Florian RAUNIG/ Që Shqipëria të jetë një vend i sigurt dhe i qetë për të jetuar

561
Sigal

*Kreu i Prezencës së OSBE-së Tiranë

 Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorit Florian Raunig,  ka marrë pjesë në takimin e  organizuar sot nga Ministria e Mbrojtjes në Uzinën e Mjekësit, në Elbasan dhe donatorët që kanë investuar për shkatërrimin e kimikateve dhe lëndëve të tjera të dëmshme. Në fjalën e tij, ambasadori foli për mbështetjen që OSBE-ja i ka dhënë procesit të demilitarizimit në vite, duke u përqendruar te projekti i fundit, i vitit 2013, ripaketimin e sigurt të 100 tonëve të kimikateve të rrezikshme. Gjatë analizës që i bëri situatës në vend Raunig theksoi se: “Shqipëria është përballuar me një sërë sfidash serioze për sigurinë që burojnë që nga regjimi i mëparshëm. Ekzistenca e kimikateve të rrezikshme, municioneve të vjetra dhe armëve të vogla përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për popullatën. Në partneritet me OSBE-në dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë është arritur një progres i konsiderueshëm në bërjen e Shqipërisë një vend më të sigurt e më të qetë për të jetuar. Ende kërkohet një financim thelbësor për përmbushjen me sukses të fazës së dytë të këtij projekti, për heqjen e kimikateve nga toka shqiptare dhe për shkatërrimin e tyre të sigurt jashtë shtetit. Realizimi i këtij projekti është prioriteti kryesor për vitin 2014. OSBE-ja ka një qasje gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale ndaj sigurisë dhe ka zhvilluar një sërë parimesh dhe normash për administrimin dhe reformimin e sektorit të sigurisë. Gjithashtu, ne jemi aktivë në mbështetjen e veprimtarive për administrimin dhe reformimin e sektorit të sigurisë në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar bashkë me qeverinë për vite me radhë si një partnere aktive zbatuese në procesin e çmilitarizimit. Ne kemi realizuar shumë projekte të suksesshme së bashku, duke përfshirë shkatërrimin e shumë tonëve municione konvencionale të tepërta, karburanti raketash (mélange) dhe kimikateve të tjera të rrezikshme. Shkatërrimi i municioneve të tepërta konvencionale vazhdon edhe sot me pajisjet e siguruara nga Prezenca me financimin e Danimarkës dhe Gjermanisë. Në vitin 2013, me mbështetjen financiare të Republikës Çeke dhe Turqisë, Prezenca, duke punuar me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me një partner zbatues, asistoi me sukses në ripaketimin e sigurt të 100 tonëve të tjerë kimikatesh të rrezikshme në Shqipëri. Megjithatë, ende kërkohet një financim thelbësor për përmbushjen me sukses të fazës së dytë të këtij projekti, për heqjen e kimikateve nga toka shqiptare dhe për shkatërrimin e tyre të sigurt jashtë shtetit. Realizimi i këtij projekti është prioriteti kryesor për vitin 2014. Kuptohet që edhe me përfundimin e këtij projekti, mbetet ende punë për t’u bërë. Ne e kemi parë me vëmendje kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për fillimin e një projekti të katërt për heqjen dhe shkatërrimin e një game të gjerë materialesh të rrezikshme. Së bashku me ministrinë dhe donatorët potencialë, ne do të shqyrtojmë mundësitë për një asistencë të mëtejshme të OSBE-së në këtë fushë.  Çmontimi i shumë armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri është një tjetër sfidë, ashtu siç është edhe pastrimi i ish -pikave të nxehta ushtarake. T’ua kthesh këto zona qytetarëve është një gjë dhe t’ia kthesh këto zona mjedisit është krejtësisht një gjë tjetër.  Më lejoni të theksoj se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet plotësisht e angazhuar që të mbështesë procesin e çmilitarizimit në Shqipëri. Procesi i çmilitarizimit është jetësor për paqen dhe sigurinë e Shqipërisë, si dhe për rajonin e më gjerë. Ne i mbështesim plotësisht përpjekjet e qeverisë për një vend më të sigurt e më të qetë. Ne dëshirojmë të punojmë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me anëtarët e Trupit Diplomatik të pranishëm sot këtu, për të diskutuar zgjidhjet dhe rrugët potenciale në të cilat mund të bashkëpunojmë për ta ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u bërë një vend më i sigurt e më i qetë”.