Fatos Çoçoli: Pse Progres-Raporti 2016 vlerëson KLSH-në?

566
Sigal

KE thekson se “Pavarësia funksionale, operative dhe financiare e KLSH-së
është përcaktuar në kuadrin kushtetues dhe atë ligjor, në përputhje me
standardet e INTOSAI-t….Sikurse theksohet në planin e zhvillimit strategjik
2015-2017, KLSH është e angazhuar për përmirësimin e cilësinë së punës
audituese, në përputhje me standardet e INTOSAI-t. Manualet e auditimit të
përputhshmërisë dhe atij financiar janë përditësuar në përputhje me standardet
e mësipërme dhe po vazhdon zbatimi i tyre. KLSH miratoi planin e auditimit për
vitin 2016 në bazë të një metodologjie të vlerësimit të rrezikut”.

 

Dy ditë më parë, Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit të Shqipërisë
për vitin 2016, ku edhe shpalli ftesën për hapjen e bisedimeve (me kusht) për
anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ky moment historik u
shoqërua edhe me vlerësime të raportit për punën e disa institucioneve
kushtetuese me rëndësi parësore për mirëqeverisjen publike tek ne. Ndër to është
edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në faqet 86-87 të Raportit, Komisioni
Evropian thekson se “Pavarësia funksionale, operative dhe financiare e KLSH-së
është përcaktuar në kuadrin kushtetues dhe atë ligjor, në përputhje me
standardet e INTOSAI-t….Sikurse theksohet në planin e zhvillimit strategjik
2015-2017, KLSH është e angazhuar për përmirësimin e cilësinë së punës
audituese, në përputhje me standardet e INTOSAI-t. Manualet e auditimit të
përputhshmërisë dhe atij financiar janë përditësuar në përputhje me standardet
e mësipërme dhe po vazhdon zbatimi i tyre. KLSH miratoi planin e auditimit për
vitin 2016 në bazë të një metodologjie të vlerësimit të rrezikut”.(Progres-Raporti
2016 për Shqipërinë, faqe 86, fragmenti i fundit, versioni anglisht
http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2016/20161109_report_albania.pdf)

Të gjitha këto vlerësime nuk vijnë në erë. Ky institucion kushtetues ia ka
dalë, thjesht dhe vetëm nëpërmjet punës së tij audituese, pa blerë mediat me
reklama, pa u mburrur dhe pa bërë show mediatik, të kryejë një punë me vlerë në
mbajtjen e administratës publike të përgjegjshme dhe në luftën kundër abuzimit
me fondet publike dhe korrupsionin. Këtë dimension të tij e kanë vlerësuar edhe
Transparency International në Raportin për Sistemin Kombëtar të Integritetit të
Shqipërisë në shtator 2016, edhe shumë partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Vetë Progres-Raporti
2016 cilëson:”
Në vitin 2015, KLSH
përfundoi 158 auditime, duke zbuluar parregullsive dhe abuzime me fondet
shtetërore që arrijnë në 919.9 milionë euro, gjysma e të cilave kanë të bëjnë
me auditimin e shpërndarjes së energjisë elektrike në pronësi të operatorit
shtetëror. Kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin
2014, kur parregullsitë dhe abuzimet e zbuluara ishin 87.5 milionë euro. KLSH i
paraqiti 51 raste për kallzim penal Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për 159
zyrtarë (prej të cilëve 56 ishin zyrtarë të lartë), nga 41 raste për 149
zyrtarë në vitin 2014. Rekomandimet e KLSH-së përfshijnë përmirësime legjislative,
administrative, organizative dhe dëmshpërblim, si dhe rekomandime për kallëzime
penale(Progres-Raporti 2016 për Shqipërinë, faqe 87, fragmenti i dytë, versioni
anglisht). Rezultatet e konsideruara lart nga Bashkimi Evropian nuk erdhën
brenda një ditë, por me një punë të pandërprerë gjatë pesë viteve 2012-2016. Në
këtë periudhë, KLSH ka kryer ndryshime strukturore thelbësore, duke ngritur
struktura që janë më funksionale përmes departamenteve të auditimit dhe
drejtorive, me qëllim përmbushjen e misionit të vet. Në bazë të Deklaratës së
Limës, e konsideruar ndryshe dhe si “Magna Carta” e institucioneve supreme të
auditimit, ka rritur bashkëpunimin dhe partneritetin me institucionet simotra
evropiane, mbështetja e të cilave ka pasur ndikim në realizimin e objektivave
strategjike. Në zbatim të orientimeve dhe rekomandimeve të Kuvendit, si dhe të
strategjisë së vet të zhvillimit 2013-2017, KLSH ka përkthyer shënimet praktike
të standardeve ISSAI të auditimit financiar, standardet ISSAI të auditimit të
performancës, të përputhshmërisë, të teknologjisë së informacionit, duke
përditësuar manualet respektive të auditimit 
dhe duke rritur me herë numrin e ditëve të trajnimit, si dhe kontrollin
mbi asimilimin e njohurive për çdo auditues. 
Ka bashkëpunuar me shoqatat profesionale të fushës, si dhe me
institucionet shkencore dhe 
universitetet publike, duke organizuar konferenca shkencore dhe
ballafaquar ide dhe praktika të mira kombëtare e ndërkombëtare në punën
audituese, në drejtim të përmirësimit të cilësisë së auditimeve. Institucioni
ka rritur nivelin e transparencës, duke ftuar të gjitha mediat jo vetëm në aktivitetet
e veta, por dhe në analizat vjetore të çdo departmanenti auditimi. Ka hartuar
dhe zbatuar marrëveshjet e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe
me kurajo i ka ftuar audituesit e vet të “provojnë penën” nëpërmjet artikuj të
botuar ne shtyp. Imazhi i institucionit si në publik dhe mes qytetarëve, ashtu
dhe në sytë e BE-së (provuar dhe nga vlerësimi i fundit i Progres Raportit) dhe
të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, është rritur. KLSH
konsiderohet një nga gjashtë shtyllat e realizimit me sukses të Strategjisë së
Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020 dhe agjent i Kuvendit dhe i qytetarit
për administrimin e parasë publike me efektshmëri, efiçiencë dhe ekonomi.