Frank Shkreli: Barbara Bush, “Gjyshja e Amerikës”, ndërroi jetë!

320
Frank Shkreli*

Barbara Bush, e quajtur si në përkëdhelje, “Gjyshja e Amerikës”, ose “gjyshja e të gjithëve” – bashkëshortja e Presidentit të 41-të dhe nëna e Presidentit të 43-të të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë, më 17 prill në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e saj në Huston të shtetit Texas, e rrethuar nga familja. Ajo la pas, “plot shtëpinë”: Bashkëshortin e saj prej 73-vjetësh, ish-presidentin Xhorxh H. W. Bush, pesë fëmijët me bashkëshortët e tyre, 17 nipa e mbesa dhe shtatë stërnipa dhe stërmbesa. Në një njoftim për publikun me rastin e vdekjes, ish-Presidenti Xhorxh W Bush tha se, “Nëna ime e dashur ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Laura, Barbara, Xhena dhe unë jemi të pikëlluar, por zemrat tona janë të qetësuara, sepse e dimë që shpirti i saj është i qetë… Unë jam me fat që Barbara Bush ishte nëna ime. Ajo do na mungojë shumë mua dhe familjes….”. Barbara Bush ishte bashkëshorte, nënë, gjyshe, stërgjyshe e devotshme dhe mbështetëse e përkushtuar në luftën kundër analfabetizmit. Ajo ishte direkt në komunikim me median dhe me të tjerët, një karakteristikë e të folurit troç që e dallonte ish-Zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara. “Njerëzit më duan”, kishte thënë ajo me një rast, “sepse e dinë që unë jam e drejtë, se i dua fëmijët dhe se e adhuroj dhe respektoj bashkëshortin tim”. Barbara Bush, njihej gjithashtu edhe për shërbimin ndaj të tjerëve, për vullnetarizmin e saj për të ndihmuar personat dhe familjet në nevojë, gjë që e ka bërë atë ndër figurat më të dashura në historinë e këtij vendi dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njihnin dhe me njerëzit me të cilët takohej edhe rastësisht. Me zgjedhjen e bashkëshortit të saj president të Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 1989, Barbara Bush ishte e vetëdijshme se ajo vet nuk ishte zgjedhur në asnjë detyrë zyrtare por kishte urdhëruar stafin e saj se, “Çdo ditë duhet të bëjmë diçka për të ndihmuar të tjerët.” Kështu që, përveç ceremonive zyrtare si zonja e parë e vendit, në të cilat ajo duhej të merrte pjesë, Barbara Bush u angazhua në shumë veprimtari organizatash bamirëse, pikërisht, për të ndihmuar ata të cilët kishin nevojën e ndihmës nga shoqëria. Ajo kishte marrë përsipër një numër kauzash për të ndihmuar të pa strehët dhe të moshuarit, për të ushqyer të uriturit, ndërmori përpjekje për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe ishte në krye të fushatës për të ndihmuar fëmijët. Por mbi të gjitha, Barbara Bush do të njihet për fushatën e saj kundër analfabetizmit – për mundësinë e shkrim-leximit për të gjithë, për fëmijët dhe për familjet. Nën udhëheqjen e të ndjerës, Fondacioni i saj me këtë mision që ajo ka themeluar për këtë qëllim, gjatë viteve, ka mbledhur më shumë se 110-milionë dollarë, në mbështetje të programeve kombëtare për të luftuar analfabetizmin, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ajo e shihte këtë program dhe arsimin në përgjithësi si një domosdoshmëri, që sipas saj ndihmonte sado pak familjet dhe fëmijët e tyre në nevojë, ashtu që të kishin një mundësi më të madhe për të qenë të suksesshëm në jetë. E orientuar gjithmonë nga familja dhe kujdesi i saj për të, Barbara Bush është cituar të ketë thënë se, “Ajo që ndodh në shtëpinë tuaj është po aq e rëndësishme sa edhe çfarë ndodhë në Shtëpinë Bardhë.” Thënë ndryshe, çfarë ndodh në Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë shembull për të gjitha familjet amerikane. Për periudhën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si familja e parë e Amerikës, familja Bush ishte me të vërtetë shembull për të gjitha familjet amerikane dhe merita për këtë, pa dyshim, i shkon së ndjerës Barbara Bush, e cila vente rregull dhe zbatonte disiplinën. Ndërkaq, udhëheqësit dhe ish-udhëheqësit më të lartë të Amerikës kanë dërguar mesazhe ngushëllimi me rastin e vdekjes së Barbara Bush, duke e cilësuar atë si një grua, e cila ishte e përkushtuar ndaj familjes dhe atdheut të saj, por edhe ndaj shërbimit për të mirën publike. Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij e cilësuan atë si një “mbështetëse e fortë e familjes amerikane, e cila do të mbahet mend për dedikimin e saj të fortë ndaj atdheut dhe familjes, të cilave ajo u shërbeu me devocion”. Ish-presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij, u shprehën se do të, “jenë përgjithmonë mirënjohës ndaj Barbara Bush për bujarinë dhe për zemërgjerësinë që ajo tregoi ndaj nesh gjatë viteve tona në Shtëpinë e Bardhë, por për më tepër, i jemi mirënjohës asaj për mënyrën se si ajo jetoi dhe veproi gjatë gjithë jetës së saj – si një testament se shërbimi publik është i rëndësishëm dhe vepër fisnike për të gjithë, si shembull i dinjitetit dhe modestisë, cilësi këto që pasqyrojnë karakteristikat më të mira të shpirtit amerikan.” Ndërsa ish-presidenti Xhimi Karter dhe bashkëshortja e tij e kujtuan Barbara Bush si “gruan e një familjeje të dedikuar ndaj shërbimit publik, e cila mbështeti vullnetarizmin si një mundësi që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në përparimin e vendit.” 
Familja Bush është e lidhur drejtpërdrejtë edhe me fatin e Kombit Shqiptar në fund shekullin e 20-të dhe fillim shekullin e 21. Historia ka shënuar tanimë se Presidenti Xhorxh Bush i vjetër, më 25 dhjetor, 1992 i dërgoi presidentit kriminel serb Millosheviç paralajmërimin që historia e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjes” e në të cilin thuhej se, “Në rast konflikti në Kosovë, i shkaktuar nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”. Ishte ky një paralajmërim nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër i cili u përsërit dhe më vonë edhe nga administrata Klinton duke u bërë kështu baza e politikës amerikane ndaj Kosovës, politikë që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në sulmet e ajrore që përfunduan në çlirimin e Kosovës. Dhe, më 10.06.2007 gjatë një vizite në Tiranë, një Bush tjetër, pikërisht djali i Bushit të vjetër, Presidenti Xhorxh W., bëri deklaratën me të cilën defakto shpalli pavarësinë e Kosovës nga kryeqyteti shqiptar, duke thënë se “Mjaft është Mjaft – Kosova është e pavarur”. 
E ndjera Barbara Bush kishte deklaruar me një rast se, “Unë dhe Xhorxh Bush jemi dy njerëzit më të lumtur dhe më me fat në botë”. Edhe ne shqiptarët mund të themi se ishim me fat të madh që në këtë periudhë të historisë së Kombit shqiptar ishin dy presidentë të familjes Bush (babë e djalë), të cilët për hir të detyrës së tyre në krye të Shteteve të Bashkuara, historia dhe fati ynë i ftoi që të luanin rolin kryesor në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Bush për humbjen e bashkëshortes, nënës dhe gjyshes tuaj dhe falënderimet tona për rolin që kini luajtur në historinë e Kombit shqiptar!
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë