“Forumi për debat” i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe shkencave nuk e njeh “iso-polifoninë”

760
Më datën 25 nëntor 2005, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, nën drejtimin e kryetarit të saj, “Artistit të Merituar” Limos Dizdari, organizoi Forumin për debat me temë: “Kënga Polifonike dhe kontributi i popullit shqiptar në zhvillim e këtij arti origjinal”. Morën pjesë studiues të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë, muzikologë, kompozitorë, profesorë të Universiteteve, si dhe këngëtarë të polifonisë nga Labëria, Mallakastra, Myzeqeja dhe Skrapari. Ministria e Kulturës u përfaqësua nga muzikanti Arjan Avrazi, ndërsa Akademia e Shkencave, Qendra Albanologjike dhe Instituti i Kulturës Popullore, nuk morën pjesë. Akademiku Vasil Tole lajmëroi me mesazh se ndodhej në Gjirokastër. 
Fjala e hapjes së Kryetarit të Akademisë, Limos Dizdari
“Populli ynë gjithmonë ka rrugëtuar me një thes halle e rroba të vjetra në shpinë, por nuk i mungoi shpirti i tij krijues, me legjenda epike dhe lirike, zakone e rite, mesazhe e mirëkuptime, pasione lufte dhe dashurie, këngë dasmash apo ceremoniale mortore, që shprehnin pasurinë e tij shpirtërore. Kjo kulturë artistike e kombit, ka rrugëtuar bashkë me njeriun shqiptar, duke qenë nëpër shekuj ushqimi i tij shpirtëror. Pjesë e kësaj kulture dhe shpirti krijues, mbeti edhe kënga polifonike shqiptare, si shprehje autentike e identitetit tonë kombëtar, si vlerë e veçantë e këtij populli, si një lapidar artistik i gdhendur në zemrat e shqiptarëve…Ndjehemi të nderuar e të respektuar që UNESKO, si një institucion i rëndësishëm botëror, e shpalli këngën polifonike shqiptare, si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të regjistruar me një shtojcë të panevojshme, siç është iso-polifonia. Me sa di unë, në rrugë institucionale, ideja për të regjistruar në UNESKO këtë vlerë të kulturës sonë kombëtare ka filluar me Beniamin Krutën, më vonë nuk mora vesh se çfarë u bë dhe kush nga institucionet e plotësoi dosjen, cili qe bordi shkencor që e miratoi këtë dosje, si u diskutua dhe çfarë vendime mori ky bord. Nga replikat e shumta në shtyp, del qartë se Ministria e Kulturës, është e paqartë dhe shume herë kontradiktore: Në përgjigjen dërguar Kryeministrisë më datën 6 gusht 2014, lexojmë: “Në fund u konkludua që Ministria e Kulturës do të përdorë termin “polifoni shqiptare” në aktivitet përkatëse”. Duket si një zgjidhje përfundimtare, por në përgjigjet në vazhdim, ajo vazhdon avazin e vjetër…Na krijohet përshtypja, sikur Ministria e Kulturës ngjan me ish-Ministrinë e Mbrojtjes, njëra dha det, e tjetra jep shpirt, përmes një apendiksi fare të panevojshëm të vendosur në mënyrë të dyshimtë. Ky emërtim i shtuar, eliminon lehtësisht emërtimin zyrtar si polifonia popullore shqiptare, e pagëzuar në Kongresin e I të Albanologjisë në vitin 1959 dhe e rikonfirmuar në Simpoziumin Shkencor Ballkanik në Tetor 1989, në Tiranë. Ky emërtim i ri, më shumë ngjan si shpifje se sa si një shpikje shkencore, që më shumë të krijon përshtypjen e një leksioni të shkruar keq dhe i lexuar akoma më keq. Jemi ne shqiptarët, që vendosim se si do të këndojmë: si polifoni shqiptare apo si” iso-polifoni”…Ky debat më bën të mendoj për atë se çfarë nuk kam bërë mirë, apo e kam lënë pa bërë si kompozitor. Etnomuzikologët bëjnë një punë të lavdërueshme, le ti lëmë ata të bëjnë punën e tyre dhe kompozitorët të kryejnë detyrën e tyre, të nxitur e të argumentuar nga studiuesit e përgjegjshëm. Të gjithë së bashku të dëgjojmë me vëmendje lëvruesit e këngës sonë polifonike, të gjejmë e të vlerësojmë estetikën e lartë të shpirtit krijues popullor dhe t’i përgjigjemi reciprokisht dashurisë së tyre për njerëzit, atdheun, historinë dhe kulturën tonë kombëtare.
