Fatos Çoçoli: Trump, Evropa dhe Shqipëria

546
Sigal

Askush nga
kancelaritë kryesore evropiane (Boni, Londra, Parisi, Roma, etj.) nuk e kishte
parashikuar zhvillimin më të fundit në politikën amerikane dhe politikanët
evropianoperëndimorë nuk ishin përgatitur. Tani po lëvizin të ruajnë pozicionet
e tyre në raport me aleatin madhor, por disa (si për shembull Presidenti
francez Holland) nuk e fshehin pasigurinë. Presidenti i 45-të i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës është i gjithi për t’u zbuluar, sepse nuk përfaqëson
interesat e asnjë grupimi politik në këtë vend. Duke mos bërë një ditë pune në
administratën shtetërore amerikane dhe as edhe një orë shërbim ushtarak, pikëpamjet
e tij nuk dihen. Deklaratat dhe opinionet e fushatës së tij për President duhen
marrë të gjitha me shumë rezerva, pse i ka prodhuar një sipërmarrës që në
politikë provoi populistin e skajshëm. Trump kritikoi thellë dhe shkoi deri aty
ku të tjerët nuk kishin guxuar. Trump doli kundër të gjithëve, madje dhe kundër
drejtuesve kryesorë të partisë së tij dhe fitoi, sepse qytetarët e thjeshtë
amerikanë ishin ngopur me premtimet e pambajtura të politikanëve të të gjitha
ngjyrave partiake. Trump ngjalli shpresë, sidomos tek klasa punëtore amerikane.
Shpresë se ky kandidat krejt i pazakontë, po të bëhej President do të sillte një
qeveri në shërbim të njerëzve dhe jo të kastave e grupimeve dhe familjeve të mëdha
politike e financiare në SHBA. Shpresë, se si miliarder i vetëformuar mund të përmirësonte
ndjeshëm një ekonomi amerikane, ende nën karantinën e krizës së fortë
financiare dhe ekonomike 2008-2012. Shpresë, se ëndrra amerikane e realizimit,
e pasurimit mund të bëhej realitet për shumë qindra mijëra e miliona, nën
drejtimin e tij. Por ndërsa brenda vendit lëvizjet e tij të ardhshme edhe mund
të parashikohen disi, jashtë vendit strategjitë dhe taktikat e tij janë krejtësisht
për t’u zbuluar. Evropa është në pritje të ethshme. Janë sfidat e emigracionit,
sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit që duhen trajtuar dhe gjetur një gjuhë e
përbashkët me administratën e re amerikane në janar 2017. Por edhe vendet e
Ballkanit presin, disa me padurim, të tjerët me ankth. Nëse Trump e ka me tërë
mend një aleancë të fortë e të gjithanshme me njeriun e fortë të Rusisë,
Presidentin Putin, atëherë faktorët e tjerë ballkanikë, përveç faktorit serb
dhe atij grek, duhet të jenë në alarm dhe gatishmëri numër një. Për shembull,
faktorit shqiptar nuk mund t’i lejohen më ndasitë dhe përçarjet brenda vetit.
Politikanët si në Shqipëri dhe në Kosovë e në trojet shqiptare në Maqedoni,
lypset të ndodhen të bashkuar përpara një pozicionimi ndoshta tjetër të politikës
amerikane në rajon. Mundet që vëmendja amerikane ndaj tyre të mos jetë aq
maksimale, sa ka qenë në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit, ku praktikisht
administrata Klinton krijoi shtetin më të ri të Evropës, Kosovën, me ndikimin
dhe mbështetjen e saj dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi. Vlerat
universale demokratike mund të vihen përkohësisht në funksion të taktikave dhe
interesave afatshkurtra të administratës së re. Faktori shqiptar mund të mos
jetë më, aq strategjik për pozicionimin e ri amerikan, nëse bisedimet me
Presidentin Putin shkojnë mirë dhe të dy fuqitë e mëdha bien dakord për një
bashkëpunim dhe ndarje të re influencash. Forcimi i mundshëm i faktorit serb në
Ballkan mund të sjellë tensione në faktorin shqiptar, sidomos në Kosovë dhe kjo
nuk duhet lejuar. Vetëm bashkimi i forcave politike shqiptare kudo; në Shqipëri,
Kosovë dhe në trojet etnike në Maqedoni mund të bindë administratën e re
amerikane të investojë sërish për të ardhmen në forcimin e faktorit shqiptar,
pse ky faktor kështu i bashkuar mund të kontribuojë për stabilitet në rajon. Në
lojë është edhe reforma më e madhe në historinë e shtetit modern të Shqipërisë,
reforma në drejtësi. Kjo reformë ishte investim kryesisht i politikës amerikane
në rajon. Nëse mbështetja e kësaj politike tkurret me administratën e re,
reforma në drejtësinë shqiptare nuk duhet të ngelë në vend numëro. E kundërta
mund të ndodhë, po qe se sigurohet mbështetje reale për këtë reformë nga i
gjithë spektri politik shqiptar në vendin tonë. Nga ana tjetër, risqet me
politikën e ndryshuar të mundshme të administratës së re amerikane në Evropë
mund të sjellin edhe një oreks më të rritur për zgjerim të Bashkimit Evropian
në Ballkan, për të përballuar rritjen e influencës ruse në rajon. Prej këtej
integrimi ynë në BE mund të njohë përshpejtim shumë më tepër, se sa cilësia e
reformave tona në drejtësi, administratë dhe luftën kundër korrupsionit, mund
të meritonte.