Fitim Çaushi/ Pse luftë kundër pasurisë shpirtërore të kombit?

657
Sigal

Kush do ta përdhos emrin e ndritur të Rexhep Qoses

Historikisht të huajt, që nuk e kanë dashur të mirën e popullit shqiptar, nëpër shekuj ia kanë mohuar vlerat dhe prijësit e tij shpirtërorë, për ta ekspozuar si një popull pa kulturë, pa lashtësi e qëndresë heroike, pa legjendarë e strategë që kontribuon për të siguruar mbijetesën e tij. Mjafton të kujtojmë qëndrimet ndaj Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Naim Frashërit,  dhe bindemi për misionet antikombëtare të të huajve dhe shërbëtorëve të tyre. Në kushtet e reja të rivendosjes së kapitalizmit në Shqipëri, historia e shqiptarëve kundër shqiptarëve, po përsëritet. Në disa nga mjetet e informacionit masiv janë rikthyer, nga elementë të degjeneruar politikisht, sikundër paraardhësit e tyre, sulmet banale e antikombëtare kundër intelektualëve të shquar të kombit tonë.

Në një gazetë të përditshme është botuar një shkrim i të ashtuquajturit Edison Ypi: “Laviri i Prishtinës  në Gjirokastrën e kurvit”, shkrim që mishëron natyrën çnjerëzore dhe patologjike të autorit, njëherësh edhe misionin e tij antikombëtar, si pasues i denjë i paraardhësve të tij. Shkrimi është i mbushur me fjalor të zi, me banalitete e shprehje antikulturë, të cilat nuk ka mundur t’i thotë për shqiptarët asnjë i huaj deri më sot, madje as përfaqësuesit e barbarizmit serb. Nuk dimë si është botuar një paçavure e tillë të një njeriu që e paraqet veten intelektualë dhe përpunues të shpirtrave njerëzorë, sikundër është misioni i artit dhe gazetarisë, pa rrezikuar të komprometohen me këtë antikulturë!

Duke lexuar shkrimin, mendja na shkoi tek “Dasma e Figaros” e Bomarshesë, në të cilën Dom Bazilio orienton laron e tij: “Shpif, sa më shumë shpif, nxije, sa më shumë nxije,  se diçka do të mbetet në opinion”. Tipik i karakterit ligëtar e të pakulturuar, është autori i shkrimit të lartërmendur.

Me gjithë se është folur shumë për lirinë e ndërgjegjes në epokën kapitalizmit, akademikut Rexhep Qosja, disa dështakë e misionarë antikombëtarë, kërkojnë t’i mohojnë lirinë e fjalës dhe ndërgjegjes. Ata, për të jetuar me lëmoshat e të huajve, kanë marrë kërpaçin e qehajait dhe e penalizojnë akademikun dhe tërë popullin shqiptar, për të thënë vetëm atë që kërkon misioni i tyre famëkeq!

Akademiku Rexhep Qose ka titullin “Nderi i Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria”,dhe “Qytetar Nderi”  i qytetit të Gjirokastrës. Banorët e këtij qyteti dhe krahinës trimërore të Labërisë, që ka derdhur gjak për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë,  përjetuan gëzimin, krenarinë, dhe nderin e veçantë që e kishin mes tyre. Ata e rrethuan atë me një adhurim e dashuri të thellë për punën e tij të shkëlqyeshme në fushën e studimeve shqiptare dhe mbrojtjen e Çështjes Kombëtare. Ata e konsiderojnë akademikun Rexhep Qosja Pasuri Kombëtare, sepse i pasur është një komb që ka intelektualë të shquar si Ai, Eqrem Çabej, Aleks Buda,  Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Arben Puto, Idriz Ajeti, Androkli Kostallari, Anton Çetta, Jorgo Bulo etj-etj, Me emrin dhe veprën e Rexhep Qoses lidhet lëvizja kulturore që merr përmasat e vazhdimësisë së veçantë të Rilindjes Kombëtare në Kosovë,  pas vitit 1966, rezultat i së cilës është shkalla e zhvillimit shkencor e shoqëror që rriti qëndresën drejt realizimit të idealeve çlirimtare.

