Frank SHKRELI/ 30-vjet në mbështetje të demokracisë

556
Sigal

30-vjet më parë, më 16 Dhjetor 1983, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan inauguroi Entin Kombëtar për Promovimin e Demokracisë (National Endowment for Democracy) NED.  Kjo është një organizatë private, një fondacion jo fitimprurës që mbështetet nga të dy partitë kryesore të Amerikës dhe misioni i të cilës është rritja dhe forcimi i institucioneve demokratike në mbarë botën.  Veprimtaria e NED-it financohet kryesisht me fonde publike nga Kongresi Amerikan dhe sipas vetë kësaj organizate, çdo vit ajo mbështetë mbi 1000 projekte grupesh jo-qeveritare që punojnë për realizimin e objektivave demokratike në më shumë se 90 vende, anë e mbanë botës.

 Krijimi i këtij enti e ka zanafillën në fjalimin e famshëm që Presidenti Reagan mbajti në qershor të vitit 1982 para anëtarëve të Parlamentit britanik në Pallatin Uestminster, gjatë, të cilit ai shpalosi vizionin e tij, “për të mbështetur infrastrukturën e demokracisë –të një sistemi të lirisë së shtypit dhe sindikatave, të veprimtarisë së lirë të partive politike dhe lirisë në universitete dhe për të bërë të mundur që çdo popull të zgjedhë vetë rrugën e zhvillimit dhe të mundësojë që ndryshimet në pikëpamjet e tyre të zgjidhen me mënyra  paqësore.”.  Duke folur për vizionin e tij në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës, Presidenti Reagan ka thënë 30-vjet më parë se: “Kjo detyrë e ngutshme që i caktojmë vetes, do të mbijetojë edhe përtej brezit tonë. Për hir të paqes dhe të drejtësisë, le të shkojmë drejt një bote, në të cilën të gjithë popujt, më në fund, do të jenë të lirë të vendosin vet fatin e tyre.”.  Ky vizion i Presidentit Reagan ishte baza e themelimit të NED-it dhe e dy instituteve brenda tij, që për lexuesin njihen më së miri si Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan, të cilët gjatë dy dekadave të fundit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan.  Themelimi i Entit Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë nxiti rritjen e ndihmave amerikane në mbështetje të zhvillimeve demokratike në botë, duke krijuar njëkohësisht edhe një fushë të re të bashkëpunimit ndërkombëtar.  Por, në të vërtetë ky ent, për nga natyra e tij, është një institucion unik edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, pasi aty së bashku punojnë demokratët, republikanët si edhe përfaqësues të punëtorëve dhe biznesit amerikan, për të avancuar vlerat universale të lirisë, të demokracisë dhe të drejtave bazë të njeriut, në mbarë botën, si një prioritet ky i interesave kombëtare.  Historia e botës, e sidomos historia e Europës, ka ndryshuar shumë gjatë 30 viteve të fundit, qw prej themelimit të “Entit Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë” (NED), por misioni thelbësor i këtij enti, sipas Presidentit të tanishëm të tij, Karl Gershman nuk ka ndryshuar, duke thënë se: “Misioni i NED-it mbetet i njëjtë, për të mbështetur Demokracinë….kjo veprimtari është përhapur tani anë e mbanë botës dhe është kënaqësi për të parë që aq shumë vende tani janë në këtë rrugë të zhvillimit të demokracisë.”  Duke folur me rastin e 30-vjetorit  tw themelimit  të organizatës që ai kryeson,  Karl Gershman shtoi se: “Demokracia është një proces dhe se si i tillë, demokracia mund të realizohet vetëm duke e praktikuar atë si sistem funksional.  Mund të jetë një gjë e vështirë për t’u kuptuar, por ama është themelore për veprimtarinë tonë anë e mbanë botës”,- tha ai.  Ai shtoi, gjithashtu se, “ne mund të ndihmojmë, por në të vërtetë janë individët dhe organizatat brenda një vendi, ato që janë forcat kryesore shtytëse për ndryshime pozitive në shoqëritë e tyre”.

 Veprimtaria e NED-it në Europë, aty ku edhe ka filluar 30-vjet më parw, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, vitet e fundit është përqendruar në mbështetjen e organizatave dhe grupeve vendase të shoqërisë civile me qëllim për të promovuar llogari-dhënien nga ana e qeverisë dhe për të inkurajuar bërjen e reformave të nevojshme për integrimin euro-atlantik, duke inkurajuar dialogun politik midis partive politike, midis autoriteteve dhe grupeve të ndryshme si dhe për të ndihmuar rininë të angazhohet më shumë në procesin politik të vendeve të ndryshme.  NED-i thotë se vendet që ende nuk janë integruar plotësisht në organizmat euro-atlantike- megjithëse, integrimin e kanë përcaktuar si prioritet të lartë – shumica e tyre duket se, nuk kanë vullnetin e duhur për të ndërmarrë masat e nevojshme për plotësimin e këtij procesi.

 Por megjithëkëtë, Presidenti Ronald Reagan do ishte krenar sot për zhvillimet demokratike në Europë dhe anë e mbanë botës, 30 vjet pas fjalimit të tij në Londër, që çoi në themelimin e entit NED, për promovimin dhe inkurajimin e demokracisë në mbarë botën.  Ai do ishte krenar, gjithashtu, edhe për përkrahjen që të dy partitë kryesore politike të Amerikës si dhe të gjitha administratat republikane dhe demokrate të këtij vendi, i kanë dhënë këtij enti, në përkrahje të të gjithë aktivistëve të guximshëm demokratë dhe të lëvizjeve paqësore kudo nëpër botë, të cilët sipas NED-it, gjithmonë kanë qenë dakord mbi rëndësinë e avancimit të lirive universale dhe të të drejtave të njeriut në mbarë botën.  Gjatë 30 viteve të kaluar ishte ky një angazhim i mbarë politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj zhvillimeve paqësore demokratike, të vlerave universale dhe lirive bazë të njeriut në mbarë botën.  Kjo trashëgimi e Presidentit Ronald Reagan vazhdon edhe sot, ndërkohë që, Enti Kombëtar Amerikan për Promovimin e Demokracisë” (NED)  angazhohet në këtë 30-vjetor se do të vazhdojë gjithnjë të mbështesë mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Rusi, në Kinë dhe kudo tjetër nëpër botë.