
është vështirë të merret me mend se Shqipëria dhe Kosova do të anëtarësohen së
shpejti në Bashkimin Evropian, ashtu siç pretendojnë disa zyrtarë në të dy anët
e kufirit.  Frika është se pa
konsolidimin e këtyre kërkesave nga të dy shtetet shqiptare, nuk do të ketë as anëtarësim
në Bashkimin Evropian dhe as bashkim e integrim të shqiptarëve në Bashkimin Evropian.  Ndërsa pa bashkim dhe bashkërendim të
qëndrimeve dhe të mendimeve të shqiptarëve, të të gjitha trojeve, për një jetë
të përbashkët në të ardhmen me respekt për njëri tjetrin, fatkeqësisht nuk do
të ketë as bashkim eventual të trojeve shqiptare.  Si rrjedhim, statuskuoja do të vazhdojë, falë
vet shqiptarëve.

 

Megjithëkëtë, bashkimi i shqiptarëve nuk
është dhe nuk duhet të jetë një ide abstrakte, e pa arritshme.  Dihet se për shqiptarët kudo, bashkimi
kombëtar mbetet ende një ëndërr që nuk shuhet. 
Ashtu edhe duhet të jetë.  Kështu që,
ndërsa kombi gjerman feston bashkimin e Gjermanisë me 3 tetor, ashtu edhe
shqiptarët  shpresojnë që të festojnë një
ditë bashkimin kombëtar– nën flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe — brenda
kufijve të vet natyrorë,  në paqe dhe bashkëpunim me fqinjët e tyre dhe si pjesë e
integruar dhe e pandarë e Evropës, aty ku historikisht e ka vendin kombi
shqiptar, krah për krah edhe me kombin e bashkuar gjerman.

 

Frank Shkreli