Fatmir Toçi/ Luftë pa kompromis bandave kriminale

597
Sigal

Ditë suksesi për policinë e shtetit për ndjekjen dhe vënien në pranga brenda një dite të katër hajdutëve-vrasës në Memaliaj, kapjen e një bande terroriste në Tiranë dhe zbulimin e një baze me armë e lëndë eksplozive, si dhe arrestimin e prangosjen e të dyshuarve për vënie tritoli në Vlorë.

Sot është një ditë që Vlora e terrorizuar dhe e mbërthyer mes hamendjeve e dyshimeve mund të marrë frymë lirisht për një çast. Rastet e njëpasnjëshme të krimeve me armë apo vënie eksplozivi vitet e fundit, duke e “belfastizuar” qytetin bregdetar, i kishin bërë vlonjatët që të humbnin besimin të policia dhe drejtësia shqiptare. Ndalimet e ditëve të fundit, veçanërisht dita e sotme e policisë, po u kthen vlonjatëve besimin te djemtë e tyre në policinë e shtetit, në policinë e rinovuar e të motivuar për të luftuar deri në fund terrorizmin dhe parandaluar çdo akt kriminal.
Por, për fatin e keq, të njëjtën gjë nuk mund të themi për gjykatat dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Kjo gjendje duhet të marrë fund dhe të gjithë ata që tolerojnë me krimin dhe kriminelët ka ardhur koha që të konsiderohen si të tillë dhe duhet të vihen përpara drejtësisë së vërtetë. Sot policia e Vlorës ka drejtuar gishtin drejt disa individëve që akuzohen për akte kriminale e terrorizëm, ndaj personave që kryenin detyra shtetërore, të zgjedhur me votën e popullit, aktivistë e drejtues politikë, biznesmenë e njerëz të thjeshtë. Padyshim, duhet të presim që Prokuroria dhe gjykatat të thonë fjalën e tyre. Por, vlonjatët për një gjë janë të bindur dhe e kuptojnë mirë; vetëm sa është vënë në shënjestër banda që mbjell terror në Vlorë dhe kryen akte kriminale me pagesë në shërbim të interesave të individëve e të grupeve që kanë humbur apo po humbasin pushtetin. Këta që janë kapur, duket se janë vetëm dora e zgjatur e krimit, ata që zbatojnë urdhrat dhe presin shpërblimet, por jo kokat e bandave kriminale me lidhje e veprimtari jo vetëm në Vlorë. Fjalët më të mira dhe vlerësime të merituara për policinë e shtetit, por impenjim dhe detyra më të rënda i presin në të ardhmen. Krimi i organizuar si trashëgim nga e kaluara dhe reagim nga ata që humbën privilegjet, po luftojnë me të gjitha format e mjetet, deri në marrjen e jetë njerëzish, për të ruajtur ato që kanë përfituar padrejtësisht gjatë ushtrimit të pushtetit.