Frank Shkreli: Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s është absolut

89
Nga Frank SHKRELI* 

Një atmosferë pasigurie në Evropë, si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimeve të Moskës ndaj sigurisë së vendeve në periferinë e saj – që tani janë anëtare të Aleancës së NATO-s – si dhe deklarata e Presidentit Trump, sidomos gjatë fushatës elektorale për president, në lidhje me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, janë shprehur shqetësime dhe janë ngritur pyetje legjitime mbi të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Që prej ardhjes në pushtet, Presidenti Trump ka ndryshuar tonin dhe fjalorin në lidhje me NATO-n, ndërkohë që zyrtarë të niveleve të larta të administratës Trump kanë theksuar vazhdimisht vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të qenë partnere e besueshme e aleancës së NATO-s. Në fillim të kësaj jave, ishte numri dy i Administratës Trump, pikërisht Zëvendës-Presidenti Mike Pence, ai i cili përdori vizitën e tij në entin Atlantic Council në Uashington të henën që kaloi, për të ritheksuar edhe një herë publikisht, për të gjithë ata që mund të dyshojnë ende në mbështetjen e kësaj administrate ndaj Aleancës Atantike, NATO. Gjatë një ceremonie në kryeqendrën e organizatës Atlantic Council, Zevëndës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence u shpreh se, “Angazhimi ynë ndaj NATO-s është absolut”, duke shtuar se, “Shtetet e Bashkuara do të kryejnë obligimet e tyre për mbrojtje kolektive ndaj popujve të të gjitha vendeve tona aleate. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura që të mbështesin parimin, se një sulm kundër njërit prej nesh, është një sulm kundër të gjithë neve.” Ai citohet të ketë thënë gjithashtu se “Dera e hapur e NATO-s duhet të mbetet përgjithmonë e tillë” dhe se Aleanca NATO është aq e rëndësishme sot sa ishte edhe pothuaj 70-vjetë më parë”, kur u themelua kjo orgnanizatë. Në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg dhe Kryeministrit të Malit të Zi, Z. Dushko Markoviç – përfaqësuesi i vendit më të ri i anëtar të NATO-s – Zëvendës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara po i referohej Nenit 5, aq të përfolur, të Traktatit të Uashingtonit, i cili ka të bëjë me mbrojtjen kolektive. Sipas fjalimit të Z. Pence, të botuar në portalin e Atlantic Council, numri dy i Administratës Trump i siguroi të pranishmit se, “Një NATO e fortë është e një rëndësie tepër jetike, sidomos në këtë periudhë të vështirë” ndërkombëtare. Ai përmendi si sfida, “Përpjekjet e Rusisë për të ndryshuar me forcë kufitë ndërkombëtarë e deri tek përpjekjet e Iranit për të destabilizuar Lindjen e Mesme, përfshirë rreziqet që paraqet terrorizmi ndërkombëtar, i cili mund të godasë në çdo kohë – duket se bota sot është më në rrezik se kurrë më parëqë prej shembjes së komunizmit, një çerek shekulli më parë”, u shpreh udhëheqësi i lartë amerikan. Ceremonia në Uashington përkoi me rastin e 70-vjetorit të Planit Marshall – simbolit të angazhimit amerikan në rindërtimin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore – dhe me anëtarësimin zyrtar të Malit të Zi, si vendi anëtar i 29-të i Aleancës Ushtarake, NATO. Në kujtim të përvjetorit të Planit Marshall, Zëvendës Presidenti Pence theksoi se, “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërtojnë dhe të forcojnë lidhjet që ekzistojnë midis kombit tonë dhe kombeve të Evropës, për të mirën e brezave të ardhëshëm”, të vendeve tona. Ndërsa Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç e cilësoi anëtarësimin e vendit të tij në NATO ndoshta si, “Një hap të vogël për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, por si një ditë të madhe për Malin e Zi”, deklaroi udhëheqësi malazez.Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, duke përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, u tha të pranishmëve se, vendet e Aleancës së Atlantikut Verior, “Nga të dy anët e Atlantikut, kanë punuar së bashku për një qëllim të vetëm: për ruajtjen e paqes dhe sigurisë për popujt tanë”. Ai theksoi gjithashtu se, kjo është një lidhje unike që ka siguruar paqen për vendet tona për pothuaj shtatë shekuj. Ai shprehu entuziazmin e tij për të ardhmen e Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, duke thënë se, “Sot, angazhimi ynë ndaj Aleancës NATO është më i fortë se kurrë më parë. Këtë e shohim”, shtoi ai, “Në praninë më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë, si dhe në faktin se Evropa dhe Kanadaja po investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”, nënvizoi në fjalën e tij para pjesëmarrësve në ceremoninë e entit Atlantic Council, udhëheqsi i NATO-s, Z. Stoltenberg. Në një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se, “NATO do të mbështesë Malin e Zi kundër çdo trysnie ose ndërhyrjeje nga jashtë.” “Kemi parë e lexuar shumë raporte mbi ndërhyrjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ishim gjithashtu dëshmitarë edhe të grusht-shtetit që dështoi vitin e kaluar në Mal të Zi. Për sa më përket mua, të gjitha këto nënvizojnë rëndësinë që i duhet kushtuar ndërtimit të institucioneve të forta të sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha Z. Stoltenberg. Ndër folësit e tjerë në ceremoninë në qendrën Atlantic Council ishte e pranishme edhe ish-Sekretarja Amerikane Shtetit, Madeleine Albright, e cila bëri një thirrje, plot emocion, në mbështetje të një roli të fortë të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se, në qoftë se nuk u kushtohet vëmendje problemeve të jashtme, atëherë me ato probleme do të ballafaqohemi eventualisht, këtu mbrenda vendit tonë. Roli për të cilin foli Zonja Albright është një rol që Amerika kishte marrë përsipër që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Duke folur për sfidat botërore me të cilat përballet Amerika, Ish-kryediplomatja amerikane u tha të pranishmëve se, “Shtetet e Bashkuara janë më të forta kur kanë aleatë dhe miq, të cilët ndajnë me ne interesat dhe idealet.” Ndërkaq, siç duket, në një kritikë indirekte ndaj Presidentit Trump, Z. Albright tha, se është me rëndësi që të mos harrojmë historinë e shekullit të kaluar. Ndonëse jo i pranishëm në ceremoninë e Atlantic Council, Kryetari i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Senatori republikan Xhon Mekejn, në portalin e tij e mirëpriti me këtë rast anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si “Një hap të rëndësishëm në integrimet gjithnjë e më të mëdha transatlantike, në një kohë shumë të vështirë për botën, po të merren parasyshë sfidat gjithnjë e më të mëdha me të cilat përballemi në të dy anët e Atlantikut” shtoi ai. Senatori Mekejn përmendi “Përpjekjet e reja të agresionit rus, sulmet e shpeshta terroriste dhe kërcënimet kibernetike.” Përballë këtyre kërcënimve, ka shkruar në portalin e tij Senatori Mekejn, Aleanca Transatlantike duhet të jetë e bashkuar. Senatori Mekejn përshëndeti, me këtë rast në portalin e tij edhe 70-vjetorin e përpilimit të Planit Marshall, që ai e cilësoi si triumfi i bashkpunimit transatlantik i cili shpëtoi Perëndimin. “70-vjet më vonë, angazhimi i Amerikës – në mbrojtje të botës së lirë, në mbrojtje të vlerave demokratike dhe në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë – duhet të vazhdojë të jetë gjithnjë i fortë, ka thënë me këtë rast, Senatori Republikan i Shteteve të Bashkuara, Xhon Mekejn.

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë