Frank SHKRELI/ 25-vjet më parë, ra muri i Berlinit dhe u shemb komunizmi 

667
Sigal

Në vjeshtën e vitit 1989, u rrëzua Muri i Berlinit dhe me shembjen e tij, popujt liridashës të Europës Lindore dhe Qendrore, njëherazi shembën edhe sistemin e tyre komunist që i kishte nënshtruar ata fizikisht dhe shpirtërisht, për pothuaj një gjysmë shekulli. Ky përvjetor shënon mbarimin e një sistemi të korruptuar, të një ideologjie vrasëse dhe skllavëruese dhe shënon gjithashtu, edhe rivendosjen e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor për miliona veta anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, të cilët deri atëherë kishin jetuar me frikë, në varfëri dhe nën shtypjen e regjimeve të diktaturës komuniste.

 Ishte 9 Nëntori i vitit 1989, kur mijëra gjermanë shemben simbolin kryesor të ndarjes në Europë, simbolin ndarës e përçarës të komunizmit ndërkombëtar: Murin e Berlinit.  Për pothuaj dekada, Muri i Berlinit përfaqësonte si asgjë tjetër, atë që Winston Çurçili e kishte pagëzuar si, “Perdja e Hekurt” që kishte rënë nga Baltiku deri në Adriatik.  Por ashtu siç përfaqësonte ai mur për pothuaj dy brezni ndarjen e Europës, shembja e Murit të Berlinit më në fund shënoi rënien e komunizmit, mbarimin e luftës së ftohët dhe fillimin e një Europe, që presidenti amerikan Xhorxh Bush do ta quante, “të tërë, të bashkuar dhe në paqe”.

Dy vjet më parë së të shembej Muri i Berlinit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij historik më 1987 në Berlinin e ndarë, i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ta shembte Murin e Berlinit.  Aty para portës Brandenburg, Presidenti Reagan pat deklaruar se: “Për derisa kjo portë mbetet e mbyllur, nuk është vetëm çështja e Gjermanisë që mbetet një çështje e pazgjidhur, por është edhe liria në mbarë botën që mbetet një çështje e pazgjidhur”, për qindra miliona njerëz që dëshirojnë lirinë.

Kur mendoj tani, megjithëse, fjalimi i Presidentit Reagan ishte një fjalim me plot bindje, guxim dhe vendosmëri- ishte e vështirë të merrej me mend se dy vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 1989, regjimet komuniste anë e mbanë Europës do të përmbyseshin njëri pas tjetrit si gur dominoje. Komunizmi dukej se kishte krijuar një situatë të pakorrektueshme  dhe e pakthyeshme. Ish-udhëheqësi komunist gjermano-lindor kishte shpallur se Muri i Berlinit do të qëndronte aty edhe për 50 deri 100 vjet të tjera.  Por, megjithëse, si të thuash i ishim dorëzuar fatit se asgjë nuk do të ndryshonte në botën komuniste, të pakën në jetën tonë, në vitin 1990 siç dihet, regjimet komuniste dhe diktatorët e atij sistemi që skllavëroi një pjesë të madhe të Europës për pothuaj një shekull, u shembën, gjë që çoi në mbajtën e zgjedhjeve të lira anë e mbanë ish-vendeve komuniste në Europë dhe Gjermania u ribashkua me rënien e Murit të Berlinit. Ishte e qartë se me shembjen e simbolit më të mbrapsht të komunizmit në Europë, gjërat më në fund, do të ndryshonin për më mirë.

Në Gjermani dhe anë e mbanë Europës do të shënohet 25-vjetori i shembjes së Murit të Berlinit – sipas një njoftimi nga zëdhënësi i Kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert – duke festuar dhe duke njohur rolin që kanë luajtur njerëzit e thjeshtë  në shembjen e komunizmit anë e mbanë Europës Lindore e Qendrore.  Duke njoftuar planet për festimet e 25 vjetorit të shembjes së Murit në fillim të nëntorit, zëdhënësi i Kancelares gjermane, tha se në këtë përvjetor, “Ne duam të festojmë dhe të theksojmë rolin që kanë luajtur qytetarët e thjeshtë në  realizimin e ndryshimeve”, si rrjedhim i shembjes së Murit të Berlinit, jo vetëm në Gjermani, por edhe në mbarë Europën Lindore.

Të mërkurën Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ishte Berlin për bisedime dypalëshe me Kancelaren Angela Merkel dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank -Walter Steinmeier. Ata folën gjerë e gjatë për këtë përvjetor, për simbolin e këtij përvjetori dhe për përgjegjësitë që ka brezi i sotëm për të edukuar brezat e rinj mbi historinë e Murit të Berlinit, si një simbol i së keqes.

