Frank Shkreli/Asamblisti Mark Gjonaj:Rezolutë për Kosovën

502
Sigal

Me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë

Me një njoftim dërguar miqve dhe përkrahësve të tij javën që kaloi,  anëtari i ri i Asamblesë së shtetit të New York-ut, shqiptaro-amerikani i porsa zgjedhur në atë detyrë, Zoti Mark Gjonaj, me origjinë nga Reçi i Ulqinit, ftoi të gjithë që me datën 12 Shkurt të merrnin pjesë në kryeqytetin Albany të New York-ut, ku ai do të paraqiste një rezolutë për aprovim nga Asambleja e New York-ut, me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.   Ashtu edhe ndodhi.   Në aktin e parë zyrtar si asamblist i ri, zoti Mark Gjonaj i paraqiti Asamblesë së shtetit të New York-ut për aprovim, rezolutën e përpiluar dhe sponsorizuar prej tij, në 5-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kur e pashë fillimisht njoftimin e asamblistit Mark Gjonaj, ai më solli në mend dekadat e fundit të shekullit të kaluar kur në Kongresin Amerikan, miq të shqiptarëve, senatorë dhe kongresmenë paraqisnin, në të dy dhomat federale legjislative të SHBA-ve, rezolutë pas rezolute – me të cilat shpreheshin qëndrimet e Kongresit në lidhje me gjendjen shumë të vështirë të shqiptarëve nën regjimet jugosllave e serbe.   Rezolutat të cilat — për të mënjanuar një gjakderdhje në Kosovë — iu drejtoheshin Shteteve të Bashkuara, Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, që sipas njërës prej atyre rezolutave të Kongresit Amerikan madje të aprovuar në Janar të vitit 1992, i bëhej thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për lidhjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën. Por, rezoluta e sponsorizuar nga zoti Mark Gjonaj, asamblisti i parë shqiptaro-amerikan dhe e miratuar nga Asambleja e New York-ut, nuk ishte e kësaj natyre, d.m.th., që të vente botën në dijeni për tmerret që pësonin shqiptarët në Ballkan – jo, ai e paraqiti  këtë rezolute për miratim, duke e lexuar në sallën e mbushur plot-e për-plot gjatë punimeve të Asamblesë së shtetit të New York-ut, për një rast historik dhe shumë të gëzueshëm për  të gjithë shqiptarët kudo – pra me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në rezolutën e Asamblesë së New York-ut thuhet se, ky trup legjislativ përkujton këtë përvjetor në frymën e ngjarjeve historike që janë shembull i parimeve dhe i luftës për liri të popujve anë e mbanë botës për të siguruar Pavarësinë dhe për të jetuar në paqe dhe liri.  Rezoluta njeh gjithashtu kontributet që  shqiptaro-amerikanët nga Kosova, kanë dhënë në fusha të ndryshme si në tregti, shkencë e në qeveri, të cilët sipas rezolutës, kanë frymëzuar të rinjtë anë e mbanë New York-ut për të realizuar ëndrrat e tyre nëpërmjet shkollimit dhe punës së rëndë.  Në rezolutë thuhet gjithashtu se, trupi legjislativ i New York-ut  celebron dhe mburret me shqiptarët nga Kosova, të cilët ruajnë me krenari prejardhjen e tyre dhe janë shembull  i bashkëjetesës kulturore, gjë që forcon komunitetet e ndryshme që jetojnë në New York.   Në rezolutë nënvizohet fakti se, Kosova shpalli Pavarësinë  e saj me 17 shkurt, 2008, një datë historike kjo që do të festohet nga shqiptaro-amerikanët si dhe nga  Shtetet e  Bashkuara dhe nga shteti i New York-ut, pasi kjo pavarësi u bë e mundur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, duke i dhënë fund fushatës brutale policore e ushtarake të regjimit të Millosheviçit kundër spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.  Rezoluta njeh edhe kontributin e vazhdueshëm të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara që kanë shërbyer dhe shërbejnë trimërisht si pjesë e aleancës së NATO-s, duke thënë se prania e tyre në Kosovë është e pazëvendësueshme për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe për paqen në rajon. Në rezolutë thuhet se Kosova tani ka një shtet funksional me një kushtetutë demokratike,  përshëndet marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe nënvizon faktin se Kosova është njohur tanimë si shtet i pavarur nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare.  Si përfundim, thuhet në rezolutë, Asambleja e shtetit të New York-ut  vendosi të bëjë një pauzë në punimet e saj, për të përkujtuar 5-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt, 2013. Në fjalimin e rastit, asamblisti Mark Gjonaj iu drejtua kolegëve të tij në Asamblenë e New York-ut, si edhe shumë personaliteteve, udhëheqësve dhe përkrahësve të komunitetit shqiptaro-amerikan, duke thënë se, “17 Shkurti shënon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe bashkimin shqiptar, një bashkim që u bë edhe më i qartë ndërkohë që më shumë se 12.000 veta vdiqën dhe një milion Shqiptarë u detyruan të largoheshin si refugjatë, shumë prej të cilëve kërkuan strehim politik në Shtetet e Bashkuara”.  Asamblisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj u tha kolegëve të tij se, “Historia e popullit Shqiptar është e vjetër dhe unike”. “Ne jemi, -tha ai -ndër qytetërimet më të vjetra në Evropë me tradita kulturore, që dallojnë  nga të tjerat, por që theksojnë  mikpritjen, bujarinë, punën e rëndë dhe respektin, veti këto që jam i sigurt, se kanë influencuar shqiptaren më të famshme në botë, Nënë Terezën”.

Zoti Mark Gjonaj vazhdoi duke thënë se: “Është ironik fakti se njëra prej qytetërimeve më të lashta në Europë, njihet gjithashtu, si shteti më i ri i Europës”.  Zoti  Gjonaj foli edhe për lidhjet e ngushta që Shqiptarët gëzojnë me Shtetet e Bashkuara, duke  venë në dukje kontributin e presidentëve amerikanë,  në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve, duke filluar prej Presidentit Woodrow  Wilson, Presidentit Bush të vjetër, Presidentit Klinton dhe Presidentit Bush të ri.  Ai theksoi se: “Shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Kosova janë provë e gjallë se Shtetet e Bashkuara janë një komb i posaçëm që mbështetë dhe përhapë lirinë dhe demokracinë anë e mbanë botës, në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe gjithmonë në krye të luftës kundër shtypjeve dhe tiranisë”, përfundoi fjalën e tij asamblisti Mark Gjonaj me rastin e paraqitjes dhe miratimit të rezolutës në Asamblenë e shtetit të New York-ut, me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

 *Foto nga Gazeta “Dielli” marrë në ambientet e Asamblesë së New York-ut – Asamblisti Mark Gjonaj me Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës, zotin Bekim Sejdiu duke mbajtur rezolutën, me ambasadorin e Shqipërisë pranë Kombeve të  Bashkuara, zotin Ferid Hoxha, Udhëheqësit e Vatrës, Dr. Gjon Buçaj dhe zoti Agim Rexhaj dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Martin Shkreli, e të tjerë.