Forcimi i kapaciteteve të auditimit suprem

612
Nga Bujar Leskaj 
Misioni ynë si institucion suprem auditimi publik, si SAI është të kontribuojmë për mirëqeverisjen e vendit, duke thelluar transparencën dhe llogaridhënien. Si institucion kushtetues që synon ruajtjen e vlerës së parasë publike dhe sigurimin e përdorimit të saj me ekonomicitet, efektshmëri dhe efiçiencë, jemi të ndërgjegjshëm për sfidat e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Gjykojmë se mund ta kryejmë misionin tonë nëse i përmbahemi kolonës së tretë të Planit Strategjik 2011-2016 të INTOSAI-t, për të udhëhequr nëpërmjet shembullit, që për ne përkthehet: të modernizojmë veprimtarinë audituese sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht ISSAI, duke ndikuar në mirëqeverisjen e shtetit, nëpërmjet shembullit si institucion model. Realizimin e sfidave të misionit tonë brenda sfidës madhore të integrimit europian të Shqipërisë, e kemi parë gjithnjë në zbatimin e motos së organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest” (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë”). Në platformën strategjike që paraqita përpara Komisionit të Kuvendit për ekonominë dhe financat në nëntor 2011, theksova se, ashtu sikurse e cilëson një raport i Programit SIGMA të BE dhe OECD-se i vitit 2002, “KLSH duhet të jetë agjent i ndryshimit dhe jo spirancë që tërhiqet zvarrë”. Është në bazë të këtij motivimi dhe këndvështrimi që në vitin 2012 aplikuam pranë Delegacionit të BE-së në Tirane, në mënyrë që, nëpërmjet fondeve IPA 2013, Përbërësi i Parë për reformimin e administratës publike, të përfitonim nga eksperienca e SAI-ve të zhvilluara europiane. 
Mbështetja nga Bashkimi Europian
Në vitin 2013, në sajë të mbështetjes së DG-Budget dhe të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, fituam Projektin e Binjakëzimit “Për forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm”, me një financim nga fondet IPA me vlerë 2.11 milionë euro. Jemi të ndërgjegjshëm si SAI që, në këta katër vjet 2012-2015, në sajë të trajnimeve të shumta, të përgatitjes së manualeve të llojeve të ndryshme të auditimit dhe të realizimit të auditimeve të performancës dhe të auditimeve pilot të Teknologjisë së Informacionit, i jemi larguar qasjes së kryerjes së auditimeve sipas modelit të inspektimit financiar. Por ende na mbetet shumë për të bërë, pasi, sikurse e thekson edhe raporti i misionit të parë të këtij Projekti Binjakëzimi, të kryer nga ekspertët e SAI-t polak, në analizën paraprake të riskut, krahas luftës kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar, duhet të lehtësojmë dialogun mes njësisë publike të audituar dhe audituesit, si një mjet kyç për një auditim publik të jashtëm efektiv. Kjo është rruga, sipas standardeve ndërkombëtare dhe të BE-së, si dhe roli i sotëm i SAI-t për të kontribuar në mirëqeverisjen e shtetit.
Projekti “Për forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm” 
Dobia më e madhe, vlera e shtuar e Projektit “Për forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm” qëndron në faktin se ai projekton audituesin suprem publik shqiptar të viteve 2020-2025, kohë kur sigurisht vendi ynë do të jetë bërë vend anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Europian. Deri në përmbushjen e këtij objektivi, përpara kemi sfida shumë të mëdha, të cilat duhet t’i përballojmë duke identifikuar me qartësi të metat dhe hendeqet tona, nëpërmjet një analize të imtë të riskut institucional. Sikurse e ka cilësuar Prof. Dr. Skënder Osmani, një autoritet shkencor jo vetëm i hapësirës shqiptare në fushën e stokastikës dhe të studimeve mbi probabilitetin, “Baza e të dhënave është themelore për njehsimin e riskut. Duhet të përqendrohemi në analizën e riskut në sektorë të ndryshëm ekonomiko-socialë, si në burimet energjetike, drejtësi, financë, arsim, minerale, shëndetësi, rend, mjedis, etj. Kemi nevojë të analizojmë në thellësi standardet e burimeve njerëzore, natyrore, energjisë, mineraleve, etj, duke përfshirë rezervat, klasifikimin e tyre e deri në analizën e riskut, shfrytëzimin e rezervave, kontratat shtetërore, duke pasur parasysh edhe përvojën e vendeve të tjera”. Jemi të ndërgjegjshëm për risqet që sjell shndërrimi i KLSH në një agjent ndryshimi në shërbim të mirëqeverisjes publike, si risku i sasisë së madhe të njohurive të reja që e bën të vështirë asimilimin e tyre nga audituesit, risku i mbingarkesës me punë të stafit më të përgatitur të institucionit, risku i hendekut mes gjeneratave të audituesve, i rotacionit me një numër të ndjeshëm të stafit me eksperiencë të KLSH që i duhet të dalë në pension, risku i ekspertizës së pamjaftueshme në Teknologjinë e Informacionit, risku i mungesës së fondeve të mjaftueshme për investimet e domosdoshme në infrastrukturën e Teknologjisë së Informacionit, etj. 
