Feride PAPLEKA/Zhanë d’Ark, virgjëresha e Orleanit

598
Sigal

 Pranvera e frankofonisë

Zhanë d’Ark ka lindur rreth vitit 1412 në fshatin Domremy (Domremi). Ajo njihet si heroinë dhe kryeluftëtare, e quajtur prej kohësh si Bija e Orleanit dhe duke filluar nga shekulli XIX si heroinë e kombit francez. Zhaneta, ashtu si thirrej nga bashkëkohësit, përshkruhet si shumë e dhembshur. Asaj i pëlqente të shtegtonte në grup, çdo të dielë dhe të lutej në kishën e vogël të Bermontit, që e mbanin disa oshënarë jo shumë larg fshatit të saj. Dëshmitë e fqinjëve gjatë procesit të ardhshëm tregojnë se në këtë kohë ajo bënte punët e shtëpisë, endje dhe tjerrje leshi dhe liri, ndihmonte në të korrat dhe ruante sipas rastit bagëtitë, veprime që qëndrojnë larg mitit të bareshës të ushqyer përgjithësisht me regjistrin poetik të pastoralës (gjini lirike në poezi) dhe regjistrit shpirtëror të Krishtit (si bari i mirë). Përgjigjet që u dha ajo gjyqtarëve në minutat e procesit të dënimit, zbulojnë një grua të re trimëreshë, te e cila e vërteta dhe shpirti për t’u përgjigjur flakë për flakë të vërtetës, qenë mbrujtur me një ndjeshmëri të madhe përballë vuajtjes dhe tmerreve të luftës ashtu si përballë mistereve të kishës.

Në kohën e Zhanë d’Arkës, Franca jetonte pasojat e një lufte 100 Vjeçare me Anglinë. Vajza pohonte se që në moshën 13 vjeçare kishte dëgjuar në kopshtin e të atit disa zëra misteriozë  që i kërkonin të ishte e dhembshur, të çlironte mbretërinë e Francës nga pushtuesit dhe ta shoqëronte pasardhësin e mbretit drejt kurorëzimit në fron. Që atëherë ajo nisi të veçohej dhe largohej nga moshatarët e vet që nuk ngurronin ta vinin në lojë zellin e saj të madh fetar. Zhana u trembej plaçkitjes dhe vrasjeve në fshatin e saj. Në të vërtetë sulmet anglo-burginjone kërcënojnë gjithë Lorenën. Përvojat mistike të Zhanës shumëfishohen po aq sa shtohen edhe turbullirat në krahinë. Ajo sa ka mbushur të shtatëmbëdhjetat, kur i tregon e llahtarisur një kushëriri shumë të afërt për halucinacionet që nuk e lënë të qetë. Pas disa ngurrimeve kushëriri e shoqëron të takojë kapitenin e Vaucouleurs (Vokulërs), një fortesë jo larg nga fshati i saj. Ajo i kërkon kapitenit një letër që do t’i hapte dyert e oborrit, por i kushëriri këshillohet ta shpjerë vajzën te prindërit dhe t’i jepte një pëllëmbë të mirë. Vitin që pasoi, 1429 Domremia në fakt u pushtua. Ajo strehohet fillimisht në Neufchâteau me familjen e vet, por pastaj si këmbëngulëse që është shkon dhe vendoset në Vaucouleurs për tri javë. Zhana rregullohet të flejë te një familje e shtresës së lartë. Njerëzit të etur për profeci të atilla që japin zemër në kohë të turbullta, e përkrahin. E pajisur me një cilësi të madhe komunikimi, fshatarja e re e pashkollë bëhet e famshme kur duka II i Lorenës, i sëmurë, i dërgon një leje për t’i bërë vizitë. Vajza i premton shërimin në shkëmbim të një shpure me ushtarë. Ajo nis të vështrohet kështu në mënyrë serioze dhe i lihen gjashtë ushtarë në komandë; dy kalorës dhe një korrier i qëndruan besnikë gjatë tërë aventurës së saj trimërore. E veshur si djalë, me flokë që i preu shkurt, ajo përshkon tokat burginjone dhe shkon në Chinon, ku përfundimisht merr të drejtën të takohej me përfaqësuesin e fronit mbretëror. Në takim Zhanë d’Ark njofton qartë katër ngjarje: çlirimin e Orleanit, kurorëzimin e mbretit në Reims, çlirimin e Parisit dhe çlirimin e dukës së Orleanit që e mbajnë anglezët në burg. Pas një hetimi në fshatin Domremi për origjinën e saj, Charles jep pëlqimin që ta nisin drejt Orleanit të pushtuar, jo në krye të një ushtrie, por me një karvan ndihmash ushqimore. I mbetej asaj të tregonte veten. Me këtë rast, me Zhanën u bashkuan edhe dy vëllezërit e saj. Atë e pajisën me një mburojë dhe një flamur të bardhë qëndisur me zambak ku qe shkruar Jesus Maria, që është parulla moto e dominikanëve dhe françeskanëve. Me të mbërritur në Orlean, më 29 prill 1429, ajo u jep ndihma ushtarëve, pritet me entuziazëm nga popullata, por prijësit e luftës tregohen të përmbajtur. Me besimin, vetëdijen dhe entuziazmin e saj, ajo ia doli të frymëzonte me energji të reja ushtarët francezë shpresëhumbur dhe t’i detyronte Anglezët ta hiqnin rrethimin nga qyteti natën e 8 majit 1429.

