Festa përçan Veteranët…

921
Nga Kozma GJINI 
Festa e 75-vjetorit te krijimit të Çetës së Parë të Myzeqesë, “përçan” Veteranët e Lushnjes. Historikisht, më 26 dhjetor 1942, u krijua Çeta e Myzeqesë në Kolonjë të Lushnjes. Atë kohë, në mbledhjen themeluese të çetës asistuan personalitete të njohura të Luftës për liri si: Spiro Bakalli (i deleguar i qarkut të Durrësit), Spiro Moisiu (përfaqësues i Këshillit NÇL të Lushnjes) dhe Xhoxhi Robo (sekretar i celulës Lushnje). Pikërisht, për të festuar këtë ngjarje historike, dje, më 26/12/2017, u organizua në fshatin Kolonjë një tubim përkujtimor me pjesëmarrjen e veteranëve, pasardhësve të tyre dhe organizatës së Dëshmorëve të LANÇ. Kryetarja e Organizatës së Veteranëve, zj. Sh. Gjoshi, me mbështetjen më të mirë të të pranishmëve nga fshati dhe qyteti, e zhvilloi takimin nën ritmin e këngëve partizane, në oborrin e shkollës së Kolonjës, ku ndodheshin edhe të afërm të familjeve të dëshmorëve. Kryetarja e Organizatës së Veteranëve vuri në dukje se Çeta e Myzeqesë në përbërjen e saj kishte figura të spikatura si: Neim Kuci, Hasan Gina, Miti Bozo, Beqo Arapi, Irakli Bozo, Pasho Zoto, Rrahman Ruci, Stefan Arrza, Josif Pogace, Myslym Emini, Rako Gjermeni, Muharrem Shabani, Skënder Libohova, Feridum Xhindole, Loni Dhamo, Nuri Shabani, Koli Bozo, Vesel Ahmeti, Haxhi Xherahu, Sadik Koprenca etj. Çeta zgjodhi komandant Rrahman Rucin, zv/komandant Muharrem Shabanin, komisar Vesel Ahmetin dhe zv/komisar Hasan Gina.” Pas fjalimeve përshëndetëse dhe ndarjes së Çertifikatave mirënjohëse për personat e dalluar në luftës e gjatë çlirimit si: Miti Bozo, Hasan Gina, Rako S. Gjermeni, Pasho Zoto, Hasif Buba e Sadik Koprenca, pjesëmarrësit shkuan në Shtëpinë muze të Robove, ku gjendej dhe pllaka përkujtimore me mbishkrimin : “Këtu, në Kolonjë të Lushnjes, Më 26 dhjetor 1942, u krijua Çeta Partizane e Myzeqesë”. E bukura është se në të njëjtin orar, afër 100 metër nga ky tubim, një grup veteranësh po e kremtonin krijimin e Çetës pranë lapidarit që ndodhet në rrugën hyrëse të fshatit, ku për çudi edhe këtu ishte vendosur e njëjta pllakë, me të njëjtin mbishkrim: “Këtu, në Kolonjë të Lushnjes, Më 26 dhjetor 1942, u krijua Çeta Partizane e Myzeqesë”. Pra, dy pllaka për një ngjarje?! Fjalimin para mbështetësve të tij, këtu e mbajti kryetari i organizatës së Dëshmorëve, z. Nexhip Çela. Ai u deklaroi se “tek lapidari është vendi i njohur zyrtarisht” dhe shprehu indinjatën për shkaktarët e këtij incidenti. “Një ngjarje konfirmohet nëpërmjet një pllake”, tha ai, se… mund të ndodhë që në një ditë me diell, të na dalë ndoshta edhe një pllakë e tretë në një shtëpi x…”

Kështu, u konfigurua dita e shënuar e Çetës së Myzeqesë. Hallakatja e bujshme ra shumë në sy, sepse përçarja e veteranëve është e vështirë, por kështu do të ndodhë kur “njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit”. Gjithsesi, duhet thënë se veteranët pas pak e mblodhën mendjen dhe e lanë pas inatin, bërrylat dhe “përçarjen” e dy takimeve. Ajo që ndikoi në zbutjen e situatës dhe rikuperimin e atmosferës festive, ishte dreka e organizuar me këtë rast, ku veteranët u bashkuan në një mjedis për hir të …Unitetit…!? 


Sigal