Me veprën e tij poliedrike, mbarëkombëtare e shkencore, akademiku Rexhep Qose paraqet një Fenomen të veçantë në kulturën shqiptare nëkohën tonë, prezanton figurën e një rilindësi të mirëfilltë. Ai gëzon ndjenja simpatie që shkojnë deri te adhurimi midis shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë, viseve të tjera të robëruara, e kudo në diasporën shqiptare. Ai është historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, prozator, dramaturg, mendimtar dhe veprimtar i çështjes  kombëtare, është njëri nga intelektualët më të shquar shqiptar të kohës sonë. Vepra është ajo që mbetet vlerë e përhershme  dhe dëshmia më e sigurt për gjeneratat e ardhshme, për punën, përpjekjet, sakrificat që kanë bërë paraardhësit, për t’i sendërtuar  idealet e mëdha të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar. Vepra e Rexhep Qoses ka patur një ecuri të veçantë, një shtrirje e rrezatim të gjerë në zhvillimin e shkencave të albanologjisë, në krijimtarinë letrare, prandaj pa dyshim jemi para një Fenomeni  të papërsëritshëm  të kulturës shqiptare.

Si njohësi më i mirë i letërsisë, Rexhep Qosja është njëherësh edhe esteti me shije të hollë për vlerat artistike, ç’ka e dëshmojnë studimet e tij të thelluara, dhe preokupimet e tij për çështje të rëndësishme të jetës shqiptare.  Në veprat e tij janë zbërthyer në forma eseistike mendime për problemet e zhvillimit të kulturës e, në mënyrë të veçantë edhe preokupimi për shkencën tonë të albanologjisë. Do të mjaftonte vepra e shkruar me mjaft “zjarrmi”, “Morfologjia e një fushate” , si një vepër unikale e polemikës, për të dëshmuar jo vetëm për përgjegjësinë kombëtare e qytetare, por edhe për talentin e madh, e cila e bën veprën të lexohet si krijim artistik.

Vepra e tij madhore “Letërsia shqipe-Romantizmi”, me kurorën e plotë të këtij suksesi, monografinë për Naim Frashërin,  “Porosia e madhe”, është modeli i përkushtimit atdhetar, sepse ishte Naimi që e ngriti në mit dashurinë për atdheun. Rexhep Qosja është karakterizuar nga kurajoja qytetare dhe intelektuale edhe tek libri: “Populli i ndaluar”, ku trajton dramën e shqiptarit, fatin e gjysmës së robëruar të kombit tonë. Për ta ndihmuar eliminimin e kësaj drame kombëtare, Rexhep Qosja shkruan dy vepra fondamentale: “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe “Çështja shqiptare”,  të cilat kanë në themel zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Ato paraqesin një sintezë  historike  e politike  dhe  informojnë opinionin e huaj me aspektet themelore të çështjes së pazgjidhur kombëtare të popullit shqiptar, duke dhënë ndihmesën e vet për zgjimin e ndërgjegjes evropiane. Në një vepër kaq të madhe Fenomeni Rexhep Qosja karakterizohet nga problematika, thellësia e studimit, shumësia e përgjithshme e ideve, dhe mënyra e trajtimit të tyre. Brezi i ri, Rexhep Qosen e kishte prijësin dhe mësuesin e vet, sepse ai mundi të përmbushte sa më shpejt zbrazësinë shekullore, të tejkalonte vonesën në mungesën e dijes, të artit dhe kulturës shqiptare, e njëherazi të rritë qëndresën kundër dhunës shoviniste jugosllave. Fjala e tij flakërimë në Kongresin e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, në Novi-Sad, më 1985, ishte një mbrojtje lapidare dhe plot dinjitet i çështjes shqiptare, duke e ngritur atë në radhën e figurave të adhuruara të kombit shqiptar.  Bashkë me veprimtarët e tjerë kosovarë, fama e  Rexhep Qoses arriti deri në kufijtë e heroizmit tradicional. Falë punës së akademikut Qose dhe aktivizimit të inteligjencës shqiptare, kultura shqiptare në Kosovë  iu kthye burimit kombëtar, duke vendosur lidhjet e shkëputura me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, ndërsa gjuha shqipe po ecte e sigurt drejt njësimit  të saj si gjuhë letrare  e një populli të qytetëruar. Rexhep Qosja ka qenë veprimtar i angazhuar në planin më të gjerë  të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Në çdo situatë vendimtare ai i ka paraqitur publikisht pikëpamjet e veta, të cilat kanë patur pikësynim realizimin e aspiratave historike të çështjes shqiptare, si çështje qendrore e krizës ballkanike. Rexhep Qosja është intelektuali që u ka paraprirë  kthesave të mëdha në jetën shqiptare, Ai u bë pjesë e pandarë e vizionit çlirimtar dhe u ngrit si një Promete para politikës dritëshkurtër dhe mendësisë së njerëzve shpirtrobër, që nuk mund të realizonin as kundërshtimin më të vogël ndaj pushtetmbajtësve serb. Këta pseudo-intelektualë dhe politikanë meskinë, që me veprimet e tyre të dëmshme në sferat më të shenjta të çështjes kombëtare, nuk kanë lexuar aq vepra të autorëve të ndryshëm sa është vëllimi i tërësishëm i veprave të akademikut Qose,  kanë guximin të kontestojnë viganin e madh, sepse nuk e arrijnë dot atë në kontributet letrare, kulturore e kombëtare. Për t’i bërë ison këtyre kontingjenteve antikombëtare, lehin edhe mercenarë nga vendi ynë, e veçanërisht autori i shkrimit të mësipërm.

