Frank SHKRELI/ Arshi Pipa për Fan Nolin

649
Sigal

Muajin e kaluar u shenjtërua kisha ortodokse shqiptare, “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, ku ishin ftuar shumë udhëheqës botërorë të Kishës Ortodokse dhe ku ishin të pranishëm edhe udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare.  Kjo ishte një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për Shqipërinë. Dhe si e tillë, megjithëse unë ndoshta nuk e kam ndjekur mirë situatën dhe mbase mund të jem gabim, por m’u duk sikur nuk dëgjova të jetë përmendur shumë emri i Fan Nolit- arkitektit dhe themeluesit të Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.  Thashë me vete, deklaratat fyese anti-shqiptare të kryepeshkopit serb Irinej në Tiranë ishin tepër të rënda për çdo shqiptar, por “harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vet, është e pafalshme. Harresa zyrtare ndaj rolit që ka luajtur Fan Noli në jetën fetare, politike dhe kulturore të kombit — si kishtar dhe si politikan – nuk ishte e para ndaj tij dhe as ndaj personaliteteve të tjera të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Përballë kësaj atmosfere gjatë shenjtërimit të Kishës Ortodokse në Tiranë, ku me qëllim ose pa qëllim, siç duket u hodh në harresë roli fetar dhe kombëtar i themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, gati si në hakmarrje fillova të lexoja mbi jetën dhe veprën e Fan Nolit, kështu që ditët e fundit më ra rasti të lexoj një artikull të gjatë, që kishte shkruar Profesor Arshi Pipa në revistën “Kritika”, më 1944 në Tiranë, revistë kjo që botohej dhe drejtohej prej tij. Artikulli, që më vonë u botua edhe në gazetën “Shqiptari i Lirë” e Komitetit Shqipëria e Lirë në Nevv York, mban titullin, “Fan Noli: Bariu i Popullit”. Si rrjedhim, mendova se ia vlen që të ndajë disa shënime mbi këtë vlerësim të lartë që i bëhet Nolit nga Arshi Pipa, për lexuesit që ndoshta nuk kanë patur rast ta kenë lexuar më parë. Siç duket, Arshi Pipa i mërzitur nga harresa e deri atëhershme ndaj figurës kombëtare të Nolit u detyrua të shkruante artikullin, sepse sipas tij, figura e Fan Nolit deri atëherë ishte lënë “në heshtje të pameritueme”.  Ai e cilëson Nolin si njërin “prej të mëdhenjve tanë, një personalitet politiko-fetar”. “Ai është një përfaqësues i kombit në kuptimin e vërtetë të fjalës”, shkruante Arshi Pipa më 1944. Duke e quajtur Nolin, “Bari i Popullit”, Profesor Pipa vlerësonte se karakteristikë e fjalimeve dhe të shkrimeve të prelatit shqiptar “është gjithmonë ideali humanitar dhe kombëtar i Fan Nolit” dhe vazhdon duke thënë se, “Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: Atdhe e Njerëzim. Më parë Atdheu!”  Për të bindur lexuesin se roli i Nolit në jetën politike dhe fetare të Shqipërisë nuk duhej qitur në harresë dhe për të pasqyruar  njëkohësisht edhe atdhetarizmin e Fan Nolit, Arshi Pipa nxjerrë një paragraf nga një fjalim që Noli kishte mbajtur më 1911 në Amerikë, në një kohë kur, siç thotë ai, nuk kishte Shqipëri, por kishte shqiptarë.  “Shqipëria kërkon luftëtarë. Le të rendim te thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq në flakë të luftës që të na drithërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i Lirisë dhe të vdesim duke thirrur: Rroftë Shqipëria”.  Ishte kjo thirrja e Nolit drejtuar bashkatdhetarëve të vet në mërgim më 1911, për t’i shkuar në ndihmë Shqipërisë. Pipa shkruan se njeriu njihet nga idetë dhe nga ndjenjat e tija dhe shton se idetë e Fan Nolit, mbi disa prej problemeve njerëzore më të rëndësishme, siç janë feja, kombi, qeverisja, janë çështje që Noli i kuptonte shumë mirë”, thotë Profesor Pipa.  Noli, -shkruan ai,- e kishte kuptuar se, “Feja dhe kombësia nuk janë dy ide që përjashtojnë njëra -tjetrën. Mjaft që e para t’i përshtatet së dytës.  Feja përfshihet kështu tek kombi, si një rreth më i vogël, në një rreth më të madh… në atdheun shqiptar që i përmbledhë, jo ma si rrathë të dalluem, por si tri unaza të lidhura bashkë me një nye trefish, të pakëputshëm, në mes”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa, në vlerësimin e tij në lidhje me idetë e Nolit përsa i përket kombit dhe rolit që duhet të luajnë fetë në një shoqëri.  Në artikullin e tij, kundër  heshtjes dhe harresës së rolit që ka luajtur Fan Noli në historinë e kishtare dhe kombëtare të Shqipërisë, të shkruar 70vjetë më parë në revistën “Kritika” që ai vet botonte në Tiranë – në lidhje me problemet në relacionet komb-fe, – Arshi Pipa citon Nolin të ketë thënë se, “U muar vesh më së fundi se mjerimi ynë s’ish aq në ndryshimin fetar (midis nesh), se sa ndër krerët fetarë të huaj dhe për ata që vepronin si vegla të tyre të vërbëra.”   