Fatos Çoçoli/ Qeveria, Parlamenti, KLSH dhe buxheti

586
Sot mbarë shoqëria civile në botë, por edhe grupe të tjera interesi, janë të bindur që sa më transparent dhe me pjesëmarrje të qytetarëve të jetë një buxhet shteti, aq më pranë tyre ai ndodhet dhe aq më shumë përgjegjësi ndjen qeveria në manovrat e saj me buxhetin. “Një buxhet më transparent na përmirëson jetën” është përfundimi, por dhe përkushtimi në punë i Partneriteti Ndërkombetar për Buxhetin (International Budget Partnership, shkurtimisht IBP) është një organizatë jo-fitimprurese me qendër në Uashington. Nga një strukturë në formim e sipër në fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar, kjo organizate përfaqëson sot një rrjet ndërkombëtar me filiale në 100 vende të botës dhe me qindra OJF partnere të saj, që mbikqyrin dhe japin rekomandime për përmirësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe të transparencës në përgatitjen dhe realizimin e buxheteve të shteteve përkatës. Moto e organizatës është “Buxheti i hapur transformon jetët e njerëzve”. Treguesi kryesor i kësaj organizate është Indeksi i Vrojtimit të Buxhetit të Hapur (Open Budget Survey Index) (adresa në internet: http://internationalbudget.org/opening-budgets/open-budget-initiative/open-budget-survey/ ), një vrojtim i bazuar mbi kritere të pranuara ndërkombëtarisht, të zhvilluara nga organizatat ndërkombëtare FMN, OECD dhe INTOSAI. Ai pasqyron një proces vrojtimi të mbështetur mbi fakte dhe praktikën e përditshme të realizimit të buxhetit faktik. Nëpërmjet Anketimit për Buxhetin e Hapur, ky vrojtim përdor 109 tregues për të matur transparencën e buxhetit. Këta tregues janë përdorur për të vlerësuar nëse qeveria qendrore i ve dokumentet e rëndësishme buxhetore në dispozicion të publikut në kohën e duhur dhe nëse të dhënat e përfshira në këto dokumente janë gjithëpërfshirëse dhe të dobishme per qytetaret. 
I tërë procesi i përgatitjes së Indeksit të Buxhetit të Hapur 2015 mori rreth18 muaj nga mesi i marsit 2014 deri në fillim të shtatorit 2015 dhe përfshiu 300 ekspertë nga 102 vende të botës. Me një shkallë pikësh nga 0 në 100 ku vlerësimi 100 pikë është maksimali (adresa në internet: http://internationalbudget.org/wp-content/uploads/OBS2015-OBI-Rankings-English.pdf ), vrojtimi mat transparencën e Buxhetit të Shtetit, mundësinë e pjesëmarrjes publike në të dhe forcën, profesionalizmin dhe pavarësinë e institucioneve që e mbikëqyrin realizimin e buxhetit. Të gjitha shtetet ndahen në kategori, me shtetet që arrijnë pikët e mjaftueshme mbi 61 dhe ato të pamjaftueshme nën 60.
Shqipëria renditet ndër vendet me transparencën më të dobët mbi buxhetin 
Shqipëria renditet në Ballkan ndër vendet me transparencën më të dobët mbi buxhetin, e parafundit me 38 pike nga 100 te mundshme. (adresa ne internet: http://internationalbudget.org/wp-content/uploads/OBS2015-CS-Albania-English.pdf). Ky vlerësim i dobët është një këmbanë e fortë alarmi për punën e qeverisë, që të tregohet e hapur, komunikuese dhe të përfshijë në diskutimet për buxhetin dhe gjatë fazave të zbatimit të tij, si mediat, shoqërinë civile ashtu dhe grupe të interesuar qytetarësh. 