Prof. Dr. Aleksandr Peçi
“Mjeshtër i Madh”, pedagog në Akademinë e Arteve
Kompozitori i mirënjohur Peçi, kumtoi në një mënyrë krejt origjinale: “Leksione të polifonisë mbi politikën. mbi muzikologjinë dhe kompozicionin modern”. ndër të tjera ai theksoi: “Termi “iso-polifoni” është një shtojcë e panevojshme. Ajo është pjesë e elementëve siç janë këmbët për njeriun, të cilit i themi njeri dhe jo këmbë-njeri. Edhe emërtesa shumëzërësh është i pa plotë, sepse shumëzërësh është edhe vertikaliteti homofonik koral, por s’është polifoni. Më e sakta është polifoni shqiptare siç e kemi quajtur tradicionalisht ose shumëzërëshi polifonik shqiptar…Polifonia është gjithsesi një perfeksion shumëzërëshi mijëra vjeçar..Në mjaft raste në polifoninë e Himarës e disa zona të tjera kënga modulon në lartësi, ngjitet gradualisht lart me mikrointervale apo semitone. Zërat fillojnë gradualisht e marrin një tjetër temperaturë sonore, emocioni bëhet më i fortë, kënga na përcjell një cilësi të re…Duke folur për sazet dhe polifoninë që luhet me to, për herë të parë në mjedisin intelektual, muzikologjik e të medias, kam hedhur termin e ri Sazeologjia..këtë pasuri universale të sazeve shqiptare me origjinalitet mbarë europian e botëror – kolonë vertebrore e identitetit kombëtar, do ta shndërronin nga art folklorik në shkencë”. “Artisti i Merituar” dhe dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, pohoi se nuk ishte dakord me polifoni as me iso-polifoni, ai do ta quajë shumëzërësh dhe bëri një analizë teorike të konceptit të shumëzërëshit.
Prof. dr. Pirro Miso, ish-punonjës i Institutit të Kulturës Popullore
Etnomuzikologu dhe etnoorganologu Prof. dr. Pirro Miso, kumtoi: ”Mungesa e standardeve shkencore të sendërtimit terminologjik në kontekstin e studimeve abuzive, po nëpërkëmb polifoninë tonë popullore të nominuar në UNESKO si kryevepër botërore.” Gjatë gjysmës së dytë të shek XX, u shkruan një varg artikuj studimorë, broshura, antologji, me notizime muzikore, kritika muzikore, artikuj studimorë e publicistikë, realizuar me standarde shkencore të admirueshme, të vlerësuara nga studiues vendorë por edhe të huaj, të cilët mes botimeve të karaktereve të ndryshme ia dedikuan seriozisht jetën e tyre zhanrit të polifonisë. …Sendërtuesi i termit, prof. Ramadan Sokoli, gjykoi në mënyrën më analitike të gjithë kuadrin strukturor të zhanreve muzikore shqiptare, veçanërisht, një ndër zhanret muzikore vokale shumëzërëshe, me shoqërim dhe pa shoqërim, duke e emërtuar – Polifonia Jonë Popullore – e cila përfshin tre këndvështrime themelore përcaktuese: Së pari, themeluesi e quajti polifoni, që do të thotë shumëzërësh, i gjykuar nga cilësia e organizimit të këngëtarëve. Ishin pikërisht kontrastet melodike mes zërave të grupit si dhe individualizimi i tyre mes njëra tjetrës, elementi bazë që shtrohet edhe në vokabularët muzikorë më të zgjeruar të rruzullit tokësor që, një strukturë muzikore shumëzërëshe të quhet polifoni. Së dyti, me përemrin pronorë “Jon”, profesori nënkuptoi polifoninë shqiptare e jo një polifoni të një vendi tjetër, pasi gjykoi që ky zhanër paraqitej me një specifikë origjinale, krahasuar me polifonitë e popujve të tjerë e jo siç kërkon me këmbëngulje akademiku Tole në botimet e tija që, prejardhjen e zhanrit të polifonisë t’ia atribuojë një kombi tjetër. Themeluesi, në shpjegimet e demonstrimet përfshiu gjithashtu edhe muzikën shumëzërëshe instrumentale, madje edhe vokale