Fejzo Subashi: Rama i pari kryeministër në histori që….

648

Qeveria dhe Kryeministri Rama e filloi javën, me objektivin dhe temën kryesore të ditës “Dëgjesë me Qytetarin”, në qarkun e Gjirokastrës.

Dëgjesat ishin shumë frytdhënëse, jo vetëm lidhur me njohjen e problemeve, shqetësimeve të qytetarëve dhe pushtetit vendor, por edhe me prezantimin, për nismat dhe prioritetet e Qeverisë të kësaj maxhorance, të cilat mund të sjellin jo vetëm risi, por ndryshime rrënjësore në këtë qark. Ajo që ra më shumë në sy, ishte vizita e Kryeministrit të vendit, në njësinë administrative Ballaban të Bashkisë Këlcyrë, pasi ishte e para vizitë e një kryeministri në historinë e Shtetit Shqiptar, që vete në këtë zonë, jo vetëm në tubime politike dhe fushata elektorale, por edhe në ditë të zakonshme… Me keqardhje e them, por është një e vërtetë e madhe, se në historinë e Shtetit Shqiptar nuk ka shkuar ndonjë kryeministër në Ballaban, me të tilla cilësi, rrethana dhe objektiva. Jeni i pari kryeministër që u bëtë pjesë e sofrës Dëshnicare, ku dëgjuat dhe u njohët nga afër me hallet, shqetësimet, duke krijuar një panoramë, të qartë, në lidhje me resurset dhe risitë e kësaj zone. Ndaj, më lejo t’ju falënderoj, jo vetëm si djalë me origjinë nga ajo trevë, por edhe si njeri i medias, për vlerësimin, respektin e mirënjohjen që treguat, për atë zonë, e cila dallon nga çdo trevë dhe zonë tjetër e Shqipërisë. Me falënderimin dhe mirënjohjen time, besoj se bashkohet çdo banor i Ballabanit dhe Dëshnicës, si ata që banojnë aty, por edhe ata që sot janë të shpërndar në çdo cep të rruzullit. Personalisht, ju shpreh falënderimet, respektin edhe mirënjohje, edhe në emër të Shoqatave Atdhetare Kulturore “Dëshnica” dhe “Përmeti”, për vëmendjen, përkushtimin, angazhimin, impenjimin Tuaj dhe të qeverisë që kryesoni, për vlersimin në këtë trevë në përgjithësi, si dhe për Ballabanin në veçanti, duke shpresuar dhe besuar, se do jeni një mysafir i përhershëm i sofrës Dëshnicare. Një falënderim i veçantë, padyshim shkon edhe për qytetarin e parë të kësaj zone, Kryetarin e bashkisë Këlcyrë, Z. Klement Ndoni, i cili është i vëmendshëm në evidentimin e veçorive të zonës dhe për kërkesën e vazhdueshme, me objektivin që të çonte në këtë zonë Kryeministrin e Vendit, për t’i bërë prezent nga afër, jo vetëm nëpërmjet informacioneve dhe kërkesave, problematikën, vlerat dhe resurset e kësaj treve. Nuk mund të rri dot, pa i thënë faleminderit dhe t’i uroj bijës, motrës sonë, të asaj zone, Elona Bejo, suksese në nismën tënde të shkëlqyer. Shumë mirënjohës për mesazhin dhe leksionin e domethënës të saj, për mijëra e mijëra bij e bija të kësaj zonë, të cilët rropaten dhe shpenzojnë, jo vetëm energjinë më të mirë produktive të tyre, por edhe kursimet e burimet financiare, duke punuar në punë të rëndomta, në vende të ndryshme të Botës, me të vetmin motiv që jetojmë në Evropë…, Zoti Rama ju lutem mirëkuptoni, ndonjë kritikë të bërë, qoftë edhe nga bijtë apo bijat e kësaj zone, në rrjetet sociale, pasi duke qenë larg kësaj treve për vite e vite, kanë harruar gjënë më të veçantë dhe më të shenjtë të kësaj zone, që është mikpritja. Në këtë zonë, nëse nuk u hyn brenda në shtëpi, nëse nuk ha atë kafshatë bukë që të vënë