Në lidhje me dhënien e mundësive publikut që të angazhohet në procesin e formulimit dhe realizimit të buxhetit, vendi ynë ka dalë edhe më dobët, ka marrë 15 pikë, ndërkohë që mesatarja planetare është 25. Kjo renditje dëshmon punën krejtësisht të pamjaftueshme të qeverisë, por edhe të Parlamentit, për të angazhuar shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët në përgatitjen dhe realizimin e buxhetit të të gjithëve, pra Buxhetit të Shtetit. 
Partneriteti Ndërkombetar për Buxhetin(IBP) vlerëson dhe mbikqyrjen e strukturave të auditimit suprem ndaj përgatitjes dhe zbatimit të buxhetit. Vlerësimi për mbikqyrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj Buxhetit tek ne, i publikuar më 12 shtator 2015, është ndër më të lartit, me 92 pikë. IBP ka mbajtur parasysh ne kete pikavarazh pavaresine e plote te institucionit te KLSH nga ekzekutivi, si dhe raportimet e tij profesionale per zbatimin e buxhetit te shtetit gjate viteve 2012, 2013 dhe 2014. Ky institucion ka rekomanduar që në vitin 2012(tetor) shlyerjen e detyrimeve qeveritare karshi biznesit privat, dhe më tej në mënyrë të përsëritur ka kërkuar vendosjen e një tavani për borxhin publik, duke parë rritjen e madhe të tij gjatë viteve të fundit, si rezultat edhe i pasojave të krizës botërore financiare dhe ekonomike, që rënduan mbi ekonominë tonë. Po ashtu, KLSH ka propozuar themelimin e një këshilli fiskal të pavarur nga qeveria dhe në vartësi të Kuvendit, si dhe ka bërë propozime të shumta të tjera në drejtim të përmirësimit të administrimit financiar dhe rritjes së rolit të auditimit të brendshëm. Institucioni është ofruar të ketë një rol në punën përgatitore të draftimit të Buxhetit të Shtetit për vitin e ardhshëm financiar, me qëllim minimizimin e risqeve fiskale e financiare për vendin, nën shëmbullin e praktikave më të mira të SAI-ve të Bashkimit Evropian. 
BY AUDITOR 92/100: Budget oversight by the supreme audit institution in Albania is adequate.
Sipas IBP, “KLSH jep një mbikqyrje të përshtatshme të Buxhetit të Shtetit”(faqe 3 e Vrojtimit për Buxhetin e Hapur 2015, Skeda për Shqipërinë, zëri i mbikqyrjes nga strukturat publike) (adresa në internet: http://internationalbudget.org/wp-content/uploads/OBS2015-CS-Albania-English.pdf ) 
Pjesa më e rëndësishme e vrojtimit janë rekomandimet. Tek rekomandimet për Shqipërinë, për të përmirësuar transparencën e Buxhetit të Shtetit, qeveria duhet të publikojë një raport të fundvitit për zbatimin e tij dhe t’ua shpërndajë mediave dhe qytetarëve, të nxisë publikimin nga ana e shoqërisë civile të një Rishikimi Qytetar të Buxhetit në mes të vitit. Ndërsa, për të përmirësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në Buxhet, Vrojtimi i IBP rekomandon krijimin e mekanizmave të besueshme dhe efektivë, si p.sh. dëgjimet publike të hartuesve të Buxhetit apo zbatuesve kryesorë të tij, sondazhe për realizimin e buxhetit faktik, grupe përqëndrimi(një aleance OJF-sh për shembull) për kapjen e një sërë perspektivash publike mbi çështjet e buxhetit. Ndër rekomandimet kryesore ishin dhe organizimi i seancave të dëgjimit të Kuvendit ose të Komisionit përkatës të tij, me pjesëmarrjen e qeverisë dhe të mediave, si dhe krijimi i një zyre të specializuar kërkimore për Buxhetin pranë Komisionit të Ekonomisë së Kuvendit. Ky si rekomandim përkon me rekomandimin e KLSH për themelimin e një këshilli fiskal të pavarur nga qeveria dhe në vartësi të Kuvendit. 
Sigal