instrumentale duke e përcaktuar si: “polifoni vokale të përcjellin me vegla”. Edhe për këtë term, akademiku Tole u përpoq e po përpiqet me vendosmëri ta quajë: “isopolifoni e veglave muzikore”. Profesorë e botues të shquar, veçanërisht studiues të mirëfilltë të polifonisë shqiptare, në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj si: Sokol Shupo, Beniamin Kruta, Kostas Loli në Greqi, Ahmet Daja në Austri, Spiro Shetuni, sot në Amerikë, Eno Tashko Koco, Angli, Rexhep Munishi në Kosovë, etj., e mblodhën këtë kulturë në terren, e sistemuan atë në arkivat e shtetit dhe mbi atë bazë e studiuan duke formuar një literaturë të gjerë botuese studimore me arritje shkencore të njohura brenda dhe jashtë vendit. Është pikërisht kjo literaturë studimore shkencore e cila bëri të mundur formimin si dhe bazën themelore të strukturës së dosjes që u paraqit në UNESKO, duke ndikuar drejt për drejt në nominimin e zhanrit të polifonisë popullore shqiptare, të marrjes së saj në mbrojtje si kryevepër botërore. Kemi menduar se autori i paraqitjes së dosjes, akademiku aktual, Prof. Dr. Vasil Tole, në poste zyrtare vazhdimisht të larta, do ndiqte një strategji kombëtare, gjithëpërfshirëse, përmes institucioneve shtetërore të cilat mund të ndikonin në aplikimin e politikave konstruktive. Por ai u përfshi në përvetësimin dhe monopolizimin tërësor të aktiviteteve artistike vetëm nga një person i vetëm, në organizime rutinë, pa mbështetje shkencore duke mënjanuar studiues të etnomuzikologjisë shqiptare, veçanërisht specialistët e polifonisë…Duke aplikuar këto forma abuzimi si dhe monopolizimin tërësor të aktiviteteve artistike, pa mbështetjen shkencore, u nëpërkëmb, pikërisht ai nominim që organizata e UNESKOS e ngriti zhanrin e polifonisë”.
Prof. dr. Roland Çene, “Artist i Merituar”
“Mjeshtër i Madh” , pedagog në Akademinë e Arteve
Në kumtesën e tij “Gjirokastra kryeqendra e stilit të këndimit popullor polifonik katërzërësh lab”, pedagogu i Akademisë së Arteve, Roland Çene, theksoi: ”Në Opusin e trashëgimisë artistike popullore shqiptare, dallon për vlera të veçanta edhe muzika popullore e qytetit të Gjirokastrës. Ajo shfaqet e kënduar në grup pa shoqërim instrumental nga të gjithë grupmoshat e gjinitë, e kënduar në shoqërimin e valleve si dhe e interpretuar në instrumente popullorë: fyej, bilbil, cylëdyjare e pipëza, këmborë e formacione të sazeve popullore…Muzika popullore e Gjirokastrës dhe ajo e Labërisë, historikisht kanë rrugëtuar së bashku…ajo vjen e shfaqet më tepër vokale se sa instrumentale. Prej stileve vokalë të këndimit popullorë të qytetit, veçohet: Kënga e kthyer me grykë, këngët dyzërëshe të grave të cilat këndohen pa ison karakteristike të këndimit lab dhe në veçanti këndimi popullor katërzërësh i burrave të qytetit që shpesh është klasifikuar si stili i të kënduarit “pleqërishte”. Kënga polifonike katërzërëshe e burrave të Gjirokastrës, karakterizohet nga një dinamikë e larmishme e funksionalitetit të zërave përbërës të saj: marrësi, kthyesi, hedhësi, (mbushësi) dhe isua. si dhe nga shtrirje modale e kufizuar. Melodika e këngëve të burrave të Gjirokastrës ndërtohet zakonisht në mode pesëtingullore ku grada e katërt e modit fiton më shumë përparësi…Stili polifonik katërzërësh i burrave gjirokastritë, krahas që dallon nga stilet e tjerë të këndimit lab, ka edhe shumë të përbashkëta e të përafërta me disa prej tyre si ato të Kurveleshit, Lunxhërisë apo Zagorisë…”.
