Frank Shkreli/ Abraham Linkolni me rastin e 150-vjetorit të vrasjes

704
Abraham Linkolni u zgjodh presidenti i 16-tët i Shteteve të Bashkuara në vitin 1861 dhe dy vjet më vonë më 1863 nënshkroi Proklamatën e Emancipimit me të cilën deklaroi lirinë e përhershme për skllevërit brenda Konfederatës. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit president, Linkolni paralajmëroi shtetet e Jugore të Amerikës të cilat ishin kundër heqjes së skllavërisë se: “Është në duar të tuaja, bashkatdhetarët e mijë të pakënaqur dhe jo në dorën time, çështja e rëndësishme e luftës civile. Qeveria nuk do t’ju sulmojë. Por as ju nuk keni ndonjë të drejtë hyjnore për të shkatërruar qeverinë, ndërkohë që unë kam detyrën dhe përgjegjësinë e shenjtë për ta ruajtur, për ta mbështetur dhe mbrojtur atë.” Si president, Abraham Linkolni punoi shumë për një organizim të fortë të Partisë Republikane dhe mundi të siguronte edhe përkrahjen e shumë demokratëve në favor të kauzës për bashkimin e shteteve dhe kundër skllavërisë. 
Linkolni e konsideronte ndarjen e vendit veri-jug si të paligjshme dhe ishte i gatshëm të përdorte forcën në mbrojtje të Bashkimit dhe të ligjeve Federale. Por kur forcat e shteteve jugore sulmuan “Kështjellën Sumter” duke detyruar dorëzimin e saj forcave të jugut, Linkolni u bëri thirrje shteteve të veriut për regjistrimin e 75.000 vullnetarëve për të kundërshtuar këtë akt dhe kështu filloi Lufta Civile Amerikane. Lufta Civile ishte një luftë e tmerrshme, njëra ndër më të përgjakshmet e atij shekulli gjatë së cilës, nga të dy palët, humbën jetën mbi 600.000 veta, por me gjithë sakrificat e pa imagjinueshme njerëzore, ishte një luftë kundër skllavërisë, një luftë që më në fund siguroi të drejtat dhe liritë e barabarta për të gjithë brezat e ardhshëm në Amerikë dhe frymëzoi mbarë botën. Si përfundim i këtyre sakrificave të mëdha, Amerika doli nga kjo luftë si një komb më i mirë, më i fortë dhe më i drejtë, për të gjithë. Kjo është një meritë e madhe e Abraham Linkolnit, e këtij emancipuesi të madh të Amerikës dhe të botës, 150-vjetori i vdekjes i të cilit po shënohet në kryeqytetin e kombit në Washington si dhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. 
Linkolni bëri ç’ mos që bota të mos harronte se Lufta Civile kishte të bënte me një çështje shumë më të madhe dhe më të rëndësishme se sa edhe Bashkimi i Kombit. Ai e deklaroi këtë bindje në mënyrën më emocionale që është e mundur, në fjalimin që ka mbajtur në varrezat ushtarake në Gettysrburg duke thënë se, “Jemi këtu për të vendosur njëherë e mirë që këta ushtarë të rënë të mos kenë vdekur kotë, se ky komb nën kujdesin e Perëndisë, do të ketë një lindje të re të lirisë dhe se qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut.” Ishte ky një mesazh për Amerikën po se s’po, por edhe për mbarë botën. Vetëm pesë ditë pasi mori fund Lufta Civile në Shtetet e Bashkuara dhe para pajtimit të Veriut dhe Jugut, më 14 prill, 1865 u plagos rëndë Presidenti Abraham Linkoln nga plumbi i një vrasësi, simpatizant i kauzës së Jugut gjatë Luftës Civile. Një ditë më vonë, më 15 prill, Linkolni vdiq nga plagët e marra. Ishte ora 7:30 në mëngjes, kur zemra e tij e madhe pushoi së rrahuri, e një burri që është cilësuar si, “miku i të varfërve, emancipuesi i të shtypurve dhe kampioni i zgjedhur i lirisë”. Shpirti i tij u kthye tek Perëndia në të cilin ai besonte fuqishëm dhe me plot bindje se sipas tij, me punën dhe veprat ai ishte në rrugën e drejtë të planeve dhe të gjykimeve të Krijuesit. Në lidhje me këtë, Linkolni citohet të ketë thënë me një rast se, “Në qoftë se Zoti do që murtaja e keqe e luftës (civile) të vazhdojë deri në përmbytjen dhe shkatërrimin e pasurisë së grumbulluar gjatë 250 vjetëve me punë të detyrueshme dhe derisa çdo pikë gjaku e shkaktuar nga përdorimi i kamxhikut, të paguhet me një tjetër pikë gjaku shkaktuar nga shpata, atëherë, ashtu si ka është thënë tre mijë vjet më parë, të vazhdohet të thuhet edhe tani se, “Gjykimet e Zotit janë të drejta dhe të vërteta.” Kombi amerikan ka përjetësuar kujtimin e tij me një përmendore madhështore prej mermeri në Washington, ku pas trupores së Linkolnit, lartë në faqen e murit janë të shkruara këto fjalë: “Në këtë tempull, si dhe në zemrat e njerëzve për të cilët ai shpëtoi bashkimin e kombit, kujtimi i Abraham Linkolnit, është i shenjtëruar për gjithmonë”. Por kujtimi i Abraham Linkolnit tejkalon kufijtë e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që jeta dhe veprimtaria e tij ka gjetur jehonë kudo në botë ku popujt janë historikisht shfrytëzuar nga regjime dhe diktatorë të ndryshëm, e ku historia ka shënuar krimet e njeriut kundër njeriut në pothuaj çdo vend të botës dhe në të gjitha periudhat e historisë së njerëzimit. Jeta dhe veprimtaria e Presidentit