Flavio ISARAJ/Nga Statuti* i 1922-it i stërgjyshit tek Kushtetuta e 2012-s e tim eti

653
Sigal

Kushtetuta e 2012-s e tim eti dhe Statuti* i 1922-it i stërgjyshit

Jam evlat vlonjat. Stërnip, nip, bir juristësh e politikanësh. Nga anët e mia thonë se, “dardha ndën dardhë bie”. E “rashë ndën dardhë”, tek shfletoja në librat e tim eti, në verën e nxehtë që shkoi, “pjekur” e “djegur” me diell, kushtetutën. Në libërmbajtësen e tij rrekesha të gjeja diçka mbi historinë e shtetit dhe të drejtës në Shqipëri. Më interesonte diçka mbi ligjin e parë themelor të shtetit, diçka mbi fillesat e parlamentarizmit, apo dhe të politikës moderne shqiptare. E aty, në ndarjet e libërmbajtëses së tim eti, më bëri derman “Kushtetuta” e stërgjyshit. Quhej Statuti i Lushnjës. Sa e gjeta, e lexova me një frymë. Dhe të nesërmen, po prapë. Pastaj, i kthehesha Kushtetutës së tim eti. I lexoja të dyja, i rilexoja dhe krahasoja. Dhe……., kuptova që 90-të vjet më parë, në Statutin e stërgjyshit në nenin 96, shkruhej thjesht e “shkoqur” mbi kontrollin parlamentar: “Parlamenti kontrollon qeverinë. Për mbrojtjen e interesave të përgjithshme, Parlamenti detyrohet në çdo rast të veçantë të formojë prej gjirit të vet komisione hetimore për të studiuar çështjet dhe faktet që lidhen me to. Komisionet hetimore kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime, me gojë e me shkrim, si prej autoriteteve publike, ashtu dhe atyre private. Mund të këqyrin edhe të gjitha aktet zyrtare që iu duket e nevojshme” Pse sot është ndryshe, o atë ? Pse qeveria ka “sekrete”, që nuk duhen t’i dinë përfaqësuesit e popullit? Pse populli duhet të “ngelet” larg sekreteve të pushtetit ? Janë sekrete të pista? Janë sekrete kriminale? Na e thotë, e ndalon Kushtetuta këtë gjë, apo jo? Pse s’flet, o atë? 90-të vjet më parë, në Statutin e stërgjyshit, në nenin 127, shkruhej mbi përgjegjësinë juridike dhe politike: “Mbrojtja e këtij Statuti është e drejta dhe detyra e të gjithë popullit shqiptar. Të gjithë zyrtarët dhe nëpunësit e shtetit, civilë a ushtarakë qofshin, janë të përgjegjshëm për veprat e tyre kundër këtij Statuti dhe dënohen sipas ligjeve në fuqi, përsa këto parashohin, dhe për shpërdorim detyre, përsa këto nuk parashohin. Urdhri i të parëve të tyre nuk i liron prej kësaj përgjegjësie”. Si ka mundësi, o atë, që në “Kushtetutën” e stërgjyshit, 90-të vjet më parë, çdo zyrtarë a nëpunës i shtetit, që e shkelte Atë, dënohej, minimumi për shpërdorim detyre? Si ka mundësi, o atë, që ata nuk i shpëtonte dot nga përgjegjësia penale, as urdhri i Mbretit, as i Presidentit, as i Këshillit të Lartë, apo dhe i Kryeministrit? Pse sot, pas 90-të vitesh, “urdhri i të Parit”, Kryeministër, të shpëton, si ministër apo zyrtar i shtetit, nga përgjegjësia penale? E ka fajin Kushtetuta? Pse s’flet o atë? 90-të vjet më parë, në Statutin e stërgjyshit shkruhej mbi Imunitetin Parlamentar: “Deputetëve nuk mund t’u kërkohet përgjegjësi për mendimet e shfaqura e për votat e dhëna në Parlament”. “….Në kohë të sesionit, deputetët nuk mund të ndiqen as të arrestohen për çështje penale, pa lejen e vendimin e Parlamentit, veçse në u kapshin në faj e sipër për krim. Në këtë rast autoritetet gjyqësore, janë të detyruara të njoftojnë Parlamentin brenda 24 orësh me anën e ministrisë së Drejtësisë”. Dhe, 90-të vjet më pas, në Kushtetutën e tim eti: “Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shpallura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes”. “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme. apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Deputeti mund të ndalohet, ose të arrestohet pa autorizim, kur kapet në kryerje e sipër, ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos heqjen e masës……” Ngjajnë si dy pika ujë o atë… Në 90-të vjet, asnjë ndryshim cilësor apo kufizim. Përkundrazi, në 90-të vjet, imuniteti i politikës, vetëm është koracuar më tepër me dënimin që i bën dhe shpifjes “politike”ndaj pushtetit. 90-të vjet më parë, në nenin 98 të Statutit të stërgjyshit, shkruhej për tatimin dhe taksimin e shtetasve: “Të gjithë bashkëjapin, në përpjesë të pasurisë së vet për nevojat financiare të shtetit”. 90-të vjet më pas, në Kushtetutën e tim eti, asgjë e njëllojtë. Dhe me diell bashkë filloi dallëdia politike, taksë progresive apo taksë e sheshtë. Po 90-të vjet më parë ishte progresive apo e sheshtë ?! Pse s’flet o atë ? Jemi 90-të vjet përpara, apo 90-të vjet pas, në këtë vend ?! Dakort, dakort, o atë. Ky tatimi progresiv, si sistem tatimor mbi të ardhurat, që bazohet në tarifa tatimore përpjesëtimisht më të larta për të ardhura më të larta, që Ju i ofroni ndershmërisht shqiptarëve, po gjithëpranohet tashmë. Por…, me tatimin regresiv, apo prapavijës, si sistem tatimor, që u vë tatime përpjesëtimisht më të larta atyre që kanë të ardhura më të ulëta, çdo të bëni ? Ju e dini, se tatime të tilla u vihen shpenzimeve, në bazë të një përqindjeje të pandryshuar si, TVSH-ja, taksa e televizorit, taksa e pastrimit, taksa e gjelbërimit etj.. Edhe lotaritë kombëtare, ndonëse jo taksa të mirëfillta, o atë, janë tërësisht regresive. Sa thuhet me ironi therëse, se këtu, me shpenzimet e tyre, të varfrit subvencionojnë argëtimet e të pasurve. Ç’do bëni me to, Ju? Do t’i reduktoni, apo do ti hiqni fare? Pse s’flet o atë? A jemi 90-të vjet përpara në këtë vend, apo 90-të vjet prapa? Sot, në demokraci, për qeverinë “jo gjithçka është e mundshme”, pasi ajo nuk mund të “lulëzojë” mbi keqbërjen (shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit), grabitjen (privatizime, konfiskime dhe vjedhje) si dhe vrasjet politike. Në këtë vend politika nuk duhet të katandiset në paraqitjen e treguesve makroekonomikë të vendit, pasi humbet hapësira publike si sistem referimi qytetar dhe gjithçka bëhet interes privat, bëhet iluzion ekonomik. A duhet të tregoni sot, se si “gjithçka do të jetë ndryshe”, duke kuptuar si të mundshme kalimin nga dëshira në akt, nga ëndrra në realitetin konkret? Pyes dhe pres, që një ditë të më thuash – Po. Tani, do flas vërtetë evlat.