Filip Guraziu/ Krimi komunist dhe dekoratat

899
Sigal

Krimi komunist vazhdoi pa ndërprerje që pas Konferencës së Mukjes e deri në vetëkapitullimin e sistemit diktatorial. Unë, së bashku me shumë të tjerë, patëm fatkeqësinë të jemi dëshmitarë të gjallë të atij kobi, që, si rrufe ra ne familjet tona. Brenda një nate, 27 Shkurt 1951 (jo në kohë lufte dhe revolucioni, por në periudhë  paqeje dhe nën një pushtet të konsoliduar) hijet e zeza me zemër të kuqe, eliminuan 22 intelektualë nacionalistë, pa zhvilluar proces  gjyqësor dhe pa  provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si  kurban për servilizëm ndaj baba Stalinit. Kaq e turpshme dhe skandaloze qe ajo masakër, sa që  Ramiz Alia, për ti treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunizmi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë  që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar! Vendimi u mor me 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre! Aplikimi i krimit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eliminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 “armiq” dhe  internoi 60.000 te tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën, u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”!  “Të prekur”, po prej kujt?: “Të prekur nga murtaja komuniste”.

Po, krimi komunist ishte një murtajë, një sëmundje shfarosëse me  virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut “and company” për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ato e dinin që ishte utopi)  shoqërinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu i ri”, gjë që  do të realizohej në luftë të pamëshirshme dhe të vazhdueshme me ‘mbeturinat e shoqërisë së vjetër kulake-borgjeze-kapitaliste’!

Ato krime të gjithë i jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar i provoi mbi supe. Brezat  e ri që lindën rreth viteve 90, arritën ti  njohin  sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ato që i vuajtën direkt në burgjet komuniste.

Sot pas 23 viteve të  kapitullimit  të  diktaturës komuniste dhe të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situatë vërtetë të paparashikuar dhe të koordinuar sipas një propagande mediatike të mirë menduar e cila  tenton ta bëjë ujkun qengj, ose me qartë po kërkon të bindë brezat e rinj “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska pasur krim komunist (pasi minarja nuk futet në thes), ai krim është bërë vetvetiu, pa urdhërdhënës, si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi! Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët ne aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe po organizojnë programe televizive për të paraqitur se si ujqërit e kuq komunistë  nuk paskan qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan qenë qengja, që ngjajnë me ujkun rastësisht! Ato udhëheqës komunistë, urdhëruesit dhe zbatuesit e gjenocidit, paskan qenë një lloj qenieje njerëzore e veçantë, vërtetë  të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastër, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti…etj etj”.

Kurse me krimin komunist ato nuk kanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët, (pra populli), ata vetë e kanë dashur, ajo është vepër e tyre ! Trashëgimtarëve të ish-kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk i mjaftojnë pozitat e larta që zotërojnë në sferat e pushtetit, nuk i mjafton pasuria që ato gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj, por duan më, duan më. Po çfarë duan pra!? Ata duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që sipas tyre, do të  arrihet  duke vlerësuar dhe respektuar “titujt që i dhuruan njëri tjetrit” në kohën e diktaturës, marrjes së dekoratave të reja në demokraci  si  dhe duke ringritur monumente në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” së veprës për transformimin e Shqipërisë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qenien më mjerane në botë. Çfarë kuptimi tjetër, për një shoqëri demokratike, mund të kenë dekorimet që u janë bërë  kohën e fundit hierarkëve të kupolës komuniste? Le ti rendisim:  I jepen titujt  “Qytetar nderi”   kryekriminelit Mehmet Shehu  dhe ndihmësit të tij Feçorr Shehu; i akordohet titulli “Nderi i Kombit”  gjeneralit komunist terrorist  Rahman Parllaku, ringrihet vend dhe pavend foto e diktatorit, dhe  së fundi dekorohet për merita ne luftën Nacional Çlirimtare shoqja Vito Kapo!! E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e  kujtimit te atyre martirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës, do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë. Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci, po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin dhe kjo  nuk duhet lejuar! Është koha që të gjithë forcat përparimtare; shoqatat, institucionet, religjonet, partitë, intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj, të reagojnë të bashkuar, ndaj kësaj përpjekje te mbarsur me moral pervers që po kërkon ti serviret dhe në një fazë të dytë ti imponohet brezit te ri. Helmatisja e brezit te ri  me ideologji primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe më të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për liri dhe demokraci; ( kujtojmë ato mijëra të rinj që vdiqën në luftë kundër okupatorit gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe ato mijëra të tjerë që u persekutuan nga diktatura komuniste)

Duhet ta dini se historia, për kriminelët që bënë krim dhe gjenocid ndaj popullit të vet, është e pamëshirshme, ajo për ta, nuk rezervon vend tjetër, veçse koshin e madh të plehrave.

 O nostalgjikë donkishoteskë të diktaturës komuniste! Lërini ato kriminelë aty ku janë hedhur nga historia. Mos i ngacmoni me dekorata dhe tituj të rinj dhe mos u bëni merak, se në kohën e sundimit të tyre kanë marrë aq shumë sa nuk ja zë më gjoksi. Lërini  në punë të tyre, të gëzojnë njëri tjetrin  “të shtrënguar në unitet të çeliktë, si në byronë politike” dhe mos ja vështirësoni ecjen përpara shqiptarëve të stërvuajtur, duke i ngarkuar artificialisht me emocione imorale te së kaluarës diktatoriale! Na leni edhe neve të qetë në vuajtjet dhe hallet tona që nuk kanë të mbaruar! Shqiptarët sot, kanë nevojë më fort se kurrë, për forcim të unitetit kombëtar dhe jo për  përçarje për “mullinjtë e erës”.