Prof. Dr. Spiro J. Shetuni
Universiteti “Winthrop Rock Hill”, SC 29733 USA
Në vazhdim u lexua mendimi i ish studiuesit të Institutit të Kulturës Popullore, Spiro Shetunit: “Dilema e etnomuzikologjisë shqiptare”, dërguar Kryetarit të Akademisë z. Limos Dizdari:
“Muzika tradicionale shumë-zërëshe është një pasuri monumentalisht e çmuar e kombit shqiptar. Është detyrë e brezave të sotshëm e të ardhshëm të studiuesve shqiptarë të fushës së muzikës që ta studiojnë atë, sa me dashuri e pasion, aq edhe me përgjegjësi e maturi shkencore! Mendimet e mia shprehin qëndrimin tim ndaj një të ashtuquajture dileme që ka lindur vitet e fundit në fushën e etnomuzikologjisë shqiptare. Shkurtimisht, një dilemë e tillë, ndoshta do të mund të formulohej si vijon: Cili do të ishte nocioni shkencërisht më i përshtatshëm për të karakterizuar muzikën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare: “polifoni popullore,” apo “iso-polifoni?”. Mendoj se i ashtuquajturi “Forumi për debat” mund të jetë një diskutim i vyer shkencor për t’i dhënë përgjigjen e duhur kësaj çështjeje tepër të rëndësishme. Unë nuk do të bëhem pjesë e të ashtuquajturit “Forumi për debat.” As do të shkruaj ndonjë kumtesë në përgjigje të Ftesës Suaj. Sidoqoftë, më lejoni të them se, vetë studimet e mia në fushën e etnomuzikologjisë shqiptare (vetëm seria akademike gjashtë-librore “Muzika tradicionale shqiptare,” e cila u botua në Amerikë gjatë viteve 2012-2014, përmban 3,000 faqe!) i japin përgjigje të qartë çështjes në diskutim. Ato i përmbahen kategorikisht nocionit “polifoni popullore.” Ndërkohë, nocioni “iso-polifoni” mendoj se nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumë-zërëshe të kombit shqiptar. Po ashtu, duke shkuar hapur kundër nocionit të mirënjohur tradicional “polifoni popullore,” një nocion i tillë dashur-padashur e zbeh besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Mjerisht, nocioni “iso-polifoni” duket sikur është përdorur arbitrarisht, rastësisht, personalisht, thjesht për të kënaqur fantazinë e dikujt”.
Prof. dr. Pëllumb Xhufi, anëtar i Akademisë
Prof Xhufi u mbështet në një nga botimet e Z. Tole dhe konstatoi disa formulime absurde që binin ndesh me argumentet shkencor. Ai u ndal tek “isua” dhe theksoi se në greqisht do të thotë “njëtrajtshmëri”, çka është në kontradiktë me polifoninë, nuk mund të thuhet “njëtrajtshmëri-polifoni!
Prof. dr. Barshosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, pedagog në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
Në kumtesën e ti prof. Gaçe solli disa vlerësime të polifonisë popullore shqiptare nga disa Juri ndërkombëtare. Në komentin e Çmimit “Europa për Folklorin”- ai lexoi konsideratën e Dr Aleksandër Fenton: “Nuk është e habitshme që një skocez të ndihet si në shtëpi të vet në Shqipëri…Jam plotësisht dakord me tezën se shqiptarët janë nga popujt më të vjetër të Ballkanit, kanë ruajtur gjuhën e tyre të lashtë e të vetme, kulturën…Në një vend kaq të pasur me tradita të tilla, është ndoshta e vështirë të zgjedhësh, por një zgjedhje duhej të bëhej nga juria e çmimit “Europa” për Artin folklorik dhe i takoi grupit të Vranisht-Tërbaçit, në viset e bukura malore të krahinës së Labërisë…Është kënaqësia ime e madhe t’ju jap diplomën, medaljen dhe çekun e këtij grupi të shquar, për të cilin ne shpresojmë të dëgjojmë më shumë në të ardhmen…Në ceremoni u dha një koncert polifonik: “Kënga polifonike ishte tepër e rrëmbyeshme, epike. Ndërkohë që një i kënduar i tillë përcillej tutje në male, u bë prezantimi i parë i një filmi të ri me muzikë Labërie, të cilin e kishte prodhuar Instituti i Kulturës Popullore”. Po kaq interesante ishte edhe vlerësimi i filmit për polifoninë në Gjermani, i cili meritoi çmimin e parë.” Në vazhdim prof. Gaçe solli faktin se për çmimin e parë të filmit shqiptar për polifoninë i akorduan një vlerë financiare, çka duhet të jetë akorduar edhe për futjen e polifonisë në UNESKO, por nuk ka asnjë dokumentet që kjo shumë t’i ketë kaluar shtetit shqiptar. Kemi kërkuar në Ministrinë e Kulturës dosjen e UNESKO-s, por nuk na i kanë dhënë!”
