Frank SHKRELI/ 15-vjetori i Shërbimit Shqip të Radios Europa e Lirë

68

Javën që kaloi, Shërbimi Shqip i Radio Europa e Lirë (REL) festoi 15-vjetorin e themelimit të tij. Radio Europa e Lirë, si një ent transmetimesh ndërkombëtare financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një histori më shumë se 60-vjeçare. Radio Europa e Lirë, tani me qendër në Pragë të Republikës Çeke, filloi transmetimet e saj në fillim të Luftës së Ftohtë, me programe lajmesh, komentesh dhe analizash, në gjuhët e ndryshme të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe transmetimet në gjuhën shqipe, pasi politikanët dhe diplomatët e njohur amerikanë të asaj kohe, si Xhorxh Kenen dhe Xhon Foster Dulles e shihnin Luftën e Ftoftë me komunizmin ndërkombëtar si një luftë idesh, që duhej zhvilluar nëpërmjet valëve të radios. Përsa i përket shërbimit shqip të REL, sipas autorit të librit mbi historinë e Radios Europa e Lirë, Michael Nelson, “seksioni shqip i REL filloi transmetimet me disa vështirësi në vitin 1951, për t’u mbyllur më 1953”.  Por, pas një mungese, prej pothuaj dyzet vjetësh, qeveria e Shteteve të Bashkuara vendosi që më në fund të rifillonte transmetimet shqip të REL pak para fillimit të luftës për çlirimin e Kosovës më 1999, me programe drejtuar kryesisht  Kosovës, por edhe më gjerë. Unë kam pasur rastin të takoja stafin e ri të seksionit shqip në Pragë, në kohën kur isha i angazhuar tek Zëri i Amerikës dhe më patën lënë mbresa pozitive me entuziazmin rinor, në fillim të veprimtarisë së tyre gazetareske, tani 15-vjeçare tek REL.

Kështu që 15-vjet më parë, transmetimet në gjuhën shqipe (përveç atyre të Zërit të Amerikës) bëhen pjesë e një organizate tjetër lajmesh ndërkombëtare, financuar nga Kongresi i SHBA-së me objektivin për të transmetuar lajme, informacione, komente dhe analiza drejtuar, pothuaj ekskluzivisht, Kosovës. Si mision të saj, Radio Europa e Lirë i ka venë vetes obligimin për të promovuar vlerat dhe institucionet demokratike, duke transmetuar lajme dhe informacion atje ku nuk ekziston liria e medias, ose ku liria e shtypit nuk është ende plotësisht e zhvilluar.  REL furnizon dëgjuesin, ose lexuesin, me lajme të pacensuruara, kryesisht mbi zhvillimet vendore dhe rajonale, si dhe diskutime dhe debate të hapura mbi ato zhvillime. REL, gjatë gjithë historisë së saj ka vepruar me besimin se, që një demokraci të jetë e suksesshme, duhet të ketë qytetarë të mirë-informuar, dhe se: “Stabiliteti, i bazuar në demokraci dhe në një ekonomi të tregut të lirë, anë e mbanë zonës ku transmeton, është jetike edhe për paqen në botë”. Roli i REL gjatë Luftës së Ftohtë, së bashku më Zërin e Amerikës dhe BBC në rrëzimin e Murit të Berlinit, njihet tanimë dhe pothuajse është bërë legjendë.

Edhe Shërbimi Shqip i REL megjithëse i ri, në krahasim me disa shërbime të tjera të këtij enti, gjatë 15 vjetëve të ekzistencës së tij, ka shënuar suksese të dukshme në informimin e dëgjuesve dhe lexuesve të tij dhe ka lënë gjithnjë gjurmë të një burimi informacionesh të sakta, të paanshme dhe të përgjithshme, gjithnjë duke ndihmuar në projektimin dhe në zhvillimin e vlerave të një shoqërie demokratike, pro-perëndimore në Kosovë. Shërbimi shqip i REL, në portalin e saj ka shënuar këtë përvjetor duke pasqyruar deklarata dhe urime të ndryshme, përfshirë edhe Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila me rastin e 15 vjetorit të themelimit të Shërbimit shqip të Radios Evropa e Lirë, ka përgëzuar punën që kjo redaksi ka bërë gjatë kësaj periudhe 15-vjeçare. Presidentja Jahjaga i dërgoi këtë mesazh seksionit të REL në gjuhën shqipe: ”Ju uroj për profesionalizmin dhe objektivitetin me të cilin REL e ka ushtruar misionin e saj që nga fillimi. Programi juaj në gjuhën shqipe për vite me radhë ka krijuar një forum shumë të nevojshëm që inkuadron kriteret në debat rreth politikë-bërjes dhe që na bën të gjithëve përgjegjës dhe transparent në punën tonë”.  Presidentja Jahjaga vazhdoi urimin e saj duke thënë se, “REL ka kontribuar njëkohësisht në ndërtimin e urës midis qytetarëve dhe institucioneve, duke na bërë shpesh të vëmendshëm për nevojat e qytetarëve tanë, prioritet ky për të ndërtuar demokracinë e vërtetë”, përfundoi kryetarja e Kosovës.