Ligji integral për KLSH
Projekti i Binjakëzimit vjen pas miratimit nga Parlamenti shqiptar në nëntor 2014 të ligjit të ri integral të KLSH, i cili është, sipas opinionit të DG-Budget, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe hap perspektiva të gjera për institucionin, duke forcuar pavarësinë e tij. Jemi të ndërgjegjshëm për pavarësinë tonë kushtetuese, financiare dhe operacionale, në arritjen e së cilës na ka ndihmuar edhe Komisioni i Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, por edhe për pritshmëritë e mëdha ndaj rezultateve të punës sonë, nga ana e qytetarëve dhe Parlamentit. Ne si SAI nuk bëjmë politika, por auditojmë zbatimin e politikave qeveritare. Në rekomandimet që japim synojmë përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe nuk shqetësohemi për impresionet që lëmë në politikën e ditës. Kemi kërkuar fiksimin në Kushtetutë të një tavani për borxhin publik të vendit, me qëllim mbajtjen e tij nën kontroll, shlyerjen në vitin 2013 të borxheve të prapambetura ndaj sektorit privat, administrimin e burimeve publike me kujdes dhe përgjegjshmëri, në mënyrë specifike për naftë, si dhe krijimin e një këshilli fiskal të pavarur, rekomandime këto që kanë qenë në një linjë me rekomandimet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Si KLSH, jemi përpjekur të zbatojmë në auditimet tona drejtimin strategjik të INTOSAI-t për udhëheqjen nëpërmjet shembullit. Kemi kërkuar dhe jemi pranuar si KLSH anëtar i Grupit të Punës së INTOSAI-t për Rishikimin ISSAI 30, Kodit të Etikës, të drejtuar nga një personalitet i auditimit suprem ndërkombëtar si ish-Presidenti i SAI-t polak, z. Jaçek Jezierski. Auditimi më i vështirë është ai i integritetit të organizatës tënde, nëpërmjet procesit të vetëvlerësimit. 
Ndihma nga institucionet europiane
Jemi të bindur se mënyra më efektive për të ndikuar në një menaxhim të shëndoshë të financave publike dhe të administratës së Shtetit është të tregojmë vlerat e integritetit dhe dobinë e një SAI. Integritet i plotë nuk do të thotë institucion pa të meta, por një institucion transparent dhe që ka mekanizmat e duhur për t’i identifikuar dhe korrigjuar ato. Jemi të ndërgjegjshëm për mangësitë dhe të metat tona dhe duam t’i shohim me transparencë të plotë mangësitë tona. Për këtë, në procesin e rishikimit mes kolegëve “Peer Review” brenda organizatës EUROSAI, kemi kërkuar dhe siguruar ndihmën e një SAI të zhvilluar europian, si Gjykata Austriake e Auditimit, e cila në mars 2016 solli një mision këtu në KLSH dhe jemi në pritje të raportit përfundimtar të tij. Vlerësojmë përfundimin e misionit të parë paraprak të këtij Projekti Binjakëzimi, kur cilëson KLSH si një institucion që kërkon të mësojë. Gjykojmë se kjo është kryesore për punën dhe misionin tonë. Gjatë këtyre katër viteve, kemi mundur të sigurojmë trajnime për audituesit tanë nga partnerët tanë më të zhvilluar, si SAI i Polonisë, Gjykata e Llogarive e Turqisë, SAI kroat, slloven, etj, duke synuar të mësojmë sa më shumë nga eksperiencat e tyre audituese dhe nga zbatimi në praktikë i standardeve ndërkombëtare të fushës ISSAI. Jemi të ndërgjegjshëm që në këtë drejtim na pret një rrugë shumë e gjatë përpara. Shumë premtues për ne është partneriteti me GAO-n amerikan edhe me Gjykatën e Audituesve të Europës. E shohim me shumë besim të ardhmen e Projektit të Binjakëzimit “Për Forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm në Shqipëri”, sepse sikurse e ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës së Auditimit të Austrisë, Dr. Jozef Mozer, në fjalën e tij në Simpoziumin e 21-të OKB-INTOSAI «Si me çdo partneritet të vërtetë, bashkëpunimi mes SAI-ve është reciprokisht i dobishëm. Nëse SAI-t nëpërmjet bashkëpunimit menaxhojnë te ndihmojnë njeri-tjetrin me eksperiencat e tyre me te mira, për të mbrojtur veten e tyre si institucione të pavarura dhe objektive të auditimit publik, ata do të jenë në gjendje për të forcuar pavarësinë e tyre brenda kuadrit kushtetues, me mbështetjen e marrë nga qytetarët». 
