Feride PAPLEKA/Marie Cyrie (Mari Kyri), dy herë Nobeliste

772
Sigal

Pranvera e frankofonisë

Maria Salomea Sklodowska lindi në 7 nëntor 1867 në Varshavë të Polonisë. I ati ishte profesor i matematikës dhe fizikës dhe e ëma mësuese e fillores. Ajo është më e vogla e familjes me katër vajza dhe një djalë. Brenda dy vjetëve, më 1876 dhe 1878 ajo humbet një motër nga tifoja dhe mëmën nga tuberkulozi. Në këtë dëshpërim të thellë vajza gjen strehë në mësime. Ajo shkëlqen në të gjitha lëndët dhe më 1883-n e merr diplomën e shkollës së mesme me “Medalje Ari”. Ajo dëshiron të ndjekë studimet e larta dhe të japë mësim në këtë universitet lëvizës, por studimet e larta janë të ndaluara për vajzat. Kur motra e madhe niset për studime mjekësore në Paris, Maria pajtohet si guvernante në provincë, duke shpresuar të mbledhë ca lekë me qëllim që të kthehet e të japë mësim në Poloni.

Studimet e larta

Më 1891-n, Maria niset sërish për Paris. Ajo banon te e motra dhe i kunati, në një shtëpi jo larg “Gare du Nord” (Stacioni i Veriut). Më 3 nëntor 1891, ajo regjistrohet si studente për fizikë në Fakultetin e Shkencave të kryeqytetit. Midis 1825 studentëve të Fakultetit të Shkencave, janë regjistruar vetëm 23 vajza. Shumica e tyre janë të huaja, sepse shkencat fizike nuk kanë hyrë ende në shkollën e vajzave franceze të epokës. Në mars 1892 ajo zë një dhomë më vete në lagjen latine, që është më e qetë dhe më afër fakultetit, në të cilin Maria ndjek dy palë leksione: fizike dhe matematike. Dy vjet më vonë, në korrik 1893, ajo fiton një diplomë për shkencat fizike, duke qenë e para. Bursa prej 600 rublash që i jep Polonia, i krijon mundësi të vazhdojë edhe më tej studimet në Paris. Një vit më vonë ajo merr një diplomë tjetër, për matematikë, duke zënë vend të dytë. Me këto dy diploma ajo ngurron të kthehet në Poloni. Më 1894, Marie fillon punë në laboratorin e kërkimeve fizike. Një profesor i Universitetit të Friburgut e prezanton një mbrëmje me Pierre Curie. Pierre është drejtor në Shkollën Bashkiake për Fizikë dhe Kimi Industriale dhe studion magnetizmin për të cilin punon edhe ajo. Gjatë këtij bashkëpunimi lind një admirim i ndërsjellë. Maria shkon në Varshavë, te të vetët, me qëllim që të japë mësim dhe të marrë pjesë në emancipimin e Polonisë, por Pierre Curie kërkon që ajo të rikthehet në Paris, të vazhdojë kërkimet dhe të jetojnë bashkë. Çifti martohet më 26 korrik 1895. Në seksionin e matematikës zgjidhet e para, por Marie nuk vendosi për postin e mësueses, duke menduar të fillonte tezën e doktoratës. Paralelisht ajo ndjek edhe kurse të tjera dhe grumbullon punët e saj të para kërkimore e shkencore për cilësitë e çelikut. Më 12 shtator 1897, çifti Curie sjell në jetë vajzën e parë, Irenën.

Teza e doktoratës

Zbulimi i rrezeve X nga Röntgen më 1895 ka zgjuar një interes të madh në bashkësinë shkencore dhe ka krijuar kushte për veprimtari të tjera kërkimore e shkencore. Por rrezet Becquerel, të zbuluara nga Henri Becquerel, nuk kanë zgjuar ende entuziazmin e duhur. Marie Curie që është duke kërkuar një subjekt teze për doktoratën, më 1897 zgjedh që t’u përkushtohet studimit të këtyre rrezeve që prodhon uraniumi. Atelieja e saj modeste që ua la në dispozicion drejtori i shkollës bashkiake të fizikës dhe kimisë industriale, kthehet në një kantier pune. Në dhjetor ajo përpunon  një protokoll përvoje për vete si dhe për bashkëshortin dhe vëllanë e tij. Kështu ajo shqyrton shumë metale dhe zbulon se rrezet Becquerel janë cilësi e atomit dhe jo cilësi kimike. Rezultatet e kësaj pune i paraqit më 12 prill 1898 në Akademinë e shkencave në Paris. Atë vit Marie Curie fiton çmimin e Akademisë me një shumë prej 4000 frangash për punën mbi cilësitë magnetike të metaleve. Këto çmime do të përsëriten edhe dy herë të tjera më 1900 dhe më 1902-n.

Më 1898, Pierre lë mënjanë punët e veta dhe i bashkohet Marisë në studimin e radioaktivitetit. Qëllimi i tyre është të veçojnë nga shkëmbinjtë radioaktivë, elemente me origjinë rrezatimi të panjohur. Falë një financimi, atyre u vijnë në laboratorin e tyre në Paris disa tonë mineral uranium nga Bohemia. Përpunimi i mineralit, një proces mjaft i rrezikshëm që kërkonte mjaft saktësi, realizohej në një hangar që ndodhej pranë ateliesë, i ndarë thjesht nga një oborr. Marie dhe Pierre Curie zbuluan në të vërtetë dy elemente të rinj, të quajtur : polonium (emërtuar sipas emrit të vendlindjes së saj) dhe radium. Më 18 korrik 1898, Marie njofton zbulimin e poloniumit, katërqind herë më radioaktiv se uraniumi dhe më 26 dhjetor lajmëron zbulimin e radiumit, nëntëqind herë më rrezatues se uraniumi. Duheshin trajtuar disa tonë mineral për të fituar një gram radium. Kuptohet që kjo punë e madhe me tonë të tëra minerali, është bërë në kushte të vështira, në lokale jo shumë të përshtatshme për mbrojtjen e shëndetit. Më 26 tetor 1900 Maria emërohet profesore e fizikës në shkollën e Lartë Normale. Më 1902 ajo fiton një decigram klorur radiumi që i lejon të identifikojë pozicionin e këtij elementi në tabelën e Mendelejevit.  Ajo mbron tezën e doktoratës në shkencat fizike me titull “Kërkime për substancat radioaktive”, më 25 qershor 1903 në fakultetin e shkencave, në universitetin e Parisit me vlerësim shumë të lartë. Më 10 dhjetor 1903, Marie Curie fiton çmimin “Nobel”, të cilin e ndan me Pierre Curie dhe Henri Becquerel. Ajo është e para grua në atë kohë që merr një çmim “Nobel”. Më 1903-n, Marie merr edhe një medalje. Vitin që pason ajo merr një medalje tjetër dhe sjell në jetë vajzën e dytë, Evën.

Mësim dhe kërkim shkencor

Pasi merr çmimin “Nobel”, më 1904-n, Pierre Curie emërohet profesor me titull i një katedre të fizikës së përgjithshme në fakultet dhe fiton të drejtën për të ndërtuar një laborator në oborrin e fakultetit, kurse Marie në nëntor 1904 fiton postin e përgjegjëses së punëve në katedër. Por, më 19 prill 1906 Pierre vdes papritur në një aksident rrugor. Marie e duron vështirë këtë humbje dhe mbështetet nga i ati i Pierrit dhe i vëllai. Ajo bëhet e para grua në Francë, drejtore e një laboratori universitar, në të cilin mbron kryesisht kandidaturat e vajzave kërkuese ose studente; nga viti 1906 deri më 1934 kryejnë studimet 45 të tilla. Më 1906 ajo ngarkohet të zëvendësojë edhe leksionet e bashkëshortit të saj, Pierre Curie. Në leksionin përurues, më 5 nëntor 1906 në amfiteatrin e fizikës së Fakultetit të Shkencave, në Sorbonë, ndër të tjera ajo thotë : “Sot ne festojmë një fitore të madhe. Sepse gruaja është pranuar të japë mësim në arsimin e lartë (…)”. Të mos harrojmë se dy shekuj më parë Emilie du Chatelet, megjithëse e lindur në agim të Shekullit të Dritave, grua e shkencës, dishepulle e Newton-it nuk e fitoi të drejtën si shkencëtare sa qe gjallë. Duke e parandier vdekjen, natën që do të sillte në jetë një vajzë që nuk mbijetoi, ajo i dha dorën e fundit përkthimit “Principia mathematica” të Newton-it, i vetmi përkthim francez i teorisë së tij që i ka qëndruar kohës. Përkthimi u botua pas vdekjes së saj nga Voltaire. Ndërsa Marie Curie, me fat tjetër, emërohet profesore e katedrës së fizikës së përgjithshme dhe radioaktivitetit më 16 nëntor 1908, kur kishte përafërsisht moshën e Emilisë në prag të vdekjes. Më 1910, e ndihmuar nga një profesor tjetër, Maria arrin të veçojë një gram radium në formën e metalit të pastër. Po atë vit ajo boton studimin “Traktati i radioaktivitetit”. Në 4 nëntor 1911 merr pjesë në Kongresin Solvay, organizuar nga ky kimist dhe industrialist belg. Kongresi bashkon një numër të madh fizikanësh si: Max Planck, Albert Einstein, Ernest Rutherford e të tjerë. Ajo është e vetmja grua në këtë kongres, por edhe në dy të tjerët. Më 10 dhjetor 1911 Marie merr çmimin tjetër “Nobel” për kimi. Kështu ajo bëhet i pari njeri në botë që ka fituar dy çmime “Nobel” për punë në dy shkenca të mëdha. Më 1911 Marie është pak e sëmurë. Ajo bën operacion dhe ndërmerr një pushim të gjatë, gjatë të cilit fizikanë dhe kimistë të tjerë vazhduan të hedhin dritë për funksionimin  atomit. Për të konkretizuar punën e saj shkencore, në fillim propozohet krijimi i Institutit të Radiumit, kushtuar kërkimeve mjekësore kundër kancerit dhe trajtimeve radioterapike. Ky institut, më vonë mori emrin Instituti Curie. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Marie u mobilizua si të gjithë anëtarët e tjerë të Institutit. Me ndihmën e Kryqit të Kuq ajo mori pjesë në konceptimin e njësive kirurgjikale të lëvizshme dhe të ambulancave radiologjike të pajisura me aparate Röntgen. Më 1916 ajo shkon rregullisht në front dhe realizon radiografi të shumta. Në këtë veprimtari shoqërohet nga vajza e saj Irena, 18 -vjeçare, Nobelistja e ardhshme për shkencat kimike që e ndau çmimin “Nobel” me të shoqin Frédéric Joliot. Në fund të luftës Marie punon në Institutin e Radiumit. Irena, vajza e çiftit Curie, bëhet asistente e saj. Instituti i radiumit në këtë kohë priste shumë studentë dhe fizikanë, sidomos të huaj, nga të cilët shumë ishin femra, duke kontribuar kështu në emancipimin feminist si në Francë ashtu edhe jashtë. Më 1921 një gazetare amerikane  organizon mbledhjen e shumës 100 000 dollarë, me qëllim që Marie të blejë 1 gram radium për Institutin. Marie udhëton për herë të parë në Amerikë më 20 maj 1921. Më 1929 ajo blen gramin e dytë që ia bën dhuratë Universitetit të Varshavës. Shumë e kërkuar jashtë, ajo udhëton në vende të ndryshme dhe vihet në krah të Albert Einstein në Komisionin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Intelektual. Ekspozimi i gjatë ndaj elementeve radioaktivë që studioi gjatë jetës, kuptohet që i krijuan probleme shkencëtares Marie Curie, sidomos në nivelin e shikimit dhe dëgjimit. Më 1920 ajo mendon se radiumi mund të ishte përgjegjës lidhur me disa probleme të shëndetit të saj. Ajo doli e prekur nga një leuçemi dhe anemi e rëndë. E dobët, sidoqoftë, ajo drejtoi seksionin e fizikës dhe kimisë në Institutin e Radiumit. Më 29 qershor 1934 u shtrua në një Sanatorium dhe u shua më 4 korrik. Asambleja e Kombeve të Bashkuara e shpalli vitin 2011 “Viti Marie Curie“ dhe Vit Ndërkombëtar të Kimisë, për të përkujtuar 100-vjetorin e çmimit të saj “Nobel” për kimi. Eshtrat e Marie e Pierre Curie janë vendosur në Panteon në Paris, më 20 prill 1995 me vendim të presidentit François Miterrand, në prani të Presidentit polonez Lech Walesa. Ajo është sot e vetmja grua e nderuar në Panteon për meritat e saj të veçanta shkencore.