Fejzi Rrokaj/ Legjenda e Jalit!

705
Sigal

Jali është një toponim ne Bregdetin e Jonit dhe i përket Vunoit si pronë e trashëguar në shekuj. Emërtimi tij është JAL .  Hestia: – Tërë ajo që dimë për të, mund të përmblidhet në disa fjalë: -Jali—(Porsa ka lindur). Kroni, i ati i saj, e përben njësoj si vëllezërit e saj. Në lakimin e shqipes i përket gjinisë mashkullore dhe në njëjësin e shquar, thirret:- Jali. Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, u aplikua “ Lëvizja e Lire” dhe Jali u pushtua nga njerëz, veçanërisht nga Veriu, të cilët i përdhosen dhe emrin, duke e thirrur – “Jala”- Bukuria e këtij “Gjiri” është një nga mrekullitë që i ka falë natyra Bregut dhe veçanërisht Vunoit. Ujët e pastër si kristal me Jod dhe kripe, rëra si grurë i pastruar dhe ajri i ngopur me aromë portokallie dhe gjithfarë bimësh, janë ilaçi që shëron ç’do sëmundje. Në fëmijërinë time, kam pasur privilegjin që në ketë vend të jetoj gati 3 vjet të jetës time, ku kam kujtimet dhe mbresat e pa shlyera, si për Jalin dhe për njerëzit banore të tij të atëhershëm vunjotes. Babai im ishte oficer dhe shërbente në repartet e Mbrojtjes Kufitare Detare me qendër në Spile-Himare, por duke qenë se nëna ime ishte nga Vunoi, ne u ngulëm në Jal me banim. Në Jal ishte dhe një postë e kufirit detarë, të cilën babai im e kishte nën vartësi dhe kujdestari. Në Jal ne u strehuam në dy dhoma, pronë e alle Sofi Piles. Qysh në fillim unë u njoha dhe u miqësova me bashkëmoshataret e mijë Andon Koka, Bardho Naçi, Ksenofon Llaguri, Dhimitraq dhe Angjello Anagnosti, Neço Naçi, Anastas Llaguri etj.  Miqësia dhe shoqëria me lidhi me shume me Andon Kokën. Ai ishte djalë i vetëm, me një motër dhe jetonte bashkë me gjyshen e tij, alle Lilo Varfen dhe nenën e tij alle Katere Gorecen, dy gra të shkëlqyera, të dashura dhe shumë të dhembshura, bujare dhe nikoqire. Sa herë që shkoja në shtëpi të Andonit, ato do më qerasnin dhe do më gostitnin me bukëfiqe. Gostite vazhdonin edhe kur shkoja te alle Fotine Koçia, një grua e dashur dhe punëtore. Ajo çalonte, ndoshta që nga lindja ose nga ndo një aksident që mund ti kishte ndodhur gjatë jetës. Edhe alle Sofi Varfen, mëmën e Thimjos që ishte student ushtarak në Leningrad, apo alle Kulle Koleken, mëmën e Taqos dhe te Angjellos me të cilën nena ime kishte te bënte nga Kolekajt. E si mund të lë pa përmendur baba Piro Dhimitrin me bashkëshorten e tij, Urani Kosten, një çift i përkryer, shumë të dashur e jashtëzakonisht punëtore. Baça e tyre me portokaj ishte pa frikë më e mira në gjithë Bregun. Në Jal njoha edhe një burrë kolos nga trupi. Në kokë mbante një bustin të zezë, karakteristike e burrave të Bregut, të cilët nuk mbanin kurrë qylaf të bardhë. Gjoksi i tij i gjerë, i mbuluar me qime të dendura ngjyrë argjendi, pasqyronte shëndetin e tij. Mbante fanella leshi me mënga dhe sipër vishte një këmishe të bardhë bore, me mënga të gjera ku mund të dalloje gajtanët e zezë të mangave të fanellës. Mbi këmishe, ai vishte një xhamadan ngjyre kafe te erret prej