Fatmir Toçi: Boshnjakët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Bosnjës Urë bashkëpunimi e miqësie midis dy vendeve tona

600
Projektligji: “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë–Hercegovinës, mbi transportin detar tregtar” është një marrëveshje kuadër, si me të gjitha vendet e tjera të Rajonit e më gjerë, për marrëdhënie e bashkëpunim normal në fushën e lundrimit e transportit detar, me interes zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, por edhe shkëmbimeve turistike e në fusha të tjera. Baza ligjore për bashkëpunime reale që krijon kjo marrëveshje është në përputhje me konventat e ndryshme ndërkombëtare, por në radhë të parë, me Konventën e Kombeve të Bashkuara për ligjin e detit. Republika e Bosnjë–Hercegovinës kishte mbetur nga vendet e pakta në Mesdhe, dhe e fundit në detet Adriatik dhe Jon pa nënshkruar një marrëveshje të tillë me vendin tonë, ndërkohë që më Italinë, Greqinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë, marrëveshjet për transportin detar të nënshkruara i kanë hapur rrugën prej kohësh zhvillimeve të dukshme e me interes të përbashkët me këto vende. Bosnjë– Hercegovina është një nga shtetet ballkanike që, edhe ajo, ka dalje në detin Adriatik, edhe pse fare pak, 26 km, që ndërpresin në dy pjesë vijën bregdetare kroate, duke i dhënë asaj mundësi edhe shfrytëzimin e një porti detar, në Neum, në qytetin me të njëjtin emër prej rreth 5 000 banorësh. Por kjo hapësirë portuale përdoret aktualisht më tepër si port turistik, për ankorimin e barkave, skafeve e anijeve të vogla private, ndërsa bregdeti i thyer dhe hapësira detare që disponon shfrytëzohet për qëllime turistike e pushimi, kryesisht gjatë periudhës verore. Përpunimi i mallrave në portin e vogël të Neumit, që është territor i Bosnjës, është i ndaluar, me qëllim mbrojtjen e natyrës, mjedisit bregdetar dhe ujërave territoriale. Si port mallrash dhe përpunimin e anijeve, sipas një marrëveshje të veçantë me Kroacinë, shfrytëzohet porti kroat i Plloçës, i quajtur ndryshe Porto Tolero, në deltën e lumit të lundrueshëm Narenta, ku rreth 80 % të përpunimit të mallrave dhe shfrytëzimit të kalatave u përket boshnjakëve. Porti detar i Plloçës është i dyti për nga madhësia në Kroaci, pas atij të Splitit, dhe ndodhet vetëm 30 km në veri nga kufiri bregdetar i Bosnjë–Hercegovinës dhe është i lidhur me linjë hekurudhore me Mostarin, Sarajevën, Kroacinë dhe, nëpërmjet saj me rrjetin hekurudhor të Evropës. Terminali i këtij porti detar është nga më modernët e kohës dhe me kapacitet të madh. Vetëm depozitat e naftës që ndodhen aty kanë një kapacitet prej 80.000 m3 karburante, dhe përpunimi e shpërndarja e tyre bëhet nëpërmjet vagonëve cisternë. Marrëveshja është e rëndësishme sepse hapësira detare boshnjake kishte mbetur si një këputje në linjën bregdetare të Adriatikut nga Jugu në Veri të tij, por edhe atë detare në afërsi të bregdetit për qëllime turistike apo tranziti. Është për këtë qëllim, për t’i hapur rrugë një komunikimi sa më të gjerë midis dy vendeve tona, që në këtë aktmarrëveshje ka një sërë përcaktimesh të detajuara që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare, të cilët e lehtësojnë së tepërmi zbatimin në praktikë. Të tilla janë: masat për lehtësimin e transportit detar midis dy vendeve, aktivitetet tregtare, transferimi i lirë i parave, detyrimi i bashkëpunimit në rastet e incidenteve apo fatkeqësive detare, mirëtrajtimi i detarëve në vendet respektive, barazia në trajtimin e anijeve dhe mosdiskriminimi, si dhe një sërë masash të tjera për dokumentacionin e nevojshëm, respektimin e dispozitave ligjore e deri te zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Shqipëria ka marrëdhënie miqësore e bashkëpunimi me Republikën e Bosnje – Hercegovinës, qytetarët e të dy vendeve që prej disa vjetësh lëvizin lirshëm e pa pasur nevojë për viza në vendet respektive. Marrëdhëniet tregtare e të biznesit, edhe pse në dukje jo shumë të ndjeshme, ekzistojnë dhe shihen me interes; ndaj dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, edhe në hapësirën detare, do të ndikojë ndjeshëm në zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Fakti që Tirana dhe Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjë–Hercegovinës, janë më pak se 400 km nga njëra–tjetra dhe përshkohen