Fermer në Vankuver(?!)

1105
Vangjush SARO
Shpresoj që lexuesi të veçojë çfarë është më e rëndësishme në titullin dhe në përmbajtjen e këtij shënimi; duke pranuar që në fillim se nuk mund të krahasohemi me Kanadanë apo vende të tjera të zhvilluara, edhe pse çdo hapësirë ka karakteristikat e veta, mundësitë e veta për zhvillim. Gjithashtu, më duhet të hedh pak dritë mbi qytetin e njohur, sepse shumëkush do të më kujtojë që Vankuveri nuk ka asnjë lidhje me bujqësinë e blegtorinë. Ashtu vërtet, por fjala është për atë që ne e quajmë (këta e quajnë) Metro-Vankuver dhe që përfshin, në rreze të gjerë, një sërë qytetesh e qytezash, ku kurora e bukurisë dhe qendra e veprimtarive kryesore jetësore, veçmas atyre artistike dhe ekonomike, është Vankuveri. Gjithsesi, në këto radhë, e kemi gjetkë fjalën. Prandaj, për t’u afruar edhe më në temë, po them se një pjesë e madhe e qytetarëve të Vankuverit, pavarësisht se ku jetojnë, i ndjekin fermat, në kuptimin, që iu pëlqen të gjejnë produkte sa më të freskëta dhe, mundësisht, organike. Këtë gjë, pa ua hequr mundin e bujën korporatave të mëdha, mollëve gjigante, e sigurojnë (ca më mirë madje) një sërë ferma të llojeve të ndryshme; që nga ato më të mëdhatë, me parcela e sera të konsiderueshme, deri te fermat mesatare dhe ato më të voglat. Duke parë se u zgjata me këto informacione, por ja që më duken të domosdoshme, po përshkruaj pak a shumë punën dhe jetën në dy tipa fermash, një nga ato mesatare dhe një nga ato të voglat. E para, nuk po ia them emrin, se biem në përsëritje e publicitet, është relativisht e madhe, e shtrirë, në sipërfaqe dhe në shërbime. Ajo zotëron toka të konsiderueshme, që i mbjell kryesisht me fruta-shkurre (luleshtrydhe, boronica) por edhe me produkte të tjera bujqësore; këto tregtohen brenda mjediseve të fermës, ku ka dyqane, ka një bar, kënd lojërash për fëmijë, disa mjedise të tjera çlodhëse, tualete etj. Kohë pas kohe, ferma fton blerësit që përpara se të blejnë, t’i vjelin vetë produktet që iu interesojnë… Kjo është njëlloj feste, sidomos për fëmijët dhe mund të vazhdojë disa javë (kryesisht, e sidomos, fundjavave). Në raste të veçanta, bie fjala për atë që e quajnë pumpkin patch dhe, aty afër, Halloween, këto ferma praktikojnë ture, çka nënkupton: Vizita, shëtitje me karroca gjigante (që i tërheqin zetorë) në parcela, ku vizitorët i zgjedhin vetë kungujt, që pastaj i modelojnë. Ferma tregon mjediset e saj, se si rriten produktet bujqësore, ato blegtorale; ka ushqim të veçantë për delet e kecat dhe fëmijët mësohen t’i ushqejnë, vizitohen stalla të kuajve, kasollet gjigante të duajve të barit etj. Festat shoqërohen me muzikë të grupeve lokale. Të bën përshtypje numri i pafund i makinave që parkohen në fushë tej e tej, ndërsa njerëzit, të të gjitha moshave, kombësive gjithashtu, vijnë e ikin pa pushuar. Për t’u vënë në dukje gjithaq, thjeshtësia me të cilën ata qasen në këto veprimtari e festa. Tani po shkruaj edhe për një fermë të vogël në kufijtë e mbijetesës; të tilla ka shumë. Kjo ishte ferma e Marselit. Kështu quhej i zoti, një djalë nja 30-35 vjeç. Atje na çuan hithrat; kërkonim dhe nuk gjenim askund. Në internet, krahas shumë fermave të tjera të vogla, që gjithsesi përpiqen të mbijetojnë, hasëm atë të Marselit. (Fermat dhe të gjitha shërbimet e tjera, punojnë fort në internet.) Ngjitur me familjen e tij të re, ishin prindërit e gruas, ardhur herët në Kanada, nga një fshat nga Gjermania; ata ishin vendosur në BC (British Columbia) në Lenglay, qytet që bën pjesë në Metro-Vankuver. Kishin fermë dhe një