Flet kreu i Noterëve të Tiranës/ Artan Treska: Ligji nuk përmbush kriteret dhe kërkesat e kohës për të rregulluar sistemin noterial

1680
Sigal

Ligji “Për noterinë”, nuk përmbush kriteret dhe kërkesat e kohës për të rregulluar sistemin noterial

Ligji Nr.110/2018 “Për noterinë”, nuk përmbush kriteret dhe kërkesat e kohës për të rregulluar sistemin noterial në Republikën e Shqipërisë, sepse ka mangësi të theksuara në formën, procedurën ligjore, teknikën legjislative, dhe termat që janë futur.

  • Nuk arrijmë të kuptojmë se cilës së drejte dhe mbi cilin sistem është ndërtuar, mbi sistemin latin, apo gjerman? Na rezulton se është kryqëzimin e këtyre dy sistemeve duke prodhuar një hibrid që nuk e shohim të implementuar në asnjë vend tjetër të Evropës.
  • Ka dispozita ligjore që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
  • Ka dispozita ligjore të cilat ose ricitojnë Kodin Civil, Kodin e Familjes etj., ose në rastin më të keq bien ndesh me këto kode, duke bërë përcaktime dhe interpretime të gabuara.
  • Ka përcaktime dhe dispozita ligjore të cilat lidhen me referime në ligje të tjera në Republikën e Shqipërisë, të cilat bien ndesh me përcaktimet e bëra në këto ligje dhe këtu do të përmendja; Kodin Civil, Kodin e Punës, Ligjin për “Sipërmarrjen e lirë”, Ligjin “Për përdorimin e të dhënave personale” Ligjin për “Procedurat Tatimore” etj.
  • Nuk shohim të pasqyruar problematikën që ekziston sot në sistemin noterial, e cila mendojmë se nuk është krijuar për fajin tonë, por prej mosveprimit (rasti i “shitjes dy ose më shumë herë” nga Shoqëritë e ndërtimit i apartamenteve, njësive tregtare etj, nëpërmjet kontratave të porosisë dhe sipërmarrjes) dhe keqmenaxhimit (shtimi pa asnjë kriter i numrit të noterëve duke e dyfishuar numrin në vitet e fundit), nga Institucionet Shtetërore.
  • Nuk na jepet asnjë arsye se përse duhej ky ndryshim kaq radikal kur ligji i vjetër, Ligji 7829 date 01/06/1994 “Për noterinë”, me disa përmirësime duke rregulluar problematikën që ekziston sot në Shqipëri, do të prodhonte efekte pozitive mbi sistemin noterial të cilat mendojmë se Ligji Nr.110/2018 “Për noterinë”, nuk i garanton, dhe në vazhdim do të thosha se paraqet potencial për ta dëmtuar seriozisht dhe pse jo, për ta shkatërruar sistemin noterial në Shqipëri.
  • Ligji bën hapa prapa me të drejtat që sot noteri gëzon në Shqipëri dhe këtu do të përmendja heqjen e të drejtës për të trashëguar profesionin tek fëmijët e tij, dhe që deri më sot kjo traditë ka prodhuar vetëm pozitivitet, duke arritur deri aty sa ndalon familjarin e brezit të parë dhe të dytë të noterit të kryejë praktikën noteriale pranë tij apo edhe të punojnë në pozicionin e zv/noterit.
  • Ligji do të rrisë në mënyrë drastike barrën fiskale mbi noterin i cili është nga subjektet tatimpagues që nuk iu shmanget dhe paguan totalisht dhe në mënyrë korrekte të gjitha detyrimet kundrejt shtetit shqiptar.

