Fatos Çoçoli/ Kush na mbron nga ushqimet e skaduara?

580
Një nga fushat me rëndësi parësore për cilësinë e jetës sonë dhe shëndetin e fëmijëve tanë, për të cilën dimë aq pak, është siguria ushqimore. Ajo ka të bëjë me elementët e shëndetshëm dhe jo të shëndetshëm në ushqimet që blejmë dhe konsumojmë. Kemi si prindër një shqetësim të vazhdueshëm për cilësinë e dyshueshme të produkteve që blejmë, sidomos tani në ditët e nxehta të verës, jo vetëm në tregjet e rrugës, por edhe në dyqane, mini e supermarkete. Jemi të prirur të mos u besojmë etiketave nga rastet e shumta të abuzimit me to dhe nuk njohim mirë praninë dhe funksionimin e një strukture të specializuar, e cila na mbron përballë ushqimeve të skaduara apo me etiketa abuzive për cilësinë. Kjo strukturë quhet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe merret me monitorimin dhe kontrollin e produkteve ushqimore. Ka katër vjet që është ngritur. Ka një bazë ligjore të sajën, bën kontrolle, vendos gjoba dhe mund edhe të sekuestrojë të gjithë mallin që ka gjetur të skaduar apo jashtë standardeve. Është pjesë e projektit të BE-së, për ta përshtatur sigurinë ushqimore në përputhje me standardet evropiane. 
Ky institucion ka hartuar plane të qarta masash për të garantuar mbrojtjen tonë si konsumatorë nga ushqimet e skaduara dhe me elementë të dëmshëm për shëndetin. AKU ka normalizuar situatën e tregtimit nëpër rrugët e vendit. Një nga ndërhyrjet kryesore të tij ka qenë në sektorin e tregtimit të mishit. Janë mbyllur disa thertore që nuk plotësonin kushtet sanitare. Institucioni ka bashkëpunuar me institucione zbatuese si Policia e Shtetit, Tatimet, etj. Ka pastruar nga pikat informale zonën para terminalit në aeroportin e Rinasit, akset kryesore nacionale, qytetet, ka kryer sistemimin e tregjeve në disa qytete të Shqipërisë p.sh Tiranë, Durrës, Korçë, etj. Ka përqendruar punën në identifikimin, monitorimin, vlerësimin dhe menaxhimin e riskut tek firmat dhe subjektet që prodhojnë, përpunojnë, importojnë, magazinojnë, tregtojnë produkte ushqimore. Po ngre kapacitetet për vlerësimin e riskut, duke përmirësuar hedhjen e të dhënave nga inspektorët, të të gjithë dokumenteve që përmban procedura e inspektimit në AKU. Orientohet mbi bazën e një liste verifikimi të BE-së për kontrollin, për standardizimin e inspektimeve në të gjithë territorin dhe pakësimin e klientelizmave në kontrollet. Numri i denoncimeve në telefonin pa pagesë 0800 75 75 është rritur ndjeshëm gjatë një viti e gjysëm funksionimi të AKU-t me një lidership dhe frymë të re. Të gjitha denoncimet e qytetarëve (janë mbi 100 çdo ditë) kalojnë në zyrën e drejtorit të AKU-t, Afrim Bakaj, një njeri energjik që nuk ndalet në kontrolle. Ai jep orientimet dhe ka një sektor të posaçëm që përpunon denoncimet. 
Më pas bëhet një program i veçantë, ku drejtoritë rajonale dhe sektorët përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme bëjnë inspektime konkrete për denoncimet. Denoncimet e qytetarëve janë futur në programin vjetor të inspektimeve të AKU-t, kur kanë patur bazë konkrete. AKU bën bashkërendimin e inspektimit me denoncimin. Në Shqipëri sot veprojnë mbi 21 mijë subjekte që merren drejtpërdrejt me ushqimin e që kontrollohen nga 286 inspektorë të AKU-t. Kjo strukturë ka nevojë për më shumë inspektorë, por edhe për automjetet e saj, që të kontrollojë në kohë me dhe cilësi. Ka nevojë për laboratorë modernë. Me një fond minimal, puna e AKU-t mund të shumëfishohet në rezultate dhe në mbrojtjen efektive ndaj nesh, konsumatorëve. AKU ka kërkuar që lart nga 560 veterinerët dhe agronomët e vendit që punojnë sot në shtet, t’i bashkangjiten asaj, në mënyrë që produkti vendas të kontrollohet që në arë kur mbin fara, apo në bark të lopës apo të deles. Ministria e Bujqësisë i ka gati ndryshimet ligjore, të përgatitura nga ekspertët e AKU-t, për të realizuar reformën më cilësore në fushën e ushqimit. Ky është një ndryshim i thellë dhe po kryhet i plotë, në interes të qytetarëve të këtij vendi.
Sigal