Filip GURAZIU/ Legjenda e Rozafës, shqiptare apo serbe?

738
Sigal

Veprimi i zhbërjes dhe prishjes është një nga arsyet që ‘vendi i shqiponjave’ vazhdon të mbetet gjithnjë i fundit në Europë

Vizita në Kështjellën Rozafa në fëmijëri ngjallte kuriozitet të pamasë, jo vetëm për faktin se aty përjetohej me emocione të veçanta lufta epike e shkodranëve dhe e venecianëve  kundër hordhive turke, por sidomos që përjetohej si në asnjë vend tjetër sakrifica sublime e Rozafës, “qumështi i të cilës vazhdon të rrjedhë ende sot në muret mijëravjeçare të kështjellës ”. Pavarësisht se si dhe çka tregon legjenda, morali përfundimtar që mësonim ishte konstruktiv; asgjë nuk ndërtohet, asgjë nuk arrihet pa sakrifica. Por, natyrisht në ato vite, moralit që merrnim nuk i jepnim aq rëndësi në krahasim me keqardhjen që ndjenim për murosjen e Rozafës. Shumë vite më vonë, në moshë madhore kuptova se si për shumë problematika, ngjarje dhe personazhe të botës ballkanike që mbesin “pa origjinë dhe autorësi” pasi të gjitha palët i pretendojnë si të tyre, edhe legjenda e Rozafës kishte patur të njëjtin fat. Megjithëse, pranohet nga historia, se origjina e Kështjellës së Rozafës i përket shekullit të III pr.k. dhe se në vitin 168 pr.k. poshtë mureve të saj pati qenë zhvilluar beteja përfundimtare në mes legjioneve romake dhe ushtrisë ilire të mbretit Gent (kronika e kohës nga Titius Livius), historia serbe pretendon se janë ata që e ndërtuan Kështjellën Rozafa dhe si rrjedhim, legjenda është e tyre. Për historinë serbe nuk ka aspak rëndësi fakti i njohur dhe i dokumentuar, që turmat serbe kaluan Danubin, duke u vendosur me marrëveshje në territorin e perandorisë Bizantine, pra në Ballkan, vetëm në shekullin e VI. ps.k. dhe se pretendimi i tyre sipas kësaj logjike vetvetiu zhbëhet, për ato ka rëndësi vetëm një gjë; që legjenda e Rozafës  të jetë e tyre …dhe kaq!

