Fatos ÇOÇOLI/ KLSH dhe standardet profesionale të fushës

63

Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), organizata përfaqësuese e gjithë komunitetit te auditimit të jashtëm publik, që kur u themelua në vitin 1953, ka zhvilluar dhe përmirësuar auditimin suprem te sektorit publik në mbarë botën. Ajo e ka kryer këtë rol nëpërmjet krijimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të orientimeve dhe rregullave bazë të auditimit, pra të standardeve të tij. Standardet, udhëzimet dhe praktikat më të mira të INTOSAI-t janë zhvilluar nën kujdesin e tre komisioneve të përhershëm të INTOSAI-t: Komisioni i Standardeve Profesionale (PSC), Komisioni i Shkëmbimit te Dijeve (KSC) dhe Komisioni i Ndërtimit të Kapaciteteve (CBC). Miratimi i një seti gjithëpërfshirës të Standardeve Ndërkombëtare (ISSAI) për Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) në Kongresin INCOSAI XX të INTOSAI-t në Johanesbug të Afrikës së Jugut në vitin 2010, u ka dhënë institucioneve supreme të auditimit SAI-ve anëtare të INTOSAI-t një kuadër të përditësuar të standardeve, udhëzimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për auditimin e jashtëm të sektorit publik. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, e ka vlerësuar rolin e standardeve ISSAI në parathënien e tij për Publikimin Përkujtimor me rastin e Përvjetorit të 250-të të Gjykatës Austriake të Auditimit, duke u shprehur se: “Kombet e Bashkuara dhe auditorët e jashtëm të qeverisjes, bazuar ne standardet e tyre ISSAI, ndajnë një angazhim për të siguruar qeverisjen e mirë dhe per të avancuar ne programet ndërkombëtare të zhvillimit.“[1]. Standardet ISSAI janë me vlerë të konsiderueshme për SAI-t anëtare dhe sigurojnë një kornizë të përbashkët referimi për auditimin e jashtëm të sektorit publik. Në vitin 2010, INTOSAI identifikoi zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) si një përparësi kyçe strategjike për vitet e ardhshme. Në përputhje me Deklaratat e Limës dhe Meksikos dhe duke njohur pavarësinë e secilit SAI anëtar të INTOSAI-t, për të përcaktuar qasjen e vet në përputhje me legjislacionin kombëtar, përmes marrëveshjeve të Johanesburgut, Kongresi i  XX-të u bëri thirrje SAI-ve anëtare të INTOSAI-t t’ i përdorin standardet ISSAI si një kornizë e përbashkët reference. Veç kësaj, SAI-t u inkurajuan të zbatojnë ISSAI-t në përputhje me mandatin e tyre dhe legjislacionin kombëtar, si dhe të masin performancën e tyre dhe udhëzimet e auditimit, duke përdorur standardet ISSAI. Presidenti i tanishëm i INTOSAI-t dhe njëkohësisht Audituesi i Përgjithshëm i Kinës, Liu Jayi, shprehet në Kongresin e XXI-të të Pekinit të INTOSAI-t në tetor 2013, se “Në përballjen me defiçitet financiare dhe krizat e borxheve publikë, SAI-, te orientuar nga standardet e tyre ISSAI, mund të fokusohen në faktorët e përgjithshëm apo ata sistemikë që ndikojnë fuqimisht në zbatimin e politikave dhe qëndrueshmërinë financiare afat-gjatë, kontribuojnë në krijimin e politikave të shëndosha financiare publike dhe monetare. Kontrolli i Lartë i Shtetit, është një SAI që synon të modernizohet dhe t’ u ngjajë në cilësinë e punës së tij audituese dhe në standardet që zbaton, SAI-ve të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Eksperienca e zbatimit të ISSAI-ve në Shqipëri gjatë viteve 2012–2013 dhe gjatë këtij viti ka treguar se KLSH dhe audituesit e tij kanë fituar realisht shumë në punën e tyre audituese. Vetë audituesit kanë rritur njohuritë e tyre për auditimin dhe format e tij, nëpërmjet njohjes së standardeve ISSAI, kanë fituar shprehi të reja pune, siguri dhe besim në forcat e tyre. Argumentimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të tyre është rritur, po ashtu dhe vlerësimi nga ana e Kuvendit dhe nga opinioni publik.  KLSH po zbaton me sukses ISSAI-t 3000 dhe 3100 për Auditimin e Performancës, duke filluar nga tetori 2012, kohë kur themeloi Departamentin e Performancës. Gjatë afërsisht dy vjet që nga ajo kohë, numri dhe cilësia e auditimeve të performancës në KLSH është rritur dukshëm, me zbatimin e plotë të orientimeve të këtyre dy standardeve ISSAI dhe me përkthimin dhe përshtatjen në shqip të Udhëzuesit për Auditimin e Performancës, të përgatitur nga Komisioni i Standardeve Profesionale (PSC).   Institucioni, në zbatim të rekomandimeve të Progres Raporteve të Bashkimit Evropian, në konsultim të ngushtë dhe miratim nga DG-Budget dhe SIGMA, përgatiti në fund të vitit 2012 dhe dorëzoi në Kuvend një draft të ri ligjor, ku përfshiheshin auditimet e performancës dhe të teknologjisë së informacionit, zgjerohej më tej fusha e auditimit, nëpërmjet auditimeve të zbatimit të fondeve të BE-së, si dhe bëhej një referim i qartë i standardeve të INTOSAI-t. SAI-t janë gjithmonë të varura nga disponueshmëria e stafit të kualifikuar dhe kompetent. Prania e audituesve dhe menaxherëve kompetentë bëhet edhe më e rëndësishme, kur futen në organizatë standardet e auditimit të pranuara globalisht, ISSAI dhe jepen detyra të reja të auditimit, të cilat rrisin kërkesat për organizimin. Për të siguruar që SAI e ka stafin e nevojshëm, mund të merren në konsideratë përmirësime në procesin e rekrutimit dhe te arsimimi i vazhdueshëm profesional. KLSH i ka pasur parasysh këto kërkesa gjatë dy viteve të fundit 2012-2013, kur ka rekrutuar rreth 9 për qindtë stafit me kualifikime post-universitare dhe grada shkencore, ka kryer një proces intensiv kualifikimi gjatë punës, duke ofruar mundësitë për ngritjen në karrierë  për audituesit e motivuar dhe të talentuar, si dhe ka nxitur certifikimin e stafit nga struktura ndërkombëtare certifikuese për audituesit dhe nga IDI, Instituti i Zhvillimit i INTOSAI-t. Stafi ekzistues është inkurajuar të marrë kualifikime të tjera post-universitare, të rëndësishme për punën respektive audituese. Në ndihmë të zbatimit të ISSAI-ve, KLSH ka aplikuar dhe fituar një projekt binjakëzimi nga fondet IPA 2013 të BE-së me vlerë 2.11 milionë euro për rritjen e kapaciteteve audituese, i cili do të fillojë nga zbatimi në fund të këtij viti.