Në një konferencë të përbashkët për median, ministri i Jashtëm gjerman u kujtoi gazetarëve se John Kerri, në moshë të re kishte jetuar në Berlin, ku i ati i tij shërbente si diplomat amerikan shumë vite më parë, në fillim të luftës së ftohtë, në një zonë që ai e cilësoi si mëhallë të “Perdes së Hekurt”, që për dekada, -tha ai,- ishte si pikë-qendër e Luftës së Ftohtë.  Kryediplomati gjerman u tha gazetarëve se gjatë vizitës që i bënë një pjesë të Murit të Berlinit që ka mbetur aty si simbol, me krye-diplomatin amerikan John Kerry, ata kujtuan se gjatë luftës së ftohtë, sipas Ministrit të Jashtëm gjerman, “100,000 veta u arratisën përball rreziqesh të mëdha për jetën; 138 veta kanë vdekur tek Muri i Berlinit duke u përpjekur të arratiseshin nga regjimi komunist”. Ai shtoi se, “Është tragjik fakti se sot e kësaj dite nuk dihet numri  i saktë i atyre që kanë vdekur ose që janë vrarë dhe   ekzekutuar, ndërsa përpiqeshin të arratiseshin matanë kufirit, për në Perëndim”. Ai tha se po bëhen hulumtime për të vërtetuar se cili në të vërtetë ishte numri i saktë i personave që u vranë gjatë asaj periudhe në përpjekjet e tyre për t’u arratisur për në Gjermaninë Perëndimore.  Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank -Walter Steinmeier tha gjatë konferencës me shtypin, përkrah kryediplomatit amerikan John Kerry se: “Është përgjegjësia jonë e përbashkët që për këtë histori të informojmë brezin e ri, të cilët kanë lindurpas shembjes së Murit të Berlinit dhe pikërisht kjo është arsyeja që jam tepër i kënaqur për faktin se patëm rastin të flisnim me studentët nga Berlini dhe nga Brandeburgu-një gjeneratë kjo të rinjsh që as nuk mund të imagjinojnë se 25 vite më parë, ky mur jo vetëm që ndante qytetin e Berlinit, por ndante miqtë dhe të afërmit dhe i cili kishte ndarë  nga njëra tjetra dhe përçarë edhe familjet me dekada”.   Zyrtari i lartë gjerman tha se, sot Gjermania nuk është më e ndarë, por as Europa nuk është e ndarë si gjatë luftës së ftohtë dhe për këtë ai iu drejtua Sekretarit Amerikan të Shtetit për të falënderuar aleaten e Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë – Amerikën, duke thënë: “Dua të them në mënyrën më të qartë që është e mundur se e gjithë kjo nuk do të mund të arrihej pa mbështetjen – pa asnjë kusht – që na kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e gjendjes në të cilën jetojmë sot. Kjo situatë e sotme as nuk mund të merrej me mendtë dhe as të parashikohej pa mbështetjen  pa kondita të Shteteve të Bashkuara. Ne këtë nuk do ta harrojmë kurrë, çfarë bënë amerikanët për ne”,- tha ministri gjerman iPunëve të Jashtme.  Duke përmendur konfliktin në Ukrainë, i takon kësaj gjenerate, tha ministri i Jashtëm gjerman që të mos lejojë një ndarje të re mu në zemër të Europës. Ai së bashku me kryediplomatin amerikan John Kerry bënë thirrje kundër një ndarjeje të re midis lindjes e perëndimit si rezultat i krizës së tanishme në Ukrainë.

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, duke falënderuar fillimisht homologun e tij gjerman dhe Gjermaninë për rolin që luajnë sot në punët ndërkombëtare, tha se, “Amerika dhe Gjermania kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe përpjekjesh për liri, për paqe dhe begati në botë”.  Duke folur me emocion për kohën që kishte kaluar si fëmijë i një diplomati amerikan në Berlinin e ndarë, ai tha se ato vite i kishin lënë atij mbresa të paharrueshme në jetën e tij. Ai tha se kur jetonte në sektorin amerikan të Berlinit si fëmijë i një diplomati amerikan, me një rast tha ai, pati mundësinë të futej afër kufirit me Berlinin lindor dhe madje edhe si fëmijë kishte venë re ndryshimet, ishte frikësuar nga ato që kishte parë në anën tjetër të kufirit dhe se ishte kthyer shpejt mbrapa i frikësuar, në sektorin amerikan të qytetit të ndarë të Berlinit. Kryediplomati amerikan e përshkroi ato që kishte parë si fëmijë, si “një ndryshim i madh midis shpresës dhe dëshpërimit, si një ndryshim midis dritës dhe territ. E dalloje ndryshimin në ngjyrat e rrobave, në mungesën e njerëzve duke shëtitur, në atmosferën e përgjithshme” që mbizotëronte në Berlinin Lindor komunist.  Por mbi të gjitha, shtoi Zoti Kerry, dallohej ndryshimi midis lirisë dhe shtypjes, midis njerëzve, të cilët kishin mundësinë të bënin diçka me jetën e tyre, që të realizonin diçka, në krahasim me njerëzit në anën tjetër të Murit të Berlinit, të cilëve u mohohej kjo e drejtë dhe mundësi për të jetuar të lirë”.

