Fatmir Toçi: Vlora dhe pritshmëria e shqiptarëve në 2014-n

554
Sigal

U them zgjedhësve të mi se asnjë tërheqje nuk ka, nga premtimi për realizimin e investimeve që kemi premtuar

Kur flitet për buxhetin dhe pritshmërinë e çdonjërit, për plotësimin e nevojave dhe kërkesave që ka, besoj që zor se mund të gjesh tjetër ligj në veprimtarinë e Kuvendit ku të gjithë të mbeten të kënaqur plotësisht. Kjo sepse është e natyrshme që, secili të kërkojë më shumë për transformimin e vendit, për thellimin e reformave me karakter ekonomik e social, për përshpejtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane, por edhe për më shumë mbështetje e investime për zonat që përfaqësojmë në këtë Kuvend. E natyrshme për misionin që kemi marrë përsipër, për realizimin e programit qeverisës që kemi shpalosur para njerëzve, për premtimet që kemi bërë dhe për bindjen e besimin e patundur për mundësinë e realizimit të këtyre premtimeve brenda mandatit tonë qeverisës. Ka një fillim të mbarë, entuziast dhe të përkushtuar në 100 ditët e para të kësaj qeverisjeje, si shembull dhe garanci për të vazhduar më tej. Duke filluar që në ditën e parë me goditjen e korrupsionit, që ishte ngritur në sistem në qeverinë e mëparshme dhe kishte infektuar çdo qelizë të administratës shqiptare dhe më tej, me goditjen e monopoleve të bizneseve të pushtetarëve, me zhbërjen e vendimeve antikushtetuese dhe antiligjore që e nxorën ekonominë shqiptare në ankand, duke ftuar për një marrëdhënie bashkëpunimi e partneriteti bizneset shqiptare të të gjitha niveleve, duke vlerësuar rolin e tyre të jashtëzakonshëm në shëndoshjen e financave të shtetit dhe si faktori më i rëndësishëm për punësimin e njerëzve. Shumica prej nesh ishim të bindur, siç ishim të bindur në fitoren e padiskutueshme dhe largimin me votë të qeverisë që rrënoi Shqipërinë dhe varfëroi shqiptarët, se në agimin e fitores do ta gjenim ekonominë e vendit si një vrimë të zezë. Por, besoj, se pak prej nesh mund ta imagjinonin sa e thellë do të ishte kjo vrimë e zezë, aq sa edhe sot e kësaj dite nuk po ia gjejmë dot fundin. Duke u kthyer te buxheti i vitit 2014, edhe pse i pari pas një shndërrimi të madh politiko-ekonomik, edhe pse pas një viti zgjedhor ku financat e shtetit u zbrazën që në muajin qershor në shërbimin abuziv për partinë-shtet, edhe pse me një trashëgimi borxhesh që akoma nuk u dihet vlera e plotë, ne u themi sot shqiptarëve se miratuam një buxhet me rritje në të gjitha sektorët ekonomikë, shoqërorë e socialë që do të japë që në fillim shenjat e para të dukshme të daljes nga bataku i trashëguar dhe arka e boshatisur e shtetit. Ky është buxheti i ndryshimeve të mëdha jo vetëm financiare, por edhe  konceptuale dhe e politikave të reja fiskale, në favor dhe interes të shumicës së shqiptarëve, për nxitjen e bizneseve të të gjitha kategorive dhe mbështetjen e ndihmën e shtresave shoqërore në nevojë. Mjafton të shohim, në lidhje me këtë, plotësimin që në vitin e parë të qeverisjes të një pjese të premtimeve tona kryesore elektorale, si: taksimi i ndershëm, ku do të përfitojnë 97 % e shqiptarëve, heqja e taksës së biznesit të vogël, ulja e kontributeve të detyrueshme shëndetësore, ulja nga 10 në 7.5 % të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, heqja e TVSH-së për ilaçet dhe shërbimet shëndetësore, shlyerja e borxheve të qeverisë së mëparshme, investime shumë më të mëdha për ringjalljen dhe rivënien në efiçencë të bujqësisë, heqja e TVSH-së dhe subvencionet për energjinë elektrike dhe shportën e produkteve bazë, rritja e grandit të pakushtëzuar për pushtetin vendor me 1 miliard lekë, por edhe rishikimi i  skemës dhe kritereve të akordimit