Për shkak të kësaj fitoreje atë do ta quajnë herë Vasha e Orleanit e herë Virgjëresha e Orleanit, shprehje që u përdorën për herë të parë më 1555 më pas.

Në 18 qershor 1429, Zhana shkon në Loshë për të bindur pasardhësin e fronit të mbetur bosh të kurorëzohet mbret i Francës. Për të mbërritur në Reims, shpura duhet të kalonte nëpër qytete nën zotërimin burgonjez. Shpura nuk ka mjete t’i detyrojë ushtarakisht të hapen portat e qytetit, por të gjitha portat hapen.

Më 17 korrik 1429, Charles VII kurorëzohet mbret në praninë e Zhanë d’Arkës nga kryepeshkopi i Shartrës. Ky kurorëzim pati një ndikim të madh politik dhe psikologjik. Në të njëjtën kohë ajo i dërgon një letër dukës së Burgonjës dhe i kërkon paqe. Duke qenë në zemër të territorit që kontrollohej nga Borgonjët, Reims u bë në të vërtetë një vend tepër simbolik.

Kjo pjesë e jetës së Zhanë d’Arkës përbën përgjithësisht epopenë e saj madhështore. Sigurisht ngjarjet janë të mbushura me legjenda, në të cilat bashkëkohësit e saj shihnin mrekulli të vogla, që i ushqeu edhe procesi, dhe të gjitha bashkë kanë ndikuar shumë të farkëtohej megjithatë historia zyrtare e Zhanës.

Pas kurorëzimit, Zhana përpiqet ta bindë mbretin që t’ua marrë Parisin Burginjonëve, por ai ngurron. Ajo e nis vetë sulmin për Parisin. Në portën Shën Honore mbetet e braktisur, por edhe e plagosur. Mbreti ndalon çdo sulm të ri, sepse mungojnë ushqimet dhe lekët. Sidoqoftë grindja mes anëtarëve të Këshillit të luftës pengon që të merren vendime të qarta. Tërheqja bëhet drejt Luarës, ushtria shpërndahet.

Sidoqoftë Zhanë D’Ark niset në betejë për liri. Që sot e tutje ajo udhëheq ushtrinë e vet dhe konsiderohet si komandante lufte e pavarur, ajo nuk përfaqëson më mbretin. E çelikosur nga një forcë tërheqëse e jashtëzakonshme dhe nga një guxim i veçantë (është plagosur disa herë dhe qëndron), ajo ka një repart, disa kuaj lufte, një shqytar dhe disa kalorës. Zhana lufton, arrin disa suksese dhe pëson disa humbje. Në çastin kur është duke iu përgjigjur thirrjes së Kompienjit, të rrethuar nga burginjonët, Zhanë d’Ark kapet e gjallë. Dy herë që do të shpëtojë, dy herë ajo dështon, madje plagoset seriozisht duke u hedhur nga dritarja e një kështjelle. Në këto kushte më 21 nëntor 1430 Zhana u shitet anglezëve nga burginjonët, si aleatë të tyre.

Gjatë procesit që zgjati nga 21 shkurti deri më 23 maj 1431, ajo u akuzua për herezi dhe u mor në pyetje pa ndonjë qëllim të posaçëm në kështjellën e Ruenit. Sot ka mbetur në këmbë vetëm një kullë e kështjellës ku qe burgosur. Nëse flitet për kushtet e vështira të burgosjes, ajo nuk u vu nën torturë, që ishte një etapë e nevojshme për të pohuar, thjesht se ata që e kishin në mbikëqyrje patën frikë për origjinën e saj “hyjnore”. Këtë gjë e pohuan disa persona gjatë procesit të dytë që u bë për rehabilitimin e saj, disa vjet pas vdekjes. Në gjyq nuk u arrit në një akuzë të vlershme, të fortë. Zhana “dukej një krishtere e mirë, e bindur për misionin e saj, e ndryshme nga heretikët që gëlojnë në një klimë mosbesimi ndaj Kishës në kohë të turbullta”. Meqë nuk ka akuzë tjetër hetuesit e qortojnë që vishet si djalë, që ka ikur pa leje nga prindërit e që i falet gjykimit të Zotit dhe jo atij të Kishës. Gjyqtarët përkundrazi mendojnë se “zërat”, të cilëve ajo u referohet, janë të frymëzuar nga demoni dhe e shpallin fajtore.