Megjithë kontestimet dhe fryrjet prej disa patologjikëve, tërësia e veprës së Rexhep  Qoses  mbetet një porosi e madhe për shqiptarët e sotëm dhe brezat e ardhshëm, se si duhet punuar me ngulm për t’i dhënë kuptim të plotë jetës sonë, brenda kombeve të qytetëruara të Evropës. Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së akademikut Qose, është organizuar në Prishtinë sesioni shkencor me 34 kumtesa, të cilat kanë ndriçuar me argumente shkencore veprën studimore, artistike, kulturore e shoqërore të një njeriu që iu përkushtua jetësisht punës intelektuale për të mirën e popullit të tij në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. A mund ta hedh poshtë këtë nderim të shkencës shqiptare për Rexhep Qosen, një mercenar i rëndomtë! Në momente kthesash të mëdha politike e kulturore, Rexhep Qosja është kontestuar deri në shkallën e mohimit, nga ziliqarët, hilexhinjtë, gjysmëletrarët, gjysmëdijetarët, gjysmanalfabetët e politikës  dhe shërbëtorët e tyre. E godasin Rexhep Qosen ata që nuk e njohin kulturën shqiptare, me të cilën ai është në unitet të plotë, e për të cilën ka kontribuar si asnjë tjetër. E godasin akademikun Rexhep Qose, edhe ata që nuk e duan kulturën shqiptare, ata që me nihilizmin e tyre të skajshëm, duan të paraqiten kozmopolitë dhe të “vonuaer” në zhvillimet kulturore, pa mundur të analizojnë faktorët historikë.  Fakti se Gjirokastra e priti Rexhep Qosen si birin e saj, e vendos autorin e shkrimit kundër gjithë banorëve të Gjirokastrës, dhe këtu s’kemi të bëjmë me mllefe kundër një presoni, por kundër një populli. Fakti se shumë intelektualë, dhe populli në Kosovë e vlerësojnë dhe e nderojnë akademikun Qose, e vendos autorin e shkrimit të neveritshëm, kundër shqiptarëve, kundër idhujve të tij, të cilët janë pasuri kombëtare. Debate e polemika shkencore ka pasur e do të ketë edhe në ardhmen, sepse kjo i bën mirë shkencës dhe kulturës shqiptare, por janë të palejueshme mohimi aprioristik e aq më keq fyerjet e denigrimet e pakulturuara, drejtuar Pasurive shpirtërore të kombit shqiptar, sepse ato nxitin përçarjen dhe urrejtjen midis popullit dhe prijësve të tij shpirtëror.