Fjalë dhe vetëm fjalë dhe asnjë i regjistruar…

876
Abdurahim ASHIKU

Regjistrimi i emigrantëve… Në “javën pa të shtunë”
“Jemi i vetmi shtet në Evropë, deklaronte në fund të vitit 2015 kryeministri Rama, që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di, as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit”…
“Kalendarët greke” dhe “java pa të shtunë” përdoren kur bëhet fjalë për ngjarje e fenomene që nuk kapen kurrë. Premtim që nuk realizohet kurrë. Grekët e lashtë nuk kishin kalenda. Romakët ironizonin me një gjë që nuk ekzistonte. Edhe java “pa të shtunë” të njëjtën ironi përcillte. Regjistrimi i emigrantëve, aq i përfolur “majtas” e “djathtas” e tash dy vite me ligj kuvendar, i ngjan një tërkuze kërpi, kalbur pa u shtrirë, një përcjellje zyrtare në “kalendat greke” “Jemi i vetmi shtet në Evropë, deklaronte në fund të vitit 2015 kryeministri Rama, që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit”… Afro dy vjet më parë më 19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin:“Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Në ligj thuhet: “Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…”. I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 parashikonte që brenda 6 muajve të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë. Ligji i jepte Këshillit të Ministrave 30 ditë afat nga hyrja në fuqi që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa “autoriteteve përgjegjëse” u jepen 90 ditë nga hyrja në fuqi, që “të njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetdeklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse”…

Si gjithnjë nuk mund të rrinte pa folur (i pari) Kryeministri Rama, i cili u shpreh: 
“Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur e që do të shtrihet në të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët se sa vonë të mund t’i përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demokratik duke iu dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë e mos të jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që dhe kjo do të kërkojë kohën e vet”. Afro dy vjet më parë doli ligji, dhe dy vjet të tërë, as nuk u fol dhe as u hodh një emër i vetëm në formularin e regjistrimit të emigrantëve. Kjo ndërkohë që Kosova e bëri këtë tre vjet më parë, kur kishte vetëm 7 vjet shtet… Po cilat janë të rejat tash që kemi një ministër për diasporën për regjistrimin e mërgimtarëve në amzën e shtetit dhe në përkujdesjen? (siç është thënë me gojë e shkruar me germa kapitale) “Regjistrimi i shtetasve shqiptarë, shkruhet në një paraqitje publike të problemit, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka një rastësi pozitive që është plotësimi i afatit 10 vjeçar të dokumenteve te identifikimit. Kjo do të thotë, që ato do të ripërtërihen për të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky është një moment administrativ shumë i rëndësishëm. Shtetasit shqiptarë kur të aplikojnë pranë zyrave përkatëse në Shqipëri apo në konsullatën respektive të shtetit ku jetojnë, për t’u pajisur me letërnjoftim elektronik apo pasaportë biometrike, të shtetit shqiptar, për herë të parë, apo kur iu ka përfunduar afati i vlefshmërisë 10-vjeçare së dokumentit apo është deklaruar i humbur, sipas Kontratës Koncesionare, duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e kërkuara, përfshi edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ata jetojnë (sipas formularit përkatës). Patur parasysh mangësi të ndryshme në procesin e mëparshëm të regjistrimit shteti shqiptar ka një shans që në kushtet kur është duke u plotësuar afati 10-vjeçar i dokumenteve identifikuese, ripërtëritja e tyre të kryhet i saktë. Kjo do të japë një pasqyrë të qartë edhe të regjistrimit të shtetasve jashtë vendit, pasur parasysh realizimin në 2021 të zgjedhjeve parlamentare”. (Gabimet drejtshkrimore janë të portalit).

Kthim në kohë…
“Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 913 të datës 21.12.2011 pasaportat jo biometrike nxirren jashtë përdorimit duke filluar nga data 01.03.2012. Nga kjo datë pasaportat jobiometrike nuk do vlejnë më si dokument udhëtimi”

Në vitin 2021 qindra mijëra shqiptarë nuk do të votojmë, as në mënyrë elektronike, as me zarf, as me ndonjë formë tjetër të mundshme votimi që nga shtëpitë tona në mërgim.

Pasaporta biometrike aplikuesëve të parë u mbaron në vitin 2022. Kjo do të thotë se askush nuk do të ketë aplikuar “për ripërtëritjen e pasaportës, rrjedhimisht për të deklaruar të dhënat e kërkuara, përfshi edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ata jetojnë”. Një tollovi e paparë, fjalë pa bukë, një shtrirje e regjistrimit të mërgimtarëve në “kalendat greke”, një mungesë e pafalshme serioziteti zyrtar, një kulturë tepër e ngushtë, analfabetizëm në kohën e internetit dhe regjistrimeve kompjuterike.

Të gjithë emigrantët legalë, në të gjithë vendet e botës, janë të regjistruar në amzën e shtetit ku punojnë dhe jetojnë. Të gjithë, pa përjashtim, janë të detyruar që të tregojnë vendbanimin në adresë të plotë.Të gjithë janë të detyruar që në rast ndërrimi të vendbanimit, brenda dy muajve të deklarojnë vendbanimin e ri. Mos deklarimi shoqërohet me gjobë që të “dhemb në kurriz” dhe në “portofolin e jetesës”.

Të gjithë emigrantët kanë një numër amze (A.M.K.A , A.M.A. dhe A.F.M. në Greqi) pa të cilët nuk mund të trokasësh në asnjë zyrë e nuk mund të paraqitesh për mjekim e ilaçe.

Shumë e thjeshtë: Një marrëveshje me shtetet ku shqiptarët punojnë e jetojnë, një shkarkim të të dhënave të tyre në “zarfet kompjuterikë” të shtetit shqiptar dhe regjistrimi merr fund për shumë pak kohë. A është e mundur kjo? Për mendimin e përparuar të kohës, PO! Për burokracinë e shtetit tim që ende nuk ka mësuar “shkrim e këndim”,JO!
Sigal