brenda ditës me rrugë tokësore nuk do të thotë aspak se kjo e sfumon interesin për përdorimin e transportit detar midis dy vendeve. Mundësia e transportimit të mallrave në sasi të mëdha, që aktualisht importohen nga Bosnje – Hercegovina, siç janë: mineralet e ndryshme, hekuri nga kombinati metalurgjik i Zenicës (nga më të njohurit në Evropë), hidrokarburet, qymyr druri, lëndë drusore e përpunuar (dërrasë), drithërat, prodhimet e industrisë së lehtë etj., do të bënin që të shihej me interes edhe transporti detar me porte të ndryshme të vendit tonë. Më me interes e bën përdorimin e transportit detar për këtë kategori mallrash voluminoze dhe në sasira të mëdha shmangia e trafikut rrugor dhe procedurat e gjata doganore tranzitore nëpërmjet një shteti tjetër të ndërmjetëm, siç është Mali i Zi, i cili shtrihet midis dy vendeve tona. Por, një industri që është gjithnjë e në rritje dhe me interes për ne dhe Rajonin tonë është turizmi, dhe ai detar në mënyrë të veçantë. Pjesa më e madhe e pikave të kësaj marrëveshjeje, sidomos ajo dokumentare, liritë e trafikut, mosdiskriminimi, bashkëpunimi etj., kanë të bëjnë edhe me trajtimin e njerëzve dhe mjeteve që përdorin mjetet turistike vetjake apo kolektive dhe që janë të interesuar për të vizituar, njohur apo kaluar pushimet në vendet respektive. Për shkak të historisë së re dhe asaj bashkëkohore shkëmbimet turistike midis dy vendeve kanë akoma hapësira të mëdha për të shfrytëzuar. Plazhet dhe resurset turistike të vendit tonë, kanë tërhequr prej kohësh mijëra pushues e turistë boshnjakë për bukuritë e tyre, ofertat turistike më të pranueshme në raport me ato të vendeve të tjera dhe shërbimin cilësor në rritje që ofrohet. Gjatë vitit 2016 rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Shqipërisë rreth 50.000 boshnjakë, kryesisht për pushime, por edhe për biznese të ndryshme. Nga ana tjetër shumë agjenci turistike shqiptare organizojnë udhëtime e paketa turistike drejt këtij vendi që shtrihet në zemër të Ballkanit, apo për të shijuar pistat e skive në periudhën dimërore, nga më të njohurat në Evropë. Shkëmbimet tregtare e turistike kanë rëndësi, pasi në të dy vendet tona jetojnë e punojnë prej dekadash komunitete që do ta meritonin statusin e pakicës kombëtare reciprokisht. Në Bosnjë–Hercegovinë llogariten si shtetas boshnjakë rreth 5.000 shqiptarë, biznesi i të cilëve është kryesisht tregtia dhe shërbimet e ndryshme. Ndërsa në Shqipëri jetojnë e punojnë rreth 10.000 boshnjakë, që kanë shtetësi shqiptare, nga të cilët rreth 6.000 vetë janë të vendosur prej më shumë se 150 vjetësh në dy fshatra të Bashkisë së Shijakut, të quajtura Borakë e Koxhas. Ky komunitet miqësor, bashkëpunues, e i dhënë tërësisht pas punës së ndershme, që ka ruajtur prej më shumë se 6 brezash gjuhën, zakonet e traditat, na kujton ne shqiptarëve arbëreshët e Italisë. Të ardhur kryesisht nga Mostari dhe zonat përreth, nga ku u shpërngulën masivisht, historia e tyre është tipike ballkanike dhe vendosja e tyre në Durrës e Shijak tërësisht rastësore, për shkak të një defekti të avullores që i transportonte në kohën e Perandorisë Otomane nga Raguza (Dubrovniku i sotëm) për në Stamboll.
Projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje mbi transportin detar tregtar na dha rastin për të informuar shkurtimisht për shqiptarët në Bosnjë-Hercegovinë e për komunitetin boshnjak në Shqipëri, të cilët janë, në të vërtetë ura të lidhjes e të një bashkëveprimi të gjatë e të shumanshëm midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve të tjerë në Rajon. Janë shqiptarët dhe boshnjakët, si komunitete pakicash në vendet respektive, faktorët më të rëndësishëm të lëvizjeve të ndërsjella, promovimit të të dy vendeve, shkëmbimeve tregtare dhe interesave të biznesit. Ata mund të jenë edhe përfituesit e parë të lehtësirave që vijnë nga kjo marrëveshje, për t’i dhënë një nxitje e zhvillim të mëtejshëm shkëmbimeve tregtare nëpërmjet transportit detar, si një mënyrë më ekonomike transporti. Ndaj ju ftoj që ta votojmë këtë projektligj për ratifikimin e marrëveshjes mbi transportin detar tregtar midis dy vendeve tona, si një mundësi më shumë për zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve jo vetëm tregtare e në fushën e transportit, por edhe në fusha të tjera më interes të përbashkët.
Sigal