Më 24 maj, në varrezën Shën-Ouen të Ruenit, gjyqtarët vënë në skenë një parodi me një turrë  drush që ta trembin Zhanën dhe ta detyrojnë të njohë gabimet. Thuhet se Zhana në këto kushte i njohu gabimet për zërat dhe premtoi të vihej nën autoritetin e Kishës. Ajo u dërgua prapë në burg, në duart e Anglezëve. Duke e kuptuar se qe mashtruar, dy ditë më vonë, ajo i tërheq fjalët dhe vishet sërish si djalë. Gjyqi e deklaron fajtore e që ka rënë në gabimet e mëparshme. E dënon, pra, me djegie në turrën e druve. Më 30 maj 1431 ajo digjet e gjallë në sheshin e Tregut të Vjetër në Ruen, pa i mbushur ende 19 pranvera.

I njollosur me çrregullime të shumta ky proces famëkeq u dënua nga papa Calixte III, më 1456. Procesi i dytë i rehabilitimit e nxori Zhanën të pafajshme dhe e ngriti në radhët e martirëve. Në prill 1909 filloi procesi i shenjtërimit të saj. Falë dy proceseve Zhanë d’Ark  është një nga personalitetet e Mesjetës më të njohura në Francë.

Dy burimet kryesore të historisë së Zhanës janë procesi i dënimit më 1431 dhe procesi i rehabilitimit më 1455 dhe 1456. Duke qenë vepra juridike ato kanë përparësinë të jenë ripërshkrim besnik i dëshmive të kohës. Ka edhe shënime të tjera, kronika të mbajtura që kur ajo ishte gjallë si “Kronika e rrethimit të Orleanit dhe udhëtimi për në Reims”, raportet e diplomatëve etj. Gjendjen shpirtërore dhe psikologjike të Zhanë d’Arkës psikanalistët e shpjegojnë dhe e quajnë të natyrshme në situata të ngjashme. Shkrimtari Anatol France thoshte se gjendja  dhe qëndrimi i saj janë frut i emocioneve të fuqishme të atdhedashurisë. Të mendosh se një vajzë e re me origjinë fshatare në shekullin XV takon pasardhësin e fronit, e  shoqëron atë në kurorëzim, udhëheq trupat franceze kundër ushtrive angleze dhe ndihmon kështu në përmbysjen e kursit të Luftës 100 vjeçare, është tërë një fantazi reale që lidhet me figurën e saj heroike. Poeti François Villon e përmend në vargjet e veta. Voltaire po ashtu. Një poet zyrtar i Louis XIV i kushton një epope, por jo me sukses.

Në shekullin XIX veprat kushtuar Zhanës janë të panumërta. Më 1817 Filippe-Alexandre le Brun shkruan librin Historia e Jeanne d’Arc, e quajtur vasha e Orleanit, mbështetur në deklarimet e saj, në njëqind e katër dëshmitë e dëshmitarëve të vërtetë dhe në dorëshkrimet e bibliotekës së mbretit si dhe kullës së Londrës. Puna e këtij historiani është ripërdorur si bazë për veprat e shkrimtarëve francezë dhe të huaj që kanë ndihmuar t’i jepen titujt e fisnikërisë trimëreshës së Orleanit.

Veprat e frymëzuara nga heroizmi i Zhanë d’Ark janë të panumërta: Shakekspeare, Voltaire, Schiller, George Bernard Shaw, Jean Anouilh, Bertolt Brecht, Mark Twein, kur nuk kishte marrë ende këtë pseudonym, Thomas de Quincy, i vetmi anglez, mbrojtës i Zhanë d’Aarkës. Christine de Pisan, autore bashkëkohëse, i ka bërë lëvdatë Zhanës, duke e quajtur Judita e re. Jeanne d’Arc është bërë një personalitet mitik që frymëzon vepra letrare, historike, muzikore, dramatike dhe kinematografike sot e gjithë ditën. Në Tiranë, një nga bulevardet qendrore  mban emrin e saj.