Fran GJOKA/ Jo kushdo mund ta kryejë detyrën e drejtorit

73

Në rrjedhën e pandërprerë të reformimit të sistemit tonë arsimor, në kushtet e sotme, mendojmë se theksi duhet vendosur në sistemin e drejtimit të shkollës. Shkolla, si institucion bazë i sistemit  arsimor është vendi ku derdhet djersa e mësuesit për të përgatitur brezin e ri që t`i dalë zot fateve të vendit, prandaj ky sistem, së pari duhet të nisi me reformimin e drejtimit në arsimin tonë.

Sot, më tepër se kurrë arsimi ynë ka nevojë për drejtues të aftë. Drejtuesi në arsim nuk duhet të jetë vetëm njeri i urdhrave, i dhënieve së porosive dhe detyrave, por në radhë të pare duhet të jetë njeri i përgatitur profesionalisht dhe i përkushtuar për të kryer detyrën që i ngarkohet. Një drejtues i mirë krijon atmosferë miqësore me kolektivin që punët të kryhen me dëshirë dhe jo me detyrim. E theksojmë këtë fakt, sepse vitet e fundit është vënë re se drejtuesit në arsim kanë qenë disi të “betonuar” në detyrën e tyre, prandaj në shumë raste tek drejtues të ndryshëm janë vënë re dukuri të tilla si paaftësi për të kryer detyrën në lartësinë e duhur, mediokritet, liberalizëm, por shpesh herë teka ata është shfaqur edhe arroganca, ndjenja e inferioritetit etj. Në këto kushte, disa drejtues nuk kanë mundur të bëhen shembull pozitiv në mjediset ku kanë punuar.

Drejtuesit në fushën e arsimit kërkohet të jenë mjeshtër, jo vetëm në punën mësimore dhe edukative, por edhe në metodën e komunikimit me mësuesit dhe aq më tepër me nxënësit. Një drejtues i përgatitur duhet të jetë i thjeshtë, i qeshur, i zgjuar, i vëmendshëm, i dashur. Duhet ta dojë dhe respektojë profesionin, misionin e tij fisnik, kolegun, bashkëpunëtorin, nxënësin. Vetëm nëse krijon unitet dhe harmoni në kolektiv, themi se një drejtues është i aftë dhe i përkushtuar ndaj kryerjes së detyrës. Por, në kushtet e sotme, kur pothuajse kemi drejtorë arsimi apo drejtues shkollash të “përjetshëm”, njerëzve të tillë u krijohet mundësia të abuzohet me detyrën, të sillen ashpër me mësuesit dhe me nxënësit, të abuzojnë me marrëdhëniet me kolektivin, të mos respektojnë sa e si duhet normat e punës në shkollë. Kjo ka çuar në rënien e nivelit të punës mësimore dhe edukative në disa shkolla.

Është folur shumë për drejtuesit në arsim, por në të vërtetë, mbetemi në të njëjtin stad. Deri tani janë emëruar drejtues të arsimit edhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me arsimin prej shumë vitesh. Nuk njohin në thelb programet, planet dhe tekstet mësimore, ose nuk kishin dhënë kontribut të vyer në punën mësimore dhe edukative. Kjo e ka dëmtuar sistemin tonë arsimor, kjo ka dobësuar të ardhmen e shkollës sonë. Drejtuesi në arsim duhet të jetë vizionar. Ai nuk duhet të punojë për momentin, por të ndërtojë punën për të ardhmen, të njohë shqetësimet që lindin në sektorin e tij, problemet që dalin në komunitet, nivelin e çdo mësuesi, nivelin dhe sjelljen e çdo nxënësi etj. Vetëm kështu mund të shpresohet në një rezultat pozitiv në shkollat tona.

       Një problem tjetër tepër shqetësues ka qenë edhe monopoli politik në drejtimin e shkollës. Të gjitha instancat drejtuese në sistemin tonë arsimor nga DAR e ZA të vendit e deri te drejtori i shkollës janë quajtur vende politike. Kjo e ka dëmtuar shkollën. Vendi i drejtorit, nëndrejtorit apo punonjësve të tjerë të administratës u dhurohej militantëve, njerëzve politikë që kishin kontribuar për partinë e tyre. Me kalimin e kohës këta persona “çimentoheshin” në këta pozicione dhe bëheshin të paprekshëm sepse i mbronte miqësia dhe politika. Prandaj, sot, në institucionet tona arsimore kemi persona që kanë vite në ato vende pune, si specialistë  apo drejtorë me 8, 10 apo 15 vjet. Karakteristik është fakti se të gjithë këta njerëz janë militantë ose anëtarë dhe kryetarë të grup – funksioneve e, për më tepër, kryetarë ose anëtarë të këshillave të komunave ose bashkive të një subjekti politik. Ajo çka është më e rëndësishme, flitet në zë se ata nuk e kryejnë si duhet detyrën e tyre. Shpesh, këta persona duke qenë nën mantelin partiak, bëhen të dëmshëm për kolektivin dhe shoqërinë, bëhen pengesë për zhvillimin me ritme të shpejta të shkollës sonë.