Për hir të fesë nuk ndërrohet kombësia, shkruan Pipa dhe vazhdon të citojë Nolin i cili ka thënë se, “Njeriu mund të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë kombësinë e tij, pa venë në ballë një vulë prej tradhtari”, ka deklaruar Bariu i Popullit, Fan Noli. Arshi Pipa shkruan mbi Fan Nolin-Bariun e Popullit, duke komentuar se, “Feja për Nolin ishte një funksion i kombësisë.”  Sipas tij, “Noli u bë prift pse ashtu e donte dobija e atdheut”.  Ndërsa në lidhje me gjendjen aktuale politike të kohës, të cilën Pipa e cilësonte si “lëngatën e vazhdueshme të këtij vendi të vuajtun”, ai e citon Nolin ta ketë përshkruar anarkinë politike të atëhershme duke thënë se, “Këtu, brenda një dite, si me magji – tradhtari bëhet patriot dhe patrioti tradhtar.” Vazhdon artikullin Arshi Pipa duke cituar nga kushtrimi i Nolit drejtuar shqiptarëve të Amerikës më 1911, në të cilin ai u bënte thirrje atyre të ndihmonin atdhetarët që kishin marrë pushkën kundër pushtuesit turk, “plot sulm e flakë baroti”, duke kritikuar, gjithashtu, edhe ato që ai quan si “injorancën, mungesën e kulturës dhe mungesën e ‘fundit moral’, siç e quajti Noli.  Ndërsa bën pyetje se, “Cili është morali i një kombi?  Cila është ajo gjë, e cila e bën një komb të rrojë? Është ideja e madhështisë së tij”, përgjigjet Noli, por vijon duke paralajmëruar se, “Ne nuk njohim historinë, traditat tona, për të pasur një ndjenjë të fortë kombësie”, dhe shton se, “madje vet emri i Skënderbeut ishte i panjohur për ne”, citohet Noli në artikullin e Arshi Pipës. Noli inkurajon bashkatdhetarët në Amerikë se edhe kombi shqiptar ka heronj siç ka Amerika, Uashingtonin dhe përmend Isa Boletinin dhe Marash Ucin, duke shtuar se lufta dhe fitoret e shqiptarëve nuk janë aspak më të vogla se ato të heroit amerikan, -por thekson Noli,- ata nuk njihen sepse “nuk ka pasë historianë që t’i shpallte, poetë që t’i këndonte: Shqiptarë që t’i lexojshin…”.   Në artikullin e tij të botuar shtatë dekada më parë, përveçse vë në dukje atdhedashurinë e flakët të Nolit, Arshi Pipa shkruan edhe për “mendësinë e tij ndriçuese, tipikisht humaniste” dhe në mbështetje të kësaj citon nga fjalimin që Fan Noli kishte mbajtur në Korçë më 1923-n, ku kishte shkuar për të biseduar me korçarët për mënyrën e qeverisjes.  Pipa shkruan se Noli u drejtohet korçarëve në mënyrë të paqtë, me një bisedë miqësore, të matur e të arsyeshme duke thënë se: “Kam ardhur për herën e dytë në qytetin tuaj të bukur, me gëzim të math që të këmbejmë mendimet mbi çështjen e Kuvendit Themeltar. Kam ardhur të shoh miq të vjetër dhe të fitonj miq të rinj. Po këtë herë, jo me bekime në të cilat populli përgjigjet amen, por me proponime dhe mendime, të cilat do t’ju ftonj t’i peshoni, t’i pëlqeni e t’i vazhdoni.” Arshi Pipa e cilëson këtë deklaratë të Nolit, si fjalët e një njeriu të ndershëm i cili nuk dëshiron të përfitojë nga petku i tij fetar për të tërhequr turmat.  “Flet politikani, heshtë kishtari – feja që bëhet vegël e politikës humbë dinjitetin e vet”, shkruante Arshi Pipa në revistën e tij “Kritika” në Tiranën e vitit 1944, duke shtuar se, “Noli ashtë në politikë sikurse në fe: kundër fanaticizmit, kundër demagogjisë: liberal e tolerant gjithmonë.”   Arshi Pipa shprehet në shkrimin dedikuar Fan Nolit 70 vjet më parë, se “historia, shpeshherë na duket si shumë e verbër, shumë e egër”, sikur don të na thotë se historia nuk e ka trajtuar drejtë Fan Nolin, dhe e përfundon artikullin e tij duke thënë se, “Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të nalta njerëzore. Ata, që ma tepër e kanë dashtë njerzinë, ata janë kryqëzue prej saj”, ka thënë Arshi Pipa, në vlerësimin e rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit në artikullin me titull “Bariu i Popullit”, në numrin 4 të revistës “Kritika” të viti 1944, të drejtuar prej tij. Fatkeqësisht, duket se kjo hipokrizi për të cilën shkruante Arshi Pipa 70 vjet më parë vazhdon  të mashtrojë edhe sot idealet më të larta njerëzore, politike dhe fetare dhe të shtrembërojë dhe të mohojë historinë.  Anashkalimi, ose siç shkruante Arshi Pipa më 1944, “heshtja e pameritueme” ndaj rolit  fetar dhe atdhetar të Fan Nolit duket se u zbatua edhe gjatë ceremonisë së shënjtërimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Tiranë, kohët e fundit.  Kushdo qofshin ata që e hodhën në heshtje prelatin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse shqiptare, oratorin, diplomatin, letrarin, poetin, muzikologun  — Fan Nolit nuk ia ulin as meritat fetare dhe as ato atdhetare dhe as nuk mund t’ia humbin shkëlqesimin e tyre të denjë, as para popullit shqiptar as para botës.  Fan Noli mbetet njëri prej viganëve të Rilindjes kombëtare të shqiptarëve, i cili me vetitë e tija të rralla u përpoq dhe kontribuoi me sa kishte mundësi për Kishën e vet, të cilën ai themeloi si dhe për Atdheun, për të cilin megjithëse në mërgim, jetoi dhe punoi pa kursim.  Për këtë, Fan Noli meriton ndër shekuj mirënjohjen, jo vetëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe të mbarë kombit shqiptar.