kapanon, ku mbanin kuaj; të vetët, por edhe të të tjerëve, kundrejt pagesës. Vetë Marseli kishte prejardhje britanike. Atë e tërhiqte kryesisht gjelbërimi, bimët, ashtu si ato vetë donin të ishin e të rriteshin. Epo, na e tregoi kopshtin, që në pamje të parë ishte i pasistemuar, aty-këtu me barëra e mbirje të rastësishme. Fliste gjithë kohës për bimët, për shembull për llojet e sallatave, duke këputur gjethe prej tyre dhe duke m’i dhënë edhe mua t’i provoja. E pyes nëse përdorte pesticide dhe më thotë: “Jo. Unë dua t’i konsumoj ato pa i larë…” Shoh aty diku një lepur. Marseli më tha se ai nuk mbante lepuj, ky ishte një i egër. Pas pak, edhe një lepur tjetër. E pyes nëse i gjuan ata. “Jo, më tha. Nuk kam licencë.” Nuk di në çfarë mund të hyjë kjo gjë, në rregullat e një vendi apo thjesht në ato të individit. Ajo që të bënte përshtypje më shumë, ishte qetësia e familjes së tij, gruas dhe vajzës, që lozte aty afër. Krijova përshtypjen që bënin një jetë shumë modeste. Por mendoja njëherësh se ata kanë zgjedhur njëherë, kanë emigruar, nuk e trazojnë mendjen me gjëra të tjera. Po kthehem tani në Shqipëri, ku flitet dhe shkruhet shumë në lidhje me fshatin, bujqësinë e blegtorinë, natyrisht duke kërkuar zgjidhje sa më të mira, në përshtatje me kushtet dhe interesat e vendit dhe të qytetarëve (e fshatarëve) të tij. Po kaq e ditës është tema e investimeve dhe subvencioneve, sikundër edhe trishtimi apo indiferenca për humbjen e prodhimeve: patate, qershi, shalqinj etj. Shumë po flitet gjithashtu (si në të gjithë botën) edhe për cilësinë e ushqimeve dhe të produkteve bujqësore, ka ankesa dhe akuza për përdorimin e kimikateve dhe degradimin e varieteteve etj. Në këtë temë, vendi ynë “dallohet” jo pak. Ja edhe (le të themi) thelbi i këtij shënimi, por edhe një nga problemet kryesore të jetës dhe të mbijetesës te ne, që është pavendosmëria dhe sidomos grindja e vazhdueshme; si i thonë me rrobat e trupit: Të rri, të iki, kam ardhur nga iks vend, kam bërë filan universitet, më mban toka, nuk më mban, do të më japë një dorë shteti… Panorama është kaq komplekse, saqë duhet vërtet paanshmëri për ta vizatuar atë. Aty janë shteti dhe qeveria, aty është individi, zënia e tokave të bukës, kthimi i pronave, emigrimi, programe të realizuara me sukses, por edhe zelli për të mbjellë kanabis; një gjendje vërtet e paqëndrueshme, kjo po, mund të quhet me plot gojën ‘tranzicionale’. I përcolla këto radhë në publik, që midis të tjerave, të kujtoj se askund nuk mund të gjesh vetëm tablo rozë dhe lumturi. Por problemi është si t’i qëndrojmë temës, në rastin tonë; fshatit, bujqësisë dhe blegtorisë: duke iu shmangur apo duke iu përkushtuar. E ndoshta duhet të ndaj me lexuesit edhe pyetje të tjera: Pse këta (në Vankuver dhe në hapësira të tjera të Kanadasë) janë të shtruar, të dëgjueshëm, mbase edhe pajtohen me fatin dhe me çfarë kanë zgjedhur, për më tepër, nuk kanë zell për të diskutuar kohë e pa kohë politikën, partitë, kahun ideologjik… Kurse te ne, gjithfarëlloj diskutimesh dhe bërtitjesh: për sot, për dje, për histori, për gjeografi, arkeologji, politikë, sherre dhe hartime të përditshme, të lodhshme, pa fund, që irritojnë dhe ngacmojnë orë e çast vendin dhe njerëzit. Në rrethana pak a shumë të tilla, mund të ketë lindur shprehja “Nuk zë vendi, vend.” Që do të thotë se nuk duam dhe shpresojmë të mos jetë kjo fjala më e fundit. Në njëfarë mënyre, për këto dhe për të tjera halle, sherre e tangërlliqe të përditshme, aty e kudo që na ka çuar fati, ndoshta koha është të themi: Shqiptarë, mblidhni mendjen!
Sigal