Fatos Lubonja: Arrestimet janë politike për të trembur dhe shantazhuar opozitën. E gjithë Shqipëria noton në paligjshmëri

641
Analisti i njohur ka analizuar situatën politike në vend, sakaq është ndalur edhe tek arrestimet më të fundit duke i quajtur politike 
Analisti Fatos Lubonja ka komentuar arrestimet e ditëve të fundit të ish-zyrtarëve të LSI-së. Lubonja nuk mohon faktin se mund të ketë pasur korrupsion, por, sipas tij, qartas këto janë arrestime politike për të trembur dhe shantazhuar, duke bërë pyetjen, nëse është kapur ndonjë qeveritar? Ai i krahasoi këto arrestime me atë të Fatos Nanos në vitin 1993, që sipas tij megjithëse akuza ishte për korrupsion, kur të gjithë e dinin se ishte për arsye politik. 

Nisin arrestimet por njëkohësisht kanë nisur edhe përplasjet politike. Një palë thotë që kjo është drejtësi, pala tjetër thotë që janë arrestime politike. Si e komentoni këtë?
Nëse ju kujtohet në vitin 1993 u arrestua Fatos Nano për korrupsion. Unë mendoj që aty edhe mund të ketë pasur ndonjë korrupsion, por ama nuk ka shqiptar që nuk e di që ai nuk u arrestua për korrupsion, por për qëllime politike, sepse opozita po krijonte ca “probleme”. Në ato kohë u bë edhe reforma e famshme e plepave, në qoftë se ju kujtohet. T’i heqim këta gjykatësit që gjasme kanë qenë të kohës së komunizmit dhe të vëmë këta që janë të pastër, me 6 muaj kurs. Rezultatin e dini vetë, erdhi viti 1997. As korrupsioni nuk u ndalua, as mashtrimi i shqiptarëve me piramidat nuk u ndalua. Ndërkohë që lufta politike shkoi deri aty, ku as nuk mendohej të dilnin ndonjëherë në televizionin publik të thoshe një mendim në atë kohë, apo të bëje një protestë te sheshi “Skënderbej” gjoja po ndërtohej demokracia, por u eliminua demokracia. Unë mendoj që është e njëjta frymë, ky është thelbi i gjësë, pavarësisht se jo në ato situata, sepse nuk mund të bëhen në këtë ekstremitet. Por e kam thënë dhe ngulmoj që kjo është drejtësi e kapur dhe drejtësia jonë nuk mund të mos jetë e kapur, kapet gjithmonë nga mazhorancat, tani po përdoret dhe fakti është evident. Cilët po arrestohen? Po arrestohen vetëm opozitarë. Keni dëgjuar ju ndonjë pushtetar? Dhe jo një e dy se mund të bëjnë ndonjë kokë turku, por shikoni se çfarë ndodhi me Saimir Tahirin që ishte shumë e rëndë. Një polici e tëra e inkriminuar, e futur në trafik droge. Policë që ikin, asgjë nuk ndodh. Kapen disa për të trembur, për të shantazhuar. E gjithë kjo është një teatër. Por, ama ky është një kërcënim i madh që nesër mund të kapë atë opozitarin që mund të ketë bërë ndonjë korrupsion. Por, unë mendoj që e gjithë Shqipëria noton në një det informaliteti e paligjshmërie. Çdo qytetari që do ti mund t’i kapësh ndonjë gjë, qoftë edhe për ta trembur apo për ta shantazhuar. Kjo është ajo që po ndodh dhe ndaj kësaj duhet të ngrihen sa më parë njerëzit, sepse rreziku po bëhet gjithnjë e më i madh.

Por ata mund të kenë vjedhur vërtetë…
E thashë për Fatos Nanon, edhe ai mund të kishte vjedhur vërtetë, por qëllimi ka rëndësi. E mira, thonë romakët, nuk matet me aktin që bën, por me qëllimin që e bën. Pra, mund të fusësh një hajdut në burg, por në qoftë se nuk e fut, sepse është hajdut, sepse nuk të lë ty të vjedhësh, atëherë qëllimi është i keq. Sepse të merr ty pjesën e tepsisë, atëherë qëllimi është i keq dhe, prandaj unë mendoj që ky është një qëllim i keq dhe kjo nuk është gjë e mirë. Nuk është kjo rruga që me një drejtësi të kapur ti mund të vendosësh drejtësinë. Të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit dhe shenja e parë e një drejtësie që funksionon është Drejtësia që merret me ata që kanë pushtetin mbi të gjitha, jo ata që janë të dobët, por me ata që janë të fortë. Pra ne duhet ta provojmë Drejtësinë tonë se sa e pavarur është ndaj të fortëve, jo ndaj të dobëtëve.

Pra reforma është kur ne të kemi arrestime nga ata që janë në pushtet?
Nuk e di a e lexuat, atë artikullin e Sternit në Gjermani, se si përshkruhen shqiptarët. Lexoni atë se si flet polici gjerman, që thotë që shqiptarët janë të paparë, janë të paparashikueshëm, janë tmerri i të gjithëve.

Cilët shqiptarë?
Grupet kriminale, por ama të gjithë këto grupe kriminale, të cilët janë bërë kaq agresivë, janë bërë sepse kanë një bazë kriminale këtu. Dhe baza qendrore kriminale është pushteti në Shqipëri që i mbron, dhe pastaj shkojmë dhe i eksportojmë ato probleme. Prandaj mendoj se ajo që ndodhi me këtë kanabizimin e Shqipërisë, dhe me gjithë atë polici të inkriminuar është shumë e lidhur me atë tmerr që po përjetojnë gjermanët atje, se çfarë imazhi na kanë krijuar ne këta njerëz./ Rubrika “Opinion në News24”.
Sigal