Frank Shkreli/ Amerika për Kosovën

244
Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të përshkruhen si, historikisht, të shkëlqyeshme ç’prej sulmeve ajrore të NATO-s që i dhanë fund fushatës brutale të policisë dhe ushtrisë së diktatorit terrorist Millosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës që më në fund çoi në pavarësinë e Kosovës e deri në ditët e sotme. Sulmet e NATO-s të kryesuara nga SHBA ishin një provë historike se spastrimet etnike në Europë – në këtë rast kundër shqiptarëve të Kosovës – nuk do të toleroheshin në prak të shekullit të 21-të. Washingtoni vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur, ndërsa është i angazhuar në përpjekjet, në nivel ndërkombëtar, për njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur ende, si dhe për antarësimin e Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe për ta antarësuar Prishtinën në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshirë OKB. Në të vërtetë, duket sikur SHBA po bën më shumë në këtë drejtim se sa vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku. Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme kanë theksuar vazhdimisht se SHBA-të janë dhe mbeten një partner i vendosur i Kosovës dhe kanë nënvijuar në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike, të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të bëhet antare e plotë e familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta dhe në paqë me fqinjtë e saj. Vazhdimësinë e këtij partneriteti historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe kryediplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, i cili në fjalimin që mbajti me këtë rast tha se, “në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të SHBA për Republikën e pavarur të Kosovës” dhe shprehu falënderimet e të gjithë atyre në Amerikë, që siç tha ai, “E kanë për zemër Kosovën dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjelltë”. Dhe duke folur mbi marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë – të cilat kanë ngjallur kritika dhe kundërshtime, madje edhe dhunë në parlament dhe gjetiu -kryediplomati amerikan pranoi se vendimet e Prishtinës zyrtare ishin vendime të vështira politike, por siguroi udhëheqësit dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e vendit të tij duke thanë: “Mos u gaboni, se ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës”. Ai nenvijoi se, së bashku “kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku me ju, për të ardhmen e Kosovës dhe nuk duhet ta vënë atë në rrezik”, u shpreh John Kerry. Ai theksoi se megjithë përparimet e bëra, “për ndërtimin e një Kosove të fuqishme dhe me prosperitet”, prapseprap Kosova ende ka shumë për të bërë. Kryediplomati amerikan shtoi se për të krijuar një Kosovë të fuqishme dhe të begatë “nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve ndaj vlerave siç është mbështetja për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta themelore për çdo demokraci”. Ai u përqëndrua gjithashtu mbi ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës duke thënë se “dhuna është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës”, nënvijoi ai, “duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë ose ke një ide tjetër vetë. Në një vend demokratik”, u tha të pranishmëve dhe mbarë Kosovës John Kerry “Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët, ndërsa gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai. Sikur po i drejtohej jo vetëm ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, por edhe debateve shpesh të ashpra në Kuvendin Shqipërisë, kryediplomati amerikan, u shpreh duke porositur – si përfaqsues i një vendi mik të shqiptarëve – se “debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime”. Siç duket i shqetësuar mbi situatën politike në Kosovë, ai u bëri thirrje të gjitha partive që të “dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre në interesin e vendit”. Sekretari Amerikan i Shtetit në fjalimin e tij në Prishtinë shprehu falenderimet e tij për mikpritjen bujare dhe të ngrohtë që iu bë, duke theksuar se më e rëndësishme se vizita e tij atje, është theksoi ai “partneriteti që kemi midis nesh për të ecur përpara”, duke shprehur shpresën se, “do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi përvoja edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe në vitet në vijim”, përfundoi kryediplomati amerikan fjalimin e tij në Prishtinë. Fjalimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry u mbajt në Prishtinë për veshët e klasës politike të Republikës së Kosovës, por jam i mendimit se këto fjalë, nga një përfaqësues i një vendi mik i vjetër i shqiptarëve, ndonëse u prononcuan në Prishtinë, ai fjalim kollaj mund të mbahej edhe në Tiranë. Prandaj lind pyetja, jo vetëm për udhëheqësit politikë të Kosovës, të cilëve iu drejtua John Kerry drejtë për së drejti, por edhe për udhëheqësit në Tiranë, nëse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve sot janë të aftë dhe të gatshëm dhe nëse në fakt duan që të përforcojnë mëtej marrëdhëniet, historikisht të forta, midis dy kombeve dhe nëse njëkohësisht janë të gatshëm të përqafojnë vlerat dhe traditat që bashkojnë Amerikën me kombin shqiptar. Natyrisht se për nga gjeografia, Kosova gjëndet në Europë dhe fati i saj është i lidhur me atë kontinent, por porositë miqësore të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Prishtinë janë këshilla vullnet-mira që shpresohet se do të forcojnë mëtej marrëdhënjet midis dy vendeve – në dobi të dy palëve – dhe do t’i shërbejnë përparimit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës dhe populllit të saj. Por, njëkohësisht do të forcojë paqën dhe stabilitetin afatgjatë në atë pjesë së kontinentit europian. Në këtë moment të historisë, pa paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, humbin si Shqipëria ashtu edhe Kosova, por dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. A janë të gatshëm shqiptarët që më në fund të angazhohen seriozisht për sundimin e ligjit, të luftojnë krimin dhe korrupsionin dhe të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtuqë të meritojnë më në fund antarësimin e tyre në BE? Demokracia e vërtetë, u shpreh John Kerry, “kërkon, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dalë para drejtësisë”. Sekretari Amerikan i Shtetit u angazhua gjatë vizitës së tij në Prishtinë se, “SHBA do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje”, duke pohuar se kombi im, “ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit apo ndihma humanitare dhe të tjera”. Fjalët e kryediplomatit amerikan, ishin shprehjet miqësore dhe angazhimi si edhe dëshira e tij për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe qeverisë së SHBA, në emër të cilës ai foli. Por, mbetet për t’u parë nëse udhëheqësit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi do të punojnë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra drejt realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, i cili e dëshironte Kosovën, “shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me SHBA”.
Ish-drejtori i VOA-s për Euro-Azinë