Po sikur legjenda e Rozafës të jetë shpikur jo në kohën e themelimit të kështjellës (si pretendojnë shqiptarët), por në kohën e lartësimit dhe forcimit të mureve rrethuese që mund të jenë bërë edhe nga serbët duke filluar nga shekulli i XI pr.k? Ky këndvështrim  i ri i problemit na detyron që të arsyetojmë më thellë. Argument në favor të pretendimit serb duket sikur është fakti që legjenda e Rozafës, ose më saktë, legjenda e sakrificës si premisë e ndërtimit dhe përparimit, është mjaft e përhapur në hapësirat etnike serbe, por  kjo qëndron vetëm në sipërfaqe sepse po të “gërryejmë” pak më thellë, kuptojmë se ‘akti i sakrificës’ qëndron në themel të historisë së mbarë njerëzimit që në kohët e “mjegullës historike” dhe për të mos shkuar më larg, atë  e gjejmë të përhapur ndër popujt e vjetër autokton të Ballkanit shumë e shumë shekuj më parë se të identifikohen gjurmët e kulturës serbe. Argument në disfavor të pretendimit shqiptar duket se mund të jetë fakti  që legjenda e sakrificës së Rozafës ka në themel ‘tradhtinë’ gjë që, bie në kundërshtim me ‘besën’ si ‘institucion juridik’ me të cilën  njihen dhe krenohen shqiptarët. Por, në lidhje me këtë argument, gjithashtu, duhet të pranojmë se në analizë të fundit, tradhtia si pjesë përbërëse e  legjendës së Rozafës, në një farë mase është sekondare dhe zbehet në krahasim me aktin e sakrificës (moment kulminant) që bëhet për të ndërtuar të ardhmen kundër asaj “force të errët” që shkatërronte çdo gjë. Por çfarë ishte ajo forcë e errët  shkatërrimtare që pengonte ndërtimin dhe përparimin e shoqërisë së asaj kohe ? Universi dhe natyra konsiderohen të përjetshme, si rrjedhim të përjetshme duhet të jenë edhe ndikimet e tyre ndaj shoqërisë njerëzore,  pra “forca e errët” shkatërruese e legjendës se Rozafës duhet të ketë qenë prezente në të gjitha zhvillimet e historisë së njerëzimit gjatë  rrugëtimeve që ajo ka bërë, e deri në ditët e sotme si dhe në ato që do të pasojnë. Historia e mbarë njerëzimit e provon këtë, kurse historia e shqiptarëve çuditërisht e përforcon aq shumë këtë tezë sa gati-gati fillon e të mbushet mendja se kjo ‘forcë e errët” që vazhdimisht shkatërron, na qenkërka kryesisht e lidhur me shqiptarët! Duke ndjekur arsyetimin me metodën induktive për të kuptuar më tepër, konstatojmë se në qytetin e  Shkodrës gjatë viteve të komunizmit u shkatërruan vepra monumentale të papërsëritshme të kulturës shqiptare, për të cilat breza të tërë kishin dredhur djersë duke bërë sakrifica për t’i ndërtuar, si “Pazari i Shkodrës’ me  2500 dyqane, ndër të cilët edhe monumenti unikal në Ballkan, Bexhisteni, Kisha e Shën Markut e shekullit të XI në Vau Dejës, ku supozohet që është martuar edhe Skënderbeu; Xhamija e Parrucës me mozaikë të vyer të kulturës islame, Kisha e Shirqit e shekullit të VI e lënë qëllimisht në mëshirën e ujërave të lumit Buna, Zemra e gjelbër e qytetit të Shkodrës (bahçet e shkodranëve) monument natyror i papërsëritshëm etj.. Kurse në vitet e demokracisë, edhe ato monumente kulture ekzistuese që mbetën, u zhdukën nga qarkullimi, si shtëpitë muze të Luigj Gurakuqit,  Vaso Pashës, Mark Kakarriqit, tavane druri të punuar artistikisht  nga mjeshtrit lokale, shatërvani qendror i qytetit etj. Edhe në këtë moment, sot, drejt shkatërrimit po shkojnë  monumente të tjerë të rëndësishëm të kulturës qytetare si Xhamia e Plumbit, Kisha e Shën Stefanit (shekulli i XIII ), Kafja e Madhe etj. Por, sa projekte janë realizuar në Shkodër, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme dhe porsa ndërron administrata, çdo gjë shkon në kosh të mbeturinave duke u zëruar. Më pas, askush nuk di gjë dhe natyrisht, fillohet përsëri nga fillimi. Për ilustrim mund të kujtojmë: Projektin Turistik të Hyrjes së Shkodrës të aprovuar edhe nga KKRT, Projektin për Kompensimin fizik të trojeve të qytetarëve shkodranë duke i ofruar parcela shtetërore në Velipojë, Projektin e Qarkullimit Rrugor dhe të vendosjes së semaforëve në qytetin e Shkodrës, Projekt Ideja e Tangencialës së Shkodrës që do të ndiqte rrugën e vjetër Karvane (jo kjo e sotmja që ka dëmtuar rëndë mjedisin) etj.. Po të largohemi nga Shkodra do të na kujtohet menjëherë përfundimi tragjik i qytetit  të Voskopojës, qendër e madhe e dijes dhe e kulturës mesjetare; shembja me dinamit i varrit monumental të Nënës Mbretëreshë në Tiranë, Degradimi i vazhdueshëm i shtëpive muze në Gjirokastër, Shkatërrimi i mbikalimit në hyrje të Tiranës, Lënia pas dore, në mëshirë të fatit (drejtë rrënimit) të ‘Urës së Zogut’ mbi lumin Mat etj.. Paraqitëm efektet e “forcës së errët” në drejtim të  shkatërrimeve materiale, por nuk janë më me pak vlerë ato shpirtëroret. Dhuna e bëri Shqipërinë vendin e parë ateist në botë! Poeti Kombëtar, Atë Gjergj Fishta mbeti pa varr, komunistët e zhvarrosën dhe ja zhdukën eshtra. Kolosi tjetër i letrave shqipe, Martin Camaj, vdiq i “vetmuar“ dhe anonim për botën shqiptare, pasi ashtu pat vendosur Partia, të njëjtin fat,  pat dhe Ernest Koliqi, kurse Lasgush Poradeci vdiq në Shqipëri, por i harruar. Me ardhjen e komunizmit, pothuaj e gjithë elita intelektuale shqiptare e shkolluar në Evropë u eliminua fizikisht, u burgos ose u keqtrajtua, pasi konsideroheshin borgjezë, pra armiq. Kështu u trajtuan edhe klerikët katolikë që kontribuuan aq shumë për shkencën shqiptare, por këto me tjetër akuzë; si agjentë të Vatikanit. Pikërisht në momentin kur një shqiptar i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare mund të bëhej Nobelist, “ forcat e errëta” u vërsulën kundër tij deri në Suedi. Së fundi, “vepra” e demokracisë, çdo ndërrim pushteti shoqërohet me largim nga puna  të profesionistëve të kualifikuar për t’i zëvendësuar me militantë partiakë, etj.. Rastet e mësipërme dhe të tjerë  më të shumtë, që për mungesë hapësire nuk arrita  t’i rreshtoj, mund të na ndihmojnë për të kuptuar se për fatkeqësinë tonë, ‘veprimi i zhbërjes dhe prishjes’, shpesh  me motivin e vetëm ‘se e ka bërë kundërshtari’, ka hyrë thellë në shpirtin dhe psikologjinë tonë, dhe se ky faktor mund të jetë një nga arsyet  që ‘vendi i shqiponjave’ vazhdon të mbetet gjithnjë i fundit në Europë. Ndërto ditën dhe prish natën! Pasojat: jo zhvillim, jo  përparim, jo mirëqenie. Për më tepër, fakti që për të arritur deri te sakrifica e murosjes kundër asaj “force të errët” u përdor tradhtia (e kundërta e ‘besës’) na bën të besojmë (duke u bërë supersticiozë)  se  “forcën e errët shkatërrimtare” e kemi patur dhe do ta kemi bashkudhëtaren tonë. Kjo, natyrisht na shqetëson pa masë! Po deri kur kështu?! A nuk është koha që t’i themi ‘ndal’ këtij fenomeni negativ çoroditës?! Nuk është kurrë vonë të punohet me brezin e ri që po rritet, për të çrrënjosur përfundimisht atë psikologji të dëmshme dhe për ta zëvendësuar me vlerat më të spikatura humane, respektin dhe vlerësimin për punët e vyera të paraardhësit edhe sikur ky i fundit të konsiderohet kundërshtari i yt. Mbi çdo gjë, ‘Arsimim & Edukim’ i Brezit të Ri. Përfundimi? Besoj se, lexuesi tashmë e ka kuptuar  domethënien e këtij shkrimi, le të ja lëmë atij përgjigjen që shtrohet për zgjidhje.