I shtrojmë këta çështje, jo se nuk njihen nga opinioni i mësuesve, por që organet kompetente të marrin masa që fenomene të tilla të mos ndodhin më në shkollat. Shkolla duhet depolitizuar duke vënë mbi baza shkencore dhe jo politike. U fol shumë për politizim tekstesh, për pjesëmarrje të nxënësve dhe studentëve në mitingje të partive të ndryshme brenda orarit të mësimit e deri tek presionet e shumë drejtuesve ndaj mësuesve për të votuar sipas preferencave të tyre politike, madje pati edhe pezullime dhe pushime nga puna. Këta janë plagë të pashërueshme në arsimin tonë që lënë shije të hidhur për një kohë të gjatë. Normalisht, dukuri të tilla nuk duhet të ndodhin në sistemin tonë arsimorë, sepse dëmtojnë rendë procesin në konsolidim të reformimit të shkollës.

Sot, në kushtet e demokratizimit të plotë të sistemit arsimor dhe reformimit me hapa të shpejta të tij, përkrahën drejtues me vizion të gjerë dhe dije shkencore kërkohen njerëz të ditur dhe të sakrificës për të ndihmuar reformat dhe jo për t`i penguar ata. E themi këtë, sepse në shumë raste të zgjidhjes së problemeve në shkolla, shpesh janë bërë pengesa drejtuesit. Duhen përmendur këtu seminaret formale të organizuara, njëanshmëria në përzgjedhjen e teksteve mësimore, mungesa e predispozicionit në zgjidhjen e transportit të mësuesve dhe të nxënësve, kompletimi i shkollave me kabinete informatike dhe me sinjal interneti, përsosja e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe shumë probleme të tjera, që duhen parë më me prioritet këtë vit shkollor. Janë probleme emergjente që duhen diskutuar dhe trajtuar gjerësisht nga drejtuesit, që të shpresohet në zgjidhjen e tyre. Kjo është detyra e drejtuesit në arsim dhe jo ajo e nxjerrjes përpara punonjësve e një mijë justifikimeve dhe pretendimeve për të vërtetuar një padrejtësi. Fenomene të tilla nuk duhet të ekzistojnë në mendjen dhe qenien e një drejtuesi të përkushtuar ndaj detyrës.

Ne sistemin e drejtimit dhe te menaxhimit të punës në shkolla të tërheqim sa më shumë mësues të rinj që kanë master shkencor dhe profesional.

U fol shumë për përzgjedhjen e drejtuesit të arsimit me konkurs. Madje këtë vit edhe u aplikua për disa drejtues të ZA të disa rretheve, që në fakt rezultoi tërësisht e dështuar. Edhe në konkurse morën pjesë njerëz të politizuar, madje fituan më të preferuarit e organeve drejtuese. Por edhe kjo nuk është zgjidhje. Drejtuesi në arsim, fitues i një konkursi sipas kritereve të përcaktuara më parë nga dikasteri përkatës, mund të jetë e keqja më e mirë, por duhet ditur se ai testohet vetëm në njohuritë shkencore, ndërkohë që ai duhet të ketë edhe shumë cilësi të tjera njerëzore, metodike, pedagogjike, psikologjike etj, për ta bërë atë një person juridik të kompletuar në profesionin e vet. Madje, u hodh ideja që në rastin e emërimit të drejtuesve në arsim duhej marrë edhe mendimi i komunitetit. Ishte ide pozitive që nuk u realizua kurrë, megjithëse ky proces ka edhe anët e tij negative. Drejtuesi në arsim duhet të çojë me ambicie pozitive përpara detyrat e vëna në zbatim të reformës në arsim, të verë në lëvizje forcat krijuese, të respektojë dhe të përgjithësojë shembullin pozitiv. Është detyrë e drejtuesit të mbajë gjallë dëshirën e kolektivit për punë dhe mësim, të stimulojë kurdoherë shembullin pozitiv dhe të motivojë trupën arsimore për realizimin e objektivave. Drejtuesit e mirë, korrekt, të komunikueshëm dhe të përkushtuar, i duhet gjetur vendi i duhur, nga ana tjetër nuk mund të ngrihet në detyrë një militant mediokër. Në këtë kontekst jemi të detyruar të pranojmë se një drejtues i paaftë e dëmton jo vetëm punën e mësuesit, por edhe sistemin tonë arsimorë. Këtë fakt e kemi njohur, por e kemi të vështirë ta pranojmë.

Vërtetë në vendin tonë nuk kemi shkollë të veçantë për përgatitjen e drejtuesve, por njerëz të aftë dhe të ndershëm, që qëndrojnë larg politikës kemi, njerëz të përkushtuar dhe punëtorë kemi, mësues të aftë që e njohin artin e drejtimit. Le t’i afrojmë ata, t’i vlerësojmë dhe do të shohim si mund të ndryshojë shkolla dhe sistemi ynë arsimor në të ardhmen. Ky duhet të jetë një nga problemet që duhet të shihet më me prioritet, në sistemin tonë arsimor. Fryma e re, reformat e reja duhet të mbizotërojnë kudo në shkollat tona. Le të jetë ky një motiv për fillimin mbarë të këtij viti të ri shkollor.

*DAR Lezhë