Partnerët polakë dhe kroatë
Garancia e këtij optimizmi është prania në projektin tonë të dy partnereve nga më cilësorët dhe afatgjatë të KLSH, të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, të njohur si NIK-u polak, në rolin e Partnerit Kryesor (Senior Partner) dhe të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, në pozicionin e Partnerit Ndihmues (Junior Partner). NIK-u polak është dhe mbetet një nga SAI-t më të zhvilluar dhe aktivë në arenën ndërkombëtare, duke zgjeruar njohuritë e tij të standardeve të auditimit dhe duke ndarë përvojën dhe arritjet e tij me SAI të shumtë partnerë, ndërsa SAI kroat është po ashtu një SAI modern, që ka njohur në këto vitet e fundit rritjen më të fortë dhe cilësore në auditimet e tij dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të EUROSAI-t, sidomos pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. I falënderoj të dy Presidentët e SAI-ve partnere të KLSH, Presidentin Kiatkovski dhe Presidentin Klesiç për praninë e tyre në këtë nisje të projektit tonë të Binjakëzimit dhe për gjithë ndihmën që na ka dhënë në këto vite të zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes SAI-ve tona. Ndajmë bindjen se, mbi bazën e eksperiencës së partnerëve të Projektit të Binjakëzimit, SAI-t polak dhe SAI-t kroat, produktet e Projektit do të forcojnë zbatueshmërinë e rekomandimeve tona, si mjet thelbësor për të ndikuar në mirëqeverisjen publike të vendit. Për shembull, një produkt i Projektit, Udhëzuesi për Institucionalizimin e mëtejshëm të Marrëdhënieve mes SAI-t dhe Parlamentit do të na ndihmojë në ndjekjen sistematike parlamentare të rekomandimeve të KLSH. Kjo ndjekje ka qenë një nga kërkesat kryesore të Raporteve të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë gjatë viteve të fundit, në lidhje me auditimin e jashtëm publik. Po ashtu, ngritja e një sistemi të T.I. për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të SAI-t, do të na ndihmojë si në përftimin e një informacioni në kohë reale dhe të gjurmuar si duhet për nivelin e plotësimit të rekomandimeve tona nga institucionet e audituara, ashtu dhe në sensibilizimin e plotë të Legjislativit dhe Ekzekutivit për domosdoshmërinë e zbatimit të këtyre rekomandimeve. 
Mbështetja nga qeveria
Në fitimin e këtij projekti binjakëzimi, vlerësojmë kujdesin e treguar dhe mbështetjen e qeverisë së ish-Kryeministrit Sali Berisha, si dhe të qeverisë së sotme të Kryeministrit Edi Rama (megjithëse finalizimi i nisjes së projektit u vonua për arsye burokratike gjatë viteve 2014-2015), pa suportin e të cilave ky projekt nuk do të shikonte nisjen e tij sot. Dua të falënderoj Drejtoritë e Përgjithshme të Buxhetit dhe të Zgjerimit të BE-së për mundësimin e këtij projekti ambicioz, i cili do ta projektojë KLSH përfundimisht si një institucion modern auditimi suprem publik, në shërbim të qytetarit shqiptar dhe të Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, eficiencë, transparencë dhe përgjegjshmëri të fondeve publike. Gjithashtu, mirënjohja dhe vlerësimi i të gjithë audituesve të KLSH shkon për ish-Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, z. Ettore Sequi, për stafin e sotëm teknik të drejtuar nga Kryetarja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadorja Romana Vlahutin, për mbështetjen e dhënë gjatë procedurave të prokurimit të këtij Projekti. Do të doja ta mbyllja këtë shkrim duke sjellë, në shenjë respekti për mbështetjen e pakursyer që KLSH ka marrë gjatë këtyre viteve. me fjalët e Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani në analizën vjetore 2015 të institucionit të KLSH: “Ju keni vendosur një standard shumë të mirë të shkëmbimit të përvojave me partnerët dhe partneritet me institucionet e vendeve të tjera. Ajo që e jetëson këtë dinamizëm është puna e çdo audituesi, e çdo të angazhuari, sepse pa të do të ishte e vështirë që një institucion të jepte rezultate në atë rrugë dhe në atë mënyrë që e duam që të gjithë për të funksionuar më së miri”.
* Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit
Sigal