Flet Kristo Mërtiri: “Istikame” interneti dhe zyrtarë të arratisur nga mileti. Kaosi nga deputetë e qeveritarë me mentalitet pashallëku

740
Sigal

“Vitrinat e bukura që mbulojnë mashtrimin duhen thyer”. Majtas e djathtas! Sepse njerëzia e thjeshtë dhe e ditur, nuk e duron transparencën e gënjeshtërt. Ajo të neverit e të qesëndis, madje të përcjell edhe me batuta e bejte që fshikullojnë cilindo me poste të larta e të ulëta. Dhe as i skuq pëllëmbët me duartrokitje e jargavitje mitingashe e lamashe. Se këta të fundit po zënë qoshera e folera nëpër Administratën lokale e qendrore. Dhe jo vetëm nga nepotizmi i shfrenuar që i merr frymën korrektësisë, përgjegjësisë shtetërore, morale e zyrtare. Prandaj mbeten kurdoherë problemi e aspak zgjidhja. Ky është realiteti ynë i hidhur, të tjerat janë broçkulla ! “ Ore babam, a të kujtohet kur lexuam kohë më parë ato shifrat dhe faktet me emra e mbiemra nga Banka e Shtetit? Mbaj mend që u lodhëm e u irrituam duke kullotur sytë në një faqe të plotë gazete mbushur dinga me soj e sorollop nga grazhdet e partisë në pushtet (sot në opozitë). Se atje paskan “vende pëllumbash”, me rroga të majme e favore të tjera mikluese. Një lloj kështjelle nepotike ku nuk hyjnë dot “shtresat e paprivilegjuara”, ata që kanë vetëm djersën e ballit dhe asnjë “shpatull të ngrohtë” a pemë të madhe që u bën hije dallavereve. Ama, ai denoncim publik e açik nuk mori asnjë përgjigje praktike e publike, sot e gjithë ditën. Apo heshtja, në këtë rast, është flori?! As turbullon e as kullon! Që nga Këshillat e lakmuar Mbikëqyrës që vijnë e shkojnë me mandat parlamentar e të “bekuar” dhe me xhepa e portofola të rënduar. Informacionet hermetike e rakitike për këtë problem, në cilën kasafortë “transparence” a sekrete janë karfosur vallë?…”. Të tillë shembuj ka shumë e për lumë. Gjatë këtij Tranzicion-kaosi shqiptar 30-vjeçar, mentalitetin e pashallëkut e kemi parë dhe prekur nga afër te mjaft politikanë, deputetë, qeveritarë në periferi e në metropol. Kur pyet njerëz të zakonshëm nga Veriu në Jug, se çfarë ndryshimesh pozitive ka siguruar në trevën e tyre iks zyrtar i lartë gjatë mandatit të dhuruar nga Njëshat e partive, gati të gjithë i bien shkurt:”Një vërë në ujë !”. Këta votues të lodhur e të pakënaqur nuk i kërkojnë gjurmët e tyre në ujë, por atje ku ziejnë hallet e marazet e përditshme të urisë për punë; asistencë sociale; rritje pensionesh; strehim (çati për kokën, jo banjë për macet e qentë!); shërbim shëndetësor pa ryshfete e marifete, pa ilaçe të shtrenjta që i lënë trokë fukarenjtë; infrastruktura shkollore e rrugore sidomos në fshatrat me gjurmë të frikshme mesjetare deri pa energji elektrike e pa ujë të pijshëm, pa ushqim minimal të kontrolluar etj. Varfëria migjeniane të vret e të pret gjunjët !