  • Ligji referon në mënyrë të paligjshme në një sistem digjital që nesër kur të lançohet do të quhet NISA, i cili është një program soft, kompjuterik krejtësisht i panevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë së noterit në kushtet kur noteri ka qasje në të gjithë sistemet elektronike të nxjerrjes së dokumenteve dhe informacionit zyrtar, një program që është shpallur publikisht në media nga Zv/Presidenti i Dhomës Kombëtare të Noterëve, i cili ka publikuar një kosto të programit prej 8 milion Euro. Një projekt dhe tarifë e vendosur kundër përcaktimeve ligjore pasi nuk ka kompetencë ligjore Dhoma Kombëtare e Noterëve që të vendosë mbi kurrizin e noterëve një taksë prej 8 milion Euro, shumë e cila nuk ka kaluar nëpërmjet sistemit të prokurimeve publike, dhe as është miratuar në Asamblenë e Noterëve.
  • Ka një ndërthurje të kompetencave dhe miratime deri dhe organe të ndërsjella që Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë shkëmbejnë me njëra tjetrën kur këto janë anët e kundërta të një peshore, të cilat duhet të rregullojnë balancën dhe jo ta prishin atë, sepse është pikërisht ky dualizëm, i cili nuk ka funksionuar në ligjin e vjetër “Për Noterinë”. Këtu dua të theksoj se Dhoma Kombëtare e Noterisë duhet të mbajë pozicionin natyral që i takon. Në vazhdim shohim një mekanizëm të çuditshëm që Ministri i Drejtësisë arrin deri aty sa ka të drejtë të shpërndajë Këshillin e Dhomës Kombëtare përcaktim i cili bie ndesh me shtetin e së drejtës. Mendoj se dualizmi Ministri e Drejtësisë, Dhomë Kombëtare e Noterisë është një nga shkaqet që sistemi noterial sot ndodhet në këtë gjendje dhe Ligji 110/2018 “Për noterinë”, jo që nuk e ç’bën këtë dualizëm por e saldon në mënyrë përfundimtare. Do të thosha që peshorja sot peshon vetëm nga njëri krah ku janë të vendosura Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe në krahun tjetër noteri i cili do ta përkufizoja si peshë pupël para krahut tjetër të peshores.
  • Dispozitat ligjore që rregullojnë Bordin e Disiplinës dhe ky bord në mënyrën si është ndërtuar dhe do të funksionojë është në konflikt të pastër interesi dhe rrjedhimisht do të shtrembërojë qëllimin për të cilin është ndërtuar, dhe do të përdoret si mjet shantazhi ndaj noterëve.
  • Dispozitat ligjore dhe mënyrat e kontrollit mbi noterin janë të paqarta dhe mbartin rrezik potencial që nesër të abuzohet me noterin, ndërkohë që në ligjin e vjetër për noterinë Ministri i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë i kanë të gjitha mjetet ligjore për të kontrolluar direkt në çdo kohë cilindo noter që dëshiron, pra Ministri i Drejtësisë ka mundësinë e ushtrimit direkt të kontrollit të veprimtarisë noteriale në çdo kohë por edhe nëpërmjet Sistemit elektronik RNSH.
  • Futen institute të reja, të cilat jo vetëm që janë të pa përcaktuara qartë se çfarë janë, por edhe në rast se arrihet që të përcaktohen janë rrezik potencial për të dëmtuar rëndë sistemin noterial, dhe këtu do të përmendja zevendësnoterin, futja e të cilit, mënyra e pa përcaktuar se çfarë është, si do të funksionojë, rreziku potencial që mbart dhe që mund të keqpërdoret nesër nga Ministri i radhës i Drejtësisë për ta katapultuar dhe për ta prodhuar sërish noterë nëpërmjet një porte të hapur pak, apo një dispozite ligjore të parregulluar mirë. Njëkohësisht zv/noteri mund të përdoret edhe nga Dhoma Kombëtare duke e dërguar të administrojë zyrën e noterit pa vullnetin e këtij të fundit.
  • Degët rajonale shohim se janë shkatërruar, sepse kemi vetëm një dispozitë ligjore e cila përcakton në mënyrë të çalë dhe të pa plotë detyrat dhe kompetencat e degëve rajonale, (edhe këto të minimizuara në rolin e tyre) por mungon rregullimi ligjor i organeve, organizimi i tyre të drejtat detyrat, si zgjidhen etj, pra ky ligj shkatërron përfundimisht dhomat lokale duke i përqendruar të gjitha kompetencat tek Dhoma Kombëtare e Noterisë.
  • E drejta e Asamblesë së Dhomës Kombëtare të Noterisë për të vendosur me detyrim kontratën kolektive për sigurimin e veprimtarisë noteriale bie ndesh me konkurrencën e lirë dhe Vendimin Nr.3, datë 19/01/2005, të Gjykatës Kushtetuese.
  • Një nga problemet tejet të mprehta të cilin ky ligj nuk e trajton është çështja e arkivave noteriale të Noterëve të cilët kanë dalë në pension, sepse ka vite që luhet një lloj ping pongu ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Dhomës së Noterëve Tiranë dhe topi në këtë rast është qytetari. Pavarësisht se ky problem u ngrit me forcë nga përfaqësuesit e Dhomës së Noterëve Tiranë, nuk gjeti asnjë rregullim në ligj.
  • Roli i Misionit Euralius dhe ekspertëve gjermanë të noterisë në hartimin draftimin dhe mbrojtjen që i ka bërë projektligjit, është skandaloz dhe bëhet qartazi palë dhe pjesë e kulisave për të shkatërruar sistemin noterial në Republikën e Shqipërisë.

Miratimi i këtij ligji në formën që është paraqitur do të na detyrojë që të nesërmen e ditës që do të hyjë në fuqi të ankimohet nga ana jonë në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas pse jo edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, njëkohësisht do të dërgojmë raporte të detajuara se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me projektligjin “Për Noterinë”, edhe atyre që kanë dërguar në Shqipëri Misionin Euralius, dhe organeve përkatëse mbikëqyrëse të Komunitetit Evropian por edhe Organeve Drejtuese të Dhomës Federale të Noterëve në Gjermani.