kadifeje ku dalloheshin dy xhepa në të dy krahët dhe në krahun e djathtë varej një qostrek prej argjendi, në fundin e cilit ishte lidhur sahati i xhepit. Pantallonat i mbante kilota të leshta. Ne këmbë vishte një palë shandella me gome të trashe nga e makinave, kapakët e të cilave qenë prej vaqetoje me ornamente dhe në maje kishin dopio kapak, të punuara nga cakurai (këpucari) i fshatit Barba Pavllo Qesari, një burrë i gjatë si lastar, njeri shumë i dashur dhe zanatçi i mbaruar, i njohur në bregdet për punën me sqime në përpunimin e gomës dhe të meshinit. Shandellat e Barba Pavllos ishin me famë në gjithë Bregun dhe çmoheshin shumë, si nga burrat dhe nga gratë. Për këmbe vishte çorapeve leshi. Gjithashtu mbante një tabaro (xhakete) të leshte, të zezë, ku jaka dhe kapakët e mangave ishin veshur me kadife të zezë. Si në gusht dhe në janar ai nuk e ndërronte kur veshjen dhe tabaron e mbante gjithmonë me vete. Gjithë jeta e tij ishte e lidhur me bagëtitë dhe profesioni i tij, ishte çobanllëku. Dhente e tij kullosnin gjithë brinjën e Jalit dhe te Skutarait, si në dimër dhe në behar, e dilnin edhe lart deri në Thodhos. Në behar ai i kërriste gjithë natën. Shkonte me to gjithë brinjën e Jalit deri te Pllaka e Shanes. Patrulla e ruajtjes s kufirit që delte natën me shërbim në vijën Bregdetare nga Jali deri në Gjipe, e dinin që me dhentë ishte dhe çobani i tyre, i cili dhe ai nuk e lëshonte belçikun gjerman nga krahu dhe ishte edhe ai një roje kufiri. Mëngjesi e zinte tek ksillorata, në mes të brinjës se Jalit dhe varej poshtë avash-avash, rreth orës 9.00 të mëngjesit, pranë shtëpisë dhe pasi i milte, i strehonte në tendë për ti nxjerrë prapë mbas dreke, duke respektuar ritualin e zakonshëm. Për zanat të dytë kishte edhe peshkimin, por vetëm me dinamit. Ai ishte mjeshtër edhe i gjuajtjes së peshkut, por kishte një të keqe të madhe. Ai kishte lindur dhe ish rritur këtu buzë detit, por këmbët s’i kish futur asnjëherë në det. Ai rrinte me orë të tëra maje harces (gurit), ne pritje të tufës së peshqve. E përgatiste bombën me shumë kujdes. Fitilin i’a linte pak të gjatë dhe ketë ai e shpjegonte kështu. – Kur e hedh dinamitin, peshku largohet, por ai është kurioz dhe gënjehet e kthehet prapë të shohë se ç’ka ngjarë. Shikon bluzat e ujit nga fitili që digjet dhe kërkon t’i kapë, por bie në gracke. Ai e vret peshkun, por në ujë s’futet, te tjerë e nxjerrin nga deti. Unë kështu e mbaj mend këtë burrë të nderuar, këtë çoban të zotin, këtë peshkatar profesionist. Ky ishte për mua legjenda e Jalit, Barba Jorgo Andoni që nuk përsëritet më në ato anë, në atë vend të shenjtë të Vunoit. Para kujtimit të tij, përulem me veneracion, por edhe për hallat e mira vunjotse, Lilo Varfes, Katere Goreces, Neno Goreces, Kulle Kolekes, Sofi Varfes, Fotin Koçes, Urani Kostes dhe Piro Dhimitrit, Angjello Anagnostit, Ksenofon Llagurit, Neço e Bardho Naçit, dhe gjithë atyre njerëzve të mirë që nuk janë më midis nesh. Nder e respekt për Vunoin dhe bijat dhe bijtë e tij të mrekullueshëm.