Ndërsa politikanët milionerë brohorasin e gajasen me ca shifra e përqindje statistikore të gatuara nëpër zyrat e metropolit. Më thoni, sa dhe cilët punonjës të ministrive e institucioneve të tyre vartëse, kanë shkuar veçanërisht në fshatrat e krahinave malore? Çfarë informacionesh përgatisin e ç’probleme me gojë a me shkrim kanë ngritur për dikasterin, Këshillin e Ministrave, Parlamentin dhe si janë zgjidhur? Sepse po rrokullisen 30 vite që “pusht-pushtetet” nuk heqin dorë nga një huq i vjetër e shkatërrues për progresin real në rekrutime e emërime thjesht militanteske: Merr nga dhitë e bëj zabitë! Profesionalizmi i vërtetë po merr arratinë bashkë me transparencën trumbetuese e shurdhuese. Ditët e fundit, një miku im agronom i vjetër nga Lumi i Vlorës, fliste si i mbytur në trishtim. “Ti je gazetar i dy sistemeve politike. A komunikon dot në telefon me ministritë ose institucionet qendrore? Aman, më qafsh, e provon dot tani, t’i gjej unë numrat në internet dhe do të fal një kartë të re celulari! Apo do më dëgjosh mua se si përgjigjen e si të përcjellin me daulle, lule e baxhule. Fjala vjen, le ta nisim me Bibliotekën Kombëtare ku dua të zgjidh shpejt një hall kulturor. Mbase ma varin pakëz edhe si invalid që jam…”. Formuam numrin e Drejtoreshës, por doli sekretarja e saj. I thamë problemin konkret dhe na dha emrin e një zonje përgjegjëse për të komunikuar. Mirëpo ajo s’kishte fare numër kontakti. U detyruam të marrim 3 kolege të saj me të njëjtën detyrë. Zilja binte pa pushim tek të tria adresat dhe askush nuk ngriti receptorin! Kërkuam përsëri sekretarkën. Po këtë radhë u përgjigj si me pak hundë e buzë: “Zotëri, komunikoni me e-mail !”(madje miku im u ngatërrua dhe pyeti aty për aty: për cilin Malo e ka llafin?). -Po me Drejtoreshën, të lutem, a mund të flasim pak sekonda?,-iu drejtuam. -Se ne nuk kemi haber nga fejsbuqet e ulluqet që po çmendin dynjanë…”. “-U thashë një herë, vetëm me email! Hajde mirupafshim!”. Po për kë shërben numri i zyrës që e paguajmë ne takasapaguesit e këputur?… Durimi nuk po sosej ende. Tentuam të flasim me Ministrinë e Kulturës, pasi pamë të gëzuar edhe shkronjat kapitale “PYET SHTETIN”. Edhe aty doli sekretarja. Veç kjo na i preu drutë edhe më shkurt në të dalë të Shkurtit: “Bëjeni pyetjen me shkrim, mbylleni në zarf dhe niseni me Postë. Nuk lejohet në telefon!”. Pikë e zezë!, -shfryu miku im i vjetër lab. -Lëre fare, të sikletosa shumë, ma bëj hallall… Tymi i cigareve po i shtonte shtëllungat. E provojmë pak me majën e kupolës, Kryeministrinë, se të shkruarës së saj në internet s’ke çi thua, ja: “nëse doni të dërgoni një ankesë apo të denonconi një parregullsi, ju mund të telefononi në numrin…”. Por, askush nuk pipëtiu! I fundit numër që këmbëngulëm për kontakt, ishte pagëzuar me emrin Jeshil. Asnjë zë. Siç hymë, ashtu dolëm nga kjo mesele transparence plot thartirë! Bosh e me fytyrë më të ngrysur, por siç thotë një vërsniku im, “me durim derri”. Burokraci sipërore, përgjegjësi foshnjore apo tallje me taksapaguesit e arkave “off shore”?!…