të këtij grandi për bashkitë dhe komunat, pasi edhe këtu është abuzuar nga qeveria e mëparshme, duke i ndarë këto fonde sipas hartës së zgjedhjeve politike vendore. Edhe pse në kushtet e vështira, për të cilat folëm më lart, është fakt që ky buxhet është më i madhi në këto 23 vjet me një shtesë prej 50 miliardë lekësh. Kjo rritje e fondeve duket qartë në sektorët më të rëndësishëm, si shtesat: në arsim 1.4 miliardë lekë, në shëndetësi 1.6 miliardë lekë, në bujqësi 1.9 miliard lekë, për rendin gati 1 miliard lekë, për shtresat në nevojë 1.1 miliard lekë, etj. Po nga treguesit më të konceptueshëm dhe më të  prekshëm për të gjithë njerëzit janë financimet në infrastrukturë e transport. Buxheti i vitit 2014 parashikon mbi 35 miliardë investime në këto fusha. Një pjesë e madhe e tyre janë për punimet në proces. Ato që nuk përfunduan për shkak të mosrespektimit të kontratave nga ana e qeverisë që shkoi, duke i vënë bizneset në vështirësi ekonomike e duke e lënë vendin si një varr të hapur, ku asnjë prej investimeve të iniciuara në 8 vitet e kaluara nuk rezulton i përfunduar tërësisht dhe me standardet e kërkuara. Për ta ilustruar këtë mjafton të shohim se ç’ka ndodhur me Vlorën. Për 8 vjet të qeverisjes së djathtë asnjë prej projekteve të hartuara prej pushteteve vendore nuk është mbështetur, duke e katandisur Vlorën dhe rrethinat e saj në një prej zonave më të pazhvilluara të vendit, me infrastrukturë të rrënuar, me fshat të braktisur  dhe standardet e jetës si në kohën e ekonomisë në natyrë. Edhe me “investimet” që janë dhënë për këtë rreth, për interesa të personave e firmave pranë qeverisë, ka ndodhur e njëjta histori: Janë dhënë financime e janë organizuar tendera me fitues të paracaktuar dhe asnjë prej këtyre investimeve nuk ka përfunduar. Kështu ka ndodhur me autostradën Fier – Vlorë, e papërfunduar, palikuiduar detyrimet për shpronësimin e tokave ku kalon autostrada, e palidhur me rrugën Transballkanike për vetëm rreth 1 apo 1.5 km rrugë, duke e katandisur, për turp të Zotit dhe mënyrën më të shëmtuar të mundshme, hyrjen në Vlorë në vendin e quajtur Pusi i Mezinit. E papërfunduar ka mbetur prej vitesh rruga Transballkanike, pa asnjë farë shenjë sinjalistike, pa ndriçimin e planifikuar si rrugë urbane, pa trotuare për këmbësorët e me degëzime të rrezikshme, duke marrë dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm, aq sa sot vlonjatët e shohin gjithnjë e më shumë  si “rruga e vdekjes”. I pazgjidhur problemi i furnizimit me ujë të pijshëm, jo vetëm në Vlorë, por pothuaj në të gjitha qendrat e banuara të rrethit, edhe pse është nga rrethet që ka më shumë burime ujore dhe më cilësi të lartë. I pazgjidhur problemi i derdhjes së ujërave të zeza në det dhe pastrimin e tyre në impiantet e instaluar e të pavënë në punë prej vitesh, siç ka ndodhur me impiantet e pastrimit të ujërave të zeza për qytetin e Vlorës dhe atë të Orikumit. Jashtë vëmendjes ka mbetur prej vitesh Porti detar, i ashtuquajtur i dyti për nga rëndësia në vend. Asnjë investim për zgjerimin dhe modernizimin e portit. Aktualisht aty sot ankorohet vetëm një traget i linjës me Brindizin, që duket në horizont në mes të Karaburunit e Sazanit vetëm kur arrin të mbushet kënaqshëm me pasagjerë, të cilëve u ofrohet një cilësi shërbimi që nuk e meritojnë shqiptarët. Bypass-i i Vlorës dhe sistemimi i bregdetit të Gjirit të Vlorës janë përdorur çdo vit të këtij 8-vjeçari që kaloi vetëm për qëllime elektorale. Premtime të përsëritura, groteske dhe bajate në çdo fillim fushatash, çdo fillim të sezoneve turistike apo sa herë që ish Kryeministri do t’i duhej të kalonte nga Vlora për të thyer rekordet si notar i madh.