Abraham Linkoln është përjetësuar gjithashtu edhe me botimin e numrit më të madh të librave mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, në krahasim me presidentët e tjetër amerikanë, duke marrë parasysh edhe botimet në gjuhët e huaja përfshirë edhe të pakën dy libra në shqip, për të cilët kam dijeni unë, libri i Xhevat Kallajxhiut me titullin thjeshtë Linkoln, një biografi e botuar në New York në vitin 1961 dhe në vitin 1926, Konstantin Çekrezi ka botuar shënime mbi jetën e këtij udhëheqësi amerikan. Vdekja e parakohshme e Abraham Linkolnit ishte një humbje e madhe për kombin amerikan, ndërkohë që shumë historianë amerikanë dhe të huaj thonë se ai tani u përket brezave të të gjitha kohërave dhe mbarë botës. Jo vetëm Amerika, por edhe bota e atëhershme mbajti zi për vdekjen e tij, 150- vjet më parë. Revista amerikane Atlantic në numrin e fundit sjellë reagimet botërore të para 150-vjetëve mbi vrasjen e Linkolnit nga njerëz të thjeshtë dhe nga qarqet zyrtare dhe diplomatike të asaj kohe. Madje bota e atëhershme, sipas revistës, konsideronte se vdekja e Abraham Linkolnit mund të kishte pasur të njëjtin efekt në historinë e ndryshimeve në botë sa edhe vrasja e Jul Cezarit, ndonëse për arsye të ndryshme. Revista thotë se sidomos europianët shikonin në presidentin Linkoln dhe në eksperimentin amerikan një vlerësim të idealizuar edhe të aspiratave të tyre. “Abraham Linkolni nuk është vetëm i juaji, ai është gjithashtu edhe i yni”, shkruanin në atë kohë qytetarët e qytetit të vogël Sicilian, Acireale, “sepse ai ishte një vëlla, mendja dhe ndërgjegjja e guximshme e të cilit udhëhoqi një popull drejtë bashkimit dhe trimërisht çrrënjosi skllavërinë.” Por reagimi më domethënës thotë revista në fjalë mbi vdekjen e Linkolnit, erdhi nga gazeta la Opinion në Bogota të Kolumbisë, e cila shkruante se në kuptimin e fjalës të gjuhës së përditshme, “Abraham Linkolni nuk mund të thuhet se ishte një njeri i madh. Ai nuk gëzonte prestigjin e një fituesi të ndonjë lufte. Ai nuk pushtoi popuj e shtete, por, ai posedonte diçka shumë më tepër se të gjitha këto së bashku, e që nuk mund të barazohet me asnjë nga glorifikimet e kësaj bote. Abraham Linkolni ishte një instrument i Perëndisë. Burri i quajtur Abraham Linkolni ishte liberatori dhe shpëtimtari i një republike madhështore të kohërave moderne… Mishëruesi i një ideje që vlonte si flakë në zemrën e tij e që e ngriti atë në nivelet më madhështore humane, të një shpëtimtari të një race të tërë njerzish.” Në Gettysburg, Abraham Linkolni ka mbajtur atë që konsiderohet si fjalimi më i rëndësishëm që mbahet mend në historinë e Shteteve të Bashkuara. Duke dedikuar varrezat ushtarake për mijëra ushtarë që ishin varrosur aty pas Betejës së Gettysburgut e ishte zhvilluar vetëm katër muaj më herët. Presidenti Linkoln me gjithë periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalonte kombi i tij, ai deklaroi besimin dhe bindjen e tij, për një të ardhme më të mirë, për themelimin e një, “Kombi të ri, i bazuar në liri dhe i dedikuar ndaj objektivit se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barabarta.” Presidenti Linkoln u rizgjodh në vitin 1864 ndërkohë që fitorja e shteteve veriore kundër jugut solli mbarimin e luftës. Duke planifikuar të ardhmen e vendit të tij në periudhën e paqes, Linkolni u tregua i gatshëm për bashkëpunim dhe tepër i njerëzishëm ndaj kundërshtarëve politik dhe ushtarakë duke inkurajuar shtetet e Jugut që të dorëzonin armët dhe të rindërtonin vendin. Në këtë frymë, ai iu drejtua të gjithë bashkëkombësve të vet me rastin e inaugurimit të dytë, me fjalë të cilat tani janë shkruar në Memorialin Linkoln në Washington: “Me keqdashje kundër askujt, me dashuri e bamirësi për të gjithë, me vendosmëri në mbrojtje të së drejtës, ashtu si na e bën të mundur Perëndia ta shohim të drejtën, le të përpiqemi të përfundojmë punën që kemi filluar dhe të shërojmë plagët e kombit….”
Historianët dhe shkencëtarët politikë amerikanë e konsiderojnë Abraham Linkolnin si presidentin më me influencë të Amerikës, madje disa e venë në vendin e parë për nga arritjet dhe trashëgimia historike, në krahasim edhe me më të dalluarit siç janë, Franklin Roosevelt, George Washington, Theodore Roosevelt, Thomas Jefferson, Andrew Jackson, Woodrow Wilson, Harry Truman dhe Ronald Reagan. Kështu që sipas vlerësimit të shumë historianëve por edhe të publikut, Abraham Linkolni konsiderohet edhe sot, 150-vjet pas vdekjes së tij, si Presidenti më i mirë i këtij vendi. Ata vlerësojnë se asnjë president tjetër në historinë e Amerikës nuk është përballur me ndonjë krizë më të madhe se ç’ ishte Lufta Civile Amerikane, dhe asnjë president deri tani nuk ka arritur aq sa mundi të arrinte dhe të realizonte për kombin e vet Presidenti Abraham Linkoln. 
Sigal