Filip Guraziu: A ekziston strategjia e edukimit të brezit të ri në Shqipëri?

565
‘Njeriu’ përbën elementin më të rëndësishëm të platformës së zhvillimit së një shoqërie. Mund të investosh shuma të mëdha për zhvillimin e një vendi; të ndërtosh rrugë, ura, tunele, etj, por çdo gjë më pas nuk do të funksionojë si duhet dhe do të shkojë drejt venitjes dhe paralizës nëse ‘Njeriu’ që i shfrytëzon dhe i përdoron ato vepra nuk do të jetë i edukuar, kjo jo vetëm në aspektin tekniko- profesional, por kryesisht në aspektin moral, human dhe patriotik. Nuk është rastësi që diktaturat kudo në botë, të djathta dhe të majta, vëmendjen më ta madhe të propagandës së tyre ia patën kushtuar edukimit të brezit të ri. Në një masë më të vogël, po përsëri me vëmendje të veçantë, trajtohet edhe sot sektorit i edukimit në shtetet demokratike të botës. Eksperiencat në këtë drejtim na bëjnë të kuptojmë dhe të bindemi, se shoqëria shqiptare nuk mund të jetë e shëndetshme dhe e sigurt në zhvillimin dhe përparimin e saj drejt mirëqenies, nëse ‘sektori i edukimit’ që trajton brezin e ri nuk ka si udhërrëfyes një strategji të mirë menduar që mishëron kërkesat e normave morale bashkëkohore që kushtëzon e ardhmja evropiane. Shoqëria shqiptare sot krenohet për disa simbole kombëtare me të cilët lidhet identiteti i Arbrit; ne jemi krenarë që jemi bashkëkombës të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe të Nënë Terezës dhe është e natyrshme që puna edukuese me të rinjtë behet dhe duhet të jetë në këtë linjë, por në kundërshtim me këtë, praktikat e kohëve të fundit provojnë që çdokush (edhe personazhe rruge me identitet të dyshimtë dhe prapavijë të qartë antishqiptare), fare lehtë bëjnë propagandë krejt të kundërt duke gjetur hapësire veprimi në media dhe sheshe publike, gjë që ç’orienton formimin e ndërgjegjes së brezit te ri duke goditur qelizën vitale të identitetit të shqiptareve! A duhet lejuar kjo? Shqiptarët e përmbysën komunizmin duke hedhur në kazanin e plehrave propagandën imorale të ‘luftës së klasave’ që ushqente urrejtjen klasore dhe përbuzjen për klerikët dhe intelektualët nacionalistë që konsideroheshin “armiq të klasës”. Sot në demokraci, Shqiptaret mburren për qëndrimin moralo-patriotik të klerikëve të cilët me besimin në Zot iu kundërvunë haptas dhunës komuniste, i njëjti qëndrim edhe për intelektualët nacionalistë me bindje liberale, të cilët punuan me përkushtim për ngritjen kulturore të shqiptarëve. Këto konsiderata përbejnë elemente të rëndësishëm për formimin moralo-patriotik të brezit të ri, të pranuara unanimisht nga të gjitha forcat politike parlamentare, por përsëri në praktikën e përditshme ndodh e kundërta! Ne një mori mediash televizive shfaqen ditë dhe nate filma të prodhuar nga Kinostudio ‘Shqipëria e re’ të periudhës së diktaturës, ku të rinjtë e lindur në demokraci, shohin dhe mësojnë pra edukohen me “imoralitetin dhe antishqiptarizmin e klerikëve ”, tradhtinë e intelektualëve nacionalistë dhe poshtërsinë e klasës borgjeze (propagandë tipike e diktaturës komuniste). A duhet lejuar kjo? Jo, kjo situatë paradoksale dhe e dëmshme për edukimin e brezit të ri nuk duhet të ndodhë! Dëshiroj që të mos keqkuptohem, personalisht vlerësoj punën e madhe artistike (pavarësisht moralit politik të kohës) që ka bërë në vite Kinostudio ‘Shqipëria e re’, por e çoj zërin për të bere thirrje që institucionet përgjegjëse të edukimit dhe ato të kontrollit të mediave vizive në nivel shtetëror të reagojnë për ta kontrolluar situatën duke bërë seleksionimin e filmave që transmetohen. Gjej rastin të kritikoj qëndrimin indiferent dhe oportunist të drejtuesve të komuniteteve fetare shqiptare dhe në veçanti të drejtuesve të komunitetit katolik që deri sot nuk kanë protestuar me forcë për të kërkuar që të marrë fund diskriminimi moral i klerikëve nga filmat e periudhës komuniste! Me keqardhje duhet të pranojmë, se organizimi dhe drejtimi institucional- shtetëror shqiptar i ‘sektorit të edukimit’ ende paraqitet i mangët , pa strategji veprimi, për të mos thënë që është inekzistent. Indiferenca shtetërore ndaj strategjisë së edukimit ‘të brezit të ri’ vështirëson deri në pengese rrugën e shqiptarëve drejt Evropes. Kambanat e alarmit bien! Antishqiptarët punojnë ditë dhe natë kundër gjërave më të shtrenjta dhe simboleve të shqiptarizmit. Populli thotë “gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh”, përse? Sepse Shqipëria ende nuk ka shtet që të mbroje simbolet, idealet dhe identitetin e Shqiptarëve, deri kur kështu?
Sigal