Edhe Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës përshëndeti kolegët dhe gazetarët me rastin e 15-vjetorit të shërbimit shqip të REL, duke i përgëzuar ata, “për këtë arritje të madhe dhe për përkushtimin tuaj që t’i shërbeni popullatës shqipfolëse në Evropën Juglindore, posaçërisht në Kosovë, përmes komunikimit të hapur të informacionit dhe ideve…Shërbimi shqip i Radios Europa e Lirë”,- thotë Dr. Elez Biberaj në mesazhin e tij, -“ka ofruar në vazhdimësi lajme dhe informacione të sakta, të balancuara dhe të zgjeruara, dhe ka promovuar demokracinë, qeverisjen e mirë, paqen dhe stabilitetin në një rajon të trazuar, por shumë të rëndësishëm të Evropës”. Drejtori i Divizionit të Euroazisë të Zërit të Amerikës dhe eksperti i çështjeve europiane dhe të Ballkanit thekson nevojën për rolin e vazhdueshëm të Shërbimit shqip të REL duke thënë se, “Evropa Juglindore vazhdon të vuajë nga jo stabiliteti politik dhe ekonomik, qeverisja e dobët, tensionet etnike, përparimi i ngathtë në vendosjen e shoqërive demokratike dhe shumëkombëshe, dhe nga një ambient i njëanshëm medial”.  Veterani i transmetimeve ndërkombëtare shton se, puna e shërbimit shqip të REL është sot aq me rëndësi sa ishte 15 vjet më parë dhe njëkohësisht, Elez Biberaj ofron ndihmën dhe bashkëpunimin e tij me kolegët e shërbimit shqip të REL .
Shërbimi shqip i REL mori me këtë rast urime edhe nga zyrtarët e REL, Kevin Klose, Xhef Trimble dhe Nenad Pejiç si dhe nga ekspertë dhe miq të shërbimit shqip të REL, si eksperti i politikës së jashtme, ish diplomati amerikan Xhejms Huper, tani Drejtor Menaxhues i “Public International Laë & Policy Group”, i cili në mesazhin e tij të urimit thotë se, ” Jam në vazhdimësi i mrekulluar me faktin se sa shumë ngjarje të rëndësishme, që prekin interesat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Europë, nisin në Kosovë dhe ato raportohen në programet tuaja”. “Kjo”, sipas tij, “me gjithë faktin se Kosova është vend i vogël, por e ka “hijen e gjerë” në ngjarjet botërore”, tha Xhejms Huper.

Shërbimi shqip i Radios Europa e Lirë feston 15-vjetorin e themelit të tij në një kohë të vështirë buxhetore dhe sfidash me të cilat përballen tani transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Është e pamundur të merret me mend shkurtimi i këtyre transmetimeve, qoftë nga pikëpamja praktike, diplomatike e politike, qoftë edhe nga një këndvështrim moral. Prandaj si i tillë, roli i transmetimeve ndërkombëtare perëndimore, sidomos të atyre që sponsorizohen nga Shtetet e Bashkuara, siç është shërbimi shqip i REL, sidomos në kohë krizash, duhet të konsiderohet si një armë e pazëvendësueshme në informimin e saktë në zona ende të konfliktuara. Siç nënvizon situata e krijuar kohët e fundit në Ukrainë, gjendje kjo e shkaktuar nga agresioni rus në Krime, roli i transmetimeve ndërkombëtare, siç është Shërbimi Shqip i simotrave të saj të Radios Europa e Lirë, nuk ka marrë fund. Siç ka thënë edhe Lech Walesa, duke komentuar rolin që ka luajtur REL gjatë ekzistencës së saj se, “Përballë valëve të radios, perdja e hekurt ishte e paaftë. Asgjë nuk mund të pengonte përhapjen dhe penetrimin  e lajmeve, as sputnikët, as minat, as muret e larta dhe as telat me gjemba. Kufijtë mund të ishin të mbyllur, por fjalët nuk mund të shuheshin”. Radiotransmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, si Zëri i Amerikës dhe Radio Europa e Lirë, vazhdojnë të jenë mjete të nevojshme që ndihmojnë në transformimin e shoqërive nëpërmjet informacionit të saktë, të balancuar dhe gjithëpërfshirës, dhe jo diçka që i përket të së kaluarës.

Si një ish-transmetues ndërkombëtar i lajmeve, në këtë përvjetor i shpreh urimet e mia Shërbimit Shqip të Radios Europa e Lirë dhe lutem që fjala e lirë e transmetuar prej tij tani dhe në të ardhmen të mos shuhet kurrë, pasi historikisht është provuar se fjala e lirë është me e fuqishme se shpata.