John Kerry u tha gazetarëve se copa të Murit të Berlinit mund të gjenden në shumë vende anë e mbanë si shenja frymëzimi për njerëzit që duan lirinë, pjesë të këtij muri dhe çfarë simbolizonte ai mur, por edhe për atë që simbolizon shembja e tij.  Ky mur është këtu tha zyrtari i lartë amerikan, “Për të na kujtuar luftën dhe përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë në këtë vend për dekada për të na kujtuar se liria që gëzojnë sot popujt siç është populli  gjerman dhe ai amerikan- për të na kujtuar mundësinë dhe lirinë për të zgjedhur udhëheqësit tonë politikë, na rithekson lirinë dhe të drejtën për të kundërshtuar dhe për të protestuar, për të kritikuar, për të thënë atë që mendojmë, lirinë e fjalës dhe për të ndjekur çdo mundësi për të cilën na e merr mendja se mund të dalim me sukses.  Këto liri po kërcënohen gjithnjë në shumë pjesë të botës.  Dhe bile këto liri po kërcënohen pikërisht edhe këtu mu në zemër të kontinentit europian”,- tha John Kerry gjatë konferencës së përbashkët  për shtypin me Ministrin e Jashtëm gjerman të Punëve të Jashtme, Frank -Ëalter Steinmeier. John Kerry përfundoi duke shprehur mirënjohjen e tij për falënderimet që zyrtari gjerman u bëri  Shteteve të Bashkuara për mbështetjen amerikane gjatë dekadave, me rastin e 25 -vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, duke iu drejtuar brezit të ri duke thënë se ky përvjetor, mbi të gjitha, na kujton gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur veprohet dhe punohet së bashku -jo se ç’mund të bëjë qeveria – por na kujton ato se çka mund të bëjnë vetë njerëzit, secili individ, kur ata kanë kurajon dhe vendosmërinë për t’u angazhuar” për të mirën e përbashkët, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.

Nuk ka dyshim se shembja e Murit të Berlinit – simbolit të tiranisë komuniste në Europë dhe në botë -25 vjet më parë, ka ndryshuar botën.  Ai mur ishte një pengesë fizike dhe psikologjike për ata që kërkonin lirinë. Ishte si një mur simbol që dukej sikur përjetësonte praninë sovjetike dhe regjimet komuniste anë e mbanë Europës. Për derisa qëndronte Muri i Berlinit nuk kishte liri. Edhe bota mbarë sikur e kishte pranuar ndarjen midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik si diçka të pakthyeshme, si të përhershme. Madje, edhe presidentët amerikanë gjatë dekadave të luftës së ftohtë nuk sfidonin seriozisht dominimin e komunizmit mbi vendet e Europës Lindore dhe Qendrore.  Por më në fund më 1980, Shtetet e Bashkuara zgjedhin për president, kandidatin e Partisë Republikane, Ronald Reagan, i cili nuk hezitoi ta quante Bashkimin Sovjetik si perandorinë e së keqes.    Qershorin e vitit 1987 ai mbajti fjalimin tanimë të famshëm në Berlin, me të cilin i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov, madje kundër këshillave të ndihmësve të tij të ngushtë – se në qoftë se me të vërtetë dëshironte paqen, atëherë të urdhëronte shembjen e Murit të Berlinit dhe të lejonte ribashkimin e Gjermanisë.  Në luftën kundër komunizmit, që 25-vjet më parë çoi në shembjen e Murit të Berlinit dhe në rrëzimin e regjimeve komuniste anë e mbanë Europës, Presidenti Ronald Reagan nuk ishte një kalorës i vetëm. Kishte përkrahjen e udhëheqësve botërorë siç ishte Kryeministrja britanike Margareth Thacher, Lech Walesa me Lëvizjen e punëtorëve polakë Solidarnost, lëvizjet e disidentëve anti-komunistë anë e mbanë Europës, Papa Gjon Palin e II, i cili u ofroi këtyre përpjekjeve anti-komuniste forcën e tij morale dhe më në fund nuk duhet t’i mohohet kontributi as udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov, i cili duket se, kishte vendosur për të mos përdorur tankset kundër lëvizjeve historike anti-komuniste anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore.  Si përfundim, më datën 9 të nëntorit të vitit 1989 u shemb Muri i Berlinit, u ribashkua Gjermania dhe ra komunizmi anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, duke ndryshuar kështu përgjithmonë Europën dhe Botën.