Prof. dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i madh”
Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” 
Në kumtesën e tij “Labëria dhe polifonia binjake me historinë”, prof. Nezha kumtoi: “Më lejoni që në emër të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, të falënderoj organizatorët dhe personalisht Profesor Limos Dizdarin, njëkohësisht të përshëndes këtë Forum, me pjesëmarrjen e intelektualëve dhe ekspertëve të shquar të fushës së polifonisë, si një nga trashëgimitë më të vyera, jo vetëm të trevës së Labërisë, por mbarë Shqipërisë. Unë jam mes jush, thjesht për të shprehur solidaritetin me forumin, në emër të shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, për diversionin që ka lindur mes dy rrymave mbi emërtimin e këngës labe, për ta quajtur polifoni apo iso-polifoni. Labëria mbart shumë vlera historike, patriotike, atdhetare dhe kulturore, por polifonia është një gur xhevahiri në gjerdanin e artë të trashëgimisë së saj. Këtë pasuri të lashtë, që na e përcollën të parët tanë Kaonët, duhet ta mbrojmë nga çdo virus, me të cilin kërkojnë ta infektojnë dhe tjetërsojnë për interesa komerciale. Polemikat mediatike, të autorëve që mbrojnë polifoninë në poligonin e qitjes të disa akademikëve apo qukapikëve, që dalin me tezën e iso-polifonisë, i kam konsideruar si një kontribut intelektual për të ruajtur identitetin e këtij thesari të artë…Disa ksenofobë, duke shfrytëzuar pozitën shtetërore, janë vënë në shërbim të të huajve, edhe pse me një kosto jo të vogël për identitetin kombëtar. Polifoninë, siç dëshmon në veprat e studiuesve të kulturës popullore, se polli as Homeri e as Akili, ajo ka lindur si nevojë jetësore kulturore në malet e Labërisë, për të shoqëruar gëzimet, hidhërimet dhe ceremonitë familjare në shekuj. Duke qenë i veçuar me bagëti, pa njerëz për rreth, siç është monofonia, ku mund të përmendim ligjërimin e Kallaratasit “ Çu këput një këmbë mali” etj. është dëshmi e origjinës së këngës labe. I ngjashëm është edhe rasti i këngës treshe të Dukatit, e vetmja në llojin e vet. Duke biseduar me studiuesin Beniamin Kruta, ai fliste me shumë pasion për treshen e Dukatit dhe e konsideronte atë një perlë në lëmin e polifonisë shqiptare.
Mariola Miso, Master në etnomuzikologji, pedagoge në Liceun Artistik “Jordan Misja”
Studiuesja Mariola Misso, kumtoi për “Format polifonike në repertorin e fyejve të Gramshit në politikat zhvillimore të programit të UNESK-ut”. Informacioni shkencor që solli studiuesja ishte mjaft interesant, ndër të tjera theksoi: “Instrumenti i kavallit, ose fyelli i Gramshit, paraqet një ndër format më të hershme të polifonisë instrumentale. Këtë fakt e vërteton dokumenti arkeomuzikor logjik i shek. V para er. së re përmes një bazorelievi në të cilin pasqyrohet një instrument i dyfishtë me përmasat e kavallit … tiparet organologjike të instrumentit me dy tyta, në njërin instrumenti luan melodinë, ndërsa në tjetrin mban një notë të gjatë që vazhdon pa ndërprerje në mbështetje të melodisë, çka rezulton se produkti të jep të kuptosh se instrumenti emeton një diafoni instrumentale…Analiza e regjistrimeve audiovizive të kryera në një ekspeditë kërkimore, tregojnë se praktikimi i tyre ka vazhduar pa ndërprerje edhe gjatë mesjetës në ruajte e në zhvillime të mëtejshme të formave polifonike instrumentale…Fuzioni i formacioneve të fyejve të Gramshit është unikal. Ai jep ndjesi të veçanta estetike. Ky fuzion ka sensibilizuar mjaft kritikë të muzikës, brenda e jashtë vendit dhe ka bërë që mjaft studiues, estet dhe personalitete të kulturës dhe artit, të japin vlerësime të veçanta për efektet, si dhe për format polifonike interesante të traditave të muzikës së këtij formacioni.”