Në fakt, duket sikur në këtë projektbuxhet nuk ka vëmendje për investime të tilla, pasi nuk ka një listë për investimet e reja në infrastrukturë. Por, u them zgjedhësve të mi në qarkun e Vlorës se asnjë tërheqje nuk ka nga premtimi për realizimin e investimeve që kemi premtuar. Ka një zë të veçantë në projektbuxhetin e vitit 2014 për investimet me Fondin e Zhvillimeve Rajonale me mbi 100 milionë euro, në bazë të projekteve të paraqitura nga njësitë vendore. Ka edhe burime alternative financimi që e shtojnë masën e kësaj shume, siç janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, donatorë të ndryshëm etj, që do t’u japin jetë shumë projekteve të domosdoshme për zhvillimin e zonave të caktuara dhe do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës të banorëve. Vit i vështirë ky fillim mandati qeverisës për shqiptarët, për shkak të trashëgimisë së rrënuar ekonomike nga qeveria që shkoi, borxheve të trashëguara, korrupsionit si sistem, monopoleve që polarizuan më shumë shoqërinë shqiptare, papunësisë në shifra të frikshme etj. Ligjet ekonomike që sapo u miratuan dhe buxheti i vitit 2014 që kaloi në Kuvend janë si ilaçi i duhur në momentin e duhur për një të sëmurë që lëngonte prej një kohe të gjatë dhe luftonte më vdekjen. Kërkohet veç ca më shumë durim dhe angazhim nga të gjithë për ta kthyer në jetë ekonominë e vendit dhe për të ndryshuar jetën e shqiptarëve.

Vlora do të njohë projektin më të mirë për zhvillimin e jetës dhe turizmit

Atë që është premtuar nga të gjitha qeveritë për Gjirin e Vlorës prej vitesh, qeveria e re e nisi zgjidhjen brenda 100 ditëve të para të jetës së saj. Në fillim të janarit 2014 do të njohim projektin më të mirë për këtë segment nevralgjik për jetën dhe turizmin në Vlorë dhe realizimin e saj në dy faza, pjesërisht në qershor 2014 dhe përfundimisht në qershor 2015, d.m.th para fillimit të sezoneve turistike, të cilat janë shumë të rëndësishme për mijëra vlonjatë që operojnë apo janë të punësuar në këtë sektor, por edhe për shqiptarët e turistët e huaj që duan të zgjedhin Vlorën si destinacion turistik. Vlora, si qytet dhe si rreth, ka shumë probleme dhe për shkak të mungesës së investimeve ndër vite dhe papunësisë është kthyer në një vend ku jeta për banorët e saj  është bërë shumë e vështirë dhe shpesh, në kufijtë e mbijetesës. Përpos investimeve për rikonstruksionin e shumë shkollave, kopshteve, qendrave shëndetësore, ujësjellësve e kanalizimeve të shumë fshatrave, si në komunat e Armenit, Kotës, fushën e Shkozës, etj., pritshmëria më e madhe është për rikonstruksionin e rrugëve që lidhin fshatrat e komunat me njëra – tjetrën apo me Vlorën e Bregun e Jugut. Kryefjala e këtyre investimeve është rruga e Lumit të Vlorës, që shtrihet nga Vlora e Selenica deri në Bregun e Jonit dhe u shërben mbi 50.000 banorëve të rreth 80 fshatrave të kësaj zone, por edhe disa degëzimeve të saj më në thellësi, si rruga e fshatrave të Smokthinës, Karbunarit, Treblovës Romsit, Gorishtit, Koculit e fshatrave të tjera të komunës së Vllahinës, Gumenicës në Kotë, Amonicës, në Sevaster, si dhe degëzime prej 2 – 5 km që lidhin fshatra të tilla si Mesapliku, Tërbaçi, Vranishti, Mazhari, ura e Vodicës, etj..