Përrallat e Polit(h)ikës pa moral nuk pinë më ujë te “shtresat e paprivilegjuara”. Përralla të sheqerosura e të damllosura nga mazhoranca e opozita. Dhe harrojnë deklarenë e një udhëheqësi “liberator” 16 vite më parë: “Duke parë se sa më shumë i fshihemi të vërtetës aq më pranë humnerës shkon pushteti i njerëzve të thjeshtë dhe jo pushteti i njërit apo tjetrit” (tashmë e ka bërë hasha edhe i zoti!), shumë e shumë zyrtarë janë shkëputur herët nga mileti me hallet e dertet sa një mal. Këmbë përmbi këmbë e të kollarisur përballë kamerave e “moderatorëve” qejf o qejf që bën dervishi (gazetari modern?), kujtojnë se u zënë sytë e veshët shikuesve e dëgjuesve mbrëmave zhurmuese e tymuese. Mirëpo, komunikimi “sy më sy”, me përzgjedhje e tredhje nëpër lesa e interesa meskine, miqësore, lokale e fisnore, nuk i bën dot budallenj bashkëqytetarët e tjerë që njihen me rrënjë e degë. Megjithatë, Polit(h)ika me “bishtatundës” e djallëzi vazhdon të shartojë nëpër hënë! Majtas e Djathtas. Dhe fluturojnë plot fodullëk me fuoristrada luksoze, me shoferë e bodiguardë, me vila e pallate në themele të qelbura nga paraja e pistë. E tha bukur një mëhallaliu ynë tiranas, tifoz i thekur futbolli: “-Këta politikanët tanë kanë harruar të ecin me këmbë…A e dini që portieri i Barcelonës paguhet gati 100 mijë euro në javë? Por bën jetë normale. Dhe udhëton me metronë e qytetit katalanas!”. Salltanetet dhe tangërllëqet në pushtet e opozitë, makutëria pa anë e fund, nuk i bëjnë karshillëk vetëm Varfërisë por edhe vetë Shtetit të së Drejtës për të cilin u “qan” shpirti ditë e natë. Rroftë Interneti që po e nxjerrin si flamur për Sovranin e mbytur në këtë pseudodemokraci! Po sa për qind e popullatës në fshatra e qytete është pronare dhe e ditur në komunikimet elektronike? Askush s’jep xhevap. Pa folur për pordhalet lumë e det. Pa folur për numrin e famshëm policor 129 ku nuk të jep njeri një bilanc konkret se sa ankesa të qytetarëve janë zgjidhur në kohë. Pa folur për policirat Bashkiake; Rrugore; Financiare; Elektrike; Pyjore; Doganore etj. Vallë, vetëm maja e Kryeministrisë do u dalë për zot mbi 30 mijë ankesave të drejtpërdrejta? Megalomania e fodullëku duken sheshit. Na u tha si “pa mburrje” se janë shkarkuar nga puna dhjetëra zyrtarë. Bukur! Po përse nuk thuhet ende asgjë publikisht se kush i përzgjodhi me sitë e pa sitë ata myteberë, kush firmosi e vulosi për secilin dhe kush u përgjigj ligjërisht e financiarisht për pelivanllëqet e politikës qorre të burimeve njerëzore? Apo t’i biem shkurt “pordhi kali në derë të hanit”!…

Një befasi e pakëndshme me nota tragjikomike: Kur po mbyllja këto shënime, po ligjëronte ankthshëm Kryeministri, me zë e figurë. “Në Shqipërinë që kemi sot nuk ka njeri të zakonshëm që të mos ndihmohet nga Qeveria. Ku ishte shteti për ata pa miq, pa kushërinj e krushq?”. Ore babam, kujt ia bën këtë pyetje kaq habitore, budallenjve ?! Apo bjeri t’i biem, duke ia futur si kau pelës! Ai lloj shteti ishte dhe është në këmbë e sypatrembur përballë miletit. Pa më thuaj, ku punojnë sot gratë e politikanëve, deputetëve dhe qeveritarëve të lartë, të mesëm e të ulët? Po fëmijët e tyre ku studiojnë e ku punojnë? Po nipat, mbesat, dhëndurët, nuset, krushqit e krushkat që hedhin edhe vickla si mushka? Minimalisht, shiko organikat e ministrive dhe të institucioneve të “pavarura”, shiko Bashkitë e njësitë e tyre në Kryeqytet e në rrethe. Në fund të fundit, nuk na hyn hiç në punë llafi se je “çun i mirë me të gjithë” apo je “plak i urtë”! Ose për shporrjen e “Republikës së Faqes së Zezë në Lazarat”, vërtet lavdërimet nuk duhen kursyer. Por ajo betejë jo dosido e dikur gati e pabesueshme në fitore, duhej përdorur pa zili e eufori nëpër treva të tjera disi më pak problematike. Pyetja e fundit: Sa dhe cilat familje (me emër e mbiemër) dolën vërtetë nga gropa e zezë e Varfërisë? Se shifrat e përqindjet fluturake nuk duhet t’u shkojnë për shtat as vetë ekspertëve të Bankës Botërore që mbase duan të na mbajnë me ujë të vakët. Dhe nuk ka faj Pasqyra por Fytyra! Realiteti është krejt ndryshe te Mileti. Pra, të mos bëhen petullat me ujë deti. Dhe as vetëm nga Metropoli e gjoli erërëndë e tepër tinëzar i Polit(h)ikës. Mos e harroni një nga Fjalëzat e urta të Saadiut të pavdekshëm: “I thanë njëherë sfurkut: -Pse nuk të shohim të dalësh përjashta në dimër? – Se mos më bënë ndonjë nder të madh në verë, që të dal edhe në dimër, -u përgjigj ai.