Bajram Lapi, muzikant, ish-pedagog i Akademisë së Arteve
Mes të tjerash, ish pedagogu i Institutit të Lartë të Arteve dhe muzikanti i grupit karakteristik të Ersekës, që i la kulturës kombëtare një tufë brilantesh të mbështetura në këngët dhe motivet popullore, pohoi: “E konsideroj të gabuar dokumentarin për “iso-polifoninë”, por situata e krijuar nga Ministria e Kulturës, që do ta financonte, ishte imponuese. Nuk duhet të heqim dorë nga polifonia shqiptare, sepse është gur i lashtë i kështjellës së folklorit, identiteti kombëtar që dëshmon edhe për autoktoninë e popullit tonë”. Kumtuan edhe Kryetari i Shoqatës “Polifonia”, z. Yzeir Llanaj, si dhe studiues të tjerë. Në përfundim të Forumit, Kryetari i Akademisë Limos Dizdari, lexoi rezolutën. Artistët popullorë interpretuan disa këngë polifonike. 
Rezolutë
Më datën 25 nëntor 2015, u zhvillua “Forumi për debat” në vëmendjen e të cilit ishin problemet e polifonisë popullore, pjesë përbërëse e etnomuzikologjisë shqiptare. Nga kumtuesit dhe diskutantët u ripohua se, Muzika tradicionale shumë-zërëshe, është një pasuri monumentale e kombit shqiptar. Duke qenë element i rëndësishëm i kulturës etnike të popullit shqiptar, polifonia jo vetëm është ruajtur dhe trashëguar nëpër shekuj, por së bashku me të janë trashëguar edhe thesaret e saj historikë, poetikë, estetikë, me një origjinalitet e pastërti të jashtëzakonshme, duke u trashëguar brez pas brezi, si visare të kombit. Kjo kulturë, gjatë procesit të etnogjenezës së saj, sipas ligjësive të ndërgjegjes kolektive, u kthye në ndërgjegje tradicionale, në vetëdije dhe kujtesë kolektive. Një zhvillim të tillë nëpër shekuj mund ta arrijë vetëm një kulturë muzikore, që shpreh me origjinalitet veçoritë etnike të një populli dhe forcën krijuese kulturore të tij. Studiuesit shqiptar gjatë punës së tyre shumëvjeçare, kanë pranuar dhe përdorur si më të përshtatshëm, për të karakterizuar shkencërisht muzikën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, emërtimin “polifoni popullore”. Vitet e fundit në fushën e etnomuzikologjisë, janë anashkaluar konkluzionet e studiuesve, duke mbajtur qëndrime vjetërsuese me një emërtim arbitrar: “iso-polifoni”, si dhe me argumentime joshkencore për etnogjenezën e saj. Kjo ka sjellë mjegullim në rrugën e mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare. Nocioni “iso-polifoni” nuk individualizon saktësisht strukturat e muzikës tradicionale, nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumë-zërëshe të kombit shqiptar. Një nocion i tillë e zbeh besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit, prandaj ne nuk njohim asnjë përcaktim tjetër, asnjë dualitet, përveç atij të pagëzuar në Kongresin e ri të Albanologjisë, nëntor 1962, dhe e rivlerësuar si e tillë në Simpoziumin shkencor Ballkanik për Polifoninë Popullore, në tetor 1989 në Tiranë. Shprehim respektin tonë për vlerësimin që UNESKO i ka bërë polifonisë shqiptare, si pjesë e kulturës sonë kombëtare. Mendojmë se është detyrë e brezave të sotshëm e të ardhshëm të studiuesve shqiptarë të fushës së muzikës, që ta studiojnë atë me dashuri, pasion, përgjegjësi dhe maturi shkencore. I sugjerojmë Ministrisë së Kulturës, që brenda detyrave të saj institucionale, të përcaktojë qartë dhe shkencërisht, përmes institucioneve shkencore, qëndrimin që duhet të mbajë ndaj tjetërsimit të emërtimit dhe gjenezës së polifonisë popullore shqiptare. Përmes kësaj Rezolute, kërkojmë nga Qeveria të vlerësojë propozimin e këtij Forumi dhe të ushtrojë autoritetin e saj, pranë institucioneve përkatëse për të mundësuar korrigjimin e këtij qëndrimi të gabuar, që bie ndesh me interesat kombëtare.
Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 22.12.2015
Sigal