përpara, që ta servirin pa interes, por me shumë shpirt, dashuri dhe përzemërsi, sinqerisht i ke fyer dhe poshtëruar mesa ke mundur, ndaj edhe një herë shumë faleminderit që u bërë pjesë e sofrës brilante Dëshnicare. Personalisht kam dëshirë t’i falënderoj të gjithë pa përjashtim, veçanërisht miqtë francezë, për sakrificën, besimin, shpresën për të realizuar ato dëshira dhe objektiva, që ata i ka vënë vetes, për investim në Shqipëri… Ju them, mos u tërhiqni, të bëjnë më të mirën e mundshme, duke i garantuar se në Dëshnicë, ata do gjejnë, respektin, mirënjohjen, vlerësimin, sigurinë, garancinë dhe mbështetjen e të gjitha pushteteve, që ua jua premtuat. Zoti Kryeministër, pa dyshim që e njohe, e pe, e preke nga afër atë zonë… Unë nuk mund të resht së foluri e të shkruari për atë krahinë, duke filluar me cilësinë e veçoritë e atyre njerëzve të dashur, të thjeshtë, mikpritës, punëtor, fjalëpakë, por mbi të gjitha korrektë, veçanërisht me ligjet e shtetit. Ju nuk e besoni, se ndoshta ata të OSHEE-së nuk do jua kenë thënë por, a e dini se atje nuk ka as edhe një debitor, apo ndonjë familjar që të mos paguajë energjinë elektrike??? Z. Kryeministër, e vetmja e keqe e asaj zone është se ata nuk ankohen kurrë, edhe pse është për të ardhur keq, pasi ata mbeten çdo javë, dy ditë pa energji elektrike për arsye të ndryshme. Çdo ditë një familje do i digjet një pajisje elektronike, pasi tensioni në këtë zonë nuk i kalon 130 volt. Ata marrin energji nga rrjete të amortizuara totalisht, të ndërtuara që në vitet 1970, ku largësia nga transformatori, i cili nuk dihet kur është vënë, është nga 500 metra deri në tre kilometra, nga familja e fundit. Një fshat i tërë furnizohet vetëm nga një fazë. Unë jam i bindur që do e kesh konstatuar, se është e vetmja gjë që bie shumë kollaj në sy… Çfarë të them për rrugët, i patë vetë, ka filluar Klemia të bëjë diçka, por duhet një vëmendje dhe mbështetje më e madhe edhe nga Qeveria, në këtë drejtim. Nja dy rrugë që investoi Berisha, sot janë si mos më keq, pasi paret e planifikuara, më shumë u vodhën dhe u shpenzuan në Tiranë, sesa në rrugët e Ballabanit. Natyra dhe zoti, për shumë e shumë gjëra e ka parë si mos më mirë, por në lidhje me ujin thuajse e ka harruar. Pengesa kryesore e vajzave që të martoheshin në ato fshatra apo largimi i njerëzve vazhdimisht është uji dhe vetëm uji, ndaj besoj se uji i pijshëm i kësaj zone duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe i vëmendjes suaj… U ndjeva mirë, që fole shtruar më një nga francezët, i cili shumë entuziast të tregoi, se si do i përkushtohej frutikulturës, por më lejo të them, se në atë zonë, në vitet 1970 prodhohej rrush, besoj sa prodhon sot e gjithë Shqipëria. Në fshatrat Kajcë, Pavar, Vinokash, Rodenj, Zhepovë, Luar, Topojan, Mërtinj, Fratar, Bënjë…etj, nuk arrihej të vilej i gjithë rrushi, aq sa gjeje rrush në lisa edhe në muajin Shkurt. Si rezultat i këtij prodhimi, në fillim të viteve 1960 në Këlcyrë nga inxhinierë sovjetikë dhe me ndihmën e qeverisë së tyre, u ndërtua fabrika më e madhe, më e mira e përpunimit të rrushit në vend, që prodhonte verën më të mirë dhe pijet alkoolike, të cilat ishin vetëm për eksport. Ndërsa sot, për të ardhur keq, as mund ta mendosh se ka ekzistuar një e tillë. Nuk mund të besosh, por mollët, dardhët, ftonjtë, kumbullat dhe qershitë etj, ishin dhuratë e kësaj zone. Jo larg, por dy kilometra nga ku ju na begenisët të bëheshit pjesë e sofrës sonë, ishin mijëra hektarë me qershi, sot nuk gjen as edhe një rrënjë. Besoj se gjatë rrugës i vutë re fushat në të dyja anët e rrugës, në ato fusha merrej nga 40 deri në 60 ;70 Kv grurë për hektar, kurse misri arriti edhe 90-100 Kv për hektar, kurse sot i gjen si mos më keq, të lëna në mëshirë të zotit. Nuk besoj se syrit Tuaj prej artisti, t’i ketë shpëtuar bukuria e malit të Trebeshinës. Emrin e atij mali, jo kot e mori për mbiemër shkrimtari i vetëm disident në Shqipëri, biri i asaj zone, Kasëm Trebeshina. Në atë mal rriten bimët nga më të veçantat, si nga llojshmëria, por edhe cilësia, ndaj ka marrë edhe emrin e bukur Trebeshinë. Atje rritet pelina dhe çaji, të cilën e kanë bërë pjesë të ushqimit shumë vende të botës. Në atë mal ku mbaheshin mbi 20 000 krerë bagëti të imta, ku një dhi arriti të japë deri në 200 litra qumësht në vit, sot numri i tyre maksimalisht shkon deri në 2000 krerë. Natyrisht, që mund të flasë edhe për historinë, dhe kulturën e kësaj zone, por kur shikoj që sot nuk mund të flitet më për to, më mirë po hesht në këtë pikë… Z. Kryeministër, pa devijuar nga objektivi i këtij shkrimi që është padyshim mirënjohja dhe falënderimi për Ju, them me bindje se ajo zonë ka resurse shumë të mëdha, jo vetëm turistike, por mbi të gjitha ajo është një potencial i madh për zhvillimin e biznesit bujqësor dhe blegtoral, të cilat ia ka falur dhe dhuruar natyra kësaj zone. Ajo, është një zonë ku ka potencial të madh për thithjen e fuqisë punëtore, jo vetëm të banorëve atje, por edhe të qytetit të Këlcyrës dhe Përmetit, nëse shikohet me prioritet nga Qeveria, bujqësia dhe blegtoria, ku me pak mbështetje arrihet dhe bëhet më e mira e mundshme. Z. Rama, natyrisht unë si bir i asaj zone ndjehem keq, kur në këtë zonë të veçantë, me tradita dhe veçori, me këto resurse dhe risi, nuk ndodhen më ata djem e vajza, gra e burra të cilët jo vetëm punonin, po jetonin, gëzonin, pinin raki e ngrinin dolli ashtu vençe, siç e ka traditën vetëm ajo zonë, ndërsa sot këta djem dhe vajza gjenden, duke u rropatur duke pastruar shkallët, tualetet, apo shtëpitë e botës. Natyrisht, zoti Kryeministër, ne ju mirëkuptojmë se jo vetëm njësia administrative e Ballabanit, por as një familje nuk mund t’i zgjidhë brenda një dite hallet e veta, edhe pse ju ishit prezent atje me cilësinë e Kryeministrit të vendit personalisht, jam rreshtuar në krahun Tuaj që në fillesat e karrierës suaj politike, por meqë u bërë pjesë e sofrës Dëshnicare, pa dyshim do të kërkoja, që bashkërisht, të luftojmë e të ndryshojmë mentalitetin e banorëve, dhe jo vetëm të kësaj treve, por të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen, pasi jeta e bukur, e mirë behet edhe atje, nëse i kthehemi punës, nëse vërtet i marrim dhe i shfrytëzojmë ato risi dhe burime. Le t’iu bëjmë thirrje djalërisë shqiptare, atyre që kanë ikur apo atyre që mendojnë të ikin, si në Tiranë, apo matanë, se po të punosh fiton më shumë atje, sesa ta fillosh nga e para në një vend të huaj, atje ku asgjë nuk di dhe as kush nuk ta shtron.