Frank Shkreli: 250 vjet liri shtypi

562
Sigal

                                                           

                                                 

Kur
flasim për historinë e lirisë së fjalës në botë, zakonisht mendojmë për lirinë
e shtypit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku liria e shtypit mbrohet nga
artikulli i parë i Kushtetutës së vitit 1791 të këtij vendi, së bashku me
liritë e tjera themelore të njeriut. 
Historikisht, mbrojtja e fjalës së lirë është përmendur edhe më herët,
pikërisht në Magna Kartën britanike të vitit 1215 dhe në kohërat më moderne, në
vitin 1948, Organizata e Kombeve të Bashkuara njohu zyrtarisht lirinë e fjalës
si një e drejtë e njeriut, përfshirë në Deklaratën Ndërkombëtare të të Drejtave
të Njeriut, nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare të organizatës botërore.  Ndërsa, ndër të parët që e ka pësuar për
lirinë e fjalës thuhet të ketë qenë filozofi grek, Sokrati ai i cili sipas
historisë është persekutuar për një argument të vetëm në favor të promovimit të
fjalës së lirë. Por, pak veta mund ta dinë se është Suedia vendi që megjithëse nuk
përflitet shumë si vend shembull i mbrojtjes së fjalës së lirë dhe të lirisë së
shtypit, por që në të vërtetë ka ligjin më të vjetër në botë, në mbështetje dhe
në mbrojtje të lirisë së shtypit. 
Megjithëse nuk përmendet shumë, Suedia është vendi i parë në botë —
parlamenti i të cilës 250-vjet më parë – pikërisht më 2 dhjetor të vitit 1766,
miratoi   në nivel botëror, Aktin e parë në mbrojtje të
Lirisë së Shtypit, duke anuluar njëkohësisht edhe censurën për të gjitha
botimet e printuara, përfshirë edhe ato që vinin nga jashtë vendit.  Suedia pra, kishte miratuar aktin mbi lirinë
e shtypit, ekzaktësisht 25 vjet para se Xhejms Madisoni të përpilonte nenin e
parë të Kushtetutës amerikane, në mbrojtje të fjalës së lirë. Po e shënoj këtë
fakt për rëndësinë që ky përvjetor ka për historinë e mbrojtjes së fjalës së
lirë jo vetëm në Suedi, por në mbarë botën.  Dua të rrëfehem se megjithëse përpiqem të
ndjekë deri diku historinë dhe fatin e lirisë së shtypit anë e mbanë botës,
disi e kisha harruar 250-vjetorin e Aktit të parë në mbrojtje të Lirisë së
Shtypit, miratuar nga parlamenti suedez më 2 dhjetor, 1766, derisa mora një ftesë
(pak me vonesë) për të marrë pjesë në konferencën që kishte organizuar me këtë
rast, Ambasada suedeze në Washington, në bashkëpunim me entin privat amerikan
Newseum.  Është ky një institut me qendër
në Washington, që merret me promovimin dhe mbrojtjen e shprehjes së lirë, të
pesë lirive të Nenit të parë të Kushtetutës amerikane, përfshirë, lirinë e fesë,
lirinë e fjalës, dhe lirinë e shtypit. 
Ishte kjo një konferencë për të pasqyruar kontributin dhe ndikimin e ligjit
250-vjeçar suedez në mbrojtje të fjalës së lirë, si dhe për të diskutuar gjendje
e lirisë së shtypit dhe mbi rëndësinë e rolit që luan sot liria e shtypit në
botë. Pjesëmarrësit në këtë seminar në Washington, ku morën pjesë gazetarë të
njohur dhe diplomatë suedezë dhe amerikanë, diskutuan mbi ndryshimet e mëdha që
kanë ndodhur në fushën e komunikimit gjatë 250-viteve të kaluara, si dhe
ndikimin që kanë sot mbi lirinë e shtypit, teknologjia e re dhe platformat e rrjeteve
sociale në mbarë botën.
Në seminarin e mbajtur në
Washington të premten që kaloi, mori pjesë edhe Zëvendës Sekretarja Amerikane e
Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall,
e cila tha se, “Të dy vendet tona janë të vetëdijshme se informacioni është si
oksigjen për zhvillimin e një demokracie”. 
Pa lirinë e shtypit, shtoi ajo, nuk është e mundur që qytetarët të vlerësojnë
si duhet dhe të përballen me sfidat dhe alternativat për një qeverisje më të
mirë.  Në vendet autoritare, vazhdoi ajo,
gazetarët dhe qytetarët e thjeshtë  kanë
pak ose aspak hapësirë për të shprehur lirisht mendimin e tyre, ndërsa ata që
bëjnë një gjë të tillë, tha ajo, shpesh ushtrimin e të drejtës së lirisë së
fjalës e paguajnë me burg ose me jetë. 
Ndërsa në vendet në tranzicion ose në demokracitë e reja, theksoi
diplomatja e lartë amerikane, Sarah Sewall, “Sfida nuk është nëse shtypi ka
hapësirë për veprim ose jo, por se si shtypi në të vërtetë po e përdor këtë
hapësirë për të informuar qytetarët e vet, me qëllim për të përforcuar
standardet demokratike në vend”, ashtu që media të luaj rolin që i takon në
zhvillimin e demokracisë, tha diplomatja amerikane. Me këtë rast, ajo akuzoi
Rusinë dhe Kinën se po përdorin internetin dhe rrjetet sociale për të postuar
informacione falso dhe gjysmë të vërtetash, për realizimin e objektivave të
tyre të vjetra propagandistike.  Zëvendës
Sekretarja Amerikane e Shtetit paralajmëroi duke thënë se do të vazhdojmë të
përballemi me sfidat që paraqet lufta e gjithanshme teknologjike kundër lirisë
së fjalës dhe të vërtetës, e sponsorizuar nga shteti – siç është rasti i Rusisë
dhe Kinës.  Por, ajo shtoi se përgjigja
jonë duhet të jetë, “Të luftojmë për të vërtetën, jo me mjetet tona të
propagandës, por duke mbrojtur vendosmërisht median e lirë dhe demokratike, anë
e mbanë botës.”  Ndërkaq, Ministrja e
Punëve të Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom shënoi 250-vjetorin e miratimit
të Aktit në Mbrojtje të Lirisë së Shtypit, nga parlamenti suedez i kohës me një
deklaratë të sajën. Ashtu si edhe diplomatja amerikane, edhe krye diplomatja
suedeze shfaqi shqetësimin e saj mbi gjendjen e lirisë së shtypit sot në botë. “Është
tepër shqetësues fakti se të drejtat dhe liritë themelore që ky Akt kishte për
qëllim të mbronte, po kërcënohen sot gjithnjë e më shumë, në mbarë botën”.  “Në shumë vende”, shtoi Ministrja suedeze e
Punëve të Jashtme, “Demokracia dhe zbatimi i ligjit po minohen, të drejtat e
njeriut po shkelen dhe natyra e tyre universale po mohohet.”  Me rastin e 250-vjetorit të miratimit të
Aktit suedez në Mbrojtje të Lirisë së Shtypit, Ministrja suedeze e Punëve të
Jashtme bëri thirrje, “Për dyfishimin e përpjekjeve në mbështetje të shprehjes
së lirë, të transparencës dhe të lirisë së medias si dhe për një mbështetje më
të madhe ndaj medias së lirë dhe të pavarur anë e mbanë botës.”  250-vjetori i Aktit të Lirisë së Shtypit në
Suedi — më i vjetri në botë — është një rast që duhet të na kujtojë se liria
e shtypit në veçanti dhe liritë themelore të njeriut në përgjithësi, nuk mund
të merren për asgjë.  Shumë veta kanë
dhënë jetën në mbrojtje të këtyre lirive, për veten e vet dhe për
bashkatdhetarët e tyre.  Këto vlera duhet të vlerësohen, të ruhen dhe të mbrohen si sytë e
ballit.   Mbrojtja e lirisë së shtypit
dhe e fjalës së lirë, në vetvete, është një mbrojtje e vlerave themelore të një
shoqërie transparente dhe demokratike. 
Suedia është shembull në këtë fushë për shumicën e vendeve të botës,
sidomos për demokracitë e reja dhe për vendet që janë duke kaluar gjithnjë nëpër
